Përplasje për sherret e fëmijëve, nënkryetari i komunës plagos dy të rinj

0
156

Policia: Mes Eqerem Braçes dhe dy të plagosurve ka pasur përplasje fizike dhe më pas është përdorur arma e zjarrit

Fier

plagosja ne FierDy persona janë qëlluar me armë zjarri pasditen e djehsme në Levan të Fierit. Sipas burimeve policore, nënkryetari i komunës Levan në rrethin e Fierit, ka qëlluar me armë zjarri dy persona në një servis makinash. Bëhet fjalë për shtetasin Eqerem Braçe, i dyshuar si autor i kësaj plagosjeje të dyfishtë, i cili është vënë në pranga. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të godinës së komunës, ndërsa dy të plagosurit Klodian dhe Besnik Aliaj janë dërguar me urgjencë në spitalin e Fierit ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia ka shoqëruar në komisariat nënkryetarin e komunës për të dhënë detaje për ngjarjen, ndërsa ka nisur hetimi. Megjithëse nuk dihen rrethanat por dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt të çastit mes personave në fjalë. Në vendngjarje mbërriti menjëherë policia e cila po punon për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15 .00 të ditës së djeshme. Dy të plagosurit në momentin që janë qëlluar kanë qenë duke lëvizur në të njëjtin automjet. Policia sqaron se dy të rinjtë janë plagosur në automjetin me targë AA096EX. Ndërkohë që blutë e Fierit bëjnë me dije se dy të rinjtë e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha. Dy të plagosurit Klodian dhe besnik Aliaj janë pronarë të një servisi makinash, ndërsa autori i ngjarjes është nënkryetari i komunës Levan, Eqerem Braçe.

Hetimi

Pas ngjarjes, policia nisi hetimin për zbardhjen e shkaqeve. Dyshohet se midis autorit dhe të plagosurve ka patur një sherr për fëmijët e tyre, të cilët më parë ishin zënë me njëri-tjetrin. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, dy të rinjtë dhe nënkryetari i komunës para plagosjes janë grindur me njëri-tjetrin dhe janë përplasur fizikisht. Pas sherrit dy të rinjtë kanë tentuar të largohen por nuk kanë mundur pasi janë qëlluar me armë zjarri nga Eqerem Braçe. Të plagosurit kanë marrë nga një plumb në këmbë. Ata u dërguan menjëherë në spital prej ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet dhe autorët e krimit.

 

Vendimi

Alarmoi policinë për vendosje bombe në shkollë, dënohet adoleshenti

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 60 ditë punë në interes të komunitetit një 18-vjeçar, nxënës në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në kryeqytet. Sipas vendimit të gjykatës, i riu me inicialet L.V, në datën 07.06.2013, është paraqitur ne Komisariatin e Policisë Nr.3 Tirane, i shoqëruar nga babai i tij. Ai ka shpjeguar se është nxënës i klasës së dhjetë të shkollës së mesme “Sami Frashëri” Tiranë. Më datën 06.06.2013, në orën e tretë të mësimit, i ka lindur mendimi që të bëjë një njoftim të rreme në organet e policisë dhe nga numri i tij i celularit 0697248115, ka  telefonuar numrin 129  të policisë dhe ka thënë se në shkollën “Sami Frashëri” ishte vendosur bombë, dhe ka mbyllur telefonin. I riu ka deklaruar se pas dhjetë minutash nga koha që ka filluar ora e katërt e mësimit, është ndërprerë zhvillimi i mësimit në shkollë dhe mësuesit i kanë larguar nxënësit nga ambientet e kësaj shkolle  dhe në shtëpi ka parë lajmin në televizor, se në shkollën “Sami Frashëri”, policia ka bërë kontroll pas një telefonate për vendosje bombe. Aty Lorenci ka kuptuar se ishte telefonata që ai kishte bërë në polici. Për këtë veprim të tij, ai ka vënë në dijeni babanë dhe se bashku me të në datën 07.06.2013 është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr.3 Tirane dhe ka dhënë shpjegime për veprimin që kishte kryer. Në gjykim, i pandehuri e pranoi akuzën e ngritur nga prokurori dhe shprehu pendim të thellë për veprimin e kryer.

 

 

Përndjekja

Dënohet 10 muaj burg për bezdisje dhe dhunim të ish të dashurës

Një i ri nga Vlora është dënuar me 10 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për përndjekje, bezdisje dhe dhunim të ish të dashurës. Gjatë hetimeve ka rezultuar se Altjon Bedinaj është vënë në pranga në shtator të vitit të kaluar. Sipas vendimit të gjykatës, e dëmtuara Sulltana Koçaj banon në Tiranë dhe rreth 3 vite para ngjarjes është njohur dhe dashuruar me të pandehurin Altjon Bedinaj, me të cilin ka pasur lidhje intime. Tri muaj para arrestimit të të riut, çifti ishte ndarë, fakt që nuk pranohej nga i pandehuri. E dëmtuara ka bërë edhe kallëzim ndaj Bedinaj, duke u shprehur se nga koha që është ndarë nga i pandehuri e më pas ai e përndjek, e ndjek atë duke e dhunuar si nga ana psikike ashtu edhe fizike. Ai e ka kërcënuar të dëmtuarën Sulltana Koçaj dhe e ka dhunuar atë prej një periudhe shumë të gjatë. I pandehuri Altjon  e kërcënonte të dëmtuaren Sulltana Koçaj fizikisht dhe psiqikisht me qëllim për ta detyruar që të rilidhej përsëri me të pandehurin I pandehuri Altjon Bedinaj, duke marrë refuzimin e Sulltana Koçaj, për kërkesën e tij, në datën 05.09.2013 e ka goditur vajzën në një “Fast food” i cili ndodhet pranë punës së saj, duke e kapur atë nga duart dhe kërcënuar duke i thënë se “ti je e imja”. Gjithashtu, në datën 12.09.2013 i pandehuri Altjon Bedinaj, i ka  shkuar të dëmtuarës në zyrë duke e kërcënuar se do të vras, do të vish me mua dhe duke e tërhequr nga krahu. Duke hasur në kundërshtimin  e vajzës, e cila nuk po shkonte me të, i pandehuri Altjon Bedinaj i ka hedhur me forcë në drejtim të saj një letër ku i shkruante se “ke për të humbur gjithçka,  je ndryrësira më e madhe e kësaj bote”. Në këto rrethana, Altjon Bedinaj është vënë edhe në pranga nga dy oficerë të patrullës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency