Vendimi/ Vrau kunatin për motive pronësie, dënohet me 8 vite burg Fatos Lika

0
131

Sonja Caka

 

I pandehuri para Gjykatës: Nuk doja ta vrisja, por vetëm ta trembja. Kërkoj mëshirë, jam i penduar

 

fatos likaGjykata dënon me 12 vite burg Fatos Likën, i cili akuzohet për vrasjen e kunatit të tij për motive pronësie. Procesi gjyqësor ka përfunduar brenda disa seancave pasi i pandehuri kërkoi nga Gjykata aplikimin e gjykimit të shkurtuar ndaj tij, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e një të tretës së dënimit, nga 12 në 8 vite burg. Para Gjykatës, avokati kërkoi ndryshimin e kualifikimit të akuzës për klientin e tij, Fatos Lika, dhe dënimin e tij për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje me pasojë vdekjen“. Ndërkohë që vetë i pandehuri u shpreh para togave të zeza: “Unë desha vetëm që ta trembja dhe jo ta vrisja. Ndihem i penduar dhe kërkoj mëshirë”. Në përfundim të procesit, i pandehuri Lika u dënua vetëm 8 vite burg për vrasjen e kunatit Agim Visha, i cili vdiq katër ditë pas ngjarjes në Spital Ushtarak.

 

Akuza

 Sipas akuzës, ngjarja për të cilën ndodhi grindja mes të pandehurit Fatos Lika dhe viktimës Agim Visha që ishte kunati i tij, e ka zanafillën në shitjen e një trualli prej 700 metra katrorë në zonën e Linzës, ku Visha ka qenë në rolin e sekserit të shitjes, dhe për të cilën ka pasur pretendime edhe i pandehuri. Visha u qëllua më 4 korrik, në një lokal në vendin e quajtur Lanabregas në kryeqytet, ndërsa humbi jetën 4 ditë më pas në Spital Ushtarak, për shkak të një plumbi që kishte marrë në kokë. Për afro 4 ditë ai ndenji i shtruar në vdekje klinike për të mos u mbijetuar plagëve të marra. Policia identifikoi menjëherë autorin e ngjarjes, i cili ishte shtetasi Fatos Lika, 34 vjeç, burri i motrës së Vishës. Fatos Lika akuzohet për vrasjen me dashje të kunatit të tij, ndërsa përfundimisht do vuajë dënimin prej 8 vitesh burg.

 

Greqi             

Transferimi i të dënuarve nga burgjet greke, Naço takon homologun

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, me ftesë të homologut të tij grek, z. Charalampos Athanassiou, po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë, në Ministrinë e Drejtësisë, Transparencës dhe të Drejtave të Njeriut. Nënshkrimi i një marrëveshjeje dypalëshe me Greqinë për transferimin e personave të dënuar, si dhe informimi për problematikat kryesore dhe gjetja e zgjidhjeve të përbashkëta mbi këtë çështje, ishin temat qendrore të diskutimit. Gjithashtu, gjatë takimit bashkëbiseduesit shprehën interesin e ndërsjellë për nisjen e bisedimeve edhe në nivelin teknik, për të mundësuar lehtësimin e zbatimit të marrëveshjeve që rregullojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit mbi çështjet që lidhen me sistemin penitenciar. Dy ministrat shprehën në këtë takim vullnetin dhe angazhimin e përbashkët për vazhdimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e drejtësisë. Ministri Naço garantoi se e mirëpret vazhdimësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve për sa i përket zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe, ndërsa e vlerësoi si mjaft të rëndësishme ndihmën e dhënë nga Greqia në të gjitha fushat. Në fokus të bisedës ishte edhe reforma aktuale që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë shqiptare në kuadër të forcimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri. Ministri i Drejtësisë së Greqisë, z. Charalampos Athanassiou, vlerësoi se bashkëpunimi i deritanishëm ka qenë i kënaqshëm dhe shprehu besimin në vazhdimësinë e tij, duke i konsideruar të rëndësishme shkëmbimet dypalëshe në nivel teknik. Në vijim të vizitës së tij në shtetin grek, ministri Naço ka zhvilluar një tjetër takim të nivelit të lartë me kryetarin e Gjykatës së Lartë, z. Michael Theoharides. Ministri Naço dhe z. Theoharides kanë shkëmbyer ide dhe mendime lidhur me reformat që do të mundësonin krijimin e një sistemi gjyqësor të drejtë dhe të pavarur, i cili do të ndikonte në forcimin e shtetit ligjor.

 

 

Gjykatë e Lartë

Zaganjori pret delegacionin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

 Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Xhezair Zaganjori, si dhe anëtarë të tjerë të kësaj gjykate, kanë pritur një delegacion të nivelit të lartë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës kryesuar nga kryetari i këtij Këshilli, Enver Peci. Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Zaganjori, shprehu interesimin e tij dhe trupës gjyqësore mbi situatën dhe organizimin e pushtetit gjyqësor në Kosovë, duke u shprehur gjithashtu se gjyqësori shqiptar do të jetë gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar me koleget e mbi të gjitha për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqtarëve dhe mirëfunksionimin e sistemeve përkatëse në Shqipëri e Kosovë. Zaganjori bëri një përshkrim të detajuar të sistemit gjyqësor në vendin tonë duke i njohur miqtë nga Kosova, me mënyrën e funksionimit të pushtetit gjyqësor në Shqipëri dhe të Gjykatës së Lartë në veçanti, veçanërisht pas ndryshimeve të fundit ligjore dhe krijimit të Kolegjit Administrativ. Sipas tij, të dyja vendet ndajnë problematika të përbashkëta sa i takon forcimit të shtetit dhe demokracive përkatëse si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt e të shpejtë gjyqësor në shërbim të qytetarit, në kuadër të përmbushjes së kritereve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Peci, theksoi rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla, të cilat nuk duhet të jenë vetëm të nivelit zyrtar por dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency