Zbardhet ekspertiza e aksidentit në Shishtavec/ Ekspertët, drejtuesi i automjetit u hutua prej telefonit, po lexonte një sms

0
114

Sonja Caka

Raporti, në furgon ndodheshin 4 persona mbi kapacitet. Pasagjerët, drejtuesi Bashkim Çuni po lexonte mesazhet në celular

 

furgoni i aksidentuar ne kukesPas 20 ditëve nga aksidenti i rëndë me shtatë viktima në Shishtavec të Kukësit, zbardhet edhe shkaku i tij. Ekspertët mendojnë se aksidenti nuk ka ndodhur për shkak të ndonjë defekti në mjet por prej hutimit të drejtuesit të furgonit. I riu ka qenë duke lexuar mesazhet që i kanë ardhur në celular në momentin që po kalonte mbi humnerë dhe kjo e ka penguar të ndjekë me kujdes rrugën. Ndërkohë që, ekspertët auto-teknik të policisë rrugore bëjnë me dije se ka rezultuar se furgoni ka qenë në gjendje të mirë teknike dhe pa probleme me frenat. Ata kanë nënvizuar në raport, se në furgon ndodheshin 13 pasagjer, 4 persona mbi kapacitetin e lejuar për tipin e mjetit, që ishte 8 +1…

Hutimi

Hutimin e drejtuesit të furgonit, edhe ai viktimë në këtë aksident e pranojën edhe pasagjerët që po udhëtonin me të atë ditë dhe patën fatin t’i mbijetonin rënies në humnerë. Sipas raportit, bazuar në pyetjet e të mbijetuarve dhe referuar vendit të ngjarjes, lidhur me mosreagimin e drejtuesit për të evituar rënien në humnerë, ekspertët kanë arritur në përfundim se 21-vjeçari është hutuar nga telefoni, pasi në momentin e daljes nga rruga ka qenë duke parë mesazhet e celularit. Sipas të dhënave të policisë së Kukësit, shoferi Bashkim Çuni kishte 6 muaj që e bënte rrugën për çdo ditë nga Shishtaveci në Kukës dhe anasjelltas edhe pse nuk ishte i pajisur me kategorinë që lejon atë të drejtojë mjete të transportit publik. Ndërsa nga ana e policisë rrugore, rezulton se 21 vjeçari është gjobitur vetëm në një rast me 600 lekë për mos respektimin e sinjalistikës, duke mos ndezur dritat e furgonit me të cilin u aksidentua, duke përfunduar në humnerë. Sipas policisë, 13 pasagjeret e furgonit ishin banorë të fshatrave të Shtrezës, Kollovodës dhe Topojanit të cilët po udhëtonin drejt Kukësit për ditën e pazarit por u përfunduan në humnerë, në vendin e njohur si zona pranë urës së Topojanit.

Aksidenti

Aksidenti i rëndë ndodhi mëngjesin e 8 shkurtit në rrugën Shishtavec-Kukës,  në vendin e quajtur Ura e Topojanit. Automjeti mësohet të ketë dalë nga rruga rreth orës 6.45 minuta të mëngjesit. Viktimat ishin banorë të së njëjtës zonë, si edhe të afërm me njëri-tjetrin, ndërkohë që tre prej tyre janë nga e njëjta familje. Viktima të këtij aksidenti të rëndë mbetën Majlinda Çuni, 23 vjeçe, 4 muajshe shtatzënë; Zekri Shehu, 65 vjeç; Feim Biba, 58 vjeç; Zamir Karanxha, 42 vjeç (drejtor i shkollës së Topojanit); Bashkim Çuni, 21 vjeç, (drejtuesi i mjetit, kunati i Majlindës); Meleqe Seriani, 22 vjeçe dhe Petrit Mustafa, 26 vjeç. Ndërsa të plagosur mbetën Zyrije Kovaçi, 74 vjeçe; Xhevahir Çuni, 23 vjeç, në gjendje kritike; Rustem Bibaj 24 vjeç në gjendje të rëndë dhe që ka mbetur i paralizuar; si dhe Servet Hoxha, 21 vjeç.

 

Tiranë

Aksidenti në Sauk, humb jetën edhe fëmija 11-vjeçar

Ka humbur jetën në spital fëmija 11-vjeçar, i cili pasditen e 26 shkurtit u përplas nga një makinë teksa po ecte në këmbë së bashku me të atin, Bujar Brahja. Ky i fundit gjeti vdekjen e menjëhershme në aksidentin rrugor të ndodhur në Sauk, ndërsa i biri ndodhej në gjendje të rëndë. Sipas mjekëve, 11 vjeçari me inicialet B.B nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të rënda. Për këtë  ngjarje, policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit Bardhyl Ismaili, ndërsa nga hetimet ka rezultuar se shkak ka qenë mos respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe shpejtësia tej normave të lejuara. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:21 të mbrëmjes së 26 shkurtit në zonën e njohur si rruga e re në Sauk. Sipas policisë, një automjet tip “Benz” me targë EL9965B, i drejtuar nga Bardhyl Ismaili ka përplasur babë e bir teksa këta të fundit ishin duke kaluar rrugën.

 

 

Gjermani

Vrasja e shqiptarit, policia deklaron se e therën dy djemtë

Zbardhet misteri i vrasjes së një shqiptari në Hamburg të Gjermanisë, i cili u gjet i copëtuar dhe i futur në një valixhe. Policia gjermane ka bërë me dije se shqiptarin me origjinë nga Maqedonia e kanë vrarë dy djemtë e tij, të moshave repsketivisht 20 dhe 26 vjeç. Dy javë më parë, mediat gjermane njoftuan për një krim makabër në Hamburg të Gjermanisë ku te stacioni i trenave ishte gjetur trupi i pajetë i një shqiptari, Hamza Zekiri, 46 vjeç, i grirë në copa, futur në një valixhe. Pas këtij rasti policia gjermane nisi hetimet, duke kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët, dëshmitarët. Dhe pas plot dy javësh hetime, policia ka rënë në gjurmë të autorëve të këtij krimi, duke zbuluar se ata janë pikërisht vetë bijtë e shqiptarit nga Maqedonia, ka shkruar sot gazeta Bild, të cilës i referohet “Presheva jonë”. Tani policia ka edhe emrat e të dyshuarve që kryen krimin mbi babën e tyre. Njëri 20 vjeç, i cili e ka pranuar krimin, ndërsa tjetri, 26-vjeçar është në arrati. Lidhur me rastin, zëdhënësi i policisë Holger Vehren ka pohuar se “njëri nga djemtë, më i vogli ka pranuar se ka vrarë në fund të tetorit gjatë një grindjeje bashkë me vëllain e tij babanë e tij. Më pas trupin e tij e kishin futur në një valixhe duke e lënë në rrugë pranë një taksie. Shoferi i taksisë i ka parë dy vëllezërit, se si u zhvendosën në zonën e Sinstorfer Kirchëegs dhe ka sinjalizuar policinë”, bënë të ditur burime nga policia.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency