Standard.al

Integrimi evropian? Fle kultura, fle diplomacia, fle edhe diplomacia kulturore

Artan Fuga

 

 

Fuga_-_Photo1Lloj-lloj klishesh. Ah Shqipëria – vendi që për pesë dekada thuajse ishte i izoluar krejtësisht. Ju: Vendi më i varfër në Evropë. Mijëra emigrantët në vapore duke mësyrë Perëndimin dhunshëm. Sa të dhunshëm jeni! Atje ku të gjithë duan të emigrojnë. Ku shkoni? Pse nuk emigron serbi e maqedonasi, kurse ju nga sytë këmbët? Naivë që pasi humbët paratë në piramidat financiare e kthyen vendin në fushë beteje. Shqiptarët luajnë me kallashnikovë. Nuk bëhen dot zgjedhjet pa vëzhgues të huaj sepse politikanët grinden me njeri tjetrin. Vend i korruptuar. Nuk e njihni kushtetutën sepse ecni me një kanun të vjetër të një lek – lek, ku njeriu e vret njeriun për një llaf goje. Shoqëri klanike, ca na ngatërrojnë me turq, për shkak të historisë sonë në Perandorinë otomane. Qytete të pista dhe urbanistikë kaotike keni! Pa vlera kulturore. Ah, Ismail Kadarenë, e njohim! E kam lexuar! – thonë ata nga gjashtëdhjetë vjet e lart. Nëpunësi i pallatit të ëndrrave. Shumë keni vuajtur në Otomaninë. Nuk jeni më evropianë. Nuk bashkëjetoni dot me fqinjët, as ata me ju, ç’më duhet mua se kush e ka fajin ju apo ata.

 

Bota i mbështet me pa fund parà dhe energji morale e materiale praktikat e diplomacisë publike, kurse ne as i shpërfillim. Është fjala për atë që quhet ndryshe edhe diplomaci kulturore, ose “pushtet i butë”. Ndryshe, thuhet se ka të bëjë me përdorimin e pasurisë kulturore dhe sociale të vendit për të përmirësuar dhe transmetuar një imazh pozitiv për shtetin, kombin dhe vendin, çka ndihmon që të sigurohen më mirë dhe shpejt interesat strategjike të tyre në botë.

Aq me interes e shohin këtë kombet e mençur saqë diplomacinë kulturore e konsiderojnë edhe pjesë e komunikimit strategjik, si në kohë paqe, ashtu edhe në kohë lufte, si atëherë kur rrjedhat janë të qeta edhe kur ka kriza në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Te ne diplomacinë kulturore, pra përdorimin e thesarit kulturor për ta vendosur në shërbim të çështjes kombëtare, as e mendon kush. Politika mendon se çështjet që kanë të bëjnë me politikën e jashtme mund t’i zgjidhi vetë, me disa vizita jashtë shtetit të politikanëve që mbyllen brenda salloneve, me takime dhe konferenca shtypi, ose edhe me ndonjë punonjës të lodhur ambasade që ndonjëherë ngjan si një hallexhi, me rroba të vjetra, jashtë mode, ndenjur keq pas trupi, që mezi rrumbullakos fundin e muajit.

Dhe pastaj habitemi ta zëmë se përse nuk e morëm statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian!

Kujtojmë dhe shpresojmë ndonjëherë se vendimmarrjen për ta bërë këtë hap e ka në dorë misioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, apo ndonjë zyrtar në Bruksel. Atje përqendrojmë të gjitha forcat duke harruar se sado dashamirës ose diplomatë të jenë këta, pranimi në Bashkimin Evropian është pasojë direkte, e plotë, e panegociueshme e vullnetit të parlamentarëve evropianë që shprehin vullnetin qytetar. Nuk ka pikë rëndësie se çfarë deklaratash shpresëdhënëse japin sipas cikleve të caktuara zyrtarë të ndryshëm evropianë, por duhet ditur se çfarë ka në mendje ai parlamentari baltik, nordik, mesdhetar, hebre, sllav, a grek etj., kur voton apo kur përpunon mendimin e tij. A ka bërë ndokush ndonjë studim se cilët janë këta individë, cilat janë klishetë e tyre, sesi mund të ndikohen pozitivisht, se si duhen mbajtur në kontakt me kulturën shqiptare dhe e hapur këtë kulturë përpara tyre.

Ky është komunikim publik strategjik, të tjerat janë vetëm forma artizanale pa peshë dhe pa rezultat.

Këtej na vijnë pastaj edhe shpërqendrime forcash. Avancimin për në Bashkim Evropian na e venë me ose pa të drejtë popujt e Veriut të Evropës, kurse ne lavdërohemi me mbështetjen e Italisë apo Greqisë, a thua se një shtetar i këtyre vendeve ka influencë mbi parlamentarët evropianë të zonave më veriore.

Ata, parlamentarët që votojnë për këtë çështje, kanë pas tyre votues në vendet përkatëse dhe u qëndrojnë besnikë atyre. Nuk kalojnë sipas qejfit nga e majta në të djathtë apo nga e djathta në të majtë… Dhe këta votues kanë perceptimin e tyre për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtë perceptim kolektiv nuk e ndikojnë dot asfare politikanët shqiptarë, sepse opinioni publik i vendeve evropiane mund të bëhet i ndjeshëm vetëm nga imazhi i kulturës dhe i identitetit shqiptar, kur ai i transmetohet me rrugë të sakta dhe të dobishme.

Çfarë bëjnë për këtë institucionet e shtetit shqiptar? Pothuajse asgjë, prej shumë e shumë vitesh. Kam frikë se as nuk e dinë ata që duhen ta dinë se çfarë është ky “pushtet i butë” që sikurse uji, thoshin kinezët e lashtë, futet ngado, s’ka forcë ta pengojë.

Jo vetëm politika mendon se problemin e ndikimit të vendimmarrësve të huaj mund ta zgjidhë me ndonjë takim a konferencë shtypi me politikanë të huaj, por edhe shumë nga ne kujtojmë se bota e njeh dhe e do Shqipërinë ashtu sikurse e duam dhe e njohim ne. Sigurisht ka individë dhe agjenci që e njohin saktë Shqipërinë dhe e vlerësojnë. Por, opinioni publik ndikohet dhe zotërohet nga ai njeriu i thjeshtë që duket si i humbur atje duke pirë birrën a kafen e vet në ndonjë qoshk rruge në Stokholm, Londër, Milano, a gjetiu.

Ai voton.

Puna ma ka sjellë ta kontaktoj këtë njeri, përtej elitave që kanë kontakt politikanët, por ta gjej edhe cinik, të zgjuar, mosbesues, tallës, te artistë, pedagogë, artistë, shkencëtarë, që nuk merren me politikë dhe me thënë të drejtën s’e kanë vëmendjen aq shumë se çfarë bëhet në Shqipërinë e vockël. Kanë stereotipat e tyre, klishetë e tyre, dhe me to veprojnë, votojnë, ndikojnë. Jam habitur dhe fillimisht tronditur nga imazhi që nuk mungon të qarkullojë. Pastaj u mësova.

Lloj-lloj klishesh. Shqipëria – vendi që për pesë dekada thuajse ishte i izoluar krejtësisht. Vendi më i varfër në Evropë. Mijëra emigrantët në vapore duke mësyrë Perëndimin dhunshëm. Atje ku të gjithë duan të emigrojnë. Naivë që pasi humbën paratë në piramidat financiare e kthyen vendin në fushë beteje. Nuk bëhen dot zgjedhjet pa vëzhgues të huaj sepse politikanët grinden me njeri tjetrin. Vend i korruptuar. Nuk e njohin kushtetutën sepse ecin me një kanun të vjetër ku njeriu e vret njeriun për një llaf goje. Shoqëri klanike, ca na ngatërrojnë me turq, për shkak të historisë sonë në Perandorinë otomane. Qytete të pista dhe urbanistikë kaotike. Pa vlera kulturore. Ah, Ismail Kadarenë, e njohim! E kam lexuar! – thonë ata nga gjashtëdhjetë vjet e lart. Nëpunësi i pallatit të ëndrrave. Shumë keni vuajtur në Otomaninë.

Pa fund klishe, ndjehesh i drobitur dhe thua: Ku jam? Kush jam? Pse jam? Ndihesh si në një ëndërr të keqe.

Ngaqë jemi pasivë në promovimin e pasurisë kulturore të vendit, vendin bosh e zënë klishetë.

Kulturalisht ne kemi nevojë urgjente të promovojmë vlerat historike, kulturore, shoqërore të qytetërimit shqiptar pikërisht në ato vende, në ato shoqëri, në ato pika të nxehta, në ato forma masive apo individuale, me atë cilësi artistike që duhet në mënyrë që ky lloj fluksi informativ të mbështesë strategjinë e integrimit politik në Evropë dhe Perëndim. Vende të tjera para nesh, Greqia, Polonia, Rumania, vendet baltike etj., gati u lanë ndjenjën e “fajësisë universale” vendimmarrësve në Evropë në kohën kur dëshironin të bënin hapat integruese. Një “autofajësi” se si mund të konsiderohej Evropa – Evropë e Bashkuar pa këto vende – djep i traditave kulturore evropiane, pra edhe sot si mund të kuptohet Evropa e Bashkuar pa integruar Ballkanin Perëndimor që ka mbajtur peshën e vet në historinë e kulturës evropiane?

Çfarë mund të tregojmë ne për ta krijuar këtë “autofajësi” në shpirtin e opinionit publik kolektiv evropian, këtë brejtje ndërgjegjeje, këtë mangësi kur kultura dhe qytetërimi shqiptar si edhe ai ballkanik mbahen larg?

Ne duhet të përcaktojmë listën e vlerave prioritare kulturore në këtë drejtim dhe strategjinë kombëtare të promovimit të tyre. Pa marrë përsipër ta bëjë këtë punë në këtë shkrim mund të përmenden, rrënjë antike greko-romake të disa prej qyteteve tona, traditat tona të krishtera që kanë pritur predikime edhe nga Shën Pali, lidhjet e historisë së Ilirisë me atë të Romës dhe qyteteve shtete helene, ndikimet e traditave ilire mbi personalitete të botës romake, bashkëjetesa fetare, islami i butë dhe autentik shqiptar, qëndrimet historike në integrimin paqësor të hebrenjve, diasporat shqiptare në Evropë, integrimin e valëve bashkëkohore të të emigracionit në Evropën e sotme: Sa mijëra shqiptarë sot janë qytetarë evropianë, gjenocidet e njëpasnjëshme që ka pësuar kombi në historinë e tij?, epopenë e Skënderbeut, traditat e kulturës dhe artit shqiptar, bukuritë gjeografike të cilat duhen listuar dhe promovuar edhe virtualisht, dëshmitë e udhëtarëve perëndimorë në trevat shqiptare, muzetë, shtëpitë e vjetra, kalatë e rigjallëruara etj., etj.

Çfarë bëhet lidhur me këtë strategji të diplomacisë kulturore? Fle kultura, fle diplomacia, fle diplomacia kulturore sepse nga veprimi strategjik integrues përtej fjalëve të mëdha janë përjashtuar intelektualët, artistët, kërkuesit shkencor, historianët, ndërkohë kur gjithëpërfshirja në këtë proces konsiderohet thjesht brenda disa politikanëve që nuk merren vesh dhe nuk ka sesi të merren vesh me njeri tjetrin. Herë njeri pengon procesin dhe tjetri e kritikon, herë tjetri pengon procesin dhe njeri e kritikon. Kjo është gjithëpërfshirje???

Asgjë.

Unë nuk di nëse ka ndonjë album me cilësi të lartë që të tregojë këto vlera kulturore, muzeale, historike dhe të jetë i destinuar për të huajt, në mijëra e mijëra kopje, shpërndarë në përfaqësitë diplomatike shqiptare nëpër botë.

Çfarë them?

Nuk ka një afishe në ndonjë rrugë perëndimore të ngjitur nga agjenci perëndimore për ta ftuar klientelën në turizmin shqiptar. Ka botuar ndonjë gazetë e madhe amerikane! – do të kundërshtonte ndonjë propagandist. Ah, po, harrova, do të ngrihet turisti nga Nju Jorku dhe do të vijë në plazhet tona për verim!!! Ëndërr e bukur!

E ka studiuar kush dhe segmentuar kush klientelën turistike te ne? Nga vijnë, çfarë moshash kanë, çfarë gjinie janë? Dhe pastaj drejt këtyre grupeve shoqërore të bëhet edhe promovimi i turizmit shqiptar.

Po edhe ata që vijnë si turistë, a kanë mundësi që me lehtësi, me programe udhëtimi të njohin qendrat tona muzeale?

Sa të huaj i vizitojnë muzetë tona në një orë, në një ditë, në një javë, në një muaj, në një vit?

Kush e ka këtë të dhënë? Askush. Palé që të merr frika dhe ke turp ta çosh një koleg a mik të huaj, palé grupe të tëra të huajsh, në muzetë tanë. Kalatë nga administrimi i vlerave muzeale në gjendje të dëshpëruar. Edhe muret janë lodhur. Ndonjë zonjë mbështetet pas lopatës dhe sheh mushkën që me bishtin e vet si flokë mbledhur “bisht-kali”, përzë me përtesë mizat nga fundi i trupit. Pa shpjegime, me ciceronë që duken si të kohëve parahistorike. Pis. Mjedisi desha të them.

Çfarë të promovosh kur kemi gjithë ato pasuri kulturore që janë braktisur në mënyrë krejt të papërgjegjshme. Ku ta çosh historikisht për ta parë diçka në Tiranë një të huaj? Nuk ka mbetur këmbë gjurme historike. Po në Durrës? Muzetë prej kohësh në gjendje shkretimi. Lëre pastaj më larg. Më mirë fute andej nga strofkulla e ariut dhe dende me birrë e verë, byrekë a kuleçë, mish qingji e bakllavara, që gjithçka t’i duket mes avujsh si një univers irreal…

Në çfarë Evrope duam të shkojmë ne? Ne historikisht jemi Evropë, jemi vatra e qytetërimit evropian, ndërkohë kur stërgjyshërit e atyre që nuk na fusin apo do të na fusin në Bashkimin Evropian ishin larg në stepa apo në fusha akullnajore.

Kemi mbetur në historiografi në raportin tonë me perandorinë otomane. Është pjesë e historisë edhe ajo nuk them se jo. Por qytetet tona kanë disa prej tyre histori mijëravjeçare. Durrësi, Apolonia, Butrinti ishin të njohur kur shumë qytete të sotme evropiane nuk ishin veçse kasolle fshatrash të humbur që habiteshin andej kur kalonin ushtarë romakë… Kush e promovon fort këtë histori që ajo të buçasë në vendimmarrjet e sotme evropiane? Askush.

A ka ndokush ndonjë regjistër të studentëve shqiptarë nëpër Evropë? Po të atyre që janë doktoruar? Po të atyre që janë pedagogë, kërkues shkencorë etj? Askush. Kjo pjesë e popullsisë do të kishte qenë e përbërë me mijra ambasadorë që të futur thellë në shoqërinë evropiane do të kishin përçuar atje imazhin e shoqërisë shqiptare.

Emigrantët, një pjesë e tyre tashmë qytetarë evropianë, nuk i mban kush në kontakt. Kurse vizita të artistëve dhe grupeve artistike shqiptare, hapje ekspozitash pikture etj., jashtë vendit as bëhet fjalë.

Mjerim kulturor.

Kemi njëzet vjet që nuk kemi një stadium futbolli të hajrit, sepse atje vijnë luajnë ekipet e huaja. Çfarë janë bërë gjithë ato parà që sjell futbolli? A, harrova, kanë shkuar për ekipet zinxhir nisur që nga fëmijët e vegjël!!! Gazetarët e huaj kur shohin atë stadium me emër të stërlashtë dhe me ngjyresa politike, pa lidhje fare me personalitetin e dëshmorit që i kanë përdorur emrin, shkruajnë lemerira. Ata mendojnë se kushedi se çfarë do të jetë ky vend që edhe sallonit ku pret të huajt, miqtë, e ka për faqe të zezë.

Kultura në shërbim edhe të strategjisë kombëtare për imazhin e Shqipërisë në botë – diplomacia kulturore: Kush e kupton të ngrejë dorën! Të veprojë.

Comments are closed.