Toponimet/ Venizelos – Bushati: Çështje teknike, që do të zgjidhet sipas praktikave ndërkombëtare

0
135

Gëzim Saliu

 

Zv.kryeministri grek: Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për në BE brenda 6-mujorit. E drejta ndërkombëtare do të na japë zgjidhje të shpejtë për të gjitha çështjet, si tokësore dhe detare

 

konferenca venizelos, bushatiÇështja e toponimeve nuk është politike dhe zgjidhja e saj do të vijë vetëm përmes zbatimit të praktikave ndërkombëtare. Edhe pse realisht asnjë hap përpara nuk u shënua dje nga takimi i përbashkët mes dy ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati e Evanegelos Venizelos, palët bënë të ditur në konferencën për shtyp se kanë rënë dakord në parim për të konsoliduar çështjen e toponimeve si një çështje të karakterit të qartë teknik. “Do të punojmë shumë shpejt e në mënyrë produktive, që t’u japim zgjidhje problemeve që kanë lidhje me njerëzit dhe me lëvizjen e tyre të lirë. Me kënaqësi vura re deklaratën e z. Bushati, se në çështje të tilla, si ajo e toponimeve, nuk ka dimension politik dhe asnjë paragjykim, por ka një respekt të plotë, sa i përket sovranitetit territorial dhe marrëdhënieve dypalëshe. Pra, kemi një bazë të shëndoshë politike, mbi të cilën mund të zgjidhim këtë problem teknik, sipas praktikave ndërkombëtare”, – deklaroi Venizelos. Në të njëjtën linjë me të, kryediplomati shqiptar theksoi se kjo çështje do të adresohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të zbatueshme në këtë fushë. “Kemi vendosur planin bilateral për të vazhduar një proces konsultimesh dhe diskutimesh edhe më të thella që nuk mbetem vetëm në nivele të takimeve të larta, proces konsultimesh që neve besojmë se do na çojnë drejt zgjidhjesh të plota për çështje, që ende nuk kanë marrë adresimin e duhur”, – pohoi Bushati. Çështja e toponimeve, e cila ka qenë një ndër tri problematikat kryesore mes dy vendeve, ka të bëjë me të gjithë ata qytetarë shqiptarë që jetojnë në Greqi, por që pengohen të lëvizin, pasi kanë në pasaportë vendin e lindjes të shkruar në gjuhën shqipe.

 

Statusi

Në daljen e përbashkët publike me homologun shqiptar, ministri i Jashtëm grek theksoi se Athina do të garantojë që brenda 6-mujorit të saj të kryesimit të Presidencës së Bashkimit Evropian, Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. “Një nga përparësitë e Presidencës greke është t’i jepet statusi i vendit kandidat për në BE deri në fund të 6-mujorit të Presidencës greke. Greqia ishte pro dhënies së statusit që në dhjetor dhe të dyja vendet jemi të vendosura të bashkëpunojmë që të arrihet ky objektiv. Shqipëria është në NATO dhe perspektiva evropiane është diçka që na intereson të dyja vendeve, si element stabiliteti në Ballkan, por edhe si çështje që lidhet me partneritetin strategjik që na lidh së bashku”, – deklaroi Venizelos, i cili bëri të ditur se në fund të prillit do të zhvillohet mbledhja e ministrave të Jashtëm të 28 vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për të ringjallëruar të ashtuquajturën “Axhenda e Selanikut 2014”, duke pasur objektiv futjen në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, në mbyllje të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, ministri grek Venizelos, gjatë një konference të mbajtur në Qendrën e Informimit të BE-së, shprehu bindjen se objektivi i Presidencës greke të BE-së është stabiliteti në rajon. “Stabiliteti rajonal është vullneti ynë. Ne shprehim vullnet për integrimin evropian për gadishullin”, – theksoi zv.kryeministri e njëkohësisht ministri i Jashtëm grek, Venizelos.

 

 

Në Presidencë

Nishani me zv.kryeministrin grek: Integrimi në BE, interes kombëtar strategjik

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti dje në një takim zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Evangelos Venizelos, ku deklaroi se integrimi në BE përbën një interes kombëtar strategjik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë kontekst, kreu i shtetit e siguroi Venizelosin për vendosmërinë e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në vazhdimin e reformave të nevojshme për arritjen e standardeve, duke nënvizuar gjithashtu angazhimin për bashkëpunim të plotë me Presidencën greke dhe gjithë institucionet e partnerët evropianë në synimin e përbashkët për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Më tej, Nishani shprehu besimin në angazhimin e Presidencës greke për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në qershor 2014, ndërsa vlerësoi objektivat e, në mënyrë të veçantë, bashkëpunimin e Greqisë dhe Italisë për shpalljen e vitit 2014 si “Vitin e Mesdheut”. Duke vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe si shumë të rëndësishme për integrimin evropian të Shqipërisë dhe për rajonin, kreu i shtetit u shpreh optimist në një afrim dhe zhvillim të shpejtë të bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve dhe popujve, bazuar në vullnetin dhe angazhimin praktik konkret për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si edhe në objektivat e përbashkëta. Ndërkohë, nga ana e tij, Venizelos pohoi se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe se Greqia do të vazhdojë mbështetjen e saj dhe përpjekjet diplomatike me partnerët evropianë për të arritur këtë objektiv në qershor. Kryediplomati Grek nënvizoi se midis dy vendeve ka arsye historike e sociale dhe një bazë ekonomike solide për forcimin e marrëdhënieve, ndërsa mbetet që politikanët të vazhdojnë të zbatojnë politikat e duhura në mbështetje të zhvillimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Në lidhje me qasjen rajonale të vendit të tij, zv.kryeministri grek u shpreh se Athina i gëzohet dhe mbështet fort dialogun Beograd-Prishtinë, duke veçuar se ka një plan ambicioz bashkëpunimi dypalësh mes Greqisë dhe Kosovës.

 

 

Takimi

Basha: Duhet konsensus për çështjet themelore të demokracisë. Venizelos: Vlerësoj rolin e PD-së

 Qeveria nuk ka të njëjtin vullnet për integrimin evropian, në të kundërt ajo po ndërmerr hapa që bien ndesh me këtë prioritet kombëtar. Kështu deklaroi dje kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Evangelos Venizelos, në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri si kryesues i Këshillit të Bashkimit Evropian. Pasi e falënderoi Venizelosin për mbështetjen që Greqia i jep Shqipërisë në projektin e anëtarësimit në BE, Basha i shprehu atij qëndrimin e palëkundur të Partisë Demokratike në mbështetje të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE nga Shqipëria, si dhe për avancimin e mëtejshëm në hapjen e negociatave. Kryedemokrati e njohu zv.kryeministrin grek “me pakënaqësinë mbarëpopullore për veprimet antikushtetuese e antiligjore qe qeveria dhe mazhoranca po ndërmarrin çdo ditë, duke kulmuar me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për “Nëpunësin civil”, goditjen ndaj institucioneve të pavarura, shkeljen e konsensusit për çështjet madhore të lidhura edhe me integrimin e vendit”. Në këtë kontekst, Basha i bëri të ditur kryediplomatit grek hapat e qeverisë për ndërhyrje të njëanshme në reformën zgjedhore të kamufluar nën petkun e reformës territoriale “si dhe fushatën e paprecedentë të sulmit ndaj opozitës, si dhe minimin e konsensusit gjithëpërfshirës dhe dialogut, që po përvijohet si shtyllë kryesore e akteve dhe retorikës së kësaj mazhorance, duke u larguar nga prioritetet dhe nevojat që shqiptaret kanë përcaktuar tashmë prej dy dekadash, siç është liria, konsolidimi i demokracisë, shteti ligjor dhe integrimi në BE”. Nga ana e tij, ministri Venizelos vlerësoi opozitën shqiptare si faktor themelor të demokracisë në vend dhe përgëzoi Partinë Demokratike për rolin konstruktiv dhe të përgjegjshëm që po dëshmon tashmë si opozitë në Shqipëri, duke veçuar mbështetjen e rëndësishme që po i jep të gjithë procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ministri i Jashtëm grek theksoi se roli institucional i opozitës duhet respektuar, plotësisht siç e kërkojnë standardet e demokracisë dhe traditës së qytetërimit evropian, sikundër duhet respektuar pa asnjë ekuivok shteti ligjor dhe parimet themelore te tij. Ai u shpreh më tej se praktikat evropiane duhen pranuar dhe respektuar, në veçanti konsensusi për çështjet dhe reformat themelore të vendit. Po ashtu, në takimin e djeshëm u konfirmua vendosmëria dhe angazhimi për të mbështetur zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh midis të dyja vendeve në të gjitha fushat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency