Kombëtarja/ Shqipëria “e bukur” fiton pastër ndaj Maltës

0
126

Jurges Veizaj

 

Kuqezinjtë kanë arritur të dominojnë në Durrës ndaj maltezëve, duke i mposhtur bindshëm dhe me lojë të bukur

 Ishte Basha dhe pastaj Meha që shënuan, duke i dhënë një fitore bindëse skuadrës

 

shqiperi malte Një ndeshje e bukur që dhuroi edhe një lojë të bukur. Një sfidë që edhe pse ndaj një kundërshtari më të dobët se ne u luajt me të gjitha forcat. Ndryshe nga radhët e tjera, kur janë të pamotivuar në sfida me kundërshtarë më të dobët, kësaj radhe ishte ndryshe. De Biazi kishte hedhur në fushë lojtarët më të mirë për të parë edhe produktin më të mirë të kuqezinjve. Fitorja e Shqipërisë me Maltën përmblidhet e tëra në këtë gol të Alban Mehës, që nuk ishte realizimi i vetëm në “Niko Dovana”, por që pasqyron më së miri lojën e kuqezinjve, që ishte e fortë dhe e bukur për t’u parë ashtu si goditja e mesfushorit me këmbët magjike. Shqipëria fitoi 2-0 testin miqësor ndaj Maltës, ashtu siç dhe pritej në fakt, por skuadra e De Biazit pavarësisht se ndaj një kundërshtari modest duhet thënë që dha përgjigje pozitive në fushë duke qenë dominuese dhe duke luajtur mbi të gjitha një futboll modern falë dhe mesfushës kreative, me Kaçe, Basha, Meha, Hyka dhe Rama. E vetmja notë e stonuar, është një gabim në mbrojtje në minutën e 4-rt, që i dha mundësinë Mifsudit të realizonte në portën e Berishës, por për fat shënjestra e sulmuesit maltez ishte e gabuar. Më pas nga kjo goditje e Hykës në minutën e 7-të e deri në fund gjithçka ishte një dialog i vazhdueshëm mes futbollistëve kuqezinj dhe portierit maltez, aq sa portën kundërshtare e kërkojnë të gjithë që nga Rama, Meha, Hyka, por dhe Basha, që në minutën e 26-të zhbllokoi rezultatin me një goditje të saktë me kokë brenda në zonë pas harkimit nga këndorja. Shqipëria mund të kishte dyfishuar shifrat dy minuta më pas nëse Rama do të ishte treguar i saktë, ndërsa në të 31-tën provoi dhe Kaçe nga jashtë zone. Në të 39-ën, Kapllani kishte shansin për të shënuar përballë tifozëve të qytetit të tij të lindjes, por nga pak metra goditi ngjitur me shtyllën. Pjesa e parë u mbyll me bindjen se rezultati duhet të ishte më i rrumbullakosur për ne. Gjithsesi, tifozëve kuqezi në “Niko Dovana”, që e kishin mbushur stadiumin si në rastin e ndeshjeve zyrtare, nuk iu desh të prisnin gjatë për të festuar sërish dhe këtë herë britma e gëzimit ia vlejti, pasi goli i Alban Mehës ishte thjesht një bekim. Rezultati mund të ndryshonte sërish në minutën e 57-të, por Basha gjeti shtyllën në rrugën e tij drejt golit. Në minutën e 80-të, shtylla thotë sërish jo për Shqipërinë, teksa ndal goditjen e Memushajt. Mbyllet me kuqezinjtë në sulm por rezultatin që nuk ndryshon më. Testi i parë drejt Euro 2016 është pozitiv, edhe pse ndaj një kundërshtari modest. Mirëpo kjo fitore tregon se ekipi jonë është gati që të sfidojë edhe skuadra më të forta.

 

De Biazi: Gabim përballja me Serbinë

“Sapo doli emri i Serbisë, më erdhën shumë mesazhe nga tifozët, të cilët thoshin: Ju lutem ndeshjen e kthimit ta bëjmë në Shqipëri, ndërsa të parën jashtë Shqipërisë. Megjithatë, unë mendoj se ka qenë një zgjedhje shumë e gabuar nga ana e UEFA-s që nuk vuri një opsion që, nëse ne do na binte në grup me Serbinë, të mos na linin të luanim me njëri-tjetrin. Kjo për motivimin e vetëm të sigurisë publike, sepse e dimë cilat janë problemet dhe ngjarjet që kanë ndodhur jo shumë kohë përpara. UEFA vendosi që Azerbajxhani të mos takohej me Armeninë. Kjo u shmang për arsye sigurie dhe mendoj se e njëjta gjë duhet të ndodhte me Serbinë. Mendoj se do ishte një zgjedhje inteligjente”, – ka thënë tekniku italian i kombëtares.

 

Kosova barazon në sfidën e parë

 Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbyllur me barazim ndeshjen historike, miqësoren kundër Haitit, që ishte takimi i parë ndërkombëtar nën monitorimin e FIFA-s. Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë ishte arena e përballjes së parë historike ndërkombëtare të përfaqësueses kosovare. Ekipi vendas krijoi më shumë lojë në fraksionin e parë. Fillimi ishte i ndikuar nga emocionet, por me kalimin e minutave, ata filluan të tregoheshin një skuadër e qëndrueshme. Kosovarët sulmuan me temp të lartë dhe dominuan pjesën e parë mirëpo goli mungoi. Shpëtim Hasani dhe ilir Azemi i patën rastet më të mira për ta kaluar Kosovën në avantazh por rezultati ishte ai i fillimit, 0-0. Vendasit e nisën fuqishëm gjysmën e dytë, në tentim të vazhdueshëm për të ndërtuar aksione që do ta ndëshkonin Haitin. Lojtarët mysafirë arritën që për një periudhë ta qetësonin paksa lojën, mirëpo kosovarët shumë shpejt kthyen dominimin sulmues në fushë. Përpjekjet e futbollistëve kosovarë vazhduan deri në fishkëllimën e fundit të arbitrit por që nuk u finalizuan me gol. Mbi 17 mijë tifozë ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur këtë lojë historike, ndërkohë që aty nuk munguan edhe udhëheqësit kryesorë të shtetit të Kosovës, duke filluar nga Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari.

 

 

 

Shqiptari Ibrahimi i jep fitoren Maqedonisë

Me rezultat 2-1, përfaqësuesja e Maqedonisë e ka mposhtur Letoninë në një ndeshje miqësore. Jovan Kostovski shënoi golin e parë në ndeshje dhe ky ishte goli i vetëm në pjesën e parë. Në gjysmën e dytë, rezultati u barazua me një autogol të Danijel Georgievski. Mirëpo, sulmuesi shqiptar, Agim Ibrahimi, shënoi golin e fitores në minutën e 73-të. 25-vjeçari është lojtar i Mariborit të Sllovenisë, por është huazuar te Kaljari në Serinë A.

Brazili shkatërron Afrikën e Jugut

Përfaqësuesja e Brazilit e ka mposhtur Afrikën e Jugut në Johanesburg me rezultat 5-0. Ishte Oskar ai që shënoi një gol fantastik minutën e dhjetë duke çuar skuadrën në avantazh. Në fund të gjysmës së parë, Nejmari e dyfishoi rezultatin. Sulmuesi i Barcelonës e shënoi edhe golin e dytë personal në fillim të pjesës së dytë. Brazilianët patën edhe shumë raste shënimi në vazhdim të lojës, por nuk i konkretizuan ato. Megjithatë, Fernandinjo arriti ta shënonte një gol, kurse Nejmari e kompletoi “het-trikun” në minutat shtesë.

 

David Luiz në planet e Barcelonës

Barcelona sheh David Luizin si zëvendësim për kapitenin në largim, Karles Pyjol. Pyjol të martën njoftoi se do të largohet nga klubi në fund të sezonit, për të nxitur spekulimet për pasardhësin e tij. Raportohet se katalanasit pritet bëjnë një ofertë në vlerën e 30 milionë eurove për qendrorin brazilian. Barcelona shpreson ta kompletojë marrëveshjen para fillimit të Botërorit, në qershor, me Luizin, që shihet si figurë e rëndësishme për ekipin e Seleçaos në Kupën e Botës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency