Atentat/ Eksploziv për herë të dytë biznesmenit të ndërtimit

0
180

Anxhela Tato

 

Shpërthimi i telekomanduar, 500 gr C4 e montuar në derën e ndërtesës 2-katëshe ku po futej Armando Ceka

 Dëshmitari: Pashë 3 persona të gjakosur në tokë, Turi eci disa metra, duke kërkuar ndihmë

 

armando ceka vrasjaPër herë të dytë biznesmeni i ndërtimit Armando Ceka është shënjestër e atentatit të telekomanduar. Shpërthimi ka ndodhur në orën 9:30 të mëngjesit në kompleksin “Grifoni”, ku Ceka do të takohej me juristin dhe truprojën e tij. Sipas të dhënave të policisë, në momentin që 36-vjeçari ka hapur derën, është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm. Armando Ceka është përplasur tek shkallët, ndërsa të plagosur kanë mbetur Julian Çela dhe Artur Sharra. Si pasojë e plagëve të marra, pas nënshtrimit të një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin e Traumës në Tiranë, Armando Cekës i është prerë njëra këmbë, ndërsa Julian Çela ka humbur të dyja këmbët. Më e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën paraqitet gjendja për të plagosurin 46-vjeçar Artur Sharra. Të plagosurit vijojnë të marrin shërbim të specializuar mjekësor në spitalin e Traumës. Një dëshmitar, i cili kishte parë momentin e shpërthimit tregoi se ka parë tre persona të shtrirë në tokë dhe njëri prej tyre ka ecur këmba dorazi, duke kërkuar ndihmë. Pistat e bluve janë përqendruar tek biznesi i Armandos, si dhe tek konfliktet për pronësinë e godinës ku ndodhi ngjarja, të cilët daja i 36-vjeçarit ia ka kaluar në pronësi motrës së tij në vitin 1992.

 

Mekanizmi

 Shpërthimi ka qenë i telekomanduar, ky është versioni që jepet nga ana e grupit hetimor. Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për një sasi prej 500 gramësh C4, e montuar në derën e godinës. Në momentin që 36-vjeçari ka hapur derën, lënda plastike e lidhur me një detonator është aktivizuar. Dyshimet e policisë janë se autori duhet të ketë pasur bashkëpunëtorë, të cilët kanë raportuar lëvizjet që bënte Armando Ceka. Nga të dhënat e bluve, 36-vjeçari prej kohësh e kishte shndërruar këtë ndërtesë si zyrë takimesh me punonjësit e tij, duke shmangur kështu takimet me banorët e zonës së “Siri Kodrës” për pakënaqësitë e ndërtimeve. Ende nuk ka asnjë të dhënë apo identikit rreth autorit të mundshëm të këtij atentati.

 

Dëshmia

 “Dëgjova një shpërthim të madh dhe fillimisht mendova se zhurma vinte nga hyrja e pallatit. Dola të shihja, por nuk vura re ndonjë gjë të çuditshme. Pastaj dola nga dhoma tjetër dhe pashë që ajo ishte mbushur me pluhur. Dal në dritare, kur çfarë të shoh. Pashë tre persona të shtrirë për tokë. Njërit prej tyre i ishte varur këmba prej shpërthimit. Tjetrin e pashë të shtrirë brenda zonës së lokalit, ndërsa personi tretë, Turi, kishte dalë nga lokali. Ka ecur disa metra dhe kërkonte ndihmë. Pastaj ra përtokë dhe humbi ndjenjat. Ata ulërinin me të madhe, që kërkonin ndihmë, por askush nuk iu afrua për disa minuta. Më pas erdhi një makinë dhe i nisi për në spital. Kam parë tmerr me sy sot”.

 

Armando Ceka, ortak i L.T, i skeduar për trafik droge

 Nga policia po hetohet në disa pista për zbardhjen e ngjarjes, ku përveç aktivitetit të biznesmenit në fushën e ndërtimit, dyshohet edhe përfshirja e tij në grupe të trafikut të lëndës narkotike. Shkak për këtë pistë hetimi të policisë është arrestimi i ortakut të tij me një sasi të konsiderueshme heroine, por këto mbeten ende dyshime të pakonfirmuara. Sipas burimeve të policisë, pista kryesore e hetimeve është përqendruar në mosmarrëveshjet që biznesmeni kishte me banorët e pallatit të ndërtuar prej tij, të cilët e kanë kallëzuar disa herë në polici për shitjen e apartamenteve dy herë. Ndërkaq, ortakut të tij, L. T, më 17 mars të vitit 2013, i kanë vënë një sasi të konsiderueshme tritoli në banesën e shtëpisë, po në rrugën “Siri Kodra”. Policia nuk ka arritur ta zbardhë ngjarjen. Pritet që nga ana e bluve të merren në pyetje personat me të cilët ka pasur konflikte për ndërtimin. Nga të dhënat e policisë rezulton se L. T është figurë e njohur dhe i skeduar më parë për trafik lëndësh narkotike, i arrestuar në gusht të 2011 me një sasi prej rreth 1.2 kilogramë lënde narkotike heroinë. Por këtë akuzë biznesmeni T. ka mohuar gjatë gjithë kohës, ndërsa Gjykata e Lartë e la të lirë në vitin 2012, duke i ndryshuar masën e sigurisë.

 

Hetimet

 Konflikti për pronësinë e ndërtesës dhe borxhet e 36-vjeçarit, pistat kryesore

 Ilir Mata kaloi pronësinë e ndërtesës tek e motra e tij, mamaja e Armando Cekës

Hetimet e bluve janë përqendruar në tri pista të mundshme, duke e lidhur këtë atentat me eksplozivin që iu vu makinës së Cekës në shtator të vitit 2013. Policia dyshon se shkak për ngjarjen mund të jetë një borxh i mundshëm i Cekës. Ky ka qenë motivi i dyshuar edhe për një atentat tjetër me eksploziv në automjetin e tij në rrugën “Siri Kodra”, shtatorin e vitit të kaluar, kur 36-vjeçari mbeti i plagosur. Sipas burimeve nga policia, thuhet se biznesmeni ka pasur konflikte të shumta me banorët e një pallati, të ndërtuar nga vetë ai, në rrugën “Don Bosko”. Ky pallat është i papërfunduar dhe ka shumë defekte, të cilat ende nuk janë rregulluar. Për këtë arsye banorët janë të pakënaqur dhe janë konfliktuar disa herë me Armando Cekën. Vetë banorët ankoheshin se Ceka u kishte marrë lekët, duke u premtuar se do të bëheshin të gjitha modifikimet, por këto premtime në fund kanë rezultuar gënjeshtra. Ceka ka pasur një raport të acaruar me banorët, të cilët prej kohësh e kërkonin që ta takonin. Kjo ishte edhe arsyeja pse 36-vjeçari takimet e punës i zhvillonte në kompleksin “Griffoni”, por kjo nuk është e vetmja pistë ku janë përqendruar hetimet e policisë. Policia po verifikon edhe problemet e mundshme të pronësisë së kompleksit lokal-hotel, i cili më herët ka pasur emrin hotel “Italia”. I ndërtuar në vitin 1992, nga biznesmeni i lokaleve Ilir Mata, kompleksi i ka kaluar në pronësi motrës së tij, Lavdie Ceka. Kompleksi ka pasur përballje në gjykatë për lejen e ndërtimit, por sipas të njëjtit burim gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur ndonjëherë konflikt me pronarët e truallit. Ka dyshime se kjo pronë është shndërruar në mollën e sherrit mes kushërinjve, për shkak se daja i Armando Cekës ia ka kaluar në pronësi të motrës së tij. Emri i Ilir Matës është bërë i njohur në vitin 2009, kur Gjykata vendosi prishjen e tri kateve të pallatit 12-katësh në qendër të kryeqytetit. Ngjarja ka ndodhur në një distancë në rrugë ajrore rreth 100 metra larg Ambasadës Amerikane, fakt që sjell interesimin e oficerëve të sigurisë së saj, duke marrë kontakte me oficerët e policisë së kryeqytetit në vendngjarje.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency