Krimi tek Liqeni/ Vritet me sende të forta biznesmeni i fidanishtes

0
124

Anxhela Tato

 

 Lutfi Peti u gjet i vdekur në makinë, ka hematoma në qafë dhe në kokë

 Dyshime se 52-vjeçari mund të jetë ekzekutuar për konfliktet e pronësisë ose të mosmarrëveshje personale

 

biznesmeni Lutfi Peti dhe vendi i ngjarjesGjendet i vdekur biznesmeni i luleve pranë zonës së Liqenit. Lutfi Peti, kultivues fidanësh, është gjetur i vdekur nga banorë të zonës në automjetin e tij në pronën ku ushtronte aktivitetin privat. 52-vjeçari ka shenja dhune në turp, të cilat për policinë janë një fakt që tregojnë se Lutfi Peti është ekzekutuar me mjete të forta. Viktima ka dy hematoma në zonën e kokës dhe të qafës, çka tregojnë se 52-vjeçarin e kanë goditur me një send. Trupi i pajetë i viktimës është transportuar me urgjencë për në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Akti mjekësor do të ndihmojë blutë për të zbardhur motivin e vdekjes së Lutfi Petit. Nga të dhënat e para dyshohet se viktima mund të jetë vrarë për shkak të konflikteve të pronësisë ose për ndonjë çështje personale. Por nga ana e bluve nuk mohohet as pista e grabitjes me dhunë. Ndonëse ne vendin e ngjarjes nuk ka rezultuar që të jenë vjedhur sende që gjendeshin në makinën e 52-vjeçarit. Viktima është identifikuar nga karta e identitetit që kishte në portofol, i cili nuk i është grabitur. Gjithashtu mësohet se viktima para se të vdiste ka qenë në makinë me një person, i cili dyshohet se mund të jetë edhe autori i krimit. Ekspertët e grupit hetimor kanë këqyrur automjetin për të gjetur prova ose gjurmë gishtash që të ndihmojnë në identifikimin e autorit të krimit. Ndërsa janë marrë në pyetje edhe familjarë të viktimës, të cilët kanë mohuar që i afërmi i tyre të ketë probleme ose kërcënime. Nga ana e bluve janë duke u marrë të gjitha masat për sigurimin e provave që do të bëjë të mundur zbulimin e identitetit të autorit dhe kapjen e tij.

 

Hetimet

 Policia njoftoi paradite se një person i pajetë është gjetur në një automjet, rreth orës 07:00 tek kodrat e Liqenit Artificial, në Tiranë. Kanë qenë banorë të zonës, të cilët kanë sinjalizuar forcat e policisë mbi një automjet brenda të cilit ndodhej një person i pajetë. Viktima më pas u identifikua si shtetasi Lutfi Peti, 52 vjeç, i cili ushtron një aktivitet privat pranë Liqenit Artificial. Peti njihej për biznesin e tij të luleve dhe e ushtronte në zonën pranë Farit, aty ku u gjet dhe trupi i pajetë. Sipas informacioneve paraprake bëhet me dije se në trupin e viktimës janë konstatuar shenja dhune. Nga mbikëqyrja rezulton se është goditur me sende të forta në kokë dhe qafë. Trupi u dërgua në morgun e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës, ku iu krye autopsia. Ekspertiza mjekoligjore që po kryhet do të japë përgjigje për policinë, e cila mblodhi shumë prova dhe në vendin e ngjarjes. Paraprakisht hetimet e policisë janë përqendruar në tre pista kryesore, ajo e konfliktit për shkaqe pronësie, grabitjeje me dhunë apo mosmarrëveshje personale. Viktima kishte prona dhe një pjesë të truallit e kishte dhënë për ndërtimin e një pallati. Dyshohet se ky mund të jetë një nga shkaqet e konfliktit të 52-vjeçarit. Por jashtë hetimeve nuk do të lihet as biznesi i fidanishtes, si dhe i kafshëve të imta.

 

 

Takimi

Policia e Shtetit dhe ajo italiane, bashkëpunim kundër trafikut

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, pasditen e djeshme, zhvilloi një takim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Guardia Di Finanza, Luciano Carta, në kuadër të të cilit u evidentua bashkëpunimi i hershëm që ekziston ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza, si dhe u konfirmua vullneti për intensifikimin e këtij bashkëpunimi dhe fuqizimin e mëtejshëm të tij. Gjatë këtij takimi Didi vuri në dukje masat e marra nga Policia e Shtetit për rritjen e luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe trafiqeve të çdo lloji, si dhe rezultatet pozitive të arritura gjatë kësaj periudhe. Po ashtu Didi shprehu gatishmërinë e Policisë së Shtetit, për bashkëpunim për goditjen e çdo lloj trafiku, jo vetëm me Guardia Di Finanza, por dhe me autoritetet ligjzabtuese të vendeve të tjera fqinje, me qëllim që duke bashkuar kapacitetet qoftë në logjistikë, ashtu dhe në fuqi njerëzore, të goditet në mënyrë definitive çdo lloj aktiviteti i paligjshëm. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Guardia Di Finanza, Luciano Carta, duke vënë në dukje nevojën e bashkëpunimit për goditjen e aktiviteteve të paligjshme, konfirmoi vullnetin për intensifikimin e tij, me qëllim që ky bashkëpunim të jetë akoma më frytdhënës. Në vijim të takimit mes delegacioneve të Policisë Shqiptare dhe Guardia di Finanza u diskutua mbi intensifikimin e mëtejshëm të shkëmbimit të informacionit, në kohë reale mes palëve, si dhe mbi vendosjen e modaliteteve për ta bërë akoma dhe më efikas shkëmbimin e informacionit mes palëve, që do ta çojë më përpara këtë bashkëpunim në luftën kundër trafiqeve. Ndërkohë Ambasadori Italian i pranishëm në këtë takim theksoi faktin se prania e këtij delegacioni me përfaqësues të niveleve të larta është dëshmia më e mirë e rëndësisë që Italia i jep marrëdhënieve të bashkëpunimit me Shqipërinë. Në përfundim të takimit palët ndanë të njëjtin mendim se takime të këtij lloji i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese dhe fuqizimit të luftës së përbashkët kundër krimit.

 

 

Mat

Kapen me arsenal armësh, pranga 2 personave

 Dy persona janë vënë në pranga nga policia e Matit, pasi janë kapur me arsenal armësh e lëndë plasëse, si dhe lëndë narkotike në banesë. Gentian Kërçiku, 25 vjeç, dhe Arian Dalipi u vunë në pranga në banesat e tyre në fshatin Fshat të Matit, pas një operacioni të policia. Blutë e Matit sekuestruan në banesat e tyre një automatik, lëndë eksplozive, kapsolla detonatorë, municione, si dhe 10 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa. Municionet dhe lënda narkotike mbahej e fshehur në një kënd të veçantë të shtëpisë, ndërkohë që asnjë prej familjarëve nuk ka qenë në brendësi të ekzistencës së tyre. Mësohet se të arrestuarit nuk figurojnë persona me precedentë penalë. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar prejardhjen e destinacionin e municioneve, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që dy të rinjtë të kenë vepruar brenda një rrjeti trafiku municionesh.

 

 

Igumenicë

Sekuestrohen 215 kg marijuanë, ishte fshehur në fugon

 Sekuestrohet një tjetër sasi lëndësh narkotike në kufirin shqiptaro-grek. Burime të policisë bëjnë të ditur se janë sekuestruar 215 kg lëndë narkotike marijuanë në një operacion të policisë greke në zonën e Filatit në Igumenicë. Droga mësohet se ka qenë e ndarë në 194 pako dhe e fshehur në një fugon, që drejtohej nga 44-vjeçari nga Saranda, Emiljano Stefani. Sipas policisë greke, droga dyshohet se ka kaluar në territorin helen përmes fshatit Verve të Sarandës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency