Fëmijët, të ekspozuar ndaj substancave që pengojnë zhvillimin e trurit

0
145

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Shkencëtarët kanë zbuluar gjashtë substanca (ndaj të cilave fëmijët janë vazhdimisht të ekspozuar), të cilat mund të ngadalësojnë zhvillimin e trurit të fëmijëve. Arsyeja e hulumtimit të shkencëtarëve nga Harvardi dhe Icahn School of Medicine Mount Sinai, ishte rritja e numrit të fëmijëve që vuajnë nga autizmi, disleksia, çrregullimet e hiperaktivitetit dhe mungesa e vëmendjes. Dy substanca janë gjetur në ujin e pijshëm, ndërsa katër të tjerat në pesticide dhe tretësira të tjera që përdoren në bujqësi dhe industri. Këto substanca lënë pasoja te fëmijët që janë në zhvillim e sipër dhe me kalimin e kohës zvogëlojnë inteligjencën e tyre ose shkaktojnë çrregullime të sjelljes – pohojnë ekspertët. Shkencëtarët thonë se përkundër zbulimit të tyre, nevojiten fakte shumë të forta për t’i detyruar prodhuesit që t’i largojnë këto substanca nga produktet që janë në treg.

 

Femrat, çfarë e dëmton zemrën

Sëmundjet e zemrës tradicionalisht konsiderohen si sëmundje të meshkujve, mirëpo ato gjithnjë e më shpesh po shfaqen edhe te femrat, të cilat humbin jetën nga sëmundjet kardiovaskulare më shpesh se nga të gjitha format e kancereve së bashku. Në librin “Zemra e femrës”, dr. Suzanne Steinbaum ofron disa këshilla për të mbrojtur shëndetin e zemrës, ndërsa mes tyre shpjegon ndikimin e disa faktorëve që e dëmtojnë zemrën. Një nga këta faktorë është depresioni, i cili është shumë më i shpeshtë te femrat sesa te meshkujt. Ankthi është një tjetër gjendje mjaft e shpeshtë te femrat që lë pasoja në zemër. Studime të shumta kanë treguar se pesimizmi është jashtëzakonisht i keq për zemrën. Pacientët pesimistë që kanë pësuar infarkt të zemrës kanë qenë për 30 për qind më të rrezikuar nga vdekja në krahasim me pacientët që nuk ndikohen nga pesimizmi. Njerëzit e zemëruar dhe me prirje armiqësore shpeshherë kanë probleme me zemrën. Femrat e punësuara të cilat nuk janë të kënaqura me punën e tyre janë shumë më të ekspozuara ndaj rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

 

Duhani dhe mishi sjellin kancer

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të grumbulluara nga 157 vende të borës, kanë treguar për lidhshmërinë e ushqimeve të caktuara dhe shprehive në zhvillimin e tipave të ndryshëm të karcinomave (format më të shpeshta të kancerit te njeriu). Studimi i ri ka shqyrtuar ushqimet dhe shprehitë e përditshme të pjesëmarrësve në studim dhe ndikimin e tyre si faktorë rreziku për zhvillimin 21 lloje karcinomash. Rezultatet kanë treguar se rol themelor në zhvillim e karcinomave kanë duhani dhe konsumimi i ushqimeve me prejardhje shtazore. Duhanpirja është treguar dyfish më i rrezikshëm për zhvillimin e kancereve te meshkujt, derisa produktet ushqyese me prejardhje shtazore kanë ofruar rrezik më të madh për zhvillimin e karcinomave te femrat. Produktet me prejardhje shtazore shtojnë rrezikun për shfaqjen e karcinomës së gjirit, veshkës, vezoreve, testiseve dhe gjëndrës tiroide – thonë autorët e studimit. Ata shpjegojnë se produktet me prejardhje shtazore nxisin rritjen e qelizave në organizëm, por krahas kësaj rritet edhe faktori i ngjashëm me insulinën (IGF), i cili njëherësh nxit edhe rritjen e tumorit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency