Standard.al

Analiza/ Ministria e Drejtësisë, projektligj për vetëvlerësimin e gjyqtarëve

Sonja Caka

 

Ministri Naço: Nisma, për të mos mbetur peng i disa personave vlerësimi i mundit të punës suaj

Kreu i Gjykatës, Islamaj: Kemi nevojë për ambiente dhe personel administrativ, pasi ka shumë ngarkesë

 

nacoGjykata më e madhe në vend, ajo e Tiranës, zhvilloi dje analizën vjetore të punës së përgjatë vitit 2013. Në këtë analizë ishin të pranishëm ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço dhe nga KLD-ja ishin të deleguar zv.kryetari i KLD-së z. Elvis Çefa dhe anëtari i KLD-së z. Artan Broci. Kreu i kësaj Gjykate përmendi nevojat e shumta të kësaj Gjykate, një ndër të cilat edhe ambientet për të zhvilluar gjyqet apo dhe për zyra për gjyqtarët, pasi për t’u plotësuar me ambiente kanë marrë borxh te pjesa e OST-së me të cilën ndajnë ndërtesën. Sipas z. Fatri Islamaj, përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e numrit të sallave të gjyqeve passjell rritjen e etikës, të solemnitetit dhe transparencës së zhvillimit të gjykimeve. Gjithashtu, u prezantua nevoja e kësaj Gjykate për një numër më të madh të punonjësve të personelit administrativ, të cilët janë të nevojshëm për të bërë të mundur ushtrimin e funksioneve normale të kësaj Gjykate. Në vijim kryetari i kësaj Gjykate prezantoi të gjithë treguesit statistikorë në lidhje me volumin e çështjeve, cilësinë dhe shpejtësinë e gjykimit për të gjitha çështjet e shqyrtuara gjatë vitit 2013 për secilin gjyqtar. Një kopje e analizës iu vu në dispozicion të ftuarve dhe medias, si dhe është publikuar në faqen zyrtare të kësaj Gjykate. Gjithashtu, gjatë kësaj analize përshëndetën me fjalën e tyre ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço, zv.kryetari i KLD-së z. Elvis Çefa si dhe antari i KLD-së z. Artan Broci.

Ministri

Pas fjalës së kreut të Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj, dhe nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, ka qenë ministri Nasip Naço ai që ka marrë fjalën, duke cituar një pjesë të progres-raportit të KE-së për gjyqësorin shqiptar. “Lufta kundër korrupsionit në gjyqësor ka bërë progres të kufizuar dhe se Shqipëria duhet të përditësojë strategjinë e reformës së saj gjyqësore, të promovojë më tej pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve të saj gjyqësore”, – është shprehur ministri i Drejtësisë. Gjithashtu, në fjalën e tij, ministri u shpreh se “është e rëndësishme për të gjithë sistemin që ne të inkurajojmë gjyqtarët e ndershëm, të cilët nuk tundohen nga fenomene korruptive, të inkurajojmë çdo punë të mirë që bëhet në sistemin e drejtësisë, të forcojmë çdo ditë pavarësinë e tyre në marrjen e vendimeve, duke rritur padyshim llogaridhënien dhe integritetin si faktorë kyç të reformës në drejtësi. Për këtë kemi përgatitur projektligjin për sistemin e vetëvlerësimit, në mënyrë që ecuria e karrierës suaj të mos mbetet peng e disa individëve por të marrë shpërblimin e mundit dhe integritetit profesional”. Ministri ka vlerësuar punën e kësaj Gjykate, volumin e madh të punës, për shkak se gjykon 50% të gjithë çështjeve gjyqësore në vend, si dhe problematikat që trajton, ndërkohë që u kujtoi gjyqtarëve se politika ishte në borxh me ta për ndërtimin e një pallati drejtësie, ndërsa vetë gjyqtarët ishin në borxh me qytetarët. “Rezultojnë në portalin online të regjistruara rreth 700 denoncime dhe ankesa, nga të cilat pjesa më e madhe i adresohet gjyqësorit, zyrave të regjistrimit, komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave etj.”, – deklaroi ministri, ndërsa shtoi se “transparenca krijon një marrëdhënie besimi të dyanshme ndërmjet gjykatësve nga njëra anë dhe qytetarëve nga ana tjetër, por rritja e transparencës në gjykim do të evitonte çdo ankesë të mundshme, kundrejt thyerjes së rregullave të etikës dhe të solemnitetit në një proces gjyqësor”.

 

Kurbin
Vrau dy vëllezër në qendër të qytetit, “Arrest me burg” autorit Piroli

Gjykata e Kurbinit caktoi dje masën e arrestit “Burg pa afat” për Altin Piroli, i akuzuar për vrasje të dyfishtë të dy vëllezërve në qendër të Laçit dhe plagosjen e dy kalimtarëve. Piroli akuzohet për vrasjen e Andrea dhe Endri Cara, si dhe plagosjen e dy personave të tjerë, Anton Gjini dhe Nikoll Ndoi. I akuzuari ka pranuar faktin se ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasit Genti Cara (Enri Duka) dhe Andrea Cara, duke dhënë edhe shpjegime të tjera mbi rrethanat e kryerjes së veprës. Për sa u përket motiveve të vrasjes, i arrestuari Altin Piroli, pretendon se këtë veprim e kishte kryer për shkak të presionit që kishin ushtruar viktimat mbi të. Njëkohësisht, i arrestuari shpjegon se ka vuajtur nga sëmundje mendore dhe për këtë, ai është vizituar tek mjekët neurologë në qytetin e Laçit dhe në Tiranë, madje është shtruar 2 javë edhe ne spitalin nr. 5 Tiranë. Burime nga policia thanë se autori është gjetur me dy pistoleta në dorë dhe 15 fishekë në xhepin e xhupit, ndërkohë që në banesë iu gjet edhe një granatë. Policia tha se Piroli kishte bërë një listë me emrat e personave që do të ekzekutonte mes tyre prokurorë e gjykatës, por organi i akuzës nuk përmendi gjatë seancës së masës një fakt të tillë.

 
Shkodër
Iu gjet arsenal lëndësh plasëse në shtëpi, “Arrest me burg” 75-vjeçarit

Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën “Arrest me burg” për Tafë Balilajn, i cili u arrestua pak ditë më parë sepse iu gjet një arsenal lëndësh plasëse tritol dhe armësh në banesë. Seanca është zhvilluar ditën e djeshme ndërsa, avokati mbrojtës i 75-vjeçarit Balilaj ka kërkuar që klientit të tij t’i bëhet një vlerësim psikik pasi në vitin 1958 ai ishte liruar nga ushtria për probleme mendore. Gjatë seancës, prokuroria kërkoi caktimin e masës e sigurisë “Arrest me burg” për 75-vjeçarin Tafë Balilaj, pasi në banesën e tij u sekuestruan 238 kallëpe tritoli, qindra metra fitil dhe kapsolla detonatorë. Ndërkaq gjatë seancës, avokati e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e 75-vjeçarit duke kërkuar edhe që ai të shtrohet në spital psikiatrik për verifikim të gjendjes së tij psikike. “Në vitin 1958 ai është liruar nga ushtria pasi ka shfaqur probleme mendore dhe epilepsi”, mësohet se ka thënë avokati mbrojtës i Tafë Balilajt. Ndërkaq, vetë i pandehuri në sallën e gjyqit ka thënë se tritolin e kishte përdorur për të hapur rrugë në fshat. Dëshmitarë të ndryshëm kanë thënë se, ai ka hapur dy rrugë të fshatit, si dhe ka pastruar fushat e fshatrave nga masivet e gurëve që kishin rënë.

 

 

Comments are closed.