Vendimi “antikushtetues”/ Kompetencat e INUK-ut, Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë: Akti i 30 shtatorit, antikushtetues

0
160

Florenc Drizari

 

Ekspertët: Pas vendimit të Gjykatës, pritet të ketë dëmshpërblime të objekteve

 

 

gjykata kushtGjykata Kushtetuese ka shfuqizuar si antikushtetues një nga vendimet e para të Këshillit të Ministrave për rritjen e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK). Vendimi i qeverisë i datës 30.9.2013 “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor”, u ankimua disa javë më pas nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi i qeverisë, që i jep të drejtë Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar të ndërhyjë në prishjen e ndërtimeve me dhe pa leje në gjithë territorin, është antikushtetues. Kundër vendimit të qeverisë firmosën 1/5 e deputetëve, të cilët depozituan ankimimin në Kushtetuese, ndërkohë që mes pozitës dhe opozitës pati debate të gjata politike për prishjen e ndërtimeve, duke përfshirë edhe ato me leje. Në një seancë të posaçme, përfaqësuesit demokratë argumentuan pse vendimi shkel Kushtetutën. Demokratët kërkuan më herët nga Gjykata Kushtetuese shpalljen si antikushtetues të vendimit të qeverisë. Me vendimin e 30 shtatorit, qeveria i dha të drejtë Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar që të ndërhyjë edhe në rastin e ndërtimeve me leje, por që nuk janë respektuar kriteret urbanistike.

 

Gjykata Kushtetuese

 Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e bërë disa javë më parë nga opozita, me objekt “Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 932, datë 30.9.2013 “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor”. Vendimin nr. 932, datë 30.9.2013 “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor””, Kushtetuesja e vlerësoi si në shkelje të Kushtetues. “Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës dhe shfuqizimin si antikushtetues të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 932, datë 30.9.2013 “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor”, – thuhet në vendimin e Kushtetueses.

 

Ekspertët

 Rrëzimi që i bëri Gjykata Kushtetuese vendimit të qeverisë për INUK-un, pritet të shoqërohet me efekte financiare për dëmshpërblimin e atyre personave, prona e të cilëve u prish nga vendimet e fundit të këtij inspektorati. Pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ekspertëve të së drejtës shprehen së çdokujt që i është prishur ndërtimi nga INUK-u bazuar në vendimin e qeverisë, i lind e drejta të kompensohet financiarisht për dëmin që i është shkaktuar nga ky vendim. Pritet që pronarët e dëmtuar të këtyre ndërtimeve t’u drejtohen gjykatave të vendit për të kërkuar dëmshpërblimet.

 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për INUK-un, Halimi: I drejtë dhe duhet respektuar

 Pas shpalljes si antikushtetues të vendimit të qeverisë për kompetencat e INUK-ut, nga Gjykata Kushtetuese, kanë ardhur edhe reagimet e deputetëve të opozitës. Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në një koment të tijin në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se vendimi i qeverisë për të prishur pronat e shqiptareve, pa leje dhe me leje, është shpallur si antikushtetues nga Gjykata.

Gjykata Kushtetuese, sipas Hailmit dha, dje, një vendim drejtësie, duke i bërë të qartë Kryeministrit dhe qeverisë së tij se askush nuk mund të dalë mbi ligjin dhe mbi gjykatat. “Se pronat e ligjshme te shqiptareve nuk mund te shemben pa nje proces te rregullt ligjor, se as kryeministri, as ministrat dhe as kryeinpektoret nuk mund te rrafshojne djersen dhe gjakun e qytetareve shqiptare, me tritol, arrogance, arbitraritet dhe harbuteri. Vendimi I sotem nuk eshte vetem nje vendim kunder qeverise se tritolit por eshte nje fitore e Kushtetutes ne vend, fitore e Konventes Europiane te Drejtave te Njeriut, dhe i bashkohet me dhjetra vendimeve te Gjykates se Strasburgut ne mbrojtje te te drejtave te individit dhe te drejtes me themelore, ate te prones. Vendimi i sotem i Gjykates Kushtetuese, eshte nje Vendim drejtesie, qe respekton para se gjithash dhe mbi te gjitha, sovranin, qytetaret, te drejtat e tyre kushtetuese dhe si i tille duhet respektuar”, – ka shkruar deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi.

 

 

 

Shtyrja e punimeve të seancës, Topalli: Rregullorja e Kuvendit, si blloku i Ilirit!

Shtyrja e punimeve të seancës plenare që ishte parashikuar të mbahej paraditen e kësaj të enjteje, për ish-kryeparlamentaren është një shkelje e rregullores së Kuvendit. Topalli e quan këtë një cenim të të drejtave dhe demokracisë.

“Ilir Meta e di veten të gjithëpushtetshëm! Ka vendosur që nesër të mos ketë seancë plenare, pavarësisht se kalendarin e kanë bërë dhe e kanë votuar vetë pak ditë më parë! Pavarësisht se Konferenca e Kryetarëve kishte vendosur ndryshe, pavarësisht se edhe seanca plenare kishte vendosur që nesër do ishte seance plenare, pavarësisht se sot të gjithë deputetët ishin në seancë dhe mund të votonte shtyrjen e seancës! Ilir Meta Ben edhe komikun, lajmëron se meçe Presidenti Napolitano mbajti një fjalë në Kuvend, na paska qenë kjo seanca e javës (natyrisht pa rend dite)! Pas puçit parlamentar të datës 20 shkurt, kur përmbysi vendimet e Kuvendit dhe mori kompetencat e Presidentit, klika Rama-Meta nuk kanë më asnjë lidhje me demokracinë parlamentare dhe sundimin e shtetit ligjor! Tani për ligj e rregullore kanë vetëm bllokun! Bllokun në çdo shprehje të saj!”, – ka shkruar Jozefina Topalli. Ndërkaq, pasditen e djeshme Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në një seancë të veçantë pritjeje, gjatë së cilës mbajti edhe një fjalim Presidenti italian Napolitano. Shtyrja e seancës u njoftua një ditë më parë, ndërkohë që në axhendën e sotme të punimeve të Kuvendit, janë parashikuar mbledhje komisionesh parlamentare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency