Eksplozivi/ Armando Ceka, në borxh ndaj një biznesmeni hidrokarburesh

0
301

Anxhela Tato

 

Prokuroria: 36-vjeçari u konfrontua fizikisht me biznesmenin para disa muajsh dhe u thirrën në komisariat

 Dëshmia e familjarëve të Julianit: Na telefonoi pak minuta para ngjarjes, me Armandon është njohur në një lokal

 

armando ceka vrasjaBiznesmeni Armando Ceka, që fatmirësisht i shpëtoi atentatit të dytë me eksploziv, rezulton i kallëzuar penalisht në Prokurori për akuzën e “Mashtrimit” nga persona të ndryshëm. Sipas Prokurorisë, ndaj Cekës janë bërë disa herë kallëzime penale, për njërin prej tyre vazhdon hetimi, ku ai akuzohet për shitjen e një apartamenti dy personave. Përveç këtij konflikti, prokuroria dyshon se Ceka është përfshirë edhe në disa raste të tjera, si shitblerje pronash e apartamentesh në Tiranë. Por, ajo që për hetuesit është pista kryesore, është konflikti i Cekës me një biznesmen të njohur të hidrokarbureve, të cilit i ka marrë një shumë të madhe të hollash borxh, shumë të cilën nuk ia ka kthyer ende. Me këtë biznesmen, emri i të cilit nuk bëhet publik, pak muaj më parë Çeka është konfliktuar fizikisht, e pas tij kanë përfunduar të shoqëruar në Komisariatin e Policisë, ku dhe u pajtuan përkohësisht. Nga ana tjetër, policia ka arritur të sigurojë disa pamje filmike të një prej kamerave të sigurisë, e cila ka fiksuar momentin para, gjatë dhe pas shpërthimit të derës hyrëse të lokalit në pronësi të Cekës. Sipas policisë, po punohet për të identifikuar personin që mendohet se ka vendosur sasinë prej rreth 500 gram eksploziv në lokalin që ndodhet në rrugën “Pjetër Budi”, si pasojë e të cilit u gjymtua Julian Çela, ndërsa mbetën të plagosur Artur Sharra dhe Armando Ceka. Të plagosurit janë marrë në pyetje nga prokuroria, ku kanë treguar vetëm momentet e shpërthimit pa dhënë ndonjë detaj për dyshimet e atentatorit. Edhe Ceka, në deklarimet e tija, sipas akuzës, nuk ka ndihmuar prokurorin për të dhënë emra konkrete, për të cilët dyshon se i kanë vendosur eksplozivin. Atentati i së mërkurës erdhi vetëm pak muaj pas atentatit të parë, të ndodhur në shtator të 2013, kur makina me të cilën po udhëtonte Ceka shpërtheu në rrugën “Siri Kodra”’ në Tiranë, duke i shkaktuar vetëm plagosjen 33-vjeçarit. Ndërsa ortakut të tij, Lorenc Teranaj i është bërë atentat në mars të 2012-ës, në apartamentin ku banonte familja e tij.

 

Dëshmia

 Ende të tronditur nga ngjarja e rëndë familjarë të Julian Çelës tregojnë se 28-vjeçari kishte vetëm katër muaj që punonte për firmën private të Armando Cekës. Ata tregojnë se 28-vjeçari ishte njohur rastësisht në një lokal me Armandon, i cili pas bisedës kishte shprehur dëshirën që ta punësonte djalin e ri. I plagosur paguhej 20 mijë lekë të reja në muaj dhe kishte hartuar të gjithë materialet për proceset gjyqësore në të cilat ishte përfshirë firma e Armandos. Në momentin e krimit Juliani ishte kthyer në lokal për t’i dhënë një dokument Armandos, kur ndodhi shpërthimin. Ka qenë një djalë nga Sauku, i cili ka gjetur celularin dhe ka njoftuar familjarët. “Juliani na kanë thënë mjekët që ka shumë probabilitet që të mbijetojë dhe të shpëtojë. Atij ia prenë të dyja këmbët dhe ne jemi shumë të tronditur. Nuk e dimë arsyen pse ndodhi kjo ngjarje, pasi Juliani nuk ka pasur konflikte. Ai ka vetëm katër muaj që punon për këtë firmë dhe me Armadon janë njohur në një kafe. Aty janë prezantuar dhe pas bisedës me të, Armandoja ka kërkuar që ta punësojë si jurist, meqë ky ishte shkollimi i Julianit. Dimë që Julaini përgatiste dokumente që duheshin për procesin gjyqësore që ishte e përfshirë firma. Ditën e ngjarjes ai u kthye tek lokali për t’i dhënë Armandos një dokument dhe pas shpërthimit na ka njoftuat një djalë. Ai kishte gjetur celularin dhe na mori në telefon dhe na tha se Juliani kishte bërë aksident. Ia dimë shumë për nder atij djalit, të cilit nuk i dimë emrin. Juliani ka një fëmijë 4-muajsh dhe shpresojmë dhe lutemi që të mbijetojë”, – shprehen familjarët.

 

 

Konferenca

Dixhitalizimi i gjykatave, Naço: Instalimi audio dhe video, në 24 gjykata

 Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, ka marrë pjesë në Konferencën e Katërt Rajonale të Lidershipit në Gjyqësor, për Regjistrimin Dixhital Audio në Gjykatat Shqiptare. “Ministria e Drejtësisë vlerëson shumë rolin që ka luajtur projekti JUST i USAID-it si dhe partnerë të tjerë, që me mbështetjen e dhënë kanë kontribuar në reformimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe atij gjyqësor në veçanti. Një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare ka qenë dhe mbetet reformimi, modernizimi i sistemit të drejtësisë, rritja e transparencës, besueshmërisë, nëpërmjet përdorimit masiv të teknologjisë së informacionit, e cila mbështetet në parimet dhe përcaktimet ligjore të së drejtës së informimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Kjo kërkon padyshim, krahas ndryshimeve dhe përmirësimeve në legjislacion, bashkëpunimin, mbështetjen dhe asistencën e partnerëve si në fushën logjistike dhe atë operative”, – u shpreh ministri Naço. Ministri Naço vlerësoi së kjo reformë ndikon drejtpërdrejtë në sistemin gjyqësor, për ta bërë atë më transparent, më të përgjegjshëm, më të kontrollueshëm dhe më të besueshëm për publikun dhe qytetarët. Gjithashtu z. Naço vuri në dukje se me krijimin e regjistrimeve të pandryshueshme audio, kjo teknologji ndikon në një sjellje me më shumë profesionalizëm dhe etikë në sallën e gjyqit. “Deri tani ai është instaluar në 24 gjykata dhe 110 salla gjyqi dhe gjithashtu janë trajnuar 295 gjyqtarë dhe i gjithë stafi administrativ i 24 gjykatave në shkallë vendi. Për sa u takon treguesve të seancave gjyqësore, ku procesverbali mbahet me mjete audio, numri në total është 76 263, me një përqindje mesatare në shkallë vendi prej 73%”, – theksoi z. Naço. “Është e rëndësishme për të gjithë sistemin që ne të inkurajojmë gjyqtarët e ndershëm, të inkurajojmë çdo punë të mirë që bëhet në sistemin e drejtësisë, të forcojmë çdo ditë pavarësinë e tyre në marrjen e vendimeve, duke rritur padyshim llogaridhënien dhe integritetin si faktorë kyç të reformës në drejtësi”, – përfundoi ministri Naço.

 

 

Takimi

Gjykatë e Lartë, Zaganjori pret kryeprokurorin e Kosovës

 Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori, priti dje në një takim një delegacion të Prokurorisë së Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Kryeprokurori z. Ismet Kabashi. Kryeprokurori i Kosovës, i cili ndodhet në Tiranë me ftesë të prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, shprehu konsideratat e tij për Gjykatën e Lartë, duke vlerësuar njëkohësisht marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes dy vendeve në fushën e drejtësisë. Kryetari i Gjykatës së Lartë, duke e falënderuar z. Kabashi për vizitën, theksoi se problemet aktuale me të cilat përballet sot gjyqësori dhe Prokuroria janë të përbashkëta dhe marrëdhënia e mirë që ekziston mes dy vendeve është një ndihmë e madhe për të përmirësuar dhe realizuar me sukses objektivat e përbashkëta, të cilat ndihmojnë në forcimin dhe rritjen e vazhdueshme të cilësisë që ofron drejtësia për qytetarët. Gjatë diskutimeve, Kryetari i Gjykatës së Lartë e ka njohur kryeprokurorin e Kosovës me funksionimin e sistemit të gjyqësorit në vendin tonë dhe Gjykatës së Lartë në veçanti duke përmendur ndryshimet e fundit ligjore. Gjithashtu, në kuadër të respektimit të marrëveshjeve të nënshkruara në fushën e gjyqësorit u evidentua rritja e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve gjyqësore respektive në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën marrëdhënieve juridiksionale si ekstradimi, ndihma e ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimi i personave të dënuar. Sipas të dy bashkëbiseduesve, miratimi e zbatimi konkret i këtyre marrëveshjeve dypalëshe kontribuon në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit më efektiv ndërkombëtar në luftën kundër krimit. Në takim u ndanë qëndrime të përbashkëta për intensifikimin bashkëpunimit në drejtësi, si dhe u shkëmbyen ide dhe eksperienca për çështje me interesa të ngjashme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency