Standard.al

Eksploziv/ Zbulohen dy baza me municione që shërbenin për shpërthime

Anxhela Tato

 

 Nga kontrolli në dy banesat e të arrestuarve u gjetën detonatorë, fishekë dhe armë zjarri

 Të arrestuarit kanë treguar se i shisnin municionet, që të nxirrnin të ardhurat e familjes

 

 

eksploLufta kundër atentateve me lëndë eksplozive ka çuar këtë herë në pranga dy persona në zonën e Krujës. Nga aksioni i bluve dhe sinjalizimet është bërë i mundur identifikimi i dy personave, të cilët zotëronin municione që shërbejnë për shpërthime me lëndë plasëse. Aksioni është zhvilluar gjatë 24 orëve, ku kanë rënë në pranga dy shtetasit Bajram Biçaku dhe Shaqir Keqi. Gjatë kontrollit në banesat e tyre nga ana e bluve janë gjetur fishekë, detonatorë, armë zjarri si dhe granata. Sipas dyshimeve të policisë, këto municione përdoreshin dhe shiteshin në raste të atentateve me eksploziv, ndonëse nuk dihet furnizuesi i municioneve në të dyja rastet, si dhe destinacioni i porositësve të lëndëve plasëse. Mësohet se nga deklarimet e dhëna para oficerëve të Policisë Gjyqësore dy të arrestuarit janë shprehur se municionet i shisnin dhe me lekët nxirrnin të ardhura për familjen, por policia ka nisur nga verifikimet e deklarimeve të të arrestuarve. Ndërsa po hetohet zbulimi i prejardhjes së lëndëve plasëse, mënyra dhe forma sesi dy të arrestuarit i siguronin dhe kush ishin personat të cilëve i shiteshin lëndët eksplozive.

 

Arrestimet

 “Në vijim të operacionit që policia e Krujës po ndërmerr, një tjetër shtetas kapet në flagrancë brenda pak orëve për posedim të një tjetër arsenali armatimi e lëndësh që i shërbejnë shpërthimeve me lëndë plasëse. Personi në fjalë shtetasi Bajram Biçaku, banues në lagjen Isakaj, të cilit iu gjetën dhe sekuestruan: “Rreth 800 copë fishekë automatiku model 56; 20 copë fishekë model 54; 1 pushke automatike dhe 6 granata ofensive. Policia arreston në flagrancë shtetasin Shaqir Keqi, 48 vjeç, për posedim të një sasie të konsiderueshme municionesh luftarake e konkretisht: 800 copë fishekë, automatiku model 56; 1 pushkë automatike; 2 metra fitil zjarrpërcjellës; 23 kapsolla detonatorë që shërbejnë për shpërthimin e lëndëve plasëse”, – thuhet në njoftimin për shtyp të bluve. Policia e Krujës në bashkëpunim edhe me strukturat e Drejtorisë së Policisë vijojnë punën në drejtim të goditjes së rasteve të mbajtjes apo përdorimit të lëndëve plasëse. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Krujë. Ndërkohë, në mbarë vendin ka nisur aksioni i policisë për zbulimin e bazave të prodhimit të lëndëve plasëse, të cilat përdoren në atentatet e telekomanduara. Terrori i ekzekutimeve të fundit me eksploziv ka bërë që blutë të nisin nga puna për identifikimin e linjës së prodhimit dhe prejardhjes së lëndëve plasëse të tipit, tritol apo C 4. Në pikë tjetër e rëndësishme është edhe aksioni për zbulimin e porositësve, e cila do të çonte në zbardhje e autorëve të atentateve e më të fundit të ndodhura në vendin tonë.

 

 

Gjirokastër

Grabitën banesat në Dropull, pranga 3 personave

 Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës ditën e djeshme, pasi akuzohen për vjedhjen e disa banesave në fshatrat e Dropullit. Gjatë realizimit të operacionit të koduar “Shëtitësit”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Florenc Mahmudi, 20 vjeç, nga Elbasani; Fatmir Braho, 23 vjeç, nga Cërriku, dhe Albion Shahu, 32 vjeç, nga Kuçova. Sipas policisë, nga hetimet paraprake të komisariatit të policisë Gjirokastër këta tre shtetas rezultojnë të dënuar më parë për vjedhje. Tre të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur një numër të madh banesash në fshatrat e Dropullit, Dhuvjan, Terihat, Jergucat e Bularat. Gjithashtu nga burime të uniformave blu dyshohet se të arrestuarit kanë hyrë në banesa të pabanuara, duke mos kryer vjedhje, por me qëllim krijimin e panikut tek banorët e minoritetit. Ndërkaq, bëhet me dije se materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit për veprime të mëtejshme procedurale, pasi mbi tre të arrestuar rëndon vepra penale e “Vjedhjes së kryer në bashkëpunim”.

 

 

Fier

Shkatërrohet baza e prostitucionit, arrestohen 4 persona

 Policia e qytetit të Fierit ka shkatërruar një bazë prostitucioni ditën e djeshme. Në pranga janë vënë 4 persona. Policia bën me dije se ka arrestuar Ndriçim Buzin, 29 vjeç. Në pranga janë vënë dhe dy femra F. M., A. K. për ushtrim prostitucioni si dhe klienti A. M. Hetimet për zbulimin e plotë të rrjetit vazhdojnë.

 

 

Kukës

Kapet me drogë dhe eksploziv, pranga 62-vjeçarit

 Një 62-vjeçar është vënë në pranga nga policia e qytetit të Kukësit për posedim droge dhe eksplozivi. Policia bën me dije se ka arrestuar shtetasin Xhaferr Oka. Pas kontrollit në banesën e këtij të fundit u gjetën 1 kg eksploziv dhe 375 gr kanabis. Policia bën me dije se gjatë kontrollit u gjet edhe një armë zjarri.

 

 

Vlorë

Policia në kërkim të gomones, do të ngarkohej me drogë

 Katër mjete lundruese në bregdetin e Semanit së bashku me forca të shumta policore vazhdojnë operacionin për kapjen e një gomoneje që dyshohet se është e ngarkuar me drogë. Policia e Fierit nuk ka dhënë asnjë njoftim, por burime të tjera thanë se ky është një operacion antidroge që ka nisur nga brigjet e Vlorës. Nuk dihet ende nëse gomonia i ka shpëtuar ndjekjes së policisë, por skafet vazhdojnë të kontrollojnë.

Comments are closed.