Pas 5 muajsh pushtet/ Pakënaqësitë e bazave socialiste në rrethe, çfarë kërkojnë nga Rama e PS

0
128

Gëzim Saliu

Ja cilat janë 5 bazat që kanë ngritur shqetësimet deri tek përfaqësuesit e lartë të PS-së

 

Kur edi_rama_baza_971918130kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga marrja e pushtetit nga mazhoranca e majtë, bazat e Partisë Socialiste në rrethet kryesore të vendit shfaqin pakënaqësi ndaj forcës kryesore të koalicionit qeverisës. Duke nisur nga baza socialiste e Vlorës dhe e Fierit deri tek ajo e Elbasanit dhe Durrësit, duke mos lënë pas edhe bazën qëndrore të Tiranës, shqetësimet janë ngritur deri jo vetëm tek deputetët e qarkut, por edhe tek përfaqësuesit e lartë të PS-së në Tiranë. Përmes letrave dërguar në selinë qëndrore të socialistëve dhe kërkesave në takimet e përjavshme me deputetët e zonave, socialistët e bazës kanë paraqitur si kërkesë parësore punësimin. Por nga ana tjetër nuk kanë munguar edhe kritikat për emërimet e ndryshme në rrethe, ku sipas tyre, personat që kanë zëvendësuar punonjësit e administratës së kaluar, në shumë raste nuk janë përfaqësuesit e duhur që meritonin postin përkatës. Sipas bazës socialiste, premtimet e dhëna nga deputetët e përfaqësuesit e lartë të PS-së, më shumë në forma informale, për punësimin e tyre nuk janë përmbushur aspak.

Kritikat e bazës

Ndër kritikat kryesore të bazave socialiste, të shprehura në formë të drejtëpërdrejtë, por edhe përmes përfaqaësuesve të partisë në qytetet e ndryshme të vendit është ajo për emërimet në institucione dhe ndërmarrjet kryesore publike. Mësohet se në qarqet si Durrësi, Vlora, Elbasani dhe Fieri, socialistët janë thuajse çdo ditë në dyert e selisë së PS-së, ku krahas kërkesave për punësim, nuk janë të pakta edhe shqetësimet e shprehura për situatën që sipas tyre, nuk po ndryshon, edhe pse kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga koha që forca më e madhe politike ka marrë pushtetin e po bashkëqeveris me LSI-së. Edhe pse qëndrime kritiket nuk janë të pakta edhe ndaj aleatit të PS-së, i cili sipas tyre ka përfituar një sërë postesh kryesorë në nivel lokal, kryesisht shqetësimet më së shumti kanë të bëjnë me përzgjedhjet e vetë socialistëve. Sipas tyre, në emërimet e këtyre muajve, dukuria e nepotizmit është shfaqur dendur. Ndërkohë, socialistët e këtyre qarqeve kryesore në takimet e zhvilluara me krerët e partive të qytetit apo rrethit, ku edhe për këto të fundit ka pakënaqësi për indiferentizëm dhe mungesën e komunikimit, kanë shprehur kritikat e tyre me qëllim përcjelljen tek përfaqësuesit e lartë të partisë apo edhe tek deputetët e zonës.  Socialistët e bazës këmbëngulin në faktin se pavarësisht se premtimet për punësim ishin të shumta e ende nuk kanë marrë rezultatin e duhur, edhe rruga tjetër e meritokracisë për vendin e punës apo postin drejtues nuk po ndiqet. Në këtë kontekst ata kanë bërë të ditur se ka akoma institucione që nuk kanë bërë as edhe edhe një hap drejt reformimit. Më parë kryeministri dhe kreu i PS-së Edi Rama ka kërkuar nga deputetët socialistë që të intensifikojnë komunikimin me qytetarët, duke theksuar nga ana tjetër se problem i punësimit është një çështje delikate që do të duhet të trajtohet me rëndësinë e duhur. Publikisht kreu i qeverisë ka nënvizuar domosdoshmërinë e meritokracisë e konkurseve për punësimin, ku nga ana tjetër nuk mund të thuhet se kanë munguar emërimet e militantëve në poste të ndryshme. Ndërkohë kritikat dhe shqetësimet nga baza socialiste në rrethet kryesore kanë mbërritur edhe tek zyra e Ramës, ku në to, nuk nënvizohet vetëm kërkesa e punësimit, por edhe shqetësimet për emërimet aktuale nga drejtuesit e lartë të PS-së në rrethe e qarqe.

 

Komisioni i Ligjeve

Amnistia për të burgosurit sot në Parlament

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut do të diskutojë në seancën e sotme projektligjin “Për dhënie amnistie”. Në draftin e përgatitur nga Ministra e Drejtësisë janë përcaktuar të gjithë kategoritë që përfitojnë amnisti. Në to përfshihen të burgosur, të cilëve u kanë mbetur edhe pak kohë burg ose janë duke kryer dënime për vepra penale të lehta. Në amnisti propozohet të përfitojë cdo i dënuar me burg për vepra që parashikojnë deri në dy vjet burg, cdo person që është me dënim alternativ i dënuar deri në dy vite burg, si dhe të pushohet cdo hetim apo procedim penal në prokurori për vepra penale të kryera deri më datën 30 nëntor që parashikojnë dënimin deri në dy vjet burg. Në projektligj parashikohet gjithashtu të përfitojnë amnisti edhe edhe ata persona për të cilët gjykata ka vendosur dënimin alternativ, personat e dënuar me gjobë  për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës , personat e dënuar me burgim të cilëve deri më datën 30 nëntor të vitit të kaluar u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim edhe tre vjet heqje lirie, femrat që kanë mbushur moshën mbi 55 vjec dhe meshkujt mbi 60 vjec apo të dënuarit që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baraz apo nën moshën 18 vjec me përjashtim të atyre për krime kundër jetës, kundër fëmijëve, krimet seksuale, kundër shëndetit dhe autoritetit të shtetit. Ndërkohë nga amnistia përjashtohen veprat ushtarake, veprat me qëllime terroriste, veprat penale në kuadër të bandave, veprat që prekin zgjedhjet, veprat kundër lirisë së personit si dhe veprat kundër moralit dhe dinjitetit si edhe ata që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë. Ndërkohë një tjetër projektligj që do të diskutohet në mbledhjen e sotme është edhe ai, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve” të ndryshuar”. Qëllimi i projektligjit, është përmirësimi i kushteve për trajtimin e personave të dënuar me burgim dhe të të paraburgosurve për të garantuar respektimin e të drejtave e të lirive të tyre themelore, në përputhje me aktet e BE, aktet ndërkombëtare në fuqi, si dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht. Dy ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me faktin se leja për dalje të përkohshme sipas ligjit për të dënuarit tashmë do të jepet vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve e si edhe që rregullave të këtij ligji do ti nënshtrohen të gjithë të dënuarit, shtetas shqiptarë dhe të huaj.

 

Hapja e dosjeve

Boçi: Të rikthehet nisma e PD-së

Ndërkohë që debati për miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve është rikthyer, Partia demokratike shprehet se për këtë çështje duhet miratuar ligji i propozuar prej saj vite më parë. Deputeti i PD-së Luçiano Boçi theksoi  për AS se hapja e dosjeve është e domosdoshme, por për të, Kuvendi duhet të miratojë variantin e propozuar nga mazhoranca e djathtë 6 vite më parë. “Jemi pak të vonuar pasi ky katarsisi i politikës shqiptare duhet të ishte bërë më kohë dhe në fakt është hap i mirëpritur, ligji duhet të hartohet dhe të merret në konsideratë  atë ligj që pretendoi PD-ja ta paraqiste dhe u kthye nga presidenti i atëhershëm”, tha Luçiano Boçi. Në 22 dhjetor të vitit 2008 kuvendi miratoi  ligjin Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”. Presidenti i atëhershëm nuk e dekretoi këtë ligj duke e lënë atë të hyjë në fuqi automatikisht. Megjithatë, rreth dy vite më pas, në vitin 2010, pasi mori në shqyrtim këtë çështje, gGjykata kushtetuese vendosi rrëzimin e tij, duke e shpallur ligjin si të papajtueshëm me kushtetutën, vendim të cilin demokratët e kundërhstuan në atë kohë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency