Nisma / Hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të regjimit, çfarë qëndrimi mban mazhoranca

0
130

LSI, Rama: Mbështesim modelin gjerman. PS, Qefalia: Jemi të vonuar

 PD, në vazhdimësi pro hapjes së dosjeve, ligji i lustracionit u rrëzua 4 vite më parë

 

E4976FBE9B4565C0BC0858311C053951Të majtët shprehen parimisht pro hapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve dhe anëtarëve të Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës komuniste, duke mbështetur kështu nismën e institucionit të Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile. Edhe pse qëndrimi zyrtar do të bëhet i ditur më pas nga përfaqësuesit e lartë të dy forcave kryesore të mazhorancës qeverisëse, kur edhe nisma do të diskutohet në Kuvend, dy nga deputetët e këtyre partive pohuan se mirëpresin nismën për ligjin e lustracionit. Deputeti socialist Xhemal Qefalia dhe ai i LSI-së, Luan Rama, shprehën konsensusin e tyre për këtë nismë, duke nënvizuar rëndësinë e zbardhjes së të vërtetave të kohës së regjimit. “Personalisht jam absolutisht i bindur dhe duhet patjetër, madje jemi shumë të vonuar. Është një diçka për të cilën qytetarët shqiptarë më së fundmi duhet ta kuptojnë se cilët janë ata individë të cilët sot ose gjatë gjithë periudhës së demokracisë kanë qenë në poste drejtuese dhe është si të thuash shtensionim i asaj ngarkese”, – tha Qefalia për “A1 report”. Në të njëjtën linjë, Rama theksoi se nisma e bazuar edhe në modelin gjerman, do të ketë përkrahjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim në sallën e Parlamentit. Luan Rama ironizon edhe qëndrimin hezitues të Partisë Demokratike për këtë çështje. “Jo thjesht dhe vetëm me ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, por unë do ta zgjeroja gamën e përfshirjes në fokusin e këtij ligji për të gjithë ata që kanë probleme me institucionet e ligjit. Natyrisht nuk e njoh në detaje iniciativën më të fundit, por parimisht unë kam qenë njëri nga ata që gjithnjë kam insistuar dhe jam shprehur për një trajtim ligjor dhe për penalitete për të gjithë ata që kanë mëkate nga e shkuara e largët apo nga e shkuara e afërt, në funksion të krijimit të një standardi dhe modeli jo vetëm për politikëbërësit, por për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, të denjë për një administratë evropiane”, – tha deputeti i LSI-së.

Nisma

Pak ditë më parë, përmes një rekomandimi dërguar qeverisë dhe Parlamentit në emër të respektimit të të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit kërkoi hartimin e një ligji të ri për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit apo dhe të agjentëve të huaj. Pasi ka depozituar më parë një nismë në Kuvendin e Shqipërisë, ku propozohet që legjislativi të miratojë ligjin për hapjen e dosjeve, ky institucion së bashku edhe me shoqërinë civile kërkojnë që ligji i ri të jetë gjithëpërfshirës dhe të garantojë një proces real. Po ashtu, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut ka përgatitur një draft për ligjin e ri të lustracionit, ku subjekte të verifikimit do të jenë të gjithë funksionarët publikë të zgjedhur apo të emëruar që nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, funksionarë të lartë të Presidencës, Këshillit të Ministrave, të Gjykatës së Lartë, të asaj Kushtetuese e deri tek përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare në Shqipëri. Ndërkohë, të djathtët, e kryesisht Partia Demokratike, kanë shprehur me kohë qëndrimin e tyre pro hapjes së dosjeve të regjimit, ku nisma e saj për ligjin e lustracionit, kur ishte në mazhorancë, u rrëzua para katër vitesh nga Gjykata Kushtetuese.

 

 

Drafti

 Kush verifikohet

-Presidenti i Republikës së Shqipërisë

-Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë

-Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore

-Anëtarët e KLD-së si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave e prokurorive

-Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të KLD-së, të Gjykatës së Lartë, të Kushtetueses, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara

-Guvernatorë, zëvendësguvernatorë, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë

-Funksionarë në Forcat e Armatosura, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”

-Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave

-Drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekture

-Anëtarët e këshillave të qarkut si e të këshillave bashkiakë

-Funksionarë në SHISH, në Shërbimin Informativ Ushtarak dhe SHKB

-Funksionarë në Gardën e Republikës

-Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati

-Ambasadorë, këshilltarë, sekretarë në përfaqësitë diplomatike

-Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo lokal të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit

-Drejtues, kryeredaktorë të mediave audiovizive, si dhe të mediave të shkruara, me një tirazh ditor më të madh se 1000 kopje në ditë

-Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori e zëvendësdrejtori i Radios, drejtori e zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në RTSH; drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe anëtarët e KKRT-së dhe këshillave drejtues të mediave publike

-Rektorë, zv.rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private

-Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare

-Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi

 

 

Delegacioni i Bundestagut

Takimi me Metën e Peleshin: Gjermania, partner për reformat

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi priti dje një delegacion të Bundestagut Gjerman të kryesuar nga Johannes Selle, deputet e njëherazi kryetar i Komisionit për Ekonominë, Bujqësinë, Mjedisin, Turizmin dhe Infrastrukturën. Në takimin, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe ofrimin e asistencës gjermane për reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare, Peleshi shprehu vlerësimet e ekzekutivit për projektet e suksesshme sociale, ekonomike e infrastrukturore që janë realizuar në bashkëpunim me GIZ dhe KfW. Nga ana e tij, Selle i konfirmoi zëvendëskryeministrit se procesi i integrimit gëzon mbështetje nga i gjithë spektri politik në Gjermani dhe se një nga qëllimet e vizitës së tij ishte pikërisht identifikimi i atyre pikave ku ky shtet mund të ofrojë mbështetjen e saj për Shqipërinë. Ndërkaq, në takimin me Kryeparlamentarin Meta, theksi u vu në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Shqipëria mbështetet te Gjermania jo vetëm për integrimin në Bashkimin Evropian, por edhe për arritjen e standardeve evropiane në vend. Shqipëria është e vendosur të avancojë me reformat e nisura, jo vetëm në kuadër të procesit të integrimit evropian, por veçanërisht në funksion të thithjes së investimeve të huaja dhe forcimit të stabilitetit në rajon”, – tha Meta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency