Vajza e Yulia Timoshenkos: Evropë, na ndihmo!

0
107

Alba Kepi/ Romë

 

Aktualitet/ Ka mbërritur këtë të premte në Itali, Eugenia Timoshenko, vajza e ish-kryeministres Yulia Timoshenko, e dënuar aktualisht me 7 vjet burg

 

yuliaKa mbërritur këtë të premte në Itali, Eugenia Timoshenko, vajza e ish-kryeministres Yulia Timoshenko, e dënuar aktualisht me 7 vjet burg dhe lidere e opozitës ukrainase. Në selinë e Parlamentit Evropian në Romë, e shoqëruar nga nënkryetari i Parlamentit Evropian, italiani Gianni Pitella, Eugenia Timoshenko ka mbajtur një konferencë shtypi në praninë e medias së huaj e vendase. “Gjendem këtu, – u shpreh ajo, – për të ndërgjegjësuar opinionin evropian për atë çka po ndodh realisht në Ukrainë, kauzën për të cilën populli ka mbushur Sheshin e Pavarësisë në Kiev”.

 

Ka mbërritur këtë të premte në Itali, Eugenia Timoshenko, vajza e ish-kryeministres Yulia Timoshenko, e dënuar aktualisht me 7 vjet burg dhe lidere e opozitës ukrainase. Në selinë e Parlamentit Evropian në Romë, e shoqëruar nga nënkryetari i Parlamentit Evropian, italiani Gianni Pitella, Eugenia Timoshenko ka mbajtur një konferencë shtypi në praninë e medias së huaj e vendase.

“Gjendem këtu, – u shpreh ajo, – për të ndërgjegjësuar opinionin evropian për atë çka po ndodh realisht në Ukrainë, kauzën për të cilën populli ka mbushur Sheshin e Pavarësisë në Kiev”.

Ndërsa agjencitë kryesore te lajmeve qarkullojnë imazhet e një lumi gjaku e të dhjetëra viktimave në Ukrainë, Eugenia Timoshenko thekson të shprehë: “Ajo cka po ndodh aktualisht në Ukrainë, nuk është një luftë civile, nuk është një luftë mes vëllezërve, po një luftë mes fuqisë së një regjimi e popullit të tij. Në rast se nuk ka një ndryshim, protestat do të vazhdojnë. Duhen dëgjuar kërkesat e popullit, duhet një ndryshim politik me zgjedhje të reja e reforma”.

Gjatë orëve të fundit, zëri i Bashkimit Evropian në Ukrainë është bërë më i fortë. Krerët e diplomacisë gjermane, franceze e polake kanë ndërmjetësuar mes qeverisë së Yanukovich-it dhe opozitës, duke drejtuar së fundmi gishtin ndaj tij, si përgjegjës kryesor të kësaj masakre. Nga Brukseli, ministrja e Jashtme italiane Emma Bonino konfirmon vendimin e sanksioneve ndaj të gjithë atyre që kanë shkaktuar këtë gjak: heqjen e vizave dhe ngrirjen e aseteve financiare.

Ndërkohë, në Romë, Eugenia Timoshenko falënderon Evropën për këto vendime: “Është e rëndësishme, – shprehet ajo, – që Evropa të bëjë të qartë peshën e saj kundër një regjimi që ka urdhëruar masakrën ndaj popullit ukrainas. Bota duhet t’i tregojë Yanukovich-it se çdo përgjegjësi e tij do të dënohet”. Pyetjes se mos Evropa u vonua shumë në përgjigjet e saj ndaj ngjarjeve në Ukrainë ajo i përgjigjet: “Sanksionet janë një hap i rëndësishëm, edhe pse këto sinjale duheshin dhënë më parë. Mbi të gjitha duhen sanksione personale ndaj kujtdo që planifikon dhe zbaton përdorimin e forcës ndaj manifestuesve në shesh, kundër kujtdo që urdhëron plumba e vrasje ndaj tyre. Duhen sanksione politike për krerët e këtij regjimi dhe sanksione financiare për bandën e biznesmenëve që rrethojnë Yanukovich-in. Betejën e shoh ende mjaft të rëndë e të vështirë”.

Nga Moska tonet vazhdojnë të jenë të forta e Vladimir Putin i përgjigjet kërkesës për ndihmë të Presidentit Viktor Yanukovich, duke dërguar në Kiev Vladimir Lukin, ish-ambasadori rus në SHBA e sot përfaqësues special i Kremlinit për të drejtat njerëzore. “Mbështetja e Putinit është esenciale për mbijetesën e një regjimi që nuk ka mbështetjen e bazës së tij, popullit. Putin refuzon edhe paktet që Yanukovich kishte provuar të firmoste, dëshiron që kjo luftë të vazhdojë. Regjimi tashmë nuk ka as mbështetjen e as legjitimitetin e popullit. Ne kërkojmë zgjedhje të reja parlamentare e zgjedhje të reja presidenciale. Viktor Yanukovish nuk është më në gjendje të qeverisë vendin e tij”.

Marrëdhëniet popullore me Rusinë në Ukrainë sot nuk janë të thjeshta për t’i analizuar e madje nuk duhen injoruar. Gjysma e popullsisë është filoruse e tek Moska shohin kërthizën e tyre natyrale, madje deri braktisjen e vendit, nëse realizohet largimi nga Rusia, por dhe në këtë çështje Eugenia Timoshenko kërkon ndihmën e Evropës dhe shprehet se “problemi i konfrontimit mes shpirtrave të ndryshëm të popullit ukrainas ekziston, madje edhe tendencat e separatizmit, por e vetmja mënyrë për të administruar këtë proces është rifunksionimi i politikës, për të shmangur luftën civile. Duhen nisur negociatat, duhen zgjedhje të reja për Presidentin dhe Parlamentin. Një qeveri demokratike duhet të mbajë të bashkuar vendin. Evropë, na ndihmo!”

Eugenia Timoshenko është takuar në Romë edhe me kryetaren e Dhomës së Deputetëve në Parlamentin italian, Laura Boldrini. “Këmbëngulja dhe kuraja e Eugenia Timoshenkos, – u shpreh ajo, – janë të jashtëzakonshme. Në një moment kaq dramatik për vendin e saj kjo grua tregon se si duhet luftuar për ideale. Eugenia dhe të gjithë të rinjtë në sheshin e Kievit u kujtojnë qytetarëve evropianë, mes të cilëve rritet çdo ditë e më shumë euroskepticizmi e mosinteresimi nga politika, se projekti evropian është në gjendje të ngjallë entuziazëm e të mobilizojë masa, që tek Bashkimi Evropian shohin një perspektivë për të drejtat dhe zhvillimin. Nga Kievi në Bruksel vjen përgjigjja “Evropa është dhe ekziston, madje për të qenë pjesë e saj, shumë janë të gatshëm edhe për të luftuar”.

Ndërsa vajza e Yulia Timoshenkos ndjek axhendën e takimeve të saj me senatorë e deputetë italianë, vjen lajmi i një pakti të arritur në Kiev mes Yanukovich-it dhe opozitës, për t’i dhënë fund gjakut. Por Eugenia Timoshenko nuk shpreson shumë e paralajmëron se Presidenti Viktor Yanukovich do të përpiqet të ndryshojë letrat në tavolinë e “ndoshta nuk do ta respektojë. Vetëm prania e Bashkimit Evropian, një monitorim konstant i tij, mund të jetë garanci. Le të shpresojmë se është një pakt i vërtetë, i firmosur, një rikthim sa më i shpejtë në kushtetutën e 2004-ës dhe zgjedhje presidenciale brenda pak muajsh”.

Duke përfunduar takimin e saj me mediat, Eugenia Timoshenko nga Roma kujton se nuk duhet harruar reagimi i Moskës: “Sa herë i afrohemi Evropës, – përfundoi ajo, – rinis reagimi i Moskës. 15 miliardët e premtuar Ukrainës nuk janë derdhur ende e nuk besoj se do të mbërrijnë më. Mënyra e vetme për t’u bërë ballë rusëve është vënia para zgjedhjes së popullit; zgjedhje të parakohshme e brenda një kohe të shkurtër, reforma në Kushtetutë me një fuqi të vërtetë të Parlamentit, kundërhelm i manovrave të kryera nga Viktor Yanukovich”.

 

 

Evropa nuk duhet të heqë dorë nga Ukraina

  Sanksionet e BE-së janë një shenjë e ujdisë, por ato nuk do të kenë një ndikim praktik. Çelësi për zgjidhjen e krizës qëndron në Moskë, komenton Bernd Riegert.

 

Bashkimi Evropian vërtet ka shumë pak mjete për të detyruar Presidentin Yanukovich të ndryshojë udhë. Sanksionet, që u miratuan, janë thjesht gjilpëra për qarqet qeveritare. Ende nuk janë bërë të ditur emrat e personave të prekur nga sanksionet. Pritet që përgjegjësve, që veprojnë në hije dhe miqve të Yanukovich-it t’u ndalohet udhëtimi në BE dhe t’u bllokohen kontot jashtë vendit. Për shkak të shumë viktimave në Maidan, mini-sanksionet duken shumë të pafuqishme. Ato janë thjesht një simbol diplomatik. Një simbol për opozitën demokratike ukrainase, se BE nuk i lë ata në baltë.

 

Evropianët duhet të negociojnë

Ministrat e Jashtëm i japin me këtë mbështetje tre ndërmjetësuesve të nivelit të lartë (Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Polonisë, shën. red.), të cilët përpiqen për një zgjidhje paqësore të konfliktit të përgjakshëm. Pozitiv është fakti që Yanukovich ende negocion me BE-në. Po luan presidenti ukrainas me kohën, do të lodhë palët apo do vërtet një zgjidhje paqësore të konfliktit? E ka humbur ai kontrollin mbi forcat e sigurisë, trupat speciale, apo provokatorët? Në Ukrainën perëndimore përfaqësuesit e qeverisë dhe policët kanë kaluar në anën e opozitës. Diplomatët e BE-së i tremben një shkallëzimi të ri të situatës, luftës civile apo ndarjes së Ukrainës në një pjesë proruse dhe proevropiane.

Në këtë situatë dramatike evropianët duhet të vazhdojnë negociatat. Tre ministrat e Jashtëm mund të qëndrojnë edhe më gjatë, ata nuk duhet të lejojnë të mënjanohen.

 

Figura kryesore – Vladimir Putin

Por një zgjidhje e vërtetë e konfliktit nuk do të negociohet apo vendoset në Kiev. Për këtë duhet Rusia. Moska ka dalë në anën e Yanukovich-it, i bën presion atij të veprojë. Në rast se nuk ndalen demonstratat në Maidan, nuk ka para nga Rusia. Kështu Presidenti Yanukovich, që drejton në një shtet gati të falimentuar, ndodhet me shpinë pas muri. Evropa dhe SHBA duhet të përpiqen të ndikojnë tek Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili shfaqet si car i paqes në Soçi, ndërkohë që në Ukrainë derdhet gjak.

Kancelarja Merkel e ka bërë hapin e parë, ajo i ka telefonuar ndërkohë Presidentit Putin, por Putini, të cilit duket se i ka hyrë në qejf loja gjeopolitike e shahut me evropianët, nuk do të ndikohet nga fjalë të bukura e të pambukta. Rusia kupton më shumë gjuhën e ashpër apo më mirë, presionin ekonomik. BE është një partner i rëndësishëm tregtar dhe klient energjetik i Rusisë. Këtu duhet të gjejnë evropianët levën lëvizëse, po qe se bien në ujdi. Presidenti Putin mund të ketë po ashtu frikë, frikë që shkëndija e Ukrainës mund të kalojë në Rusi. Edhe Putini qëndron në pushtet me zgjedhje, që supozohen si të manipuluara, me media të kontrolluara dhe një aparat represioni të fuqishëm.

 

Evropa, Rusia dhe Ukraina

Demonstruesit ukrainas nuk duhet të përdoren në këtë lojë gjeopolitike si mish për top. Evropianët nuk duhet të lejojnë të luhet edhe një herë një variant i ri i Luftës së Ftohtë. Ata duhet t’ia bëjnë të qartë Putinit se ai nuk mund të fusë Ukrainën kundër dëshirës së njerëzve brenda perandorisë ruse. Një asocim me BE-në dhe një anëtarësim në zonën e tregtisë së lirë ruso-euroaziatike mund të funksionojnë njëherazi dhe nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Nuk duhet të ketë si në kohën e Luftës së Ftohtë vetëm një alternativë dhe asnjë tjetër.

Janë miope akuzat se BE i nënvlerëson zhvillimet në Ukrainë dhe nuk e ka marrë seriozisht marrëdhënien me Rusinë. BE ka ofruar mundësitë që ka: Bashkëpunim ekonomik dhe ndihmë në reforma. Lidhja evropiane e shteteve nuk mund të reagojë si Putini, që ka obsesion pushtetin dhe tendenca autokratike. Tek Ukraina do të kuptohet nëse dhe si Rusia dhe BE do të mund të jenë partnerë në të ardhmen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency