Institucionet e sigurisë/ Rexhep Meidani: Ndryshim Kushtetutës, si zgjidhet përplasja e kompetencave Rama-Nishani

0
183

Gëzim Saliu

 

Propozimi i ish-Presidentit: Kreu i shtetit të emërojë komandantin e Gardës dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Ky ndryshim u jep karakter neutral institucioneve

 

 

mejdaniIsh-presidenti i vendit, Rexhep Meidani, propozon ndryshime në Kushtetutën e vendit lidhur me çështjet që prekin kompetencat e Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit për institucionet e sigurisë. Duke folur dje në tryezën për rolin e Parlamentit në sistemin vendimmarrës të sigurisë kombëtare, ai theksoi se është e domosdoshme ndërhyrja në ligjin themeltar të vendit për të rregulluar, sipas tij, dualizimin që vihet re ndërmjet Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që drejtohet nga kreu i shtetit dhe Komitetit të Politikës së Sigurisë Kombëtare, që drejtohet nga Kryeministri. Sipas Meidanit, duhet gjetur një praktikë që mirëpërcakton detyrat e palëve, duke shmangur njëkohësisht përplasjet institucionale. “Në kushtet e një Republike Parlamentare, në gjykimin tim në tre variantet, ai i paketës, ai konceptimit si vendimmarrës në drejtimin e Kryeministrit, duke lënë mënjanë Presidentin e Republikës dhe duke kaluar tek varianti i tretë që është ai i ruajtjes pranë Presidentit, por me një staf më të fuqishëm pranë këtij institucioni, por pa efekte vendimmarrëse, ku sidoqoftë edhe kjo mund t’i shërbejë përmirësimit të detyrave të institucionit të Presidentit në fushën e sigurisë”, – deklaroi ish-kreu i shtetit.

 

Propozimet

Në tryezën e diskutimit për institucionet e sigurisë kombëtare, ish-presidenti Meidani propozoi që të jetë kreu i shtetit ai që të luajë rol kryesor jo vetëm në emërimin e komandantit të Gardës së Republikës, por edhe të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Sipas tij, në këtë formë do të bëhej e mundur që institucione të tilla si Garda apo Policia e Shtetit të jenë sa më neutrale dhe jo të varura. “Në fushën e sigurisë duhet të rritet edhe roli i Presidenti jo vetëm për komandantin e Gardës, por ndoshta edhe për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për t’i dhënë një karakter më neutral këtij institucioni”, – theksoi Meidani. Në të njëjtën linjë me ish-kreun e shtetit, ishte edhe kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, i cili theksoi nevojën e ndryshimeve ligjore për të ndarë kompetencat e Presidentit nga ato të ekzekutivit. Nga ana tjetër, në diskutimin e tij në tryezën e djeshme, ai pohoi se ka mungesë të ndjeshme të kontrollit parlamentar mbi institucionet e sigurisë në vend. “Ka munguar analiza parlamentare për të vlerësuar institucionet përgjegjëse nëse i përmbushin detyrimet që burojnë nga politikat e miratuara të sigurisë, nga Kushtetuta, nga ligjet, të cilat kanë qenë kostot e politikave të ndërmarra”, – deklaroi Braho. Vetëm pak kohë më parë, Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit, Meta, si dy krerët kryesore të mazhorancës qeverisëse, pohuan në konferencën e 15-vjetorit të themelimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë se ekzistojnë mundësitë e ndërhyrjes në ligjin themeltar të vendit. Sipas tyre, nevoja për ndryshime, motivohet me mospërputhjen e një sërë standardesh me ato që imponojnë kushtet e të qenit në proces integrimi. Rama dhe Meta bën të ditur se ndryshimet e mundshme do të vijnë vetëm përmes përfshirjes së të gjithë aktorëve dhe faktorëve shoqëror, duke nisur nga komuniteti i konstitucionalistëve. Ndërkohë, LSI vazhdimisht ka kritikuar ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2008, duke theksuar mundësinë e ndërhyrjes për korrigjimin sipas saj të cenimit të raporteve mes pushteteve.

 

 

Reforma territoriale

Harito: E domosdoshme për vendin, do ta çojmë deri në fund

Qeveria duket se nuk ka ndërmend të pranojë kërkesat e opozitës për një konsensus deri në fund të procesit për reformën territoriale, duke theksuar se do ta çojë deri në fund atë edhe pa praninë e të djathtëve. “Në të gjitha vendet e Evropës që e kanë parë të nevojshme të bëjnë një reformë territoriale, ka qenë e vështirë. Tek ne është veçanërisht e domosdoshme dhe ajo që është shumë e rëndësishme, është fakti se edhe nga opozita ka konsensus për rëndësinë e reformës territoriale për vendin tonë, për faktin se investimet nuk arrihet të realizohen nga njësi kaq të vogla sa këto që kemi sot”, – tha ministrja nga Shkodra, e cila pyetjes se si do të ecet përpara për këtë çështje kur opozita nuk është pjesë e Komisionit Parlamentar, Harito iu përgjigj duke pohuar se qeveria është e vendosur ta çojë deri në fund reformën. Nga ana e saj, opozita, përmes kreut të saj Lulzim Basha ka bërë të ditur kërkesat e saj për reformën administrative, duke theksuar se pa u siguruar konsensusi deri në fund të procesit dhe pa u rikthyer ligjshmëria në disa nga vendimet e marra nga mazhoranca, nuk do të mund të bëhet pjesë e Komisionit. Sipas opozitës, mazhoranca qeverisëse, përmes reformës territoriale, po kërkon të përfitojë politikisht për interesa të ngushta elektorale. “Reforma është e lidhur ngushtë dhe me procesin e decentralizimit dhe procesin zgjedhor për definicion duhet të bëhet vetëm përmes instrumentit të konsensusit, ky është kusht i panegociueshëm”, – ka pohuar Basha.

 

 

Vendimi

Kushtetuesja rrëzon ankesën kundër grupit të punës për Xhukën: Jo kompetencë jona

 Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për pezullimin e aktivitetit të grupit të punës së Kuvendit për verifikimin e veprimtarisë në ushtrimin e funksionit të ish-kreut të ILDKP-së, Zana Xhukës. Gjykata ka vlerësuar se nuk është kompetencë e saj të marrë në shqyrtim një çështje të tillë dhe se është një marrëdhënie që duhet rregulluar brenda Kuvendit. Demokratët, me një grup prej 30 deputetësh, i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të shpallte antikushtetues vendimin e Komisionit të Ligjeve për ngritjen e një grupi pune për verifikimin e veprimtarisë së Zana Xhukës, ish-kryetare e ILDKP-së, pas një kërkese të bërë nga punonjës të këtij institucioni. Pas shkarkimit të Zana Xhukës dhe zëvendësimit të saj me Shkëlqim Ganajn, deputetët e opozitës kërkonin “deklarimin si të papërputhshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 1, datë 11.11.2013, të Komisionit për Çështje Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si shkak për lindjen e mosmarrëveshjes së kompetencës dhe pezullimin e procesit”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency