Lulzim Basha mbledh aleatët e djathtë/ Opozita drejt bojkotit të Kuvendit dhe protestave, ja vendimet e tryezës me aleatët e PD-së

0
86

Florenc Drizari

 

Lulzim Basha: Po koordinojmë me aleatët tanë aksionin opozitar sa i përket shkeljes së Kushtetutës, ligjit, rregullores së Kuvendit

 

aleatKrerët e opozitës u mblodhën një ditë më parë për të përcaktuar axhendën politike ndaj mazhorancës në ditët në vijim. Mbledhja e aleatëve të djathtë u bë në mjediset e PD-së me kërkesë të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në këtë takim u diskutua për një bojkot të mundshëm të institucionit të Kuvendit të Shqipërisë dhe rikthimin e protestave opozitare në sheshe të vendit. Reagimi i opozitës së bashkuar vjen si përgjigje ndaj mazhorancës për vendimet e fundit të saj, kryesisht me shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së, Zana Xhuka, por edhe të debateve me shumicën parlamentare për rregulloren e Kuvendit dhe ligjin e nëpunësit civil.

Në tryezën e djeshme të partive të vogla opozitare u theksua se qëndrimi përfundimtar ndaj institucionit të Kuvendit të Shqipërisë pritet të mbahet në Konferencën e ardhshme të Kryetarëve, pak minuta para seancës parlamentare të ditës së enjte. Edhe pse vendimi i opozitës pritet të zyrtarizohet në mënyrë përfundimtare, vendimi për bojkotin e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë duket se është marrë. Në seancat e komisioneve parlamentare, përfaqësues të Partisë Demokratike pothuajse nuk kanë marrë pjesë, ndërkohë që më pas edhe aleatët e PD-së janë tërhequr duke dalë nga sallat. Gjatë një reagimi për mediat, kreu i opozitës, Lulzim Basha, theksoi se opozita është e bashkuar për qëndrimet që do të mbahen ndaj mazhorancës. Ndërkaq, të kontaktuar në telefon nga gazeta, disa nga përfaqësuesit e partive aleate theksuan se do të mbështesin vendimet e partisë më të madhe opozitare, PD-së, dhe se qëndrimet e tyre mbeten të njëjtat me ato të publikuara nga kjo forcë politike disa ditë më parë.

 

Lulzim Basha

 “Po koordinojmë me aleatët tanë aksionin tonë opozitar sa i përket shkeljes së paprecedentë të Kushtetutës, ligjit, rregullores së Kuvendit. Pra sjelljes antiligj, antikushtetues dhe në thelb antievropian të kësaj mazhorance, e cila rekordit të saj të zi në opozitë si bllokuese e statusit po i vendos një rekord tjetër të zi tashmë në mazhorancë si dirigjente e rrezikimit të aspiratës mbarëpopullore të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këto janë çështjet të cilat po diskutojmë dhe në vijimësi do t`ju mbajmë të informuar”, – tha Basha. Gjithashtu, kreu i PD-së mësohet t’i ketë porositur deputetët demokratë të zbresin në bazë, të takojnë zgjedhësit, të dëgjojnë problematikat e tyre, për shkak të keqqeverisjes së majtë, siç u shpreh ai, dhe t’i ftojnë ata në protestat e ardhshme.

Në një linjë me qëndrimet e kryetarit të PD-së, ishte edhe kryerepublikani Fatmir Mediu. “Do të vendosim së bashku të enjten në mëngjes cili do të jetë veprimi. Nuk pranojmë që të jemi pjesë e një Parlamenti që nuk funksionon sipas ligjit”, – tha Mediu.

Lëvizjet e fundit të opozitës janë paralajmëruar disa ditë më parë. Fillimisht ka qenë kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, i cili fundjavën që shkoi paralajmëroi qeverinë për një bojkot të mundshëm të institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas Palokës, mazhoranca duhet të rikthejë legjitimitetin e këtij institucioni, duke rikthyer procedurat e ndërmarra për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së, Zana Xhuka. Lidhur me shkarkimin e saj ka pasur përplasje të forta në seancën e fundit të Kuvendit. Mazhoranca miratoi me votat e saj lirimin e Xhukës dhe në të njëjtën kohë, vendosi të emëronte në këtë post z. Ganaj. Ky i fundit ishte dekreti i dytë i propozuar nga kreu i shtetit rreth një vit më parë, por që shumica e atëhershme parlamentare votoi në krye të ILDKP-së Zana Xhukën.

 

5 kërkesat e opozitës ndaj mazhorancës

1. Të tërheqin menjëherë projektligjin famëkeq që synon shkatërrimin e ligjit konsensual “Për nëpunësin civil”

2. Të zbatojnë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e nëpunësit civil

3. Të ndalin menjëherë luftën politike dhe personale kundër institucioneve të pavarura

4. Të pranojnë konsensusin politik me opozitën në të gjitha hallkat e procesit të draftimit dhe votimit në sallën e Kuvendit të reformës territoriale-administrative

5. Të ulen dhe të përcaktojnë bashkë me opozitën një plan të detajuar masash në funksion të marrjes së statusit në BE

 

Takimi në selinë e PD-së

 Basha: Qeveria po zhbën standardet, duke vënë në rrezik për herë të dytë statusin

 Kreu i PD-së: Goditja e institucioneve të pavarura në vend, si ILDKP, përmes shkeljes së ligjit, rregullores, manifeston vullnetin e mbrapshtë të mazhorancës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti dje në një takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian, Jonas Johnsson. Basha e informoi përfaqësuesin e BE-së për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, për kursin antiligjor dhe antikushtetues të qeverisë, siç e quajti Basha, si dhe për aktet e saj të fundit lidhur me konsensusin politik.

Sipas zyrës së shtypit në Partinë Demokratike, Basha evidentoi faktin se qeveria nuk reflekton dhe nuk dëgjon asnjë prej thirrjeve të opozitës dhe qytetarëve, përkundrazi ajo po thellon edhe më shumë krizën institucionale dhe politike në vend. Kryetari i Partisë Demokratike e informoi Johnsson-in me faktin se qeveria refuzon të zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe vonon botimin në fletoren zyrtare të vendimit që e shpall të paligjshëm aktin e saj për të shtyrë zbatimin e ligjit të “Nëpunësit civil”, çka solli si pasoja fushatën e spastrimeve në administratën publike.

“Është e papranueshme dhe e paprecedentë në historinë e shtetit, – tha Basha, – nisma e re të qeverisë, projekti që synon ndryshimin e ligjit “Për nëpunësin civil” në 16 nene, teksa ky ligj ende nuk është zbatuar. Ky projekt, – shtoi Basha, – është jotransparent dhe cenon sigurinë juridike të administratës dhe dobëson kushtet e nëpunësve civilë”.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se goditja e institucioneve të pavarura në vend, si rasti i fundit i ILDKP-së, përmes shkeljes së ligjit, rregullores së Kuvendit dhe uzurpimit të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës, manifeston vullnetin e mbrapshtë të mazhorancës për të shkelur dhe nëpërkëmbur edhe ato standarde që përbëjnë kushte për integrimin evropian të Shqipërisë duke e vënë këtë projekt madhor në rrezik për të dytën herë radhazi qëkur kjo mazhorancë u instalua në pushtet.

Kryetari i Partisë Demokratike u ndal në gjendjen mjaft shqetësuese të rendit dhe pasigurisë në vend, në veçanti të situatës alarmante të tranzitimit të drogës nga Shqipëria drejt BE-së dhe tha se kjo vjen si pasojë e dëmtimit të Policisë së Shtetit, nga shkarkimet masive që ka bërë qeveria, dhe nga zëvendësimi i profesionistëve me klientelë dhe njerëz me lidhje të dyshimta me krimin. Basha e informoi diplomatin e Bashkimit Evropian për rastet më të fundit, ku individë me lidhje të forta politike, pasi janë emëruar në strukturat e policisë kanë rezultuar në krye të linjave të trafikut të drogës.

Z. Basha e njohu z. Johnsson me pakënaqësinë popullore që po krijon qeveria me mungesën e transparencës dhe arbitraritetin në vendimmarrje, me përkeqësimin që po i bën ekonomisë dhe gjendjes së financave publike dhe të qytetarëve dhe familjeve shqiptare dhe me braktisjen e premtimeve të saj të fushatës zgjedhore”, – thuhet në njoftimin e PD-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency