Shifra alarmante të borxhit: niveli më i lartë në 10 vitet e fundit!

0

Ervin Kaduku

Loading...

 

mbledhja e qeveriseShqipëria po shkon drejt një niveli të paparë borxhesh publike. Niveli i borxhit publik të marrë në tregun e brendshëm, në fund të vitit 2013, kapi shifrën më të lartë të 10 viteve të fundit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, niveli i huamarrjes së brendshme arriti në vlerën 46.2 miliardë lekë, nga 52.8 miliardë që ishte planifikuar për gjithë vitin. Ndërsa po të krahasohen shifrat me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton një rritje e huasë thuajse dyfish, pasi gjatë vitit 2012 niveli i huamarrjes së brendshme ishte në vlerën e 24.7 miliardë lekë.

Por duke bërë një analizë të shkurtër të këtyre treguesve, rezulton se kjo rritje lidhet dhe me faktin se 2013 ishte një vit zgjedhor dhe investimet publike njohën rritje të dukshme. Sipas specialistëve të financave, këto fonde kanë shkuar kryesisht për shlyerjen e kompanive qe kanë kryer punë publike, por edhe për investime në projekte të reja. Vitet e fundit qeveria është fokusuar më tepër në marrjen e borxhit në tregun e brendshëm, kjo ndikuar dhe nga kushtet jo të favorshme dhe interesat shumë të larta që ofrojnë tregjet financiare ndërkombëtare.

Por kjo nxjerr një anë tjetër pozitive, atë të tregut të konsoliduar dhe likuid të sistemit tonë bankar. Për rritje të nivelit të borxhit publik, qeverisë shqiptare i kanë ardhur kritika, jo vetëm nga ekspertë të ekonomisë brenda vendit, por dhe nga institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare si FMN apo BB, të cilët janë shprehur skeptikë edhe për heqjen me ligj në Shqipëri e tavanit prej 60% për borxhin publik. Në fund të vitit 2012 Kuvendi miratoi heqjen e kufirit të borxhit publik prej 60%, ndërsa në fund të vitit 2013, niveli i tij i kaloi 63.8% të PBB.

 

Në rënie shpenzimet e shqiptarëve për konsum

 

Por, ky borxh nuk po shpëton familjet shqiptare nga rreziku i recesionit. Banka Botërore në një studim të saj bën të ditur se shpenzimet për konsum në ekonominë shqiptare, në pesë vitet e fundit, janë në intervalin mes 85% dhe 89% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas këtyre të dhënave duket qartë se, konsumi privat është nxitësi kryesor i rritjes së ekonomisë në vendin tonë dhe shpjegon se arsyeja kryesore e ngadalësimit të rritjes ekonomike gjatë vitit 2013 është pikërisht rënia e konsumit. Ekspertët e ekonomisë vërejnë se dobësia e konsumit në ekonominë shqiptare është përcaktuar nga besimi i ulët i konsumatorëve, ngadalësimi i të ardhurave gjatë viteve të fundit dhe kushtet e shtrënguara të financimit. Formimi i kapitalit fiks apo investimet private janë zëri i dytë më i madh në ekonomi, me rreth 25% të vlerës së prodhimit kombëtar, ndërsa 7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto përbëhej nga shpenzimet publike. Sipas të dhënave zyrtare, për shkak të deficitit të llogarisë korrente, sektori i jashtëm i ekonomisë jep një kontribut negativ me rreth 17% në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Kjo strukturë e kërkesës agregate është reflektimi i një ekonomie më pak konkurruese dhe relativisht të brishtë. Në vendet e zhvilluara, konsumi zë një peshë më të ulët në prodhimin kombëtar, deri në 60%. Rritja ekonomike e këtyre mbështetet më shumë te prodhimi dhe te bilanci pozitiv i tregtisë së jashtme. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky duhet të jetë në thelb modeli i ri ekonomik drejt të cilit të shohë Shqipëria, një model që të bazohet më pak te konsumi dhe më shumë te eksportet.

 

Bonot, sërish në rënie

Interesat e bonove të thesarit pësuan sërish një rënie të lehtë në ankandet e djeshme, duke e mbyllur edhe muajin e dytë të këtij viti në stabilitet. Gjendja e mirë e likuiditetit të sistemit bankar, kreditimi i dobët dhe kërkesa e moderuar e qeverisë për financim po i mbajnë interesat e borxhit të brendshëm nivele të ulëta. Bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 3.77%, në rënie të lehtë nga interesi 3.8% i dy javëve më parë. Ndërsa bonot me maturim 3-mujor regjistruan një minimum të ri historik, në nivelin 3.24%.

Shuma totale e financuar nga qeveria në ankande kishte vlerën e 11.9 miliardë lekëve, përkundrejt një oferte prej 16.5 miliardë lekësh. As viti 2014 nuk duket të ketë sjellë zhvillime të mëdha për sa i takon kreditimit, ndaj borxhi i qeverisë dhe kryesisht instrumentet afatshkurtra ngelen investimi kryesor i kursimeve të ekonomisë në monedhën vendase.

Qeveria po përfiton interesa të ulëta dhe që nga fillimi i këtij viti e ka ulur ndjeshëm kërkesën për borxh të ri në tregun e brendshëm. Deficiti në buxhetin e këtij viti do të financohet në pjesën më të madhe nga huatë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Nga ana tjetër, gjendja e mirë e likuiditetit të bankave dhe politika monetare stimuluese pritet të ndikojnë në interesa të ulëta të bonove të thesarit gjatë gjithë vitit 2014. Normat e ulëta të interesit në tregje do të vazhdojnë të favorizojnë huamarrësit, ndërkohë që kursimet do të sigurojnë fitime të ulëta.

 

 

Strategjia e biznesit, çfarë parashikohet për subjektet private

 

Në strategjinë për biznesin dhe investimet, qeveria shqiptare synon që për periudhën 2014-2020, të marrë një sërë masash për reduktimin e barrierave për të bërë biznes.

Sipas strategjisë, masat do të konkretizohen si më poshtë në reduktimin e ditëve për :

– procedurat për fillimin e një biznesi: nga 5 reduktohet në 2 procedura

– koha për marrjen e një leje ndërtimi: nga 436 ditë reduktohet në 35 ditë

– koha për furnizimin me energji elektrike: nga 177 ditë reduktohet në 45 ditë

– koha për regjistrimin e pronësisë: nga 33 ditë reduktohet në 13 ditë

– marrjen e një kredie;

– koha për pagesën e taksave nga raportimi online: reduktohet me 125 orë;

– procedurat doganore të eksport-importit: reduktimi i kohës për eksport nga 19 ditë në 4 ditë; reduktimi i kohës për import nga 18 ditë në 3 ditë; reduktimi i numrit të dokumenteve për eksport nga 7 në 3; reduktimi i dokumentove për import nga 8 në 4;

– zbatimin e kontratave: reduktimi i afateve kohore të procesit gjyqësor si dhe reduktimi i procedurave

– procedurat e falimentimit: reduktimi i kohës së procesit të falimentit

Përmirësimi i masave legjislative dhe administrative në këto aspekte dhe më shumë që do të bëhen gjatë periudhës 2014-2020, padyshim që do të ndikojnë në përmirësim të renditjes së Shqipërisë, sipas Indikatorëve të Bankës Botërore “Doing Business”.

 

 

BE deklaron ndihma financiare për Ukrainën

 

BE do ta ndihmojë me miliarda euro Ukrainën. E ngarkuara me politikën e jashtme, Ashton do të negociojë kushte në Kiev, por gjendja është ende e paqartë.

Një demonstrues ukrainas me flamurin e BE-së në dorë

Një demonstrues ukrainas me flamurin e BE-së në dorë

E Ngarkuara me politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton ka shkuar në Ukrainë, për të diskutuar me udhëheqjen e re për ndihmat e BE. Ajo ka me vete një paketë ndërkombëtare ndihmash, për ta ndihmuar Ukrainën “në plan afatshkurtër, në plan afatmesëm dhe në plan afatgjatë në vështirësitë e saj ekonomike”, bëri të ditur një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel. Se çfarë mund të ofrojë ajo konkretisht dhe për cilat shuma bëhet fjala, kjo është ende e paqartë. Para nisjes, Lady Ashton u bëri thirrje të gjitha palëve, që ta respektojnë dëshirën e njerëzve në Ukrainë për demokraci dhe që të ruajnë unitetin dhe sovranitetin e vendit.

Komisari i BE për çështjet monetare dhe ekonomike, Olli Rehn, pati thënë në takimin e ministrave të financave të G-20-ës në Sidnej (23.2.2014) se tani bëhet fjalë për shuma miliardëshe, jo më për qindra milionë. Gjatë përmbysjeve politike në Ukrainë, BE theksoi se marrëveshja e Stabilizimit dhe Asocimit mes dy palëve ndodhet në tryezë, e gatshme për nënshkrim. Komisioni Evropian konfirmoi se varet vetëm nga Ukraina se kur dhe nëse do të nënshkruhet marrëveshja. Një datë ende nuk ekziston.

 

Catherine Ashton

Paratë e BE-së duhet të burojnë – po për kë?

Kryetarja e Grupit Parlamentar të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Rebecca Harms i tha Deutsche Welles në Kiev, se BE dhe SHBA duhet të hartojnë tani sa më shpejt një paketë ndihme. Pak para nisjes në Bruksel ajo tha se BE duhet ta mbështesë udhëheqjen e re në Kiev edhe për reforma në fushën e drejtësisë. Nuk duhet të ketë “drejtësi politike dhe hakmarrje” ndaj pushtetarëve të vjetër, tha ajo.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier bëri të ditur se të enjten e ardhshme (27.2.2014) ai do të angazhohet personalisht te FMN që Ukraina të marrë kredi. Steinmeieri udhëton në Uashington për bisedime politike të planifikuara prej kohësh.

I ngarkuari i qeverisë gjermane për Evropën Lindore dhe Rusinë, Gernot Erler, u shpreh në emisionin e mëngjesit të ARD-së pro lidhjes së Rusisë në ndihmat për Ukrainën, pasi Rusia i ka paguar tashmë dy miliardë dollarë qeverisë së rrëzuar të Janukoviçit. “Unë do të propozoja që tani të përpiqemi të nisim bisedime me Rusinë, sepse Rusia ka interes që në Ukrainë të mos ketë rrëmujë dhe që vendi të stabilizohet sërish.” Erleri tërhoqi vëmendjen që Ukrainës i duhet tani një qeveri e aftë për veprim. “Deri tani problemi është që natyrisht duhet folur për kushte, po me kë? Ne ende nuk kemi një qeveri tranzitore, por duhet të jetë edhe një qeveri e aftë për veprim. Sepse askush nuk ka dëshirë të japë para falas”.

Ministri i Financave të Ukrainës, që e kryen detyrën përkohësisht, Juri Kolobov propozoi në Kiev një konferencë donatorësh për Ukrainën. Ai tha se vendi i tij ka nevojë për 25 miliardë euro. Agjencitë ndërkombëtare të klasifikimit të riskut e shohin Ukrainën në prag të humbjes së aftësisë për pagesë. Vendin e kërcënon falimentimi.

Loading...