Sigurimet shoqërore/Skema e re, sa do të paguajnë punëdhënësi dhe punëmarrësi, tabelat për çdo kategori

0
162

Driçim Çaka

 

Masa e kontributit për sigurimin vullnetar, cila do të jetë skema e sigurimit për më shumë të ardhura. Si do të bëhet pagesa e sigurimit për vitet e kaluara

 

pensionet1349361683Pas ndryshimit të ligjit për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore, ISSH ka publikuar manualin se si do bëhet llogaritja e kontributeve. Duke filluar nga skema e sigurimit vullnetar, sigurimi për të vetëpunësuarit në bujqësi, deri te të punësuarit në biznese, duhet tu përshtaten pagesave të mëposhtme.

 

Skema e sigurimit vullnetar

Nga skema e sigurimit vullnetar mund të përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar. Shtetasit që për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm. Përfitojnë nga skema e sigurimit vullnetar edhe ata individë që janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre me kushtin që nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.

 

Sigurimi vullnetar për vitin korent

Sigurim vullnetar për vitin korent mund të paguajnë të gjithë individët që: Kanë mbushur moshën 18 vjeç, deri në arritjen e moshës për pension. Nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm. Nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi. Nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës për efekt kontributesh të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa. Pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 4 110 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 19 026 lekë x 21.6%. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit Janar). 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar). 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar). Por pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 4 110 lekë, deri në pesëfishin e saj.

 

Sigurim vullnetar për periudha të kaluara

Mund të paguajë sigurim vullnetar për periudhat e kaluara: Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar. Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve pasuniversitare. Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar. Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994 deri në datën që kanë lënë shtetësinë. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve). Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 4 110 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Kjo kuotë i korrespondon pagës minimale mujore: 19 026 x 21.6%. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.

 

Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura

Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të paguajnë: Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent. Sa duhet të paguhet për sigurim vullnetar për më shumë të ardhura:Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Sa duhet të paguhet për sigurim vullnetar për më shumë të ardhura: Personat e vetëpunësuar – sigurohen me pagë minimale mujore 19 026 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra është sigurim me kuotë fikse 4 110 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote. Të punësuarit – sigurohen me pagë minimale mujore 19 026 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra sigurim me kuotë fikse 4 110 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote. Punëdhënësit – sigurohen me pagë minimale mujore 19 026 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, d.m.th sigurim me kuotë fikse 4 110 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote.

 

Sigurimi nga bizneset

Llogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore për çdo punëmarrës individual mbështetet në pagën bruto mbi kufirin e pagës minimale mujore, deri në kufirin e pages maksimale mujore. Llogaritja e kontributeve të sigurimeve shëndetësore për çdo punëmarrës individual mbështetet në pagën bruto mbi kufirin e pagës minimale, pa kufi nga lart. Paga bazë minimale mujore për punonjësit për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në shkallë vendi është 22 000 lekë, ndërsa paga maksimale për sigurim shoqërore është 95 130 lekë. Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kryhet nga punëdhënësi sipas afateve të përcaktuara me ligj. Punëdhënësi ka detyrim ligjor për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve në kohën dhe masën e duhur. Listë-pagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të ligjit nr. 9920, date 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 000 lekë, për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar.

 

 

Si paguhet sigurimi vullnetar

Personi i interesuar paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Personi i interesuar duhet të ketë me vete dokumentet: Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit. Fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon. Fotokopje të letërnjoftimit elektronik. Nëse personi i interesuar bie dakord për t’u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip “Urdhër veprimi”, i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Duke disponuar këtë “Urdhër veprim” personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me “Mandat arkëtimi”. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (mandat arkëtimi në asnjë rast nuk i dorëzohet punonjësit të sigurimeve shoqërore. Ai është personal dhe mbahet nga vetë personi i interesuar). Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re në qoftë se nuk ka.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency