Standard.al

Atentatet me tritol/ Ministria e Brendshme propozon ashpërsimin e dënimit

Anxhela Tato

 

 

Shkeljet, prodhimi dhe mbajtja e municioneve të dënohen deri në 8 vjet burgim

 Relacioni i Ministrisë: Rritja e numrit të atentateve favorizohet nga masat e ulëta të dënimit të Kodit Penal

 

 

tahiri-MBAtentatet e telekomanduara janë forma e re e krimit të ri për të realizuar ekzekutime të bujshme dhe të frikshme. Vështirësia për gjetjen e provave që shkatërrohen nga shpërthimi është një ndër arsyet pse për elementët e botës së krimit kjo formë e re është kaq e preferuar dhe e efektshme. Shpërthimet nuk lënë gjurmë gishtash dhe mundësitë e zbulimit të autorëve janë të pakta. Nisur nga kjo valë krimi që po terrorizon publikun, qeveria ka propozuar ndryshimet në Kodin Penal për të ashpërsuar masat e dënimit për dy vepra penale që parashikojnë krimet e prodhimit dhe shpërndarjes së eksplozivëve, si dhe shkeljes së rregullave për ruajtjen e tyre. Në relacionin shoqërues të projektligjit për rishikimin e Kodit, Ministria e Brendshme, si hartuese e tij, vëren: “Duke marrë shkas nga veprimtaria kriminale e përdorimit të lëndëve plasëse, prej të cilave siguria e rendit është e cenuar, nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit është bërë një analizë e hollësishme dhe është arritur në konkluzionin se veç shkaqeve të tjera, kjo situatë favorizohet edhe nga masa e ulët e dënimit të parashikuar në dispozitat përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”.

 

Shkeljet

 Sipas Ministrisë së Brendshme, krahas veprave penale me lëndë plasëse, gjatë kësaj periudhe janë konstatuar edhe shkelje në rregullat e ruajtjes së tyre nga subjektet e licencuara për përdorim civil, ato të import-eksportit apo kompanitë që e përdorin atë në gurore apo shfrytëzime të tjera nëntokësore. Shkelja e këtyre rregullave ka bërë që sasi eksplozivësh të përfundojë në duart e kriminelëve. Ministria bën të ditur se si pasojë e hetimeve janë arrestuar persona që kanë shkelur ligjin për ruajtjen e lëndëve eksplozive, por ata janë liruar pasi ligji e parashikon si kundërvajtje penale. Për këtë arsye qeveria i konsideron të pamjaftueshme sanksionet e parashikuara në rastet e konsumimit të veprës penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municioneve” si dhe “Shkeljes të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Për këtë arsye propozohet që paragrafi 3 të nenit 278 të Kodit Penal, ku është parashikuar masa e dënimit me burgim nga një deri në pesë vjet, të propozohet ndryshimi i dënimit nga pesë deri në tetë vjet burg. Gjithashtu, në nenin 282 të Kodit Penal, ku përcaktohet vepra penale: “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, ku masa e dënimit është me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet, të parashikohet në dënimin me burgim nga dy deri në pesë vjet. Po ashtu, në paragrafin e dytë, masa e dënimit nga ajo me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet, parashikohet me dënimin vetëm me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Duke hequr mundësinë e dënimit me gjobë dhe caktimin e një kufiri të dënimit minimal më të lartë se ai ekzistues.

 

 

Sekuestrohen 4 pako tritol

 Policia e Tiranës sekuestroi mbrëmjen e djeshme 4 pako me lëndë eksplozive, tritol, në një banesë në periferi të kryeqytetit. Burime nga policia bëjnë të ditur se lënda eksplozive është sekuestruar në banesën e shtetasit Ismail Shehu në zonën e Kasharit. Policia ka arrestuar pronarin e banesës ku u gjet tritoli, ndërsa po punon për të zbuluar prejardhjen e lëndës shpërthyese.

 

 

Itali

Trafikoi minorenet për prostitucion, pranga shqiptarit

 Policia në Romë në bashkëpunim me Interpolin kanë arrestuar një shqiptar që kërkohej prej 10 vitesh, pasi duhet të shlyente edhe 16 vite burg, për trafik femrash nga Durrësi në Itali dhe shfrytëzim prostitucioni. Nga mediet italiane mësohet se në pranga ra Gëzim Bullari, shtetas shqiptar, 43 vjeç, pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata e Latinës. Bullari u arrestua pas mbërritjes së tij në Fiumiçino, si rezultat i letër-porosisë nga Shqipëria, si dhe në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar. Bullari, i kërkuar prej 10 vitesh, është dënuar sepse ishte pjesë e një grupi kriminal shqiptar që merrej me shfrytëzimin e prostitucionit, teksa femrat hynin në mënyrë të paligjshme në Itali nga Durrësi, me premtimin e një pune. Pas mbërritjes së tyre në Itali vajzat veçoheshin në apartamente dhe shfrytëzoheshin si prostitute. Grupi kriminal i joshte vajzat adoleshente, duke u premtuar një vend pune dhe më pas i nxirrte në rrugë. Në shkurt të vitit të kaluar, janë dënuar me nga 16 deri në 20 vjet burg tetë shqiptarë, të akuzuar për përdhunimin, torturën dhe detyrimin e ndërprerjes së shtatzënisë në dëm të disa prostitutave.

 

 

Ekspozitë me piktura dhe punime artizanale të grave të dënuara

 Një ndër ekspozitat më të veçanta dhe speciale, ku të dënuarit me anë të artit arrijnë të shprehin ndjenjat dhe botën e tyre shpirtërore. Arti si një formë ku përcillet rehabilitimi dhe pendesa për veprën penale që kanë kryer. Të ekspozuara pikturat dhe punimet artizanale janë krijime të grave, vajzave dhe të miturve realizuar në qelitë e burgut dhe ambientet e paraburgimit. Në prag të festës së gruas ato kanë fituar 1 orë liri për të prezantuar krijimet e tyre në Muzeun Historik Kombëtar. Falë mbështetjes dhe kontributit të vazhdueshme së Myfarete Lazes u bë i mundur realizimi i këtyre aktiviteteve kulturore në ndihmë të grave dhe fëmijëve. Albana Laze është një prej të burgosurave, e cila vuan dënimin në burgun 325. Pasioni i saj janë punimet artizanale. Ajo thotë se realizimi i këtyre objekteve me rruaza e ndihmon që të largohet nga monotonia. Ndërsa shton se çdo objekt i shitur në këtë ekspozitë shkon për llogari të personit, i cili i ka krijuar këto vepra arti. Liria për të është e shenjte. Këtë ditë e cilëson krejt të veçantë.

 

 

Vlorë

Kapet duke marrë ryshfet, pranga efektivit të policisë

 Arrestohet një efektiv policie i Qarkullimit Rrugor të Vlorës, pasi u kap në flagrancë duke marrë ryshfet. Sipas informacioneve, sektori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB) vuri në pranga inspektor Eduart Feraudin Mustafën, efektiv i komisariatit të policisë Vlorë, me detyrë “Trupë shërbimi” në seksionin e Policisë Rrugore.

Comments are closed.