Vret dy vëllezërit në lokal, justifikohet se është “Jezu Krishti”

0
258

Anxhela Tato

 

 Altin Piroli u ul i armatosur për të pirë kafe, sapo pa vëllezërit Cara filloi të qëllonte me breshëri

 Hetimet, autori para grupit hetimor shprehet se është i dërguari i Perëndisë, vuan nga çrregullime mendore

 

 

vrasja lacEkzekuton dy vëllezërit në lokal dhe justifikohet se është i dërguari i Perëndisë. Altin Piroli u arrestua nga policia si autor i ngjarjes së rëndë që tronditi dje në mëngjes qytetin e Laçit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:30 në një lokal pranë stacionit të furgonëve. Autori i krimit është futur brenda dhe ka hapur zjarr me breshëri në drejtim të dy vëllezërve Andrea dhe Endri Cara, të cilët humbën jetën. Sapo ka dalë jashtë, Altin Piroli ka vijuar të qëllojë në mënyrë të pakontrolluar, duke plagosur dy kalimtarë, të cilët u dërguan me urgjencë për mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak. Para grupit hetimor i arrestuari ka mundur vetëm të thotë se ai është “Jezu Krishti” pa dhënë asnjë detaj për motivin e vrasjes. Nga ana e forcave të policisë ka dyshime se Piroli vuan nga çrregullime psikike, ndërsa pritet edhe rezultati i ekspertizës shëndetësore. Trupat e pajetë të dy vëllezërve janë në morgun e spitalit, ku i janë nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, çka do të ndihmojë blutë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërsa kalimtarë janë treguar se u tmerruan nga skena që kanë parë dhe autori nuk i dukej mire nga ana mendore. Ai qëllonte me breshëri në rrugë dhe shfaqte shenja anormaliteti. Janë ende të paqarta arsyet e këtij krimi makabër, pse autori pikërisht ka zgjedhur vëllezërit Cara për të vrarë, me të cilët kishte raport shumë të mirë shoqëror dhe bashkë ishin fqinj. Piroli është i skeduar nga policia si autor i plagosjes së kushëririt të tij 14-vjeçar, për të cilën ka ekzekutuar dënimin me 1 vit heqje lirie. Gjithashtu, Piroli ka mbetur i plagosur para një viti pas një konflikti banal.

 

Hetimet

 Ndërsa grupi hetimor përpiqet të hedhë dritë mbi motivet e vrasjes, 27-vjeçari i ka thënë policisë se vrasjen e kishte kryer pasi ai ishte “Jezu Krishti”, bëjnë të ditur burimet nga grupi hetimor. Në polici autori i është nënshtruar një ekspertizë paraprake mjekoligjore dhe rezultoi se ai dyshohet të vuaj nga probleme të theksuara mendore. Autori u arrestua disa metra larg vendit të ngjarjes dhe policia ka sekuestruar edhe dy pistoleta, si prova materiale. Altin Piroli dy vite më parë kishte plagosur djalin e xhaxhait të tij 14 vjeç dhe për këtë vepër penale ishte dënuar me 1 vit burg. Dënimin e kishte kryer në burgun e Shënkollit në Lezhë. Ai njihej edhe si një person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa mësohet se viktimat nuk kanë pasur konflikt me autorin.

 

Ngjarja

 Ngjarja është shënuar mëngjesin e djeshëm rreth orës 08:30. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kanë bërë të ditur se personi në fjalë ishte parë që në mëngjes teksa lëvizte me pistoletë në dorë në qendër të qytetit të Laçit. Në lokalin e viktimave, autori ka shkuar të pijë kafe dhe ka qëlluar mbi ta sapo i ka parë duke hyrë brenda. Autori ka qëlluar mbi vëllezërit dhe pasi ka zbrazur karikatorin ka dalë jashtë lokalit dhe rreth 50 metra më tutje ka rimbushur pistoletën duke filluar sërish të qëllojë në mënyrë të pakontrolluar. Të shtënat kanë ngjallur panik dhe qytetarët që kanë qenë aty janë munduar të largohen, por plumbat kanë kapur dy kalimtarët. Madje dëshmitarët tregojnë se autori i ka drejtuar pistoletën edhe policisë, por fat të mirë pistoleta ka qenë bosh.

 

Të plagosurit

 Mjekët e spitalit të Traumës në Tiranë bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e dy të plagosurve paraqitet e qëndrueshme. Mësohet se dy personat kanë dëmtime me armë zjarri, njëri në parakrah dhe tjetri në zonën e legenit. Sipas mjekëve, gjendja e tyre mund të konsiderohet jashtë rrezikut për jetën, pasi fatmirësisht plumbat nuk u kanë prekur organet jetësore.

 

Fushë-Krujë

Sulmi me tritol në komisariat, akt terrorist për Prokurorinë

 Sulmet me tritol brenda komisariatit të Fushë-Krujës janë cilësuar si akte terroriste nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas Prokurorisë, lidhur me ngjarjet janë hapur tri pista hetimi. E para është përhapja e panikut në popullatë. Pista e dytë e hetimit është presion ndaj policisë dhe pista e tretë ndonjë konflikt i mundshëm i drejtuesve të policisë. Lënda e përdorur në sulmet ndaj komisariatit të Fushë-Krujës dyshohet të jetë eksploziv për minierat. Sipas Prokurorisë, autori rrezikon dënim nga 15 vite burg në burgim të përjetshëm. Mbrëmjen e së hënës një sasi tritoli shpërtheu në komisariatin e Fushë-Krujës. Lënda plasëse u hodh në oborrin e komisariatit. Për pasojë nga shpërthimi u dëmtuan dy automjete. Tritoli ra mbi njërin nga automjetet e parkuara.

 

 

Zjarrvënia/ Pista e hetimit, efektivi ka qenë krahu i djathtë i të ndjerit Dritan Lamaj

 Mynyr Muça: Nuk kam dijeni për autor apo arsye, ta përcaktojë grupi hetimor

Zjarrvënie e qëllimshme automjetit të efektivit të policisë së Peqinit. Në orët e vona të së hënës është njoftuar në komisariatin e policisë se një makinë ishte përfshirë nga flakët. Automjeti është në pronësi të Mynyr Muçës, i cili në momentin e ngjarjes nuk ka qenë në banesë. Mësohet se makina e tipit “Ford” ishte parkuar pranë banesës së Muçës, në afërsi të rrugës “Ali Demi”. Zjarri është parë nga fqinjët, të cilët kanë njoftuar menjëherë forcat e policisë. Forcat zjarrfikëse dhe të policisë shkuan menjëherë në vendngjarje për të shuar zjarrin dhe për të nisur hetimet e zbulimit të autorëve të aktit kriminal. Dyshimet e para e lidhin këtë ngjarje me detyrën e Mynyr Muçës, si efektiv policie prej 21 vjetësh, por nuk përjashtohet as lidhja e tij me kryekomisarin e ndjerë Dritan Lamaj. Mësohet nga burime se Muça ka qenë krahu i djathtë dhe mik i afërt me të ndjerin Dritan Lamaj. Pikërisht kjo lidhje ka bërë që policia të dyshojë duke e shndërruar në njërën nga pistat hetimore. Vetë efekti i pyetur ka mohuar që të ketë probleme ose kërcënime. Ai shprehet se nuk e di arsyen dhe as nuk ka dyshime tek ndonjë person konkret. Ndërsa sqaron se ngjarjen ia ka lënë në dorë policisë për ta zbardhur. “Nuk e kam idenë se kush mund ta ketë bërë një gjë të tillë. Le ta hetojnë ata që duhet ta hetojnë këtë çështje. Unë jam në krye të detyrës në komisariatin e Peqinit dhe nuk merrem fare me këtë punë. Nuk mund të them se kush e ka bërë një akt të tillë. Jam vetë punonjës policie dhe nuk mund të flas për gjëra që nuk kam dijeni se kush mund t’i ketë bërë. Për mua nuk ka ndodhur asgjë. Thjesht është djegur një makinë. Shkaqe të tjera, çfarë ka e çfarë nuk ka, t’i përcaktojë grupi hetimor. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00”, – është shprehur efektivi Muça. Ndërsa pyetjes nëse ka frikë për sigurinë e tij pas kësaj ngjarjeje ai e mohon. “Nuk kam frikë, sepse gjithë jetën kam punuar me grupe kriminale. Kam 21 vite që punoj në polici dhe normal që nuk kam frikë, kështu që nuk i trembem këtij sulmi”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency