Përplasen historianët/ A ishte Enver Hoxha nacionalist?! Bytyçi: Ja ku e kundërshtoj Pëllumb Xhufin

0
200

Debati/Stalinizmi i Enver Hoxhës dhe nacionalizmi shqiptar

 

Enver Bytyçi*

 

enver hoxhaNë numrin e një reviste të së shtunës së kaluar, historiani dhe politikani Pëllumb Xhufi mori përsipër të sillte në opinionin publik pikëpamjet e tij mbi Enver Hoxhën dhe figurën e tij historike. Kjo analizë e tij u ribotua të nesërmen, më 23 shkurt, në një gazetë, duke zgjeruar rrethin e lexuesve. Edhe unë e lexova me shumë vëmendje analizën e tij të titulluar “Enver Hoxha dhe nacionalizmi”. E rilexova gjithashtu, sepse doja që të mos keqkuptoja asgjë prej atyre trajtesave që i bën kolegu Xhufi kësaj figure. Prandaj, në këtë refleksion mbi këtë çështje, do të provoj të jem shumë i ftohtë, me qëllim që në vend të gjykimit tim personal, lexuesit t´i jap të dhëna, fakte dhe argumente, të cilat shkojnë në drejtim të kundërt me opinionin e zotit Xhufi.

Në fakt, autori i analizës-opinion “Enver Hoxha dhe nacionalizmi”, siç pohon vetë, e pret një reagim të opinionit rreth trajtesës së tij të lartpërmendur, por unë do të përpiqem të jap një përgjigje profesionale, pa ngarkesa emocionale dhe pa paragjykime. Për këtë më ndihmon gjithashtu fakti se qëndrimet e zotit Xhufi i njoh prej kohësh. Analiza në fjalë nuk ishte një surprizë. Gjatë gjithë kohës së zhvillimeve postkomunizëm, ai ka gjetur mënyra e forma, ka bashkuar disa thënie e kundërthënie, ka cituar madje edhe kundërshtarët e diktatorit shqiptar, është përpjekur të bashkojë gjysmë të vërteta e të pavërteta, me qëllim që t´i sjellë në publikun shqiptar si “argumente” të idesë së tij fikse e të pandryshueshme se “Enver Hoxha ishte nacionalist”. Kjo përpjekje e gërshetuar me formulime të derformuara dhe të dhëna e citime të selektuara ka një qëllim: Marrjen në mbrojtje të diktatorit më të egër në botën lindore komuniste. Ndërkaq, më duhet të them se ligjërisht në vendin tonë ka të drejtë çdokush ta marrë në mbrojtje figurën e Enver Hoxhës. Shqipëria ende nuk ka një ligj, i cili në mos ta realizonte të synonte dekomunistifikimin e shoqërisë sonë, si ka ndodhur në Gjermani denazifikimi i shoqërisë përmes një ligji përkatës, i cili ndalon të merret në mbrojtje figura e diktatorit nazist, Adolf Hitleri.

Unë e kuptoj gjithashtu sentimentin ideologjik që lidh mendimin e zotit Xhufi me figurën e udhëheqësit komunist, Enver Hoxha. Por të qenët i rreshtuar majtas ose djathtas nuk e ndryshon faktin se historianit i duhet para së gjithash të jetë e të mbetet historian. Historianët dhe akademikët tanë do të duhej të kapërcenin kufijtë ideologjikë për t´u ballafaquar me politikat e përbashkëta të të gjithë spektrit politik të shoqërive të lira e demokratike, në themel të të cilave qëndrojnë të drejtat e njeriut dhe ekonomia e tregut. Të qenit i majtë ose i djathtë nuk i jep të drejtën askujt, veçmas shkencëtarëve, të bëjnë avokatin “e djallit”.

Analiza e gjatë në fakt nuk dukej si analizë, aq më pak si një punim shkencor i një studiuesi që e njeh ose duhet ta njohë mjaft mirë metodikën e vlerësimit të figurave dhe ngjarjeve historike, megjithëse thuhet se ajo çfarë është botuar është mbajtur në një aktivitet shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ajo dukej qartë si një avokati me sfond politik, me akuza e sulme kundër të djathtës historike e asaj të së sotmes.

Kjo përshtypje jepet në të gjitha fjalitë dhe paragrafët e punimit të zotit Xhufi në rastin konkret. Për ata që nuk e kanë lexuar më duhet të citoj pjesën politike më të dukshme të tij: “Të gjithë e dinë se çfarë mendon Edi Rama për Enver Hoxhën, ndaj nuk dua të zgjatem as me pasionin e tij antienverist, të sinqertë, të kuptueshëm, por antihistorik, dhe as me antienverizmin e antikomunizmin e z. Berisha, që është i vonuar, i shtirë, antihistorik e gjithashtu amoral”. Java, e shtunë 22 shkurt 2014, faqe 16. Unë nuk besoj se ndonjë prej lexuesve ka nevojë për shtjellime shtesë të këtij pasazhi, sepse në të qëmtohet shumë lehtë politizimi dhe njëanshmëria e punimit të autorit, i cili pretendon të bëjë një analizë historike, por që rrëshqet me lehtësi në analizë politike.

Por le të kthehemi tek thelbi i çështjes. Profesor Xhufi ka përmendur aty një listë qëndrimesh “nacionaliste” të Enver Hoxhës në raportet e tij me Kosovën dhe Jugosllavinë. Në analizën e tij ai ofron disa opsione rreth figurës “nacionaliste” të Enver Hoxhës:

Së pari, e cilëson atë si nacionalist jashtëkrahinor, duke mos vënë re faktin se diktatori shqiptar i shërbeu një ideologjie internacionaliste, e cila më së paku kishte të bënte me nacionalizmin. Vlerësimin e tij zoti Xhufi e shfaq nëpërmjet një përpjekjeje të tij për të krahasuar nacionalizmin tradicional me udhëheqësin ideologjik komunist shqiptar. Dhe në këtë krahasueshmëri të gjithë nacionalistët tradicionalë, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Halil Alia, Selim Kaloshi, Isa Toska, Taf Kaziu, Bektash Cakrani etj., etj., “në rastin më të mirë” do të quheshin “nacionalistë krahinorë”. Sipas Xhufit, “këta trima, ndërsa betoheshin e përbetoheshin për Shqipërinë etnike, e kaluan kufirin e krahinës së tyre vetëm për të vrarë e për të prerë shqiptarë të tjerë, pikërisht ata që luftonin për lirinë e vendit të tyre”. Burimi i cituar më lart. Profesor Xhufi kështu i jep definicionin historisë së kombit tonë të një periudhe të rëndësishme të saj. Ai e mbron hapur veprimtarinë e komunistëve shqiptarë dhe hakmarrjen e tyre kundër forcave nacionaliste. Dhe as përpiqet profesionalisht së paku të ndriçojë të vërtetat e kundërta, të cilat janë bërë të njohura në literaturën e pasviteve 1990.

Është normale që i majti të elaborojë historinë e të majtës, e anasjelltas, një i djathtë të shkruajë pjesën e historisë që lidhet me të djathtën, ashtu siç mund të ndodhë dhe e kundërta e kësaj. E rëndësishme është të respektohen kriteret shkencore metodologjike të të shkruarit të kësaj historie. Metodologjia e trajtimit historik të periudhës së luftës e të pasluftës, të cilën e përdor zoti Xhufi, shfaqet fatkeqësisht e çalë dhe e joshkencore. Kjo për faktin se e gjithë trajtesa mbështetet në disa të dhëna selektive. Kjo periudhë si dhe figurat historike të saj trajtohen në mënyrë të njëanshme dhe me emocione. Ndërkohë që një nga kriteret themelore në punën kërkimore dhe shkencore në lëmin e historisë është të shkruarit e saj ftohtë, pa emocione nacionaliste ose ideologjike, pa ndikimin e simpative apo antipative për palët në konflikt. Rreth kësaj metode janë bërë debate të shumta. Për ta mënjanuar gjykimin dhe analizën e gabuar, disa mendojnë që historia duhet shkruar pasi të ketë kaluar një periudhë e gjatë kohe, disa të tjerë janë të mendimit se historia mund të pasqyrojë më mirë realitetin, nëse shkruhet nga historianët bashkëkohës të ngjarjeve historike që kanë ndodhur. Prof. dr. Holm Sundhaussen beson se për të shkruar historinë do të duhet një gjysmë distance nga koha kur kanë ndodhur ngjarjet. Periudha e komunizmit me kohën e sotme ka krijuar një distancë të caktuar, por a është e mjaftueshme kjo distancë kohore për të rifilluar e rishkruar historinë e kësaj periudhe? Trajtesa e zotit Xhufi na bën me dije se ende nuk është e mjaftueshme. Nëse historinë e së majtës do ta shkruajë një i majtë, madje bashkëkohës i ngjarjeve historike, atëherë ai objektivisht do të keqkuptohet dhe kontestohet. Kontestimi nuk vjen thjesht për shkak të mungesës së distancës kohore, por për shkak të të shkruarit emocionalisht të historisë. Distanca ose ajo që Sundhaussen e konsideron gjysmëdistancë, është e domosdoshme në kuptimin e shkarkimit të emocioneve dhe rikthimit në metodikë të analizës me gjakftohtësi e për rrjedhojë paanësi të të shkruarit të historisë.

Si në çdo fushë tjetër, edhe studimi, ekspertiza dhe të shkruarit e historisë kërkon nga autori i saj besueshmërinë dhe sinqeritetin. Kjo do të thotë që në tekstet dhe ekspertizat historike të mos zërë vend vetëm një pamje, për shembull, entuziazmi, heroikja, që shpeshherë kthehet në mit, por edhe vuajtja, tragjedia, drama. Ballafaqimi i argumentit pro dhe kundër, ballafaqimi i ideve me realitetin e zhvillimeve në shoqëri, ballafaqimi i fjalimeve me programet e zhvillimit si dhe me statistikat e këtij zhvillimi, janë alfa e punës që një historian duhet të bëjë, kur merr përsipër të shkruarit e historisë së një periudhe të caktuar. Në fakt, në trajtesën e zotit Xhufi lexuesit dhe studentët, studiuesit dhe gjithkush tjetër do të gjejë citime të selektuara, ose pjesë nga veprat e diktatorit, me të cilat ai operon për ta shpallur Enver Hoxhën një nacionalist jashtëkrahinor. Asnjë fakt, asnjë shifër, asnjë program, asnjë alternative, asnjë argument, përveçse ndonjë konstatimi gazetaresk marrë nga veprat e diktatorit, nuk gjen në ata punim shkencor të shkruar enkas për një veprimtari akademike e të botuar pastaj në disa organe të shtypit të Tiranës.

Për mendimin tim, trajtimi i figurës dhe veprimtarisë së Enver Hoxhës duhej e duhet parë në tri dimensione: Në dimensionin ligjor-juridik, në dimensionin e respektimit të vlerave të shoqërisë njerëzore dhe në dimensionin ballafaques të produktit të politikës së tij në raport me produktin e vendeve fqinje. Sa i përket anës juridike, me kohë do të duhet që bazuar në fakte e argumente të plota, vendimin ta kishte marrë Parlamenti i Shqipërisë demokratike. Derisa nuk ka ndodhur e nuk ndodh kjo, atëherë askush nuk mund të ndalohet të japë opinionin e tij rreth kësaj figure, të cilën disa historianë shqiptarë e të huaj e konsiderojnë si kontraverse, por që në realitet është shumë e lexueshme dhe e qartë.

Derisa legjislativi shqiptar nuk ka marrë një nismë të tillë ligjore, pavarësisht ndonjë iniciative të dështuar në këtë drejtim, atëherë veprimtaria e diktatorit Hoxha duhet ballafaquar me shoqërinë e vlerave. Pra përcaktuese do të duhet të jetë sistemi i vlerave dhe perceptimi për to që mbart vetë autori i shkrimit të kësaj periudhe historike. Në këtë aspekt, historiani Pëllumb Xhufi kërkon të shmanget nga përgjegjësia e tij si shkencëtar dhe akademik. Ai nuk dëshiron që të ballafaqohet me raportet e Enver Hoxhës me të drejtat e njeriut dhe me konkurrencën në ekonominë e tregut. Madje shohim që ai për këtë fajëson ideologjinë e kohës, pra ideologjinë marksiste-leniniste. Por ai nuk merr mundimin të përdorë metodën krahasuese, me qëllim që të shkojë deri te përfundimet pozitive për diktatorin shqiptar. Në mes rreshtash lë të kuptohet se faji për dështimin e komunizmit në Shqipëri e kishte Jalta dhe harron se Jalta kishte dhënë të njëjtin verdikt si për Shqipërinë dhe për Jugosllavinë, në pikëpamje gjeopolitike e strategjike, ndërkohë që produkti i politikave të zhvillimit ishte krejt i ndryshëm në të dyja vendet.

Sistemi i vlerave dhe raportet me to, për profesor Xhufin, janë të dorës së dytë e të tretë, në rastin e trajtesës së veprimtarisë së Enver Hoxhës. Edhe kur përpiqet të përdorë metodikën krahasuese midis dy kundërshtarëve politikë të kohës, komunistëve dhe nacionalistëve, ai e trajton çështjen në mënyrë krejt të njëanshme. Por ajo që më shqetëson si një studiues i pasionuar i historisë së re të Shqipërisë ka të bëjë me shtrembërimin e fakteve, madje tjetërsimin e tyre. Nëse dikush duhet gjykuar dhe ndëshkuar për konfliktin civil gjatë e në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, këta janë udhëheqësit komunistë të Shqipërisë dhe personalisht diktatori Hoxha. Ata, në zgripin ose pas ikjes së nazistëve, nuk i lëshuan armët, por dolën nga gardhi i Zonës së Parë Operative dhe u sulën në Shqipërinë e Mesme e të Veriut si bisha, duke masakruar me qindra e mijëra patriotë e nacionalistë “krahinorë”, siç i quan ata zoti Xhufi. Le ta pranojmë faktin se në malësi kishte nacionalistë krahinorë. A i jepte të drejtën kjo diktatorit Hoxha të urdhëronte asgjësimin e këtyre elementëve?! Sipas zotit Xhufi, po, sepse në trajtesën e tij të krijohet përshtypja që nacionalistët “krahinorë” ishin shkaku i masakrave dhe dhunës që përdori diktatori kundër popullsisë së pafajshme. Sipas tij udhëheqësi komunist shqiptar, Enver Hoxha, ishte në të drejtën e Zotit të pushtonte me dhunë e terror trevat e malësisë, madje t´i dërgonte divizionet e tij edhe në Kosovë, me qëllim që po me dhunë e terror të impononte “vëllazërim-bashkimin” me serbët e me Serbinë. Por kjo bëmë e diktatorit konsiderohet “nacionalizëm jashtëkrahinor”.

Brigadat partizane imponuan me vrasje e masakra pushtetin komunist në Shqipërinë e Veriut. Ky është fakt i pamohueshëm. Njazi Hoxha, ish-komandant i Brigadës së 24-të, ka dëshmuar konkretisht për këtë histori të trishtueshme në luftën civile të imponuar nga komunistët shqiptarë. Ai ishte ndarë aso kohe nga një politikë e tillë, duke u zënë me pasuesin e tij, Ndreko Rino. Ndaj dhe u burgos dhe u pa gjithë jetën si një person i dyshimtë dhe i rrezikshëm për ideologjinë e Enver Hoxhës. Por shembuj të tillë janë dëshmuar tashmë edhe në rastin e masakrës së Lusnës e të Buzë-Madhes në Kukës kryer prej komandantit të Brigadës V, Shefqet Peçi. Historia jonë ende nuk ka ndriçuar vrasjet në luftimet përballë njëra-tjetrës nga forcat komuniste e ato nacionaliste, luftime, të cilat u imponuan nga forcat e udhëhequra nga komunistët. Dokumentet flasin për bashkëfajësi të shtetit shqiptar me shtetin serbo-jugosllav në Masakrën e Tivarit, ndërkohë që përkrahësit e diktatorit e vlerësojnë faktin që kjo masakër dënohet prej tij pas gati 40 vitesh.

Edhe nëse ne historianët do të donim ta shtrembëronim historinë, janë shumë dëshmitarë, që do të na mallkonin për këtë. Ne mund të përpiqemi t´i mohojmë faktet, por dihet p.sh. se si në Gostil të Kukësit partizanët e komanduar nga Manush Myftiu e thirrën në verën e vitit 1944 në takim Muharrem Bajraktarin dhe në momentin kur ai mbërriti për takimin e kërkuar, e qëlluan për ta vrarë. Prej asaj here Muharrem Bajraktari mori nofkën “Njeriu që nuk e kap plumbi”. Ishte e pabesueshme për këdo, si mundi që ai t´u ikte plumbave të tradhtisë sllavo-komuniste. Përdor cilësimin “tradhtisë”, sepse kjo ndodhi i përkiste madje tradhtive të mesjetës, të cilat i përshkruan me mjeshtri Uilliam Shekspir.

Kjo dëshmon të kundërtën e asaj që pohon zoti Xhufi, i cili i referohet historianit Bernd Fischer. Muharrem Bajraktari nuk kishte dalë në këtë rast nga krahina e tij për të vrarë shqiptarë “që luftonin për lirinë e vendit”, përkundrazi ai po priste në vendlindjen e tij komunistë pa ideale nacionaliste, që kishin dalë nga (Zona e Parë Operative) dhe shkuan në Kukës për ta vrarë atë në pabesi. Ndërkaq Muharrem Bajraktari i shkroi më 10 mars 1947 një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në të cilën shprehej se “komunizmi mund të kualifikohet, në një farë forme, si një lëvizje pansllaviste, sepse ka për qëllim ekspansionin e botës sllave me një dinamizëm të ri. Pas pushtimit italian e gjerman, kjo është fatkeqësia e tretë që shkatërron vendin tim. Shtypja dhe terrori që ekzistojnë në “demokracitë e reja” e kalojnë imagjinatën e perëndimorëve… Populli shqiptar është i lidhur fort me traditat nacionale, jetën familjare dhe konceptet perëndimore. Ai nuk e don komunizmin, sepse ky don ta shkëpusë popullin tim nga civilizimi perëndimor për ta futur me forcë në orbitën sllave. Ai nuk don të preket në traditat e familjes dhe liritë e tij. Për këtë është kundër komunizmit”. Revista |Koha”, nr. 45, 16 nëntor 2000, faqe 19. Unë besoj se kjo deklaratë e Muharrem Bajraktarit aso kohe ishte plotësisht e motivuar, po të kemi parasysh përpjekjet e qeverisë së Hoxhës për të bërë bashkimin politik me Jugosllavinë.

Ndërkaq, për mua mjafton ky perceptim realist i Muharrem Bajraktarit për ta nxjerrë atë nga përkufizimi jo i saktë i zotit Xhufi, si një “nacionalist” krahinor. E dhashë shembullin e Muharrem Bajraktarit në dy kohë, në përballjen me pabesinë e komunistëve dhe në përballjen me alternativën e komunizmit, për të dhënë njëkohësisht një dëshmi në të kundërt të konceptit të njëanshëm të zotit Xhufi. Ky është vetëm një nga shembujt e shumtë të luftës civile, të cilën komunistët shqiptarë të urdhëruar nga Enver Hoxha, e filluan kundër shqiptarëve nacionalistë pas dënimit të Marrëveshjes së Mukjes. Në prishjen e Marrëveshjes së Mukjes dhe te bashkëpunimi i Enver Hoxhës me komunistët jugosllavë duhen kërkuar rrënjët e luftës civile, për të cilën zoti Xhufi akuzon krerët nacionalistë shqiptarë.

Historiani profesionist shtron faktet, të dhënat, i merr ato në lidhje me njëra-tjetrën, i gjykon në rrethanat e caktuara, por kur faktet e të dhënat rezultojnë të përsëriten herë pas here, atëherë ato gjykohen si pjesë e strukturës subjektive, d.m.th. si përgjegjësi personale e një udhëheqësi, në rastin konkret të diktatorit Hoxha, ose të një grupi personash oligarkë, të cilët kanë ushtruar paligjshmërinë përmes dhunës e terrorit mbi popullin e vet. Historia nuk përsëritet asnjëherë në mënyrë identike, ndërkohë që në periudhën e komunizmit në Shqipëri ajo u përsërit ngjashëm, për shkak të dogmës staliniste të diktatorit. Nëse ne historianët e trajtojmë historinë me emocione, si në rastin e zotit Xhufi, atëherë ne do t´i shërbenim rikthimit të miteve dhe simboleve në tekstet e historisë. Por simbolet e mitet janë fakte të një lloji të veçantë, janë artefakte dhe jo fakte reale, shumë herë të dobishme për shoqërinë njerëzore, por jo rrallë të dëmshme për shkak të manipulimit të elitave politike, ideologjike, pse jo edhe intelektuale e fetare.

Ndërkaq, në analizën e profesorit të historisë për figurën e Enver Hoxhës shihet qartë ndikimi emocional nga sjellja teatrale e diktatorit. Po ta gjykojmë diktatorin nga një dokument “patriotik” të lëshuar prej tij një herë në dhjetë vjet si artikuj gazetash ose nga paraqitja e tij në tribunat e 1 Majit, atëherë kjo nuk do të ishte punë e historianëve. Kjo do të ishte punë e letërsisë, psikologjisë dhe shkencave të tjera si psikanaliza. Emocionet nuk mund të jenë objekt i historisë dhe historianëve.

Së dyti: Politikanët gjykohen e vlerësohen nga raportet që ata kanë me qytetarin, me shtetasit që ata qeverisin. Në këtë aspekt diktatura dhe diktatori duhen akuzuar për krime të krahasueshme me krimet e Hitlerit e Stalinit. Në fakt, edhe në veprat e diktatorit gjenden mburrje të pafund për krimet e Stalinit si dhe përbetime për ta vijuar politikën staliniste të terrorit në Shqipëri. Kjo metodë krahasimi do të ishte më profesionalja në gjykimin e historisë.

Ndërkaq, nëse do të donim përsëri të vërtetat për veprimtarinë e Enver Hoxhës, atëherë do të duhej të merrnim si pikë reference edhe ndikimet ideologjike te homologët e tij komunistë, si Josif Broz Tito, Nikita Hrushovi apo Çu En Lai. Dhe nëse do të përdornim metodën krahasuese, atëherë krahasimi do të duhej bërë kundruall vlerave perëndimore në këtë fushë. Pas të gjitha këtyre ballafaqimeve çdo historian objektiv do të arrinte në disa përfundime, nga të cilat veçojmë:

Se terrori komunist në Shqipëri ishte terrorizëm shtetëror.

Se terrorizmi shtetëror në Shqipëri ka kryer së paku aq krime sa Hitleri e Stalini për numrin e banorëve.

Se terrorizmi shtetëror komunist në Shqipëri drejtohej kundër popullit të vet dhe jo kundër popujve të tjerë, si në rastin e Hitlerit, por edhe të Stalinit e të Millosheviçit, të cilët ndoqën politikën e asgjësimit të popujve dhe qytetarëve jorusë e joserbë.

Se terrori komunist në Shqipëri është shumë më i egër sesa dhuna mesjetare në principatat shqiptare, periudhë historike të cilën e lëvroni ju, zoti Xhufi.

Se terrori komunist në Shqipëri nuk u drejtua vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, pra të të ashtuquajturve klasa reaksionare, por edhe kundër vetë komunistëve dhe mijëra njerëzve të pafajshëm, të cilët nuk kishin të bënin asgjë me ato “klasat e përmbysura”, të cilat i urrente diktatori Enver Hoxha dhe me një gjuhë pak më të butë, duket se dhe ju shprehni urrejtje ndaj tyre.

 

Nisur nga këto që thamë më sipër, duket se zoti Xhufi nuk është koherent me “kritikën” që i bën në analizën e tij Enver Hoxhës, sipas të cilit marrëdhëniet negative të Enver Hoxhës me demokracinë e të drejtat e njeriut ose, siç e quan ai “aspekti represiv i shtetit dhe i vetë personalitetit të Hoxhës” nuk përfaqëson të gjithë qenien e tij si politikan e burrë shteti… Dhe vazhdon: “Pak ose aspak është shkruar lidhur me raportet e tij me pavarësinë e sovranitetin, me mbrojtjen e sigurinë, me industrinë, bujqësinë, energjinë, arsimin, shëndetësinë, politikën e jashtme, kulturën, shkencën, sportet…” “Java”, e shtunë 22 shkurt 2014, faqe 16.

Nëse dikush në Gjermani do të shkruante kësisoj për figurën e Hitlerit, nëse ky dikushi do ta quante Hitlerin “burrë shteti”, do të kishte përfunduar për disa sekonda prapa hekurave. Ky është verdikti i demokracisë gjermane për këdo që merr në mbrojtje publike Hitlerin dhe politikën e tij. Ndërsa në Shqipëri askush nuk i trembet kësaj pasoje, as kur janë në pushtet të djathtët, as kur janë të majtët, sepse tek ne nuk ka një ligj, i cili të ndalojë kategorikisht dikë për të ringritur figurën e diktatorit shqiptar. Edhe Hitleri mund të ketë disa “merita”. P.sh. nën zë gjermanët thonë se arteriet e autostradave të sotme qenë produkt i mendjes dhe punës së Hitlerit. Ose po jap një fakt tjetër. Edhe në kohën e Hitlerit në Gjermani janë hapur shkolla, ka pasur shëndetësi të zhvilluar e solide krahasuar me vendet e tjera, është bërë politikë e jashtme dhe e brendshme. Pse atëherë është e ndaluar në Gjermani të flitet për këto? Sepse dhuna e terrori nazist i tejkalon të gjitha anët “pozitive” të tij. Sepse Hitleri është gjykuar në raport me të drejtat e njeriut e në raportet e tij me qytetarët.

Edhe diktatori shqiptar ka kryer gjithashtu krime makabre kundër popullit të tij. Ai ndaloi besimin fetar dhe me dhunë prishi të gjitha objektet e kultit në Shqipëri. Hitleri së paku nuk shkoi deri këtu. Diktatori shqiptar ndërtoi një përndjekje të tillë, të cilën Hitleri do t´ia kishte zili e njëkohësisht i shtetëzoi pronat e tokat në atë masë e në atë mënyrë sa ende sot pas dy dekadave e gjysmë shqiptarët vriten për shkak të ngatërresës së tij. Zoti Xhufi përsëri për këtë do të fajësojë demokracinë, e cila ka pjesën e saj të paaftësisë, por ai nuk dëshiron t´i shohë rrënjët e së keqes te ideologjia e përçarjes së sistemit totalitar e diktatorial që ndërtoi Enver Hoxha.

Është bërë zakon që në retorikën e në përpjekjet për glorifikimin e figurës së diktatorit Hoxha të përmendet shpesh fakti se “Shqipëria i takoi hemisferës së Lindjes në ndarjen e zonave të influencës” e për pasojë rënia nën komunizëm ishte një fatkeqësi. Dhe është lehtë me formulime të tilla të kënaqësh nostalgjikët e diktaturës, por është e pamundur të bindësh njerëzit normalë, sepse komunizmi nuk ishte atribut vetëm i Shqipërisë. Nën komunizëm jetuan e vepruan edhe popuj të tjerë të Evropës Lindore e të rajonit. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ndoqi politikën e diktatorit shqiptar. Do të citoj një pjesë nga teksti i Historisë së Evropës Juglindore, botuar në Gjermani më 2011-ën. “Në botën e jashtme Shqipëria u perceptua para së gjithash si një vend me thyerje të mëdha në marrëdhëniet me jashtë. Në vitin 1948 ky vend u shkëput nga Jugosllavia, duke mbështetur në Komunform pozicionin sovjetik… Në vitin 1961 udhëheqja shqiptare u shkëput nga blloku i Lindjes, duke refuzuar politikën “revizioniste” të Hrushovit. Në fillim të viteve 1970 marrëdhëniet shqiptaro-kineze rrëshqitën në një krizë të thellë për shkak të vizitës së Niksonit në Kinë… Ulf Brunnbauer: Politische Entwicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/1991. In Geschichte Südosteuropas Vom frühen Mittelalter bis zur Gegenwart, Verlag Fridrich Pustet, Regensburg, 2011, S. 628

“Edhe në regjimin e brendshëm Enver Hoxha ishte i pakompromis. Policia sekrete Sigurimi ishte rigoroz në eliminimin e kundërshtarëve të regjimit. Përmes rrjetit të fuqishëm të vëzhgimit, gjithnjë e më shumë u bënë viktimë e regjimit udhëheqës të partisë e të shtetit shqiptar. Në vitin 1974 u akuzua dhe u pushkatua ministri i Mbrojtjes si dhe disa oficerë të lartë të ushtrisë, për siç thuhej, kundërshtim të kontrollit të partisë në ushtri. Me kushtetutën e vitit 1976 rruga për kontrollin e partisë në ushtri u pastrua, shefi i partisë ishte njëkohësisht shefi i ushtrisë. Më 1981 Hoxha dënoi dorën e djathtë të tij, Mehmet Shehun, duke e vrarë atë ose shtyrë në vetëvrasje për gjoja aktivitet spiunazhi për llogari të CIA-s KGB-së dhe UDB-së. Po ashtu njerëzit normalë do të duhet të duronin masat e dhunshme e shtypëse… Revolucioni kulturor i Kinës dhe Koresë inspiroi Hoxhën që të nivelonte ndryshimet sociale në shoqëri dhe vendosi kufizime në lëvizjen e popullsisë… Në vitin 1967 Hoxha e shpalli Shqipërinë të parin shtet ateist në botë… Ky hap u justifikua ^me logjikën e nacionalizmit shqiptar, besimi i të cilit, sipas Pashko Vasës, duhej të ishte shqiptarizmi, fjali të cilën Hoxha e përsëriste shpesh e me dëshirë dhe kjo çoi jo rastësisht në unifikimin e gjuhës shqipe mbi bazën e dialektit toskë… Propaganda nacionaliste e regjimit shqiptar si dhe revolucioni kulturor në prapaskenë kishin strukturuar një politikë të brendshme represive dhe një politikë të jashtme izolimi”. Ulf Brunnbauer: Politische Entwicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/1991. In Geschichte Südosteuropas Vom frühen Mittelalter bis zur Gegenwart, Verlag Fridrich Pustet, Regensburg, 2011, S. 629 . Ndërkaq, kur flitet për Jugosllavinë, në këtë tekst bëhen vlerësime pozitive, deri në superlativa, për shkak të zhvillimit ekonomik e të politikave të saj.

Meqenëse zoti Xhufi në analizën e tij citonte historianin Bernd Fischer, më duhej të citoja një libër me shumë autorë, të shkruar në formë teksti për t´u studiuar si pjesë e një të vërtete, të cilën e pohojnë personalitetet e shkencës historike evropiane. Nuk dua ta paragjykoj historianin Bernd Fischer, i cili në trajtesat e periudhës historike të Luftës së Dytë Botërore është i saktë, por mund të pohoj me kompetencë profesionale se libri, të cilin citova më lart, niset nga kritere të rrepta shkencore në vlerësimin e të gjitha ngjarjeve historike që kanë ndodhur nga mesjeta e hershme e deri në fillimin e shekullit XXI në Evropën Juglindore. Autorët e atij teksti i kishin të gjitha mundësitë t´i referoheshin veprave teorike të Enver Hoxhës, pasi këto vepra gjenden në bibliotekën e Institutit të Studimeve të Evropës Lindore e Juglindore, në Regensburg të Gjermanisë, bibliotekë, të cilën e kam vizituar disa herë. Dhe është ky institut që ka hartuar këtë tekst historie (Geschichte Südosteuropas – Vom frühen Mittelalter bis zur gegenwart).

Në ndryshim nga zoti Xhufi, autorët e këtij teksti nuk e bëjnë historinë me të thënat e diktatorëve, historia e vërtetë përmban në vetvete zhvillimin e ngjarjeve dhe veprimtarinë konkrete të udhëheqësve. Madje, më së shumti produktin e punës së tyre. Dhe nëse nisemi nga produkti i politikës së Enver Hoxhës, atëherë duhet t´u referohemi anijeve me refugjatë në det të hapur, nga ku shqiptarët me rënien e komunizmit u turrën prej varfërisë e skamjes drejt Perëndimit të ëndërruar. Duhet t´i referohemi dhunës së diktatorit kundër popullit të tij. Duhet t´i referohemi nivelit të mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik e social, për fat të keq të mjerueshëm të shqiptarëve. Vendi ynë ishte në konkurrencë me vendin e fundit më të varfër të botës.

Dhe nëse i rikthehemi metodës së krahasimit, atëherë në rezultatet e një politike të caktuar ka gjithashtu matës të tjerë krahasues. Historiani realist e modern, i pandikuar nga ideologjitë e politikat e ditës nuk bën krahasime të llojit çfarë i bënte diktatori, bie fjala me regjimin e Ahmet Zogut, por bën krahasime me fqinjët, me vendet e rajonit, me të cilat je në bashkëjetesë e në konkurrencë. Në histori e në praktikë konkurrenca nuk bëhet me atë që ka shkuar, me ata që nuk jetojnë më, por me bashkëkohësit. Dhe nëse vijmë te ky lloj kriteri, pra, krahasimi me vendet e tjera përreth nesh, atëherë, historianët duhet të përdorin si shembull produktin e politikës në Jugosllavi e në Greqi, me qëllim që këto dy produkte të ballafaqohen e të krahasohen me atë të politikës së diktatorit Hoxha në Shqipëri. Në fund të fundit, të dhënat flasin se të tri këto vende më 1944 u nisën thuajse nga i njëjti start. Atëherë, pse Shqipëria u vetizolua, dhe ndëshkoi vetveten, duke ruajtur vendin e parafundit në botë, për nga shkalla e varfërisë, ndërkohë që në Sarajevë bota organizoi Lojërat Olimpike të vitit 1984, shenjë kjo respekti për zhvillimet pozitive të një vendi?!

(vijon nesër)

*Doktor i Shkencave Historike

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency