INSTAT: Rritet 4 për qind deficiti tregtar i vendit në janar

0
134

Ervin Kaduku

 

 

Sektori i vetëm me ecuri pozitive ishte ai i tekstileve e këpucëve, duke kaluar sërish në grup-mallin më të madh të eksportuar

 

eksportet_19Në janar 2014 eksporti i mallrave arriti vlerën 18 mld lekë, duke u ulur me 1,5% në krahasim me janarin e vitit 2013 dhe njëkohësisht në ulje më të ndjeshme, me 16,6% në krahasim me dhjetorin 2013. Ulje më të madhe vjetore ka pasur në eksportet e grupeve “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 19,8%, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 17,8% dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 11,5%. Rritje vjetore pati eksporti i grupeve: “Prodhime druri dhe letre” me 48,4% dhe “Ushqime, pije, duhan” me 22,2%.

Ndërkohë që është ulur eksporti, shenja tjetër negative e trendit të ekonomisë shqiptare vjen nga importet. Në janar 2014 importi i mallrave arriti vlerën 34 mld lekë, duke u rritur me 0,9% në krahasim me janarin 2013. Rritje më të madhe vjetore ka pasur në importet e grupeve: “Prodhime druri dhe letre” me 32,8%, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 26,8% dhe “Tekstile dhe këpucë” me 20,4%. Ulje vjetore pati importi i grupeve: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 8,9% dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 4,6%.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 17 mld lekë, duke shënuar një rritje me 3,6% krahasuar me Janarin 2013. Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 67,3% të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (42,2%), Greqia (6,5%), Kina (5,6%) dhe Turqia (4,9%).

Sektori i vetëm me ecuri pozitive ishte ai i tekstileve e këpucëve, duke kaluar sërish në grup-mallin më të madh të eksportuar.

Eksportet e tekstile e këpucëve në janar 2014 arritën në 6.4 miliardë lekë, duke u rritur me 18% me bazë vjetore, duke vijuar tendencën pozitive që ka nisur që në gjatë vitit të kaluar, kur ky grup u zgjerua me rreth 12%, si rrjedhojë e rikthimit të interesit të partnerëve të huaj, që po braktisin Kinën dhe Lindjen e mesme dhe po rrisin porositë për kompanitë shqiptare. Tekstilet dhe këpucët kaluar në janar në grup-mallin e parë më të madh të eksportuar, duke e rifituar këtë pozicion, pas disa vjetësh kur atë e morën “Lëndët djegëse, mineralet dhe energjia”.

Grup-malli i tretë më i rëndësishëm, si i “materialeve të ndërtimit e metaleve” arriti në janar 2014 në 2.3 miliardë lekë, duke u tkurrur me 11.5%, e njëjta tendencë që u konstatua dhe gjatë vitit të kaluar, sidomos në pjesën e dytë të tij, ku ky grup e mbylli vitin me një reduktim prej 10%. Tkurrjen më të madhe e shënuan shitjet e “Hekurit dhe çelikut”, që u tkurrën me 23% në janar, sipas të dhënave të detajuara nga doganat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency