Paria e Tiranës/ Sa florinj iu grabitën?!

0
319

Cilat ishin familjet më të kamura të Tiranës para regjimit të Enver Hoxhës; Grabitja historike e 112.469.828 franga ari, placckitja, vrasjet përndjekjet deri në zhdukje të tregtarëve që promovonin ekonominë shqiptare

 

Alba Kepi

 

tirana_ne_vitin_1937_20121002_1216324585Qyteti është shumë më tepër sesa një bashkësi njerëzish, ndërtesash, rrugësh, është akoma më shumë sesa një sistem shërbimesh sociale, institucione administrative, qyteti është një gjendje shpirtërore, është një fill i pazgjidhshëm kostumesh, ritesh, ndjenjash e sjelljesh. Në këtë përvjetor të 400 të formimit të Tiranës si një njësi administrative nuk ke si të mos kujtosh ata që kontribuan në zhvillimin e saj, banorët e hershëm të Tiranës. Ashtu siç impononin hallet shekullore të Shqipërisë thirrjen e kuvendeve me burra të urtë e atdhetarë, dhe Tirana dikur kish në krye të saj një kuvend burrash të qutë, të fortë e patriotë, që bashkoheshin nga ky fill i pazgjidhshëm shpirtëror, me imponim e një detyrim të fortë moral ndaj qytetit të tyre. Dokumente historike, korrespondenca diplomatike, trashëgimi ngjarjesh, amanete familjesh të përcjella deri më sot si një testament biologjik tregojnë e dëshmojnë rolin e këtij kuvendi burrash, sidomos gjatë dy shekujve të fundit për qytetin e tyre.

Shpesh i kanë quajtur aristokracia e hershme o borgjezia e parë, por banorët autoktonë i njohin veç si paria e respektume e Tironës. Qenë pjesëtarë të familjeve të kamura të Tiranës, me një pozicion të fortë ekonomik, e pa dyshim me fuqinë e tyre sociale, nën sensin e lartë të përgjegjësisë e të dashurisë për qytetin. Paria mblidhej sa herë që Tirana kish nevojë për ta, herë për të ndërtuar një rrugë o për të ngrejtë një urë, për të ndihmuar një lagje e një fis, o për të zhvilluar një “nahi” të Tiranës, vepra bamirësie të kryera me përulje e respekt për çdo bashkëqytetarë. Ata që njohin mirë historinë e këtij qyteti e dinë se kudo që të ecësh, gjen ende gjurmë të dukshme o të padukshme të zanatçinjve, artizanëve, tregtarëve e familjeve “me tabon”, me një efekt të fortë ekonomik e jo më pak politik të kohës kur janë krijuar.

Të tillë ishin tregtarët e Tiranës, të organizuar në sipërmarrje të suksesshme të kohës dhe me Odën e tyre të Tregtisë, aktive prej vitesh. Formimi i kësaj dhome lidhet me dekretin Gjylhanes shpallur në Stamboll më 3 Nëntorit 1839, i njohur si Dekreti i Tanzimatit. Rezultat qenë një varg reformash institucionale, administrative që sollën krijimin e gjykatave tregtare, dhomave të tregtisë e industrisë. Një dokument i viti 1897 zyrtarizon ekzistencën e dhomës së tregtisë së Tiranës, një salname turke e vitit 1313 (1897) e vilajetit të Shkodrës, pasi përmend kryetarin e Bashkisë së Tiranës Mehmet Ali Beu, shkruan dhe “Kryetari i dhomës së tregtisë së Tiranës Fuat be Toptani”.

Pjesë e parisë së respektume të Tironës qenë artizanët, mjeshtra me emër në zanatin e tyre, të organizuar mirë qysh hershëm në 17 esnafi. Esnafët ishin bashkuar në zeje të ngjashme apo qoftë një e vetme, ku përgatisnin zejtarë të rinj, kontrollonin konkurrencën e keqe mes zejesh dhe fshatrash, përcaktonin çmime duke u qëndruar pranë problemeve e halleve të zanatçinjve. Paria e Tiranës iu përgjigj kërkesave ekonomike të qytetit e kontribuoi ne mbajtjen e plot 7 kongreseve tregtare: më 1922, 1924-25, 1928, 1930, 1932, 1934 dhe 1939, ku Kongresi i parë i vitit 1922 pati rëndësi sepse doli me vendimin për “krijimin kudo në Shqipëri të Odave të Tregtisë”.

Pleqtë e urtë tironas “pjesatonin” me banorët dhe hallet e një atdheu “që po hiqte shumë” e më qershor të 1878 i përcollën gojë më gojë “kallaballikut” se biri i këtij qyteti, Mehmet Sermedin Seti Toptani qe një nga firmëtarët e dokumentit historik kundër copëtimit të Shqipërisë e vendimeve të Kongresit të Berlinit. Këmbëkryq në Sheshin e Namazgjasë vendosën bashkërisht që gjuha shqipe të shkruhej në alfabetin kombëtar e të quanin shqiptarë plot 150 trimave autoktonë, në një kohë kur qeveria turke shpallte të pafe e tradhtar çdokënd që e pranonte këtë fjalë për vete.

Paria e Tironës u mblodh e i qau hallin pesë bijve të tyre Jusuf Elezi, Mahmud Fortuzi, Hafiz Ibrahim Dalliu, Beqir Luga e Mustafa Mara, kur u dënuan me 10 vjet burgim për nacionalizmën, shprehur në mendimin e lirë për të njohur gjuhën shqipe, stemën shqipe, Skënderbeun dhe Shqipërinë të ndarë nga osmanlinjtë.

Burrat e qutë të popullsisë tironase nuk kishin nevojë për kolltuqe e ofiqe, roli tyre kish kaq jehonë në jetën sociale të qytetit sa qe harmonia e respekti reciprok mes banorëve. Shprehje e tillë qe mbështetja që i dhanë shqiptarëve tironas Nikollë Nishku, Sheh Ahmet Pazari, Xhelal Toptani e Fuad Toptani, kur përballë komandantit serb thanë: “Shqipëria është një vend neutral e Tirona ka me shpallë vetqeverimin”.

Më 26 nëntor 1912, me zërin e Refik Toptanit në sheshin e nënprefekturës, Paria e Tironës shpalli pavarësinë kombëtare, dy ditë para pjesës tjetër të vendit e tha: “Dhantë Zoti e u puqshim kështu si sot, gojë ndër gojë, që ashtu të mundemi me e ruejtë atdheun tonë nga të shkelunit e armikut. Rroftë Shqipnia në vete, rroftë vllaznimi, rroftë flamuri ynë kombëtar!”

Fuqia e kësaj force sociale të Tiranës u shpreh qartë dhe atëherë kur qeveria e Kongresit të Lushnjës me një këshill të ngritur enkas për të ta e të përbërë nga Imzot Bumçi, Aqif Pashë Elbasani, dr. Mihallaq Turtulli dhe Abdi Toptani, kërkoi që Tirana të bëhej kryeqytet i Shqipërisë. “Qyteti ynë është shumë mirë kështu, edhe pa qenë kryeqytet i Shqipërisë”, qe vendimi i parisë së Tironës, pasi kish dëgjuar fillimisht zërin e bashkëqytetarëve të tyre. Përpara një situate të tillë katër anëtarët e Këshillit të Lartë, i kanë çuar fjalë qeverisë, që po bëhej gati të hynte në Tiranë. Me urgjencë pranë tyre ka mbërritur Ahmet Zogu ministër i Brendshëm, i cili bashkë me Abdi Toptanin në shoqëri të Shefik Kondit, Mytesin Këlliçit, Osman Myderizit etj., duke përfituar nga njohjet e ngushta që kishte me shumicën e familjeve të kamura tiranase, derë më derë gjatë gjithë natës i ka vizituar të gjitha fiset autoktonë në zë: Toptani, Petrela, Qorralliu, Karrapici, Alimehmeti, Kaceli, Hobdari, Kora, Mara, Nishku, Tafaj, Lasku, Dema etj., u ka qartësuar të gjithëve situatën e vështirë politike në të cilën gjendej Shqipëria, e cila rrezikonte të copëzohej sërish nga fqinjët nëse qeveria e saj nuk do të vendosej atë ditë në Tiranë. Ahmet Zogu pasi u ka marrë fjalën parisë tiranase i premtoi transformimet me prioritet imazhin e një qyteti evropian. Madje, nuk duhet të harrojmë se shumë nga ato parime-premtime Ahmet Zogu i zbatoi sapo u bë kryetar i shtetit shqiptar.

Pjesë e parisë së Tiranës është dhe lista e sipërmarrësve autoktonë përfshirë në një dokument të 1929 shpërndarë nga Ministria e jashtme e qeverisë së Ahmet Zogu me qëllim promovimin e shërbimeve dhe produkteve “Made in Albania” me anë të rrjetit të konsullatave shqiptare anekënd botës.

Tregtarët tironas në manifakturë 1929

Reshat Petrela

Nipat Gjinali

Mehmet Begeja

Mahmut Begeja

Reshit e Hysen Alimehmeti

Hysen Bërxholi

Haxhi Alla

Shaban Alla

Perikli Jorgoni

Haxhi Islamtugu

Abdullah Haxhi Mehmeti

Mersin Koci

Ismail Hima

Asim Dibra

Sipërmarrës në fushën e tregtisë 1929

Xhemal Tafaj

Ismail Dibra

Prela Luka

Agjencia Stamles

Agjencia Sita

Zejtaria e Bakallit përfaqësohej nga:

Muharrem bej Erebara

Hasan Rradheshi

Gafur Dibra

Muharrem Kruja

Ali Bej Mëniku

Qamil Bej Dibra

Ramazan Koçi

Abdyl Shijaku

Mahmut Këllezi

Sadik Toska

Ramazan Daliu

Selam Petrela

Shaqir Petrela

Islam Daliu

Dalip Topi

Ali Sul Seferi

Islam Fagu

Shaban Fagu

Rexhep Pazari

Mahmut Shijaku

Aq e fuqishme qe influenca e Parisë tironase tek jeta e këtij qyteti sa trembi dhe një bishë të tillë siç qe komunizmi, që sapo mundi me hy në Tiranë urdhëroi persekutimin e familjeve të tyre, arrestoi, vrau, burgosi patriotë, nacionalistë, tregtarë e zanatçinj. Rrugët e Tiranës u përgjakën por komunistët nuk u mjaftuan me kaq e nisën plaçkitjen. Njihnin mirë fuqinë ekonomike të kësaj Parie dhe kontributin social-politik që do të vazhdonin të luanin tek populli i tyre me gjithë vrasjet e burgosjet e kryera. Pinjollët tironas iu mohua të trashëgonin shtëpinë e tyre, dyqane, tokat, çifligjet, pasuri të tundshme e të patundshme iu vodhën rroba e trupit, kujtimet e orendi antike. Komisionet tatimore partizane ishin të pangopur e më 1945 hartuan listën e grabitjes së florinjve të tyre. Gazeta “Bashkimi” e datës 22 mars 1945 do ta publikonte atë:

 

Vllazën Kazazi 16.430.000 franga ari

Vllazën Çoka 14.990.000 franga ari

Murat Begeja dhe vëllezërit 5.774.000 franga ari

Hysen e Reshit Alimehmeti 3.902.000 franga ari

Osman Vaqarri 1.440.000 franga ari

Besnik Tugu 614.000 franga ari

Ramazan Konçi 1.946.268 franga ari

Ymer e Sali Beqiri 614.000 franga ari

Sadik Kazazi 398.000 franga ari

Abdulla Turkeshi 2.433.200 franga ari

Ismail Fortuzi 224.000 franga ari

Qamil Dibra 1.870.290 franga ari

Bijtë e Gaqi Oparit 371.000 franga ari

Manol Kume 6.832.400 franga ari

Vllazën Tase 3.830.000 franga ari

Vllaznia Mehmeti 126.000 franga ari

Ramazan Zdrava 130.850 franga ari

Halit Mani 143.00 0 franga ari

Vath Baroni 130.850 franga ari

Abdulla Alliu dhe nipat 126.800 franga ari

Qamil Hoti 264.500 franga ari

Hysen Drishti 143.000 franga ari

Filip Korra 2.259.000 franga ari

Fetah Kasmi 126.800 franga ari

Mustafa Kasmi 224.250 franga ari

Vllazën Loxha 749.000 franga ari

Ramazan Berberolli 622.100 franga ari

Mersin Konçi 668.000 franga ari

Sefedin Zhubi 159.200 franga ari

Qamil Zhubi 203.750 franga ari

A.Qoshja dhe I. Deliu 1.566.000 franga ari

Mehmet Kasmi dhe vëllezërit 830.000 franga ari

Vëllezërit Dushi 1.606.320 franga ari

Gjon Laca 884.000 franga ari

Vllazën Spahija 325.250 franga ari

Kasmi e Ferra 252.250 franga ari

Iliaz Dajçi 126. 800 franga ari

Xhevat Gabeci 830.000 franga ari

Xhundi Sheko e bijtë 27.950.000 franga ari

Pashuk Bib Mirakaj 1.755.000 franga ari

Xhemal Begeja 143.000 franga ari

Ibrahim Begeja 1.440.000 franga ari

Qamil Shtiza 126.000 franga ari

 

Shuma totale 112.469.828 franga ari

Paria tironase u plaçkit, u dogj, u vra nga komunistët, por historinë dhe dinjitetin tek banorët e tyre nuk ia dolën me e zhduk.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency