Protesta/ Shoferët, sot para Kryeministrisë: Qeveria të na lërë të punojmë

0
114

Të mbështetur nga sindikatat, me mijëra shoferë pritet t’i drejtohen zyrës së Kryeministrit me thirrjet “Na lini të punojmë”

 

protesta_e_furgoneveShoferët e furgonëve nga e gjithë Shqipëria do të protestojnë ditën e sotme para Kryeministrisë. Të mbështetur nga sindikatat, me mijëra shoferë pritet t’i drejtohen zyrës së Kryeministrit me thirrjet “Na lini të punojmë”. Prej 15 ditësh kanë qenë të shumtë shoferët të cilët kanë protestuar në qytetet e tyre, por në mungesë të një përgjigjeje nga qeveria ata do të mblidhen ditën e sotme në kryeqytet. Protesta e shoferëve të furgonëve do të nisë para Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Brendshme dhe më pas do t’i drejtohet Kryeministrisë. Shoferët kërkojnë që të lejohen të qarkullojnë dhe të kthehen me pasagjerë nga destinacionet që shkojnë. Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, u shpreh dje se qeveria duhet të ulet për të dialoguar dhe të nënshkruajë një pakt social me këta shoferë, ndërsa u bëri thirrje të gjithë të diskriminuarve dhe të larguarve nga puna si dhe deputetëve të marrin pjesë në protestë. “Është marrë vendimi për të protestuar në Tiranë. Protesta do zhvillohet në 12:00, duke u nisur nga sheshi “Nënë Tereza” në drejtim të Kryeministrisë. Qeveria, Ministria e Transporteve të ulet me përfaqësuesit e veturave 8+1 dhe të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes në të cilin të deklarohet tërheqja e urdhrit të dhënë. Që nga viti 1998 ky ligj i dalë nuk është zbatuar nga ana e tyre për vetë kushtet aktuale që ka Shqipëria”, – deklaroi kreu i Bashkimit të Sindikatave, Gëzim Kalaja.

 

Shoferët

Ditët e fundit kanë qenë të shumtë shoferët të cilët kanë kërkuar gjetjen e një dialogu me qeverinë në të kundërt do të shkojnë drejt masave drastike. Pas protestës së sotme shoferët do të nisin bllokimin e akseve kryesore në vend, duke mos lejuar kalimin e asnjë makine. Në rast se edhe në këtë rast nuk do të dëgjohet zëri i tyre shoferët do ti drejtohen masave drastike. Në bashkëpunim me sindikatat drejtuesit e furgonëve do të nisin një grevë urie para ndërtesës së Kryeministrisë. “Sigurisht që do të kalojmë në një grevë totale, do bllokojmë të gjitha pikat nevralgjike të infrastrukturës rrugore të Shqipërisë, në mënyrë që të mos qarkullojë një automjet”, – deklaroi Kalaja. Protesta e sotme pritet të zgjasë rreth 60 minuta dhe shoferët do të marrin me vete në shesh edhe furgonët e tyre.

 

Protestat

Një aksident i rëndë i ndodhur në Kukës nga një furgon ka bërë që qeveria t’i rikthehet zbatimit të ligjit të vitit 1998. Ky ligj parashikon që transporti i udhëtarëve brenda vendit kryhet nëpërmjet: Shërbimeve në linja të rregullta, transporti qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, shërbimeve të rregullta, të specializuara, transporteve për llogari të vet si dhe transporteve të rastit. Këshilli bashkiak, duke u mbështetur në nevojat e popullsisë për transportin qytetës, përcakton linjat, organizon, financon dhe vendos për këtë lloj transporti brenda juridiksionit të vet. Transporti qytetës kryhet me autobus vetëm nga shoqëritë, të cilat kanë të shprehur në aktet e themelimit, si objekt të veprimtarisë, veprimtarinë e transportit të udhëtarëve. Licenca për transportin qytetës jepet nga kryetari i bashkisë. Këshilli bashkiak përcakton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të këtij shërbimi brenda juridiksionit të vet. Kriteret për caktimin e numrit maksimal të taksive, në shkallë vendi, vendosen me udhëzim të ministrit. Licenca për shërbimin taksi jepet nga kryetari i bashkisë përkatëse, duke respektuar kriterin e numrit, siç përmendet në paragrafin e mësipërm të këtij neni. Licenca për shërbimin taksi jepet me afat 5 vjet, me të drejtë rinovimi automatikisht, kur subjekti ka përmbushur detyrimet e përcaktuara në këtë ligj. Transporti i udhëtarëve me taksi në linjë të rregullt është i ndaluar.

 

 

Fondacioni Vodafone Albania sjell një nismë unike bamirësie në ndihmë të personave të verbër

“Të njohësh botën përmes zërit” është nisma e Fondacionit Vodafone Albania në bashkëpunim me komunitetin e personave me probleme në shikim, ka bashkuar për herë të parë përfaqësues të biznesit shqiptar, artistë të famshëm shqiptar të mbledhur nga destinacione të afërta e të largëta, por dhe në shoqërinë e diplomatëve, ministrave e miqve për të bërë të mundur për herë të parë realizimin e një ëndrre krijimin e një programi në audio në gjuhën shqipe që lejon leximin e kompjuterit e telefonit për komunitetin e personave me probleme në shikim. Me qëllimin për të kuptuar sfidën e këtij komuniteti, mbrëmja e bamirësisë është konceptuar si një rrugëtim në errësirë. Në kushte të rrepta sigurie dhe në shoqërinë e interpretimit të programit special artistik, më shumë se 200 pjesëmarrësit në këtë mbrëmje, përfaqësues të 33 bizneseve të përgjegjshëm do të jenë zëri për të çuar në sukses këtë nismë. Personat e verbër, të përllogaritur rreth 11 mijë vetëm në Shqipëri, përtej vështirësisë për të parë e njohur format e ngjyrat, kanë një zemër të madhe dhe një mënyrë tepër të veçantë për të perceptuar të përditshmen me anë të emocioneve dhe ndjenjave. Por realizimi i kësaj arritje do u shërbejë shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, e kudo ata ndodhen. Fondi minimal i nevojshëm për realizimin e qëllimit është 50,000 Euro, e pritet të mblidhet gjatë kësaj mbrëmje. Ky fond do të përdoret për blerjen e software dhe pajisjeve të mundshme, realizimin e regjistrimit të tingujve dhe fjalëve në shqip për këtë aplikim, si dhe sesionet e trajnimit dhe përgatitjen e udhëzuesve të nevojshëm për përdoruesit e këtij programi që u jep më shumë akses në informacion, edukim, njohje, mundësi për shërbime dhe punësim. Frymëzuar nga ajo çka kjo nismë synon, është shtuar edhe një kontribut i paçmueshëm i artistëve që falin dashuri e përkujdesje për këtë komunitet, por që japin dhe një shembull të jashtëzakonshëm përgjegjshmërie dhe humanizmi. E famshmja soprano Inva Mula, që është njëherazi edhe Kryetare e Bordit Drejtues të Fondacionit Vodafone Albania, pritet të dhurojë emocione të pashlyeshme përmes pjesëve të përzgjedhura të repertorit të saj. E kësaj do ti shtohen interpretimet e baritonit të mirënjohur Gëzim Myshketa e mexosopranos Vikena Kamenica, shoqëruar në piano nga mjeshtrat Merita Rexha e Robert Radoja. Por shumë të veçantë priten të jenë dhe interpretimet e artistëve e talenteve që kanë probleme në shikim, përfshirë Blerina dhe Ada Shalari (piano), Denisa Onjea, Franc Korini (kitarë) nga Shqipëria si dhe Unik Ukshini e Leotrimi të ardhur enkas nga Kosova, me moderator të mirënjohurin Virgjil Kule dhe Emiliano Lule. “Nuk mund të ketë ndjesi më te bukur sesa te jesh i pari për ti dhuruar dikujt atë për të cilën ka shumë nevojë. Por aq më shumë kur në këtë nismë je bashkë me shumë mbështetës të tjerë që kanë besuar tek kjo sfidë, që ështe thjesht një pergjigje ndaj një nevoje të madhe për personat e verbër, realizuar falë përdorimit të teknologjisë, nismë e realizuar me shumë pasion e dashuri” – tha z. Albi Greva, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania gjate konferences per shtyp, mbajtur ditën e sotme në “Rogner”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency