Standard.al

Tryeza Shqipëri-BE/ Zbardhen 10 përfundimet, KE: Duhen prova për rezultatet, konsensus ndërpartiak për reformat

Gëzim Saliu

 

Komisioneri Füle: Ligji i nëpunësit të zbatohet me frymën e dialogut që u miratua në maj të vitit 2013. KE, e gatshme të mbështesë Shqipërinë me ekspertizë dhe mbështetje financiare

 

 

takimi , Rama, bregu, FyleZbardhen përfundimet e arritura në takimin e dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë BE-Shqipëri, të zhvilluar dy ditë më parë në Tiranë, ku mori pjesë edhe komisioneri për Zgjerimin, Štefan Füle. Një ndër kërkesat kryesore të Komisionit Evropian, e cilësuar si kyçe në procesin e integrimit, ishte ajo për konsultimin sistematik dhe përfshirjen e Parlamentit dhe palëve të interesuara në reformat e vendit. Në 10 përfundimet e arritura nënvizohet rëndësia e vazhdimësisë së përpjekjeve për reforma dhe paraqitjes së provave të rezultateve të arritura në prioritetet kryesore të vendosura nga KE, si shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu në këtë takim, eurokomisioneri theksoi se Komisioni është i gatshëm ta mbështesë Shqipërinë me ekspertizë dhe mbështetje financiare.

 

Përfundimet

Sipas konkluzioneve të bëra publike dje nga Kryeministria, për të cilat opozita theksoi se në to nuk janë reflektuar shqetësimet e saj për shkeljen e standardeve demokratike nga qeveria, thuhet se komisioneri Füle përshëndeti progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë në reformat që lidhen me BE-në gjatë periudhës së kaluar dhe nënvizoi se puna e përbashkët konstruktive e qeverisë dhe opozitës, veçanërisht në Parlament, është kyçi për konsolidimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtyre përpjekjeve. Po ashtu ai bëri të ditur se KE është e gatshme të mbështesë Shqipërinë me ekspertizë dhe mbështetje financiare. Ndërkohë, lidhur me ligjin “Për nëpunësin civil”, thuhet se eurokomisioneri kërkoi zbatimin e qetë të tij me po atë frymë dialogu dhe bashkëpunimi që u miratua në maj 2013. “Në këtë periudhë Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate konkrete lidhur me të gjitha pesë përparësitë kyçe, me fokus të veçantë mbi reformën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe asaj gjyqësore”, – ka thënë Füle, kërkesë e cila është cilësuar si prioritet nga Komisioni Evropian. Lidhur me funksionimin e institucioneve të pavarura të vendit, komisioneri i Zgjerimit theksoi se si opozita ashtu dhe qeveria duhet të tregojnë tani përmbajtje dhe të garantojnë respektimin e plotë të legjislacionit të zbatueshëm dhe parimeve të tij. Ndërkohë që për t’u përgatitur për takimin tjetër të Dialogut të Nivelit të Lartë të parashikuar në qershor 2014, u vendos që kontaktet në nivel pune të intensifikohen dhe të sigurohen raporte të rregullta mbi zbatimin e udhërrëfyesit nga pala shqiptare.

 

Konkluzionet

1-Takimi përshëndeti rezolutën e Parlamentit për integrimin në BE të votuar njëzëri në nëntor 2013, çka demonstroi ekzistencën e konsensusit politik. Zbatimi i angazhimeve të ndërmarra sipas nëpërmjet kësaj rezolute është thelbësor. Lidhur me këtë, komisioneri Füle theksoi rëndësinë e sigurimit të koherencës dhe një përqasje përfshirëse ndaj gjithë reformave të ndërmarra nga Shqipëria duke marrë në konsideratë programin e vendit për BE-në. Konsultimi sistematik dhe përfshirja e Parlamentit, si dhe palëve të tjera të interesuara në procesin e reformave është kyç.

2. Këshilli vendosi: “Të shqyrtojë, në bazë të një raporti që do të paraqitet nga Komisioni, vazhdimin e zbatimit të strategjive të reformës kundër korrupsionit dhe asaj gjyqësore dhe legjislacionin përkatës të miratuar së fundmi, si dhe prirjen e vazhdueshme për hetime dhe ndjekje penale proaktive, përfshirë fushën e krimit të organizuar”.

3. Takimi vendosi se është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë përpjekjet për reforma dhe të vazhdojë të paraqesë prova të rezultateve të arritura duke u fokusuar te shteti i së drejtës, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioneri kujtoi gjithashtu rëndësinë që shtetet anëtare të BE-së i japin kulturës së bashkëpunimit dhe përfshirjes në Parlament, çka do të lejonte një proces të qëndrueshëm reformash.

4. Komisioneri Füle përshëndeti projektin e Udhërrëfyesit për 5 Përparësitë Kyçe si një dokument të strukturuar mirë me afate realiste. Ai theksoi rëndësinë e vëmendjes së veçantë gjatë muajve të ardhshëm për të garantuar zbatimin e tij të qëndrueshëm dhe në kohë, veçanërisht lidhur me masat afatshkurtra në fushën e shtetit ligjor, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

5. Komisioneri Füle theksoi se Komisioni është i gatshëm ta mbështesë Shqipërinë me ekspertizë dhe mbështetje financiare.

6. Kryeministri Rama konfirmoi angazhimin e qeverisë së tij për forcimin e mëtejshëm të progresit të madh të arritur në reformat që lidhen me BE-në, veçanërisht për vazhdimin e zbatimit të reformave në fushën e shtetit të së drejtës, përfshirë politikën kundër korrupsionit, reformën gjyqësore dhe luftën kundër krimit të organizuar

7. Qeveria shqiptare konfirmoi angazhimin e saj për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm me opozitën, çka është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave.

8. Komisioneri Füle përshëndeti angazhimet e qeverisë shqiptare për të garantuar zbatimin e qetë të Ligjit për Shërbimin Civil me po atë frymë dialogu dhe bashkëpunimi që çoi në miratimin e tij në maj 2013; për finalizimin e strategjisë kundër korrupsionit dhe hedhjen e hapave për zbatimin e saj lidhur me përmirësimin e efikasitetit të veprimit në këtë fushë

9. Qeveria mbetet e angazhuar ndaj përfshirjes së organizatave dhe grupeve të shoqërisë civile në procesin e reformave. Për këtë qëllim, Udhërrëfyesi për 5 Përparësitë Kyçe është ndarë me aktorët dhe organizatat e shoqërisë civile për komente dhe sugjerime.

10. Për t’u përgatitur për takimin tjetër të DNL të parashikuar në qershor 2014, u vendos që kontaktet në nivel pune të intensifikohen dhe të sigurohen raporte të rregullta mbi zbatimin e udhërrëfyesit nga pala shqiptare. Shqipëria do të japë kontribut lidhur me Raportin tjetër të Komisionit. Komisioneri Füle nënvizoi se në këtë periudhë Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate konkrete lidhur me të gjitha pesë Përparësitë Kyçe, me fokus të veçantë mbi reformën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe asaj gjyqësore.

 

 

Eurodeputeti

Brok: Po shkelen parimet e shtetit ligjor. PS nuk mund ta kthejë Shqipërinë në pronë të saj

Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, Elmar Brok, deklaron se mungesa e gjithëpërfshirjes si edhe antikushtetutshmëria janë probleme shqetësuese. Duke nënvizuar se duhet ndalur sulmi ndaj institucioneve të pavarura, Brok në intervistën për “ABC News” thekson se qeveria nuk mund të shkelë parimet e shtetit ligjor. “Ka një problem me ushtrimin e pushtetit dhe gjithëpërfshirjen. Komisioneri Füle do të shohë opozitën të përfaqësuar në dialogun e nivelit të lartë si më parë me kryetarë komisionesh nga opozita, tani kemi vetëm një përfaqësues të opozitës. Kur shoh që ndryshohen postet kundër rregullave, duke përfshirë këtu edhe në raste që lidhen me rolin e Presidentit të Republikës për institucionet e pavarura, atëherë kam frikë se zoti Rama po luan lojën e vjetër. Dhe parimet që ne mbrojmë fort për forcimin e shtetit ligjor dhe këtë radhë janë shkelur nga qeveria”, – tha ai. Ndërkohë, lidhur me shkarkimet në administratë, Brok e cilësoi këtë si një tentativë të PS-së për të pasur vendin nën kontroll. “Kur dëgjoj që ka 4 mijë shkarkime dhe që Partia Socialiste ka vënë në sitin e saj, që personat që duan të aplikojnë për administratën publike, mund ta bëjnë këtë në sitin e PS-së, atëherë ky zhvillim është befasues. Ata kujtojnë se do ta bëjnë vendin pronë të tyre. Kjo nuk është e pranueshme. Është kundër parimeve evropiane”. Sa u përket akuzave të opozitës ndaj mazhorancës për cenimin e Kushtetutës, eurodeputeti theksoi: “Kur mora vesh se aktet kushtetuese mund të ndryshohen përmes një akti normativ të qeverisë, kjo është më shumë se befasuese, është afër një regjimi diktatorial. Kushtetuta dhe nevoja për të pasur një shumicë të cilësuar për të ndryshuar Kushtetutën në një vend është një çështje e parim ligjor. Tejkalimin e Kushtetutës përmes një akti normativ qeveritar s’e kam parë kurrë këtë përpara, përveçse në diktatura”. Sipas tij, Shqipëria do të vlerësohet pozitivisht në qershor për statusin vetëm nëse përmbush kushtet e vendosura dhe tregon vazhdimësi.

 

Comments are closed.