Trafik droge / Prokuroria dërgon në gjykatë 3 të pandehur maqedonas

0
164

Anxhela Tato

Marijuana do të kalonte transit në kufirin shqiptar, kamufluar në fugonin e turshive

Tre të pandehurit në bashkëpunim me 2 shtetas shqiptar të cilët janë ende mister për akuzën

 

gjykata-697Tentuan të kalojnë marijuanë me anë të kavanozave të turshive, por nuk ia arritën dot qëllimit duke rënë në prangat e policisë. Bëhet fjale për tre shtetasit maqedonas, të cilët janë dërguar nga prokuroria si të pandehur për akuzën e trafikut të narkotikëve, në bashkëpunim dhe të mbetur në tentativë. Prokuroria ka depozituar në gjykatë dosjen në ngarkim të tre shtetasve Pande Muchov, Sashe Dimitrievski dhe Toni Velichkov. Në Stacionin e Policisë Kufitare Porti Durrës, në datë 02.03.2013 rreth orës 20:30, punonjësit e policisë ushtruan kontroll  në kamionin tip DAF dhe në karroceri të trajlerit krahas një ngarkese me turshi trangujsh e specash, gjetën një sasi të konsiderueshme lënde narkotike marijuanë që në peshë të përgjithshme rezultoi të ishte 835 kg e 15 gram. Sasia e lëndës narkotike ishte futur përkatësisht, në 463 bidona plastik të tejdukshëm, në 33 pako të përmasave të mëdha dhe në 72 pako të përmasave më të vogla. Punonjësit e policisë kishin marrë shkas për kontrollin e imtësishëm të kamionit tip DAF ngaqë kishin vënë re se kavoja prej çeliku që përshkonte gjithë gjatësinë e trajlerit dhe që bashkohej në fund të trajlerit me ‘’plumçet’’doganore, në pjesën ballore të saj, ishte e dëmtuar (e këputur dhe e ngjitur me izolant të bardhë). Drejtues i kamionit ishte shtetasi maqedonas Pande Muchov. Nga këqyrja e dokumentacionit shoqërues të ngarkesës së kamionit doli që destinacioni i udhëtimit të kamionit ishte Zvicra. Ngarkimi i mallit të dokumentuar ishte bërë në Shkup (Maqedoni) dhe kamioni kishte kaluar transit në territorin shqiptar, për t’u imbarkuar në traget në Durrës për të udhëtuar drejt Italisë. Në marrjen e pyetje të Pande Muchov, menjëherë pas shoqërimit të tij në Stacionin e Policisë Durrës, ai mohoi dijeninë e tij për ekzistencën e sasisë së narkotikut në kamionin e drejtuar prej tij, duke pohuar se kamioni ishte i një bashkëkombësi të tij Sashe Dimitrievski, i cili ndodhej në territorin shqiptar.

Hetimet

Pande Muchov dhe Sashe Dimitrievski janë shtetas maqedonas, me vendbanim në Maqedoni. Ata janë miq me njëri-tjetrin dhe nga profesioni janë shoferë. Sashe ka në pronësi të tij kamionin tip DAF me kokë tërheqëse me targë SK840UR dhe trajler me targë SK xxxx RF. I njohur i tyre është dhe shtetasi tjetër maqedonas Toni Velichkov. Të tre këta takoheshin shpesh tek terminali i kamionëve në Shkup (Maqedoni). Pande, Sashe e Toni kishin qenë më parë në Shqipëri dhe ishin në dijeni se kishte tragete që udhëtonin nga Porti i Durrësit për në Itali. Pande e Sashe i kanë kërkuar Tonit që t’i lidhte me një shtetas shqiptar që dispononte sasi lënde narkotike dhe që ishte i interesuar për kalimin e saj jashtë territorit shqiptar për në Itali, duke i vënë në dispozicion kamionin për ta ngarkuar lëndën narkotike në të, e për ta kaluar më pas përmes Portit të Durrësit në Itali. Sigurisht kjo do të bëhej kundrejt shpërblimit në të holla. Kjo bisedë mes tyre u bë në Shkup, disa ditë para ngjarjes. Toni mori përsipër t’i takonte me shtetasin shqiptar, pasi ai shkonte shpesh në Maqedoni. Pak ditë para ngjarjes Pande, Sashe, Toni dhe dy persona nga Shqipëria (ende të panjohur) u takuan tek terminali i kamionëve në Shkup, dhe ranë dakord që kamioni i Sashes të ngarkohej me turshi në Shkup, dhe pasi të kalonte në territorin shqiptar, këtu të ngarkohej në të sasia e lëndës narkotike, dhe Pande të merrte përsipër drejtimin e kamionit për t’u imbarkuar në traget në Durrës, për ta kaluar lëndën narkotike në Itali. Për këtë kalim të sasisë së narkotikut në Itali kishin rënë dakord që secili prej tyre të merrte shpërblimin në të holla.

Ngarkesa

Pasi ngarkuan kamionin në Shkup me turshi specash e trangujsh, dhe pasi më parë kishin rënë dakord me shtetasit shqiptarë rezident në Shqipëri, për veprimet që do kryheshin me kamionin në territorin shqiptar, në orët e drekës së datës 01.03.2013, tre të akuzuarit hynë në territorin shqiptar veçmas nga njëri-tjetri. Sashe hyri në drejtim të kamionit tip Daf nga PKK Qaf Thanë. Pande hyri si këmbësor, po nga kjo pikë kalimi kufitare, ndërsa Toni hyri nga PKK Tushemisht. Më parë kamioni ishte kontrolluar nga Dogana e Shkupit, dhe në Doganën e Qafë Thanës, nga pala maqedonase dhe ajo shqiptare, dhe ishte gjetur i rregullt ‘’i plumbosur’’. Në Shqipëri, ata të tre u takuan atë pasdite në Elbasan. Këtu erdhën dhe dy personat nga Shqipëria. Nga këtu, të gjithë bashkë ata udhëtuan për në Durrës, ku u orientuan nga bashkëpunëtori i tyre shqiptar se ku duhej të parkonin kamionin. Pande e parkoi kamionin tek një vendparkim afër një pike shitje karburanti në dalje të qytetit të Durrësit për nga Tirana. Ndërkohë Pande, Sashe e Toni morën dhe një dhomë hoteli në hyrje të qytetit të Durrësit. Atë natë të akuzuarit fjetën në hotel dhe të nesërmen pasdreke, kur shqiptari erdhi tek hoteli, ata morën vesh që sasia e narkotikut ishte ngarkuar e gjitha, dhe Pande ishte gati për udhëtim (veç Pandes edhe Sashe mbante një kopje të çelësit të kamionit). Të akuzuarit Sashe e Toni ndodheshin akoma tek hoteli, kur atë pasdite i akuzuari Pande u nis me kamionin me lëndë narkotike të ngarkuar në të drejt Portit të Durrësit, për t’u imbarkuar në tragetin që udhëtonte për në Itali atë natë në ora 23.

 

Buleti

Ministria e Brendshme, muaji shkurt 20% vrasje më pak sesa viti 2013

Ministria e Brendshme ka publikuar dje buletinin e muajit shkurt. Sipas informacioneve, për muajin shkurt ka pasur 20% më pak vrasje se shkurti i vitit të kaluar. Ndërkohë, sa i takon krimeve kundër personit të zbuluara, kapin shifrat e rreth 92.3%. Bilancet tregojnë se ka pasur 5 herë më shumë persona në kërkim ndërkombëtar të kapur dhe rreth 55 persona të proceduar penalisht për trafiqe të paligjshme. Sa i takon sektorit të Qarkullimit Rrugor, janë arrestuar 193 persona për shkelje të rregullave të qarkullimit. Madje në linjë të kësaj nisme janë vendosur 48.759 masa administrative për shkelje në Qarkullimin Rrugor. Ndërkohë, janë sekuestruar 3,5 ton lëndë narkotike, marijuanë. Në kuadër të ruajtjes së sigurisë në rrugë, janë kryer 44.689 kontrolle mjedisesh dhe automjetesh. Madje, në buletin përcaktohet se janë nën procedim penal, 22 punonjës policie që po ndiqen penalisht nga SHKB. Gjatë muajit shkurt 2014 janë evidentuar 459 vepra penale më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja më e madhe është vërejtur në krimet ekonomiko-financiare, veprave në fushën e sigurisë rrugore, ku në ndryshim nga vitet e mëparshme është rritur shumë goditja e veprave penale të “Drejtimit të automjeteve në mënyrë të parregullt”, veprat e dhunës në familje etj. Vrasjet kanë pësuar një rënie prej 20%. Në buletin përcaktohet se janë evidentuar 2301 vepra penale dhe zbulueshmëria e tyre ka qenë në nivelin e 81.4%. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 696 persona dhe ndiqen në gjendje të lirë 1324 të tjerë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency