REAGON OPOZITA/ Basha, Berisha: Të mbështesim protestën e shoferëve, Rama-Meta po rrënojnë familjet e tyre

0
127

Florenc Drizari

Basha: Një qeveri që shpall kundërshtarë qytetarët e saj, nuk mundet dhe nuk duhet lënë të finalizojë marrëzinë ndaj tyre

 

Berisha: Rama, burracak, protestoi 1753 herë në mbarë vendin, sot i tmerruar nga protestuesit, përdori dhunë e terror

 

protesta2-300x231Protesta e djeshme e shoferëve të furgonëve u mbështet edhe nga përfaqësuesit e opozitës. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë, duke thënë se po shkakton probleme sociale me vendimet e saj, ndryshe nga detyra që ka për t’u ofruar zgjidhje qytetarëve. Me anë të një reagimi në faqen sociale “Facebook”, Basha shkruan se kur mijëra bashkëqytetarë kërcënohen në bukën e gojës, opozita nuk mund të rrijë indiferente dhe për këtë tha ai, nuk mund ta lejojë qeverinë të ushtrojë pushtetin pa kufij për ta përdorur atë kundër qytetarëve shqiptare.

 

Lulzim Basha

“Kur qeveria nuk mbështet punësimin, por është shkaku i papunësisë, ajo nuk është zgjidhja, por problemi, nuk është zgjidhja, por e keqja vetë.

Nuk ka gjë më të pamoralshme në politikë se të përdorësh pushtetin për të traumatizuar vendin, për ta kthyer depresionin tënd në depresion kombëtar. Ky vend nuk qeveriset me arrogancë dhe ekstremizëm, por me dashuri dhe mençuri. Një qeveri që shpall kundërshtarë qytetarët e saj, që mendon vetëm si t’ju shkatërrojë punën, pasurinë dhe të ardhmen nuk mundet dhe nuk duhet lënë të finalizojë marrëzinë e saj. L. Basha”, – ka shkruar kryetari i Partisë Demokratike.

Sali Berisha

“Dhunë dhe shkopinj gome ndaj protestuesve paqësorë, ndërsa policia bllokon të gjitha hyrjet e Tiranës”, – ky ishte komenti i ish-kryeministrit Sali Berisha për protestën e djeshme të furgonëve. Me anë të një komentin në rrjetin social “Facebook”, Berisha kritikoi ashpër qëndrimin ndaj protestuesve, duke bërë përgjegjës krerët e qeverisë për urdhrat në drejtim të policisë së shtetit.

“Protesta paqësore e shoferëve të furgonëve pritet me dhunë, bllokim, shkopinj gome nga Policia e klikës Rama – Meta në të gjitha hyrjet e Tiranës. Kështu, Edvin Kristaq Rama, njeriu që protestoi në tetë vite 1753 herë në mbarë vendin, sot i tmerruar nga protestuesit që luftojnë për kafshatën e fëmijëve të tyre, përdori dhunë e terror ndaj tyre në mënyrë që të mos i lejonte të arrinin në sheshin para kryeministrisë. Burracaku, që nga njëra anë preu kangjellat e kryeministrisë ndërsa nga ana tjetër i tmerruar dhunon protestuesit paqësor, dëshmon se po përjeton tronditje të madhe psikike”, – tha Berisha. Në komentin e tij, ish-kryeministri Berisha u shpreh për një solidaritet më të madh ndaj 20 mijë familjeve shqiptare që sipas tij, dyshja Rama – Meta u pret bukën e gojës për faktin se duan të vendosin monopolet e tyre në transportin e pasagjereve. Gjithashtu Berisha akuzoi krerët e qeverisë se me lejet e transportit pritet të fitojnë së paku 30 milion dollarë ryshfet për licencat e reja të taksive apo 1500 euro për çdo licencë që do të lëshojnë pas anulimit të licencave të ligjshme.

Në fund të shkrimit të tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen kësaj proteste. “Kjo është protesta për kafshatën e gojës kundër babëzisë së kleptokratëve në pushtet. Protestuesit do fitojnë! Mbështetja jonë është jetike për fitoren e tyre! sb”, – ka shkruar Sali Berisha. Më herët protestës së shoferëve të furgonëve iu bashkuan edhe deputetë të opozitës, duke qëndruar bashkë me protestuesit në rrugë dhe sheshe të Tiranës.

 

 Topalli: Rama ka frikë nga protestat, ky është shtet policor

 Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, reagoi dje në lidhje me protestën e shoferëve të furgonëve në rrugët e Tiranës dhe para Kryeministrisë, duke kritikuar qeverinë për situatën e krijuar. Në kohën kur dhjetëra shoferë të taksive 8+1 po protestonin para Kryeministrisë, Topalli u shpreh në rrjetin social “Facebook” se Kryeministri Rama ka frikë nga protestat. Topalli shkruan se forcat speciale janë kundër protestës për bukën e gojës.

“Rama ka frikë nga protestat! Forcat speciale kundër protestës për bukën e gojës! Forcat speciale, shteti policor, thua se është shpallur gjendja e jashtëzakonshme janë turrur kundra shofereve të furgonëve që kërkojnë të punojnë për bukën e gojës! Çifti Rama-Meta kanë frikë nga protestat! Forcat speciale godasin me shkopinj gome edhe kundra grave! Ky është shtet policor!”, – ka shkruar Jozefina Topalli.

 

 

 

Berisha: Të gjithë në këmbë të mbështesim protestën e shoferëve!

Ish-kryeministri Sali Berisha bëri thirrje për një mbështetje qytetarëve ndaj shoferëve të furgonëve që protestuan dje në Tiranë. Në një koment të dytë të bërë në rrjetin social “Facebook”, Berisha shprehet se Rama po rrënon ekonominë e familjeve të tyre.

“Shoferët e revoltuar të furgonëve çajnë barrikadë murin, kordonët e policisë dhe marshojnë e pushtojnë sheshin para Kryeministrisë. Rama ul qepenat dhe lë në zyrë Vali Bizhgën dhe ja mbath pak çaste para hyrjes së autokolonave të të revoltuarve në sheshin para ndërtesës së Kryeministrisë.

Qytetare dhe qytetarë, demokrate dhe demokratë, popull opozitar, revolta e shoferëve të furgonëve për kafshatën e fëmijëve të tyre është klithma e ndërgjegjes të qindra mijëra qytetarëve shqiptarë që po u rrënohen vendet e punës, që taksat dhe gjobat absurde të qeverise Rama – Meta po i zhysin me shpejtësi drejt skamjes dhe mjerimit. Prandaj të gjithë në këmbë. Fitorja e shoferëve të revoltuar të furgonëve është fitorja tjetër e madhe e popullit opozitar!! sb”,- ka shkruar Berisha.

 

 

Deputetët e opozitës në protestë me shoferët e furgonëve: Qeveria të tërhiqet!

 Deputetë të qarkut të Elbasanit, Korçës etj. iu bashkuan protestës së shoferëve të furgonëve dje në rrugët e Tiranës deri në bulevardin para Kryeministrisë. Në mbështetje të shoferëve të furgonëve shkuan deputetë si Ridvan Bode, Flamur Noka, Eduard Halimi, Gent Strazimiri dhe Luçiano Boçi.

Pas bllokimit që policia i kishte bërë rrugë hyrëse të Tiranës për të mos lejuar furgonët të protestonin në qendër të qytetit, deputetët e opozitës iu bashkuan protestuesve, duke kërkuar hapjen e rrugëve dhe lejimin e tyre për të protestuar para kryeministrisë. Mes tyre dhe forcave të rendit pati debate që shkuan deri në shtyrje me trup për të liruar rrugën.

Përgjatë zhvillimit të protestave, shpesh herë deputetët e opozitës bën thirrje në media për forcat e rendit dhe krerët e qeverisë, që t’i linin qytetarët të protestonin në të drejtën e tyre.

 

Flamur Noka

“Policia nuk është tërhequr, ka bllokuar rrugën dhe rruga është bllokuar nga policia dhe nuk lejojnë qytetarët të protestojnë sipas kërkesës që ka miratuar vetë policia për protestën. Është një bllokim rruge nga Policia e Shtetit. E njëjta situatë është krijuar në çdo rrugë hyrëse të Tiranës. Ky shtet policor me mjetet e tij po bllokon një protestë të drejtë. Këta janë pa asnjë urdhër dhe dokument për të bllokuar protestën”, – tha deputeti Noka gjatë një prononcimi për median.

 

Luçiano Boçi

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe deputeti demokrat Luçiano Boçi, i cili e quajti bllokimin e Rrugës së Elbasanit nga ana e policisë, një pengesë artificiale. “Jemi përpjekur të gjejmë gjuhën e përbashkët që policia të lejojë kalimin e furgonëve. Nëse jepet kjo leje situata do të qetësohet. Ne jemi këtu jo për ta tensionuar situatën por për ta qetësuar atë. Policia merr vetëm urdhra me telefon. Janë situata të marra në mënyrë emergjente a thua që po bëhet ndonjë krim, ndërkohë që po zhvillohet një protestë normale e qytetarëve”, – tha Boçi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency