Reforma administrative/ Mazhoranca, me kurs të ri: Ndryshojmë formulën bipartizane të komisionit

0
79

Gëzim Saliu

 

Të majtët, larg konsensusit me opozitën, Füle do takojë bashkëryetarin Bashkim Fino

 

komisioni i administratives reformaMazhoranca qeverisëse pritet të ndryshojë formulën bipartizane të komisionit parlamentar të ngritur për reformën administrative-territoriale. Nisur nga përplasjet aktuale mes palëve, kur mazhoranca nuk pranon kërkesat për një konsensus deri në fund të procesit e nga ana tjetër opozita ka bërë të ditur më parë se s’do mund të marrë pjesë në diskutime pa garancitë e duhura, të majtët kanë menduar të përdorin formulën e ndryshimit të funksionimit të komisionit. Kjo taktikë e re ngushton mundësitë e bashkëpunimit mes palëve e në të njëjtën kohë hap rrugën për ecurinë e reformës administrative, ku aktor kryesor do të jetë vetëm njëra palë. Kjo mundësi është cilësuar si jo e duhura nga partnerët ndërkombëtarë, për një reformë që, sipas tyre, duhet të ketë si element parësor, gjithëpërfshirjen e konsensusin. Sipas burimeve pranë mazhorancës, mësohet se kjo taktikë e re do të vihet në zbatim vetëm pas pak kohësh, nëse opozita nuk do të përfshihet në punimet e komisionit bipartizan. Më parë, të majtët kishin menduar që të formonin kuorumin e vendimmarrjes në komision me “tërheqjen” e një prej partive, anëtare të opozitës, por tashmë duket se kjo mundësi nuk ekziston më. Në këto kushte, mazhoranca ka menduar që vetëm përmes ndryshimit të formulës bipartizane të komisionit, do të mund të bëhet e mundur vendimmarrja në të.

 

Reforma

Vizita e komisionerit për Zgjerim në BE, Stefan Füle, në Tiranë ditën e enjte, krahas dialogut të nivelit të lartë për ecurinë e reformave të integrimit, do të ketë në qendër të saj edhe mundësinë e gjetjes një zgjidhjeje për të nisur puna për reformën administrative-territoriale. Kjo duket se do të jetë një nga pikat kryesore në axhendën e eurokomisionerit, i cili duket se do të tentojë të bindë palët politike të arrijnë një pikë takimi që do të konkludonte me nisjen e punës së komisionit të posaçëm për hartën e re territoriale në vend. Mësohet se Füle pritet të zhvillojë edhe një takim me bashkëkryetarin e mazhorancës në këtë komision, Bashkim Fino. Nga ana e saj opozita ka bërë të qartë kërkesat e saj për mazhorancën duke renditur: tërheqjen nga projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil”, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për aktin normativ, pranimin e konsensusit të reformës territoriale dhe ndaljen e luftës politike kundër institucioneve të pavarura. Këto kërkesa janë cilësuar si politike nga mazhoranca, e cila për të bërë të mundur vendimmarrjen në komisionin parlamentar për reformën territoriale, po mendon ndryshimin e formulës bizpartizane të tij. Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale u konstituua më 7 shkurt, pa praninë e opozitës. Vendimi përcakton se, komisioni i posaçëm ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë, ku në përbërje të tij do të ketë 16 anëtarë, nga të cilët 8 janë përfaqësues të pozitës (6 PS dhe 2 LSI) dhe 8 përfaqësues të opozitës (6 PD, 1 PR dhe 1 PDI ). Po ashtu ai parashikon që komisioni të kryesohet nga dy bashkëkryetarë, një nga pozita, Partia Socialiste, dhe një nga opozita, Partia Demokratike.

 

Kërkesat e opozitës

Tërheqja e projektligjit që ndryshon ligjin e nëpunësit civil

Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e cilësoi si antikushtetues aktin normativ

Ndalja e luftës politike kundër institucioneve të pavarura

Pranimi i konsensusit me opozitën në të gjitha hallkat e reformës territoriale

 

 

Reagimi

Qeveria dënon ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë: Në sintoni me NATO-n

Qeveria, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, dënoi dje ndërhyrjen me forca ushtarake të Federatës Ruse në Ukrainë, e cila, sipas saj, ishte në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe në shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. “Duke dënuar veprimet politike që synojnë legjitimimin e përdorimit te forcës, MPJ shpreh mbështetjen e saj të vendosur për sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës, si edhe të drejtën e popullit të Ukrainës për të përcaktuar të ardhmen e vet, pa ndërhyrje nga jashtë”. Po ashtu Ministria bëri thirrje: “Të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe marrëveshjet e nënshkruara, duke evituar çdo përdorim force që prodhon efekte destabilizuese të rënda për Ukrainën dhe sigurinë ndërkombëtare, dhe bën thirrje për rikthimin e dialogut politik, si mjeti legjitim që do të çonte drejt normalizimit të situatës”. Nga ana tjetër, MPJ vlerësoi angazhimin e Autoriteteve të Ukrainës për respektimin e vlerave demokratike, të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve dhe thekson rëndësinë e një procesi politik gjithëpërfshirës, që të përmbushë aspiratat demokratike të të gjithë popullit të Ukrainës. “MPJ mbështet fuqimisht vendosjen sa më të shpejtë të vëzhguesve ndërkombëtarë të OKB-së dhe OSBE-së në zonën e Krimesë dhe Ukrainës lindore, për t’i dhënë mundësi konkrete Bashkësisë Ndërkombëtare që të informohet në kohë reale dhe në mënyre transparente mbi zhvillimet e situatës. MPJ është në sintoni të plotë me qëndrimet e NATO-s dhe të aleatëve tanë strategjikë dhe e ka shprehur vullnetin e saj, duke ju bashkuar qëndrimit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian gjatë mbledhjes plenare të OSBE-së të mbajtur sot në Vjenë”, – thuhej në reagim.

 

 

Borxhi 330 mln euro

Huaja e FMN-së këtë javë në qeveri

Marrëveshja e nënshkruar tre ditë më parë nga Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për kredinë prej 330.9 milionë euro, pritet të mbërrijë këtë javë në qeveri, e më pas në Parlament, në mënyrë që qeveria shqiptare të marrë këstin e parë prej 26.4 milionë eurosh të kredisë brenda muajit mars. Pas miratimit të saj edhe në parlament do të nisë edhe shlyerja e detyrimeve për sipërmarrjet, ku është premtuar më parë, se brenda muajit mars do të mund të shlyhen faturat e para. Marrëveshja me FMN-në ka nëntë këste, ku afërsisht, sipas Ministrisë së Financave, çdo vit do të ketë një disbursim prej 110 milionë eurosh. “Qeveria pret që brenda këtij viti të sigurojë edhe dy financime te tjera nga donatorët. Kredia e Bankës Botërore pritet të jetë në vlera të përafërta më atë të FMN. Ndërsa Bashkimi Evropian mund të mbështesë buxhetin me 50 milionë euro grant”, – ka theksuar ministri i Financave Shkëlqim Cani.

 

 

Mbledhja e grupit

Ruçi, deputetëve: Procedoni më shpejt me ligjet në komisione

Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, në qendër të diskutimit ka qenë axhenda e seancës parlamentare të ditës së enjte. Kreu i grupit, Gramoz Ruçi, në diskutimin me dyer të mbyllura ka kërkuar nga deputetët socialistë sqarime lidhur me vonesat e ligjeve në komisione. Sipas tij, për ligjet duhet të procedohet më shpejt e nuk duhet të ketë vonesa të panevojshme. Përmbyllja e një sërë ligjesh që janë në diskutim aktualisht në komisione janë pjesë e reformave të domosdoshme për procesin e integrimit. Vizita e eurokomisionert Füle, ku edhe do të diskutohet ecuria e vendit që nga vendimi i Brukselit në dhjetor e deri më tani si edhe vlerësimi në qershor për mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat, janë arsye që mazhoranca kërkon përshpejtimin e procedurave për votimin e ligjeve në parlament.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency