Nga ataku kardiak Ndërron jetë Ferdinand Poni, rrëfimi i mikut që e shoqëronte: Nuk shfaqi asnjë shenjë

0
134

Gëzim Saliu

Tasim Mema: Vdekja ishte e menjëhershme, zemra i ndaloi kur po pinte kafe në Prizren

 Sot do të zhvillohen homazhet në orën 12:30-14:30 në hollin e Teatrit Kombëtar

 

0901-Ferdinand-Pone-ArkiveNdërron jetë nga një infarkt në zemër ish-zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Zemra e tij ndali mesditën e djeshme në moshën 49-vjeçare, teksa kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës ishte duke pirë një kafe në qytetin e Prizrenit në Kosovë. Poni ndodhej në këtë qytet me ish-kreun e Qarkut të Tiranës, Tasim Mema, kur rreth orës 14:20 minuta, ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e një ataku kardiak.

 Rrëfimi i Memës

Ish-kreu i Qarkut të Tiranës, Tasim Mema, i cili shoqëronte të ndjerin Poni në vizitën e tij në qytetin e Prizrenit, ka rrëfyer dje çastet e fundit të jetës së ish-zv.ministrit të Brendshëm. “Rrugës për në Prizren nuk shfaqi problem. Ka qenë në humor gjatë gjithë kohës dhe nuk shfaqi asnjë shenjë. Vdekja ishte e menjëhershme. Ndodhi sapo u ulëm në lokal. Më pas erdhi ambulanca, por gjithçka kishte marrë fund. Nuk do doja të jepja unë këtë rast të vdekjes, z. Poni e kam pas një nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë. Ai ishte një mik dhe shok i të gjithëve. Ne këtu në Prizren ishim vetëm për disa orë dhe do ktheheshim. Nuk ishte një takim pune, thjesht do takonim disa miq, por fatkeqësisht nuk takuam asnjë”, – u shpreh ai për “News 24”. Më tej, pasi falënderoi autoritetet e Kosovës për ndihmën dhe gatishmërinë e shfaqur, Mema bëri të ditur se kishte qenë në kontakt me familjarët e Ponit. “Kam qenë unë që kontaktova direkt me familjarët. 20 vjet shok me z. Poni dhe gjej rastin që t’i ngushëlloj për këtë humbje”, – tha ai. Rreh orës 21:50 është bërë i mundur transportimi i trupit të Ferdinand Ponit nga Prishtina në Tiranë, ku ditën e sotme do të zhvillohen homazhet në orën 12:30-14:30 në hollin e Teatrit Kombëtar.

Biografia

Ferdinand Poni ka lindur 16 mars të vitit 1965. Ai mbajtur postin e zëvendësministrit të Brendshëm në vitet 2005-2007 në periudhën e qeverisë “Berisha”. Poni ishte diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe më pas në Fakultetin e Drejtësisë dhe ka ndjekur disa kurse specializimi në Universitetin e Nju Jorkut. Prej vitit 1999 ai u angazhua në Partinë Demokratike duke mbajtur një sërë funksionesh politike, ku të fundit para zgjedhjeve të 23 qershorit ka mbajtur postin e zv.ministrit të Brendshëm. Në vitet 1993-1995 ka qenë ndihmës i Kryeministrit për pushtetin lokal e ndërsa në periudhën 1995-1997, ka mbajtur detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Pushtetit Lokal në Ministrinë e Brendshme. Ndërsa aktualisht ai mbante postin e kreut të këshilltarëve të grupit të PD-së në Bashkinë e Tiranës.

 

Mesazhet e ngushëllimit

Lulzim Basha- “Pikëllim dhe dhimbje për humbjen e mikut dhe bashkëpunëtorit tim të ngushtë Ferdinand Poni!”

Sali Berisha- “Dhimbje dhe pikellim i thellë në zemrat tona. Ferdinand Poni u nda nga ne. Të dashur miq, me hidhërim te madh e pikellim te thelle mesova lajmin e rende te ndarjes se papritur sot nga ne te anetarit te Keshillit Kombetar te PD, kryetarit te grupit te keshilltareve te PD ne Bashkine e Tiranes, mikut dhe njerit prej bashkepuntoreve te mi nder me te afte, me te perkushtuar dhe me eficente, Ferdinand Ponit. Ndarja e parakohshme nga jeta e Ferdinandit, djalit, prindit dhe bashkeshortit, qytetarit, mikut shembullor, eshte nje humbje e madhe e pakompensueshme per bashkeshorten, femijet, familjaret, miqte dhe te afermit e tij. Por sot, me ndarjen nga ne te Ferdinand Ponit, PD ka humbur njerin prej veprimtareve me te vendosur te saj, drejtuesin e larte, njohesin, reformatorin kompetent e te perkushtuar te qeverisjes vendore, decentralizimit e demokracise dhe avokatin besnik e te shkelqyer te saj dhe te Shqiperise ne forumet brenda dhe jashte vendit. Duke shprehur ngushellimet me te thella, nenes se tij, bashkeshortes, djemeve dhe te gjithe familjareve, miqve, te afermve por dhe mbare demokrateve te Shqiperise per kete humbje te rende, le te lutemi ne se bashku qe shpirti i tij te gjeje paqen e merituar. I lehte qofte dheu i tokes sone per ty miku yne!”

 

Edi Paloka- “Humbje e madhe jo vetëm për demokratët. Ferdinandi ishte një parlamentar i vërtetë, përfaqësues i denjë i qytetarëve të Tiranës. Një qytetar me vlera njerëzore”.

 

Oerd Bylykbashi- “Sot u nda nga jeta Ferdinand Poni, një mik i dashur dhe i vjetër! Një dhimbje therëse me la telefonata që më dha lajmin e kobshëm. Boshllëk i madh e i pabesueshem, një humbje e rëndë e një miku me të cilin kam ndarë shumë përpjekje, punë e rezultate në 13 vitet e fundit. Iku herët, pa radhë, shumë e padrejte kjo! U bë e dyta humbje e rëndë e një miku të vjetër në pak muaj. Nëse sot Shqiperia ka arritur standarte ndërkombëtare dhe është më e mirë për gjithkënd, Ferdi ka pa diskutim gjurmën dhe firmën e tij në këto arritje. Këto nuk ia vë dot askush në dyshim. Sot nuk është më një mik që mendoj se vlente me shumë seç u vlerësua. Sot PD nuk ka më një prej njerëzve që punuan e sakrifikuan më shumë për të. Ferdi, u prehsh në paqe mik i shtrenjtë!”

 

Albana Vokshi- “Ngushëllime të sinqerta per familjen e mikut, kolegut, politikanit aktiv ne Partine Demokratike, Ferdinand Poni, për ndarjen e parakohshme nga jeta”.

 

Kastriot Islami- “Lajm i trishtueshëm ndarja në moshë të re. Një ekspert i vecantë dhe një zë i fuqishëm në pushtetin vendor. Me kontribute të konsiderueshëm në cështjet zgjedhore. Ngushëllime familjes dhe të afërmve. U prehtë i qetë e në paqe”.

 

Liljana Elmazi- “Sot, ne humbem nje mik te mire, koleg, demokrat te devotshem e qendrestar qe ne oret e para ! Humbem nje njeri te mire qe vdekja na e mori para kohe ! S’thone kot qe ajo merr njerezit e mire ! I shpreh familjes, miqve dhe te afermve te Ferdinandit ngushellimet e mia, babait tim dhe familjes sime per humbjen para kohe te mikut tone, Ferdinandit! Zoti jua lehtesofte dhimbjen per kete humbje te Madhe”.

 

Tritan Shehu- “Lajm, shokues. Të dëgjosh për një njeri që e ke njohur dhe në mënyrë të papritur, është shumë e rëndë. Tepër e rëndë është për gruan e tij, miqtë e tij, strukturat e PD. Të gjithë ata që kanë punuar me atë këto vite e kanë vlerësuar si njeri dinamik, krijues. Humbja e tij krijon boshllëk tek familja e tij në radhë të parë dhe më pas në reformat për pushtetin lokal ku ai ka punuar. Nuk është e lehtë, dhe jemi shokuar nga ky lajm që më erdhi kaq papritur”.

 

Aldrin Dalipi- “Humbja e parakohshme e Ponit, lajm i trishtueshëm. I shpreh ngushëllime familjes. Qeverisja vendore humbi një zë të fortë”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency