Emërtimet e reja të rrugëve dhe shesheve në Shqipëri

0
877

1945 – 

 AH1944_3b_grNga Veli HAKLAJ*

 

 

Pas Luftës së Dytë Botërore, pushtetarët e rinj komunistë në Shqipëri, krahas masave të tjera revolucionare, morën nismën për emërtimet e reja të rrugëve dhe shesheve në të gjithë vendin. Për këtë u ngritën komisione në çdo prefekturë, të cilët, pasi shqyrtuan emërtimet e mëparshme, pagëzuan shumë rrugë e sheshe me emra të rinj, kryesisht me emrat e dëshmorëve të Luftës. Në këtë proces nuk u kursyen emrat e personaliteteve të shquara të historisë e të kulturës kombëtare si Skënderbeu, Lek Dukagjini, Ali Pashë Gucia, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Isa Boletini, Dhimitër Kamarda, Refik Toptani, Kamber Sejdini, Dhimitër Korona etj.; si dhe të personaliteteve të huaja që kishin dhënë kontribut të shquar për mbrojtjen e integritetit të Shqipërisë si Presidenti Uilson,  Koloneli Tomson, Gjeneral Telini. Në punën e tyre, nënpunësit e devotshëm komunistë do të ishin të kujdesshëm që të mos ngelej asnjë kujtim nga periudha e Ahmet Zogut, duke hequr emërtime të tilla si Rruga Mbretnore, Rruga Geraldina etj. Ndërkohë, nëse hiqeshin emërtime të vjetra si Rruga e Tabakëve, Rruga e Spahiut, Ruga e Zajmit, Rruga Saraçi, Rruga e Zelës, do ruheshin emërtimet që reflektonin bazën kryesore të mbështetjes së Partisë Komuniste si rruga e Farkatarëve, Rruga e Këpucarëve etj.

 

1. Emërat e rinj të rrugëve e shesheve në Tiranë

 

Disa nga ndryshimet e bëra në emërtimet e rrugëve e shesheve në qytetin e Tiranës, në muajin shtator 1945, janë:

Haxhi Ethem beu, ndërtuesi i xhamisë së Tiranës, më 1823, si një nga dëshmitë kryesore historike të zhvillimit ekonomik e shoqëror që e karakterizoi Tiranën gjatë shek. XVIII-XIX, do të zëvendësohej me dëshmorin Maliq Muço.

Dhimitër Kamarda (1821-1882), gjuhëtar, filolog e klerik, nga Hora e Arbëreshëve, do të zëvendësohej me dëshmorin Siri Kodra.

Refik Toptani (i biri i patriotit demokrat Seit Seremedin Toptanit), që së bashku me vëllanë i tij, Murat Toptanin, morën pjesë në lëvizjen patriotike dhe demokratike të shtetit shqiptar (Murat Toptani ishte delegat në Kuvendin Kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor 1912), do të zëvendësohej me dëshmorin Myslym Shyri.

Kapiten Kamber Sejdini, një ndër drejtuesit e forcave të xhandarmërisë shqiptare, që u vra në luftën kundër kryengritësve në Durrës (1914), ku mbeti i vrarë dhe koloneli holandez Thomson, do të zëvendësohej me dëshmorin Mustafa Lleshi.

Sheshi që mbante emrin e Gjeneral Enriko Telini, do të zëvendësohej me emërtimin “Dëshmorët e Prishtinës”. Enriko Telini ishte oficer madhor italian që gjatë LPB shërbeu në komandën e trupave italiane në Shqipëri, më 1923 u gradua gjeneral dhe u emërua në krye të misionit italian pranë Komisionit Ndërkombëtar për caktimin e Kufirit Shqiptaro-Grek. Iu besua drejtimi i atij komisioni. Mbajti qëndrim objektiv duke iu kundërvënë orvatjeve të përfaqësuesve të qeverisë greke për të shtrembëruar përbërjen etnike të fshatrave kufitare shqiptare. Si pasojë e këtij qëndrimi, Enriko Telini u vra nga anëtarët e një bande greke.

 

Tirana

 

Emri i vjetër Emri i ri
Rruga e Sahatit Rruga Hamdi Mëzezi
Rruga Refik Toptani Rruga Myslim Shyri
Rruga e Malshkës Rruga Xhoxhi Martini
Rruga Shëngjergji Rruga Ali Demi
Rruga Dhimitër Kamarda Rruga Syrri Kodra
Rruga Saraçi Rruga Shinasi Dishnica
Rruga Fitezit Rruga Dum Alla
Rruga Sheh Vogli Rruga Vëllezërit Huta
Rruga Kamber Seidini Rruga Mustafa Lleshi
Rruga e Tabakvet Rruga Shyqyri Ishmi
Rruga e Barit Rruga Reshit Çollaku
Rruga e Zelës Rruga  Shyqyri Bërzolli
Rruga e Spahiut Rruga Mujo Ulqinaku
Rruga Dhimitër Korona Rruga Kajo Karafili
Rruga Dep Lena Rruga Mihal Duri
Rruga e Sopotit Rruga Halim Xhelo
Rruga e Haxhi Et’hem Beut Rruga Maliq Muço
Rruga Pinari Rruga Prokop Myzeqari
Rruga e Qoses Rruga Hamit Shijaku
Rruga Braka e Lumit Rruga Jordan Misja
Rruga e Kusit Rruga Riza Cerova
Rruga e Zajmit Rruga Thanas Lito
Sheshi Tellini Sheshi Dëshmorët e Prishtinës

 

 

 

 

2. Emërat e rinj të rrugëve e shesheve në Kukës

 

Disa nga ndryshimet e bëra në emërtimet e rrugëve e shesheve në qytetin e Kukësit, në muajin tetor 1945, janë:

 

Geraldine Appony, e kurorëzuar Mbretëresha e Shqiptarëve nga martesa me mbretin Ahmet Zogu, më 27 prill 1938, kontesha me origjinë hungareze e edukuar në shkollat më në zë hungareze dhe vjeneze, që mësoi gjuhën shqipe, respektoi traditat vendëse dhe ruajti deri në fund të jetës dashurinë për Shqipërinë dhe njerëzit e saj, do të zëvendësohej me Bajram Currin.

Koloneli Thomson, ushtarak karriere dhe deputet në parlamentin holandez (1905-1913), nënkryetar i misionit holandez për organizimin e xhandarmërisë së shtetit shqiptar në shkurt 1913, guvernator i përgjithshëm për Shqipërinë e Jugut më 1914, i cili u vra në Durrës kur komandonte forcat qeveritare që mbronin Princ Vidin nga kryengritësit e Shqipërisë së Mesme, do të zëvendësohej me dëshmorin Myslym Shyri.

Ali Pashë Gucia, veprimtari i lëvizjes kundërosmane të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe veçanërisht i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kundërshtari aktiv i synimeve pushtuese serbe dhe malazeze ndaj tokave shqptare, kryetari i Shtabit Ushtarak për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, do të zëvendësohej me dëshmoren Meriman Jakupi.

Lekë Dukagjini, drejtues politik dhe ushtarak i Principatës së Dukagjinëve, një nga figurat kryesore udhëheqëse të luftës kundërosmanëve pas vdekjes së Skënderbeut, me emrin e të cilit lidhet kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili përmbledh normat juridike që rregullonin marrëdhëniet në shoqërinë malësore, do të zëvendësohej me një nga bashkëpunëtorët e afërt të Enver Hoxhës, Myslim Pezën.

Sulejman Vokshi, veprimtar dhe udhëheqës kryesorë politik e ushtarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të zëvendësohej me dëshmorin Vehbi Shehi.

Haxhi Zeka, udhëheqës i lëvizjes kombëtare në Kosovë e në mbarë Shqipërinë, luftëtar dhe organizator i kryengritjeve kundërosmane në Kosovë, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, udhëheqës i qëndresës së armatosur popullore që shpërtheu në Kosovë, në vitin 1897, dhe themelues dhe drejtues i Lidhjes Shqiptare të Pejës, më 1899, do të zëvendësohej me dëshmorin Qemal Stafa.

Udro Uilson, Presidenti i shquar i aleatit strategjk të shqiptarëve (SHBA), mbrojtësi i vendosur i interesave jetike të Shqipërisë më 1919-1920, do të zëvendësohej me dëshmorin  Hasan Qarri.

Isa Boletini, luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar, do të zëvendësohej me dëshmorin Sokol Shpendi.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqiptarëve, strateg e burrë shteti i madh, që udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkimin politik-shtetëror të popullit shqiptar; një nga figurat e shquara të historisë së shek.XV në plan ndërkombëtar, do të zëvendësohej me Avni Rustemin.

 

Kukësi

 

Emëri i vjetër Emëri i ri
Rruga Mbretnore Rruga Enver Hoxha
Rruga Geraldina Rruga Bajram Curri
Rruga Thomson Rruga Perlat Rexhepi
Rruga Ali P. Gucija Rruga Meriman Jakupi
Rruga Gjallica Rruga Jahja Salihi
Rruga Lidhja e Prizrenit Rruga Ibish Milaimi
Rruga Lek Dukagjini Rruga Myslim Peza
Rruga Sulejman Vokshi Rruga Vehbi Shehi
Rruga Haxhi Zeka Rruga Qemal Stafa
Rruga Vilson Ruga Hasan Qarri
Rruga Isa Boletini Rruga Sokol Shpendi
Rruga Elezaj Rruga Reshat Mahmuti
Sheshi Skënderbej Sheshi Avni Rrustemi

 

*Studiues

 

Burimet

AQSH, F. 154 – Komanda e Përgjithshme e Gjindarmërisë (1913-1944),   V. 1937, D. 12

Album historik, 100 vjet Pavarësi Kombëtare, “Uegen”, Tiranë, 2012

Fjalori enciklopedik shqiptar, 1, 2, 3, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008.

Marubi, Shqipëria-Albania 1858-1950, “Peggi”, Tiranë.

40-vjet Shqipëri socialiste, “8 nëntori”, Tiranë, 1984

“Bashkimi”, 28 shtator 1945

“Zani i Dragobis”, 10 tetor 1945

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency