Standard.al

Reforma administrative/ Mazhoranca kërkon ndryshimin e Kushtetutës, paketë për ligjin organik të pushtetit vendor

Gëzim Saliu

 

Bashkim Fino: E bëjmë reformën duke prekur Kushtetutën, vetëm për pushtetin lokal

 

bashkim-fino Mazhoranca kërkon ndërhyrje në Kushtetutën e vendit për të realizuar reformën administrative-territoriale. Bashkëkryetari i komisionit parlamentar të ngritur për këtë reformë vetëm me votat e mazhorancës, deputeti i PS-së, Bashkim Fino, tha se ligji themeltar i vendit duhet prekur vetëm në pjesën e pushtetit lokal. “Puna është: do ta prekim Kushtetutën apo nuk do ta prekim Kushtetutën? Kjo është çështja e parë, çështje e cila kërkon një zgjidhje. Do ta bëjmë reformën për së mbari në themel, në qoftë se duhet ta bëjmë. Po në qoftë se duhet ta bëjmë duhet të themi, po, do të bëjmë reformë territoriale-administrative duke prekur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e cila ka një nen të caktuar që thotë që ka 2 nivele në nivelin vendor”, – tha ligjvënësi socialist dje gjatë aktivitetit të organizuar nga “shtetiweb” për prezantimin e rezultateve të studimit “Reforma territoriale nëpërmjet konsultimit të qytetarëve”. Duke pohuar se në nivelin e parë janë ndarjet Komuna-Bashki e në nivelin e dytë ndarja e Qarkut, Fino nënvizoi: “Në qoftë se do të kemi dy nivele dhe në qoftë se mendojmë që ti japim kompetenca qarkut, absolutisht, personalisht e kam këtë mendim por besoj se ndaj mendim me të gjithë ju të tjerët këtu që kryetari i qarkut duhet të zgjidhet nga populli”.

 

Qëndrimi

Pasi shprehu gatishmërinë për konsensus mes palëve për reformën administrative, Fino pohoi se është e domosdoshme pjesëmarrja e të gjithë spektrit politik në këtë proces. “Unë jam partizan i mendimit që reformën që duhet ta bëjmë ta themi me gojën plot dhe hapur që duam të bëjmë reformën territoriale duke prekur Kushtetutën vetëm për pushtetin vendor dhe duke bërë një reformë vërtetë që të jetë gjithëpërfshirëse dhe të jenë të gjithë të kënaqur. Reforma nuk bëhet me një parti politike. Reforma bëhet nga gjithë spektri politik. Edhe nga minoritetet”, – theksoi ai. Në këtë kontekst, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale bëri të ditur se në muajin shtator ekziston mundësia që të prezantohet në Kuvend krahas kësaj reforme, edhe paketa për ligjin organik të pushtetit vendor. “Unë jam i mendimit që edhe në muajin shtator ishalla ndodh kaq shpejt të vejë paketë pikërisht kjo gjë, edhe ndarja territoriale e Shqipërisë, por edhe paketat edhe ligji organik i pushtetit vendor”, – deklaroi Fino. Ndërkohë, ish-kryeministri i vendit, Ylli Bufi, theksoi në takimin e djeshëm: “Reforma duhet të shoqërohet me ligjin për decentralizimin, ndryshe kot që po e bëjmë”. Ndërsa një tjetër ish-kryeministër i vendit propozoi që reforma të shoqërohet me ndërhyrje në ligjin elektoral, për të bërë të paktën rregullimin e sistemit. “Ne të mos ndërhyjmë në të gjithë ligjin zgjedhor. Të vendoset korrektimi kombëtar për të hequr çdo frikë se do të përdoret ndarja e re e vendit”, – deklaroi Meksi. Pasi u ngrit Komisioni Parlamentar për Reformën Administrative Territoriale me vetëm votat e mazhorancës, opozita ka bërë të ditur se për të marrë pjesë në të, duhet më parë që të garantohet konsensusi deri në fund të procesit si edhe duhet të sigurohet rikthimi i tij për disa çështje kryesore të jetës politike në vend. Po ashtu opozita ka kërkuar nga mazhoranca qeverisëse që të ndalë sulmin ndaj institucioneve të pavarura, si Presidenti i Republikës apo ILDK, si edhe mos ndryshimin e ligjit të nëpunësit civil të votuar me konsensus mes palëve në maj të vitit 2013.

 

 

Dy qëndrimet

Ndarja mes të majtëve, Çuçi: Komisioni të fillojë dëgjimet publike. Fino: Duhet edhe opozita

 Qëndrimi i opozitës ndaj mazhorancës qeverisëse për reformën administrative territoriale lexohet ndryshe brenda radhëve të së majtës. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, pas një takimi informues me ambasadorët për çështjen e reformës territoriale ka theksuar se kjo reformë duhet bërë edhe nëse Partia Demokratike nuk merr pjesë, duke kërkuar që komisioni i posaçëm parlamentar të fillojë nga puna me seanca dëgjimore. “Ajo është çështje e hapur. Jemi të vendosur që ta kemi pjesë opozitën në proces, por nëse opozita zgjedh që të izolohet dhe të bojkotojë procese politike, kjo është zgjedhja e saj. Fakti është që Komisioni është në pritje dhe mendoj se Komisioni mundet ndoshta edhe të fillojë punë për sa u përket dëgjimeve publike, sepse dëgjimet publike janë të hapura, por vendimmarrja sigurisht që do kuorum. Kjo është një çështje që do t’i takojë së ardhmes”. Krejt ndryshe nga ky qëndrim, bashkëkryetari i Komisionit parlamentar për reformën administrative territorial ka bërë të ditur dje në takimin e organizuar për këtë çështje se për këtë reformë ka domosdoshmëri për gjithëpërfshirje. “Reforma nuk bëhet me një parti politike. Reforma bëhet nga gjithë spektri politik. Edhe nga minoritetet”, – tha Fino.

 

 

Reagimi i OSBE-së

Raunig: Procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës

Ambasadori i OSBE-së në vend, Florian Raunig, deklaroi dje se si një reformë mbarëkombëtare që përfshin gjithë territorin, reforma administrative duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës. Pas takimit informues të zhvilluar me ministrin për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, kryediplomati i OSBE-së në vend theksoi se ekzistojnë dy rryma lidhur me këtë reformë të rëndësishme. “Është një reformë mbarëkombëtare që përfshin të gjithë territorin e Shqipërisë, ndaj dhe duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës ku të përfshihen të gjithë aktorët. Janë dy rrymat që po shoh, teknike, të implementimit të projektit dhe rryma politike, ku duhet të kemi një konsensus, një marrëveshje dhe një pjesëmarrje të të gjithë aktorëve të Shqipërisë”, – pohoi ambasadori i OSBE-së. ndërkohë i pyetur për mundësinë e realizimit të reformës territoriale pa votën e opozitës, Raunig u shpreh se “duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, ku të gjithë aktorët të marrin pjesë”.

 

Comments are closed.