Reagon KLD/ Rrëzimi i kandidaturës së Ina Ramës nuk pati ndikim politik

0
139

Sonja Caka

 

Deklarata: Nuk ka asnjë mazhorancë politike të ndikojë brenda anëtarëve të KLD-së. Rama kërkoi të impononte vullnetin e saj për në Apel

 

Ina_RamaRrëzimi i kandidaturës së Ina Ramës për emërimin si gjyqtare në Apelin e Tiranës, pas përfundimit të funksionit të kryeprokurores, ka sjellë debate të ashpra, ndërsa nuk kanë munguar as akuzat se vendimi është ndikuar nga politika. Një ditë pas mosvotimit të saj për gjyqtare Apeli ka reaguar për mediat institucioni i KLD-së përmes një deklarate për shtyp. Sipas këtij organi, votimi me shumicë votash për rrëzimin e kandidaturës së Ina Ramës për gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës nuk ka pasur ndikime politike. “Nuk ka asnjë mazhorancë që të ndikojë vendimet brenda anëtarëve të KLD-së dhe vendimet e marra prej saj në asnjë rast nuk janë nën ndikimin e politikës. Ina Rama kërkoi të impononte vullnetin e saj në KLD”, – ka reaguar institucioni i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë dëshiron të sqarojë opinionin publik se vendimet e tij, nuk merren në asnjë rast në ndikimin e politikës”, – ka reaguar Këshilli, duke theksuar “faktin se asnjë mazhorancë politike, në çdo kohë dhe në asnjë rrethanë, nuk mund t’i imponojë Këshillit asnjë lloj vendimmarrje”. “Këshilli vendosi dje me shumicë votash të rrëzonte kërkesën e znj. Ina Rama, për t’u emëruar pa konkurrim në detyrën e gjyqtares së gjykatës së Apelit Tiranë, pasi vetë znj. Rama kërkoi t’i impononte vullnetin e saj, KLD-së, duke e kërkuar atë si të vetmen alternativë. Për çdo gjyqtar apo ish-gjyqtar që kërkon të ushtrojë detyrën në një Gjykatë Apeli, është e drejtë dhe e ndershme që t’i nënshtrohet konkurrimit të barabartë me pretendetët e tjerë, ashtu siç është në tagrin e Këshillit, e drejta për të përzgjedhur më pas konkurrentët më të mirë të mundshëm. Për t’i mbyllur rrugën çdo keqinterpretimi të ligjit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë sqaron se znj. Rama nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë të drejtën e saj ligjore, për të kërkuar rikthimin në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, në të cilën ka ushtruar detyrën e gjyqtarit përpara zgjedhjes si Prokurore e Përgjithshme. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, nuk është e barasvlershme me asnjë Gjykatë Apeli në vend, për sa i përket karrierës, trajtimit financiar, të drejtës për mbrojtje dhe një sërë të drejtash të tjera”, – përfundon reagimi.

 

Reagimi i ministrit

 I pyetur lidhur me rrëzimin e kandidaturës së Ina Ramës një ditë më parë në mbledhjen e KLD-së, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, u shpreh: “Ju e dini që KLD-ja ka filluar t`i bëjë mbledhjet me dyer të mbyllura. Mund t’i drejtoheni zëdhënësit apo KLD-së, unë jam ministri i Drejtësisë. Unë propozova që të futej në rendin e ditës, sepse ishte në përputhje të plotë me ligjin dhe kërkesa zvarritej prej një viti. Sigurisht kam votuar pro, sepse ishte një e drejtë që parashikohej në ligj. Prokurori i Përgjithshëm, kur mbaron detyrën, me pëlqimin e vet mund të rrijë dhe të punojë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, mund të shkojë në atë detyrë që ka qenë ose në një vend të barasvlershëm me të. Nuk i nënshtrohet konkurrimit. Ligji flet qartë për ata që duan ta lexojnë qartë. Për të tjerët drejtohuni tek zëdhënësi i KLD-së”. Lidhur me pyetjen se ka pasur edhe të tjerë zyrtarë që i janë drejtuar KLD-së kur kanë përfunduar mandatin në krye të Gjykatës së Lartë, ILDKP apo dhe në ndonjë funksion tjetër, z. Naço u shpreh: “Kërkesa e parë që më erdhi, dola mbi emocionet e mia, si zyrtar i këtij shteti, dhe propozova që të futej në rendin e ditës, do të propozoj çdo lloj kërkese që është në përputhje me ligjin. Problemi është KLD, që ka nisur t’i bëjë mbledhjen me dyer të mbyllura”.

 

Vendimi

 Ish-prokurorja Ina Ramës e ka depozituar muaj më parë kërkesën për rikthim në Gjykatën e Apelit, post që ka mbajtur para se të emërohej në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, por që nuk ishte marrë në shqyrtim deri në mbledhjen e dy ditëve më parë. Kjo kërkesë u mor në shqyrtim dhe mësohet se është rrëzuar me 7 vota, ndërkohë që 5 nga anëtarët votuan pro emërimit të saj. Anëtarët që mbështetën Ina Ramën ishin ministri Nasip Naço, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, anëtari Sokol Çomo, si dhe gjyqtarët Dritan Caka e Dritan Hallunaj. Ina Rama ka qenë gjyqtare e Apelit për Krime të Rënda, por duke qenë se ishte në funksionin e kryeprokurores për disa vite, ajo kërkoi të ishte gjyqtare në trupat gjyqësore civile të Apelit, pasi ka konflikt interesi në çështjet penale për shkak të funksionit që mbajti në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Por, as ky arsyetim nuk u mor në konsideratë nga shumica që votoi kundër kthimit të saj në Apel si gjyqtare. Ata kundërshtuan këtë kërkesë, duke argumentuar se ka qenë gjyqtare Apeli te Krimet e Rënda dhe nëse kërkon në radhët e Apelit të kryeqytetit duhet të konkurrojë si të gjithë kandidatët e tjerë. Sipas ligjit, Rama ka të drejtë të emërohet si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë, post të cilin e ka mbajtur para se të emërohej në drejtimin e akuzës shqiptare. Kërkesa e Ramës bazohet në ligjin për organizimin e funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i cili parashikon se “pas përfundimit të mandatit, prokurori i Përgjithshëm, me pëlqimin e tij, ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm apo një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm”.

 

 

Shorti

Vrasja e Dritan Lamajt, caktohet trupa gjyqësore për gjykimin e Frrokut

Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar me short se cila do të jetë trupa gjyqësore që do të gjykojë në vazhdim Arben Frrokun, ky i fundit i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Kryesues i trupit gjykues do të jetë gjyqtari Dritan Hallunaj, ndërsa në trup gjykues janë gjyqtarët Nertina Kosova, Fran Prendi, Ardit Mustafaj dhe Klodian Kurushi. Pas hedhjes së shortit, do të jetë kryesuesi që do caktojë edhe datën kur do zhvillohet seanca e parë. Ndaj Arben Frrokut është ngritur akuza e “Vrasjes së efektivit të policisë për shkak të cilësive të veçanta” dhe “Armëmbajtje pa leje”. I pandehuri Frroku akuzohet se ka vrarë ish-kreun e komisariatit nr. 6, Dritan Lamaj, me të cilin ka pasur disa konflikte publike, për shkak të disa shoqërimeve të njëpasnjëshme në këtë komisariat të biznesmenit. Prokuroria e akuzon Frrokun si ideator dhe organizator të këtij krimi, ndërkohë që disponon një dëshmi dhe prova që implikojnë biznesmenin në këtë krim. Vetë i pandehuri ka mohuar krimin dhe ka deklaruar se ka qenë në biznesin e tij ditën e ngjarjes dhe më vonë është nisur drejt Selanikut të Greqisë për punët e tij. Mbrëmjen e 24 shkurtit të vitit 2013, oficeri u policisë u ekzekutua me breshëri automatiku teksa parkonte automjetin e tij pranë banesës në Selitë. Sipas dosjes, në vrasjen e Dritan Lamajt është përdorur vetëm një armë e tipit automatik Kallashnikov, ndërkohë që në vend ngjarje janë gjetur rreth 20 gëzhoja. Në trupin e Dritan Lamajt, janë konstatuar 12 plagë hyrë nga predhat.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency