Tirana ose kryeqyteti me histori të falsifikuar

0

Speciale/ Emri i kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë, vazhdon të interpretohet me shtrembërime e gabime të mëdha të realitetit historik

Loading...

 

 Xhevat Ukshini

Ndoc Selimi

 

tirana e vjeterPër fat të keq, edhe në literaturën europiane e më gjerë deri në ditët tona ende qytetin e Tiranës e njeh si një qytet që qenka themeluar nga një shqiptar i turqizuar i quajtur Sulejman Pashë Bargjini prej Mulleti. Si depërtoi në literaturën evropiane ky version historik për themelimin e Tiranës? Edith Durham, pasi njihet me historinë e këtij qyteti, që ia servirën vendasit, thotë: “Tirana është themeluar më 1600 nga një bej i pasur, i cili i vuri këtë emër për kujtim të një fitoreje të turqve në Teheran të Persisë” (E. Durham “Brenga e Ballkanit” f. 92). Sipas kësaj servirjeje, emri Tiranë na del i ardhur prej Irani si derivat i këtij qyteti, gjë që është absurde dhe plotësisht e pavërtetë. I njëjti shpjegim i emërtimit është shkruar edhe te “Enciklopedia Evropiane”, botimi italisht, ku thuhet: “Tirane da Teheran, nome che le diede, quando la fondo al principio del secolo XVII, il generale turco Suleyman Pascià…” (“Albania” botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, 1965, f. 390).

Gjithashtu, deri në ditët e sotme i mëshohet një legjende tjetër sikur në bregun e Lanës po “tirej ranë” si me thanë po hedh ranë, gjë që edhe kjo nuk ka asnjë bazë shkencore. Pa themel më duket edhe interpretimi tjetër sikur ky vend u popullua prej të ardhurve nga malet e shpjegohet me “të ranët”, të zbriturit në fushë.

Së fundi është hedhur edhe një ide tjetër, që toponimi Tiranë vjen prej një kalaje me emrin Trikan të përmendur nga Prokopi (shek. VI), që shkruesit e tanishëm e lidhin me Tyros që në greqisht do të thotë bylmet (Theranda).

Le t’i japim disa ide ma të qarta këtij toponimi, duke u nisur nga literatura jonë dhe ajo botërore.

E quajmë të pamundur që emri Tiranë të jetë pagëzuar nga S. Pashë Bargjini, pra të jetë huazuar prej emrit Teheran, sepse Tirana ka një histori shumë më të lashtë. Në qoftë se është e vërtetë se jeniçeri S. Bargjini u kthye në shekullin XVII në vendlindjen e tij si pasha turk dhe bëri disa ndërtime, ky fakt nuk dëshmon asgjë për themelimin e qytetit. Emrin Tiranë e përmend Marin Barleti mbi 14 herë te “Historia e Skënderbeut” qysh në shekullin XV, duke evidentuar faktin se kishte dy Tirana; e Madhja dhe e Vogla (shiko faqet 28, 32, 47, 214, 217, 220, 231, 234, 250… e deri te 480, M. Barleti “Historia e Skënderbeut”, INFOBOTUES, Tiranë, 2005).

Po kështu edhe F. S. Noli në veprën e tij “Historia e Skënderbeut” thotë: “Fortesat e Gjon Kastriotit qenë Kruja, e cila ishte kryeqytet i principatës, Petrella afër Tiranës, Petralba…” (Noli, vep. 4, Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë, Tiranë, 1989, f. 69).

Në faqen 109 të po kësaj vepre, thuhet: “Skenderbeu […] sapo mori lajmin që Ali pasha po afrohej, mblodhi ushtrinë e doli në fushë pranë Kasharit një fshati afër Tiranës Vogël…”

Noli vazhdon më tej duke shpjeguar se “Tirana e vogël ishte afër Krujës. Në këtë vend lindi Justiniani, perandori roman i Bizantit, i cili ndërtoi afro 20 kisha, në Shqipëri të Mesme” (po aty f. 107). Noli citon Biemmin, i cili thotë: “Ushtria turke e tërhoqi rrethimin në Fushën e Tiranës, tetë milje larg Krujës…” Para Barletit, Biemmit dhe Nolit, përmendet edhe në kadastrat e Venedikut më 1418 vendbanimi i emërtuar Tiranë.

Në rranzë të Dajtit, në anën e majtë të lumit dhe Grykës së Tujanit ngrihet një kala me të njëjtin emër, Kalaja e Tujanit, që sipas studiuesve i takon shekullit IV para Krishtit dhe ishte si një portë hyrëse për korridorin Durrës – Tiranë – Dibër. Shtjellimi i toponimit Tujan na çon deri në kohën e etruskëve. Në “Dizionario Illustrato della Civiltà Etrusca” (f. 304) të Mauro Cristofanit thuhet: “Është një hyeni etruske e barabartë me Afroditën greke e Venerën romake. Mund të ketë edhe një rrënjë paraelene e quajtur ‘tyrannos’, ‘Tiranno’ (që vërtetësisht ka prejardhje ilire, shën. im) dhe sinjifikohet si thjesht me “signora” zonjë. Kjo hyeni është nderuar qysh 480 vjet para Krishtit dhe ka pasur një përhapje të jashtëzakontë në Iliri e gjetk, madje është krijuar edhe kult për të. Këtë e vërtetojnë edhe shumica e kishave me këtë emër. Jo rastësisht një e teta e kishave të vendit tonë kanë marrë emrin e Venerandës, që në popull është e Shëna Premtes (Prendes) e deri te emri i përgjithshëm evropian e më andej Ana (Anna).

Po kështu këtë emër e gëzon edhe dita e pestë e javës (venerdì, dita e venerandes te latinët) dhe e premte (e prende, gegnisht) te ne shqiptarët. Tujan ose Turan është hyeni e dashurisë dhe e pjellorisë dhe ishte e martuar me Laran, çuditërisht me një afrimitet me Lana (lumi që përshkon Tiranën).

Duke u njohur edhe me toponimet dhe objektet mbrojtëse dhe të kultit që mbështjellin Tiranën dhe rrethinat dalim në konkluzion se ky qytet e meriton plotësisht emrin “Zonjë” (sinjora) dhe mosha e kësaj zonje është mbi dymijëvjeçare.

Përveç vendit të begatë fushor të lënë nga një gji deti prehistorik, Tiranën e rrethojnë shumë kalà mbrojtëse si Kalaja e Ndroqit, ajo e Petrelës, e Tujanit, e Prezës, e Lalmit, e Dorësit, e Dajtit, e Persqopit etj. (që i takojnë shek. VI të kohë s Justinianit I) e deri

te Kalaja e Krujës (“që ndodhet përballë Tiranës Vogël” – siç thotë Barleti).

Tirana dhe rrethina e saj është e mbushur me emra shenjtorësh të krishterë dhe bëhet dëshmitare e përqafimit të fesë së Krishtit menjëherë pas shpalljes zyrtare të kësaj feje. Kështu, kemi fshatrat Shën Pal, Shën Mëri, Shën Gjergj, Shën Gjin, Përroj i Shën Mëhillit, Qafë-Kishë, Shën Ndoi i Madh dhe Shën Ndoi i Vogël (dy maja shkëmbinjsh), Qafë-Shmark, Fushë-Kishë. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur as mozaikun e Tiranës me vlera të mëdha historiko-arkeologjike në Shqipëri e më gjerë.

 

Si më e përmendura kishë është ajo e Shën Mërisë në Brar, që datohet e vitit 1201. Në këtë kishë, gjatë gërmimeve është gjetur një varr me pesë harqe, që u takon pjesëtarëve të një familjeje me një epitaf dhe mbiemrin Sguro. Të pesë harqet kanë nga një kryq dhe përfaqësojnë pesë të vdekurit e familjes, gjë që e sqaron edhe epitafi në greqisht që thotë: “Kujto o Zot shërbëtorin tënd sevastin Mihal Sguron me bashkëshorten e fëmijët”. Këtu ndodhen edhe 8 varre të tjera të besimit katolik. Sipas specialistëve, Tirana ka vazhduar me këtë rit fetar deri në shekullin XV, kur fillon konvertimi i banorëve të saj në një fe tjetër. Mësuam se ky objekt, i një rëndësie të veçantë, u shkatërrua këtë vit nga punimet ndërtuese të ekskavatorëve.

Pukevili na bën të ditur se “Justiniani rindërtoi Tyranen, Aulonen, Musionin” dhe më tej ai jep shpjegimin se “Tyrana – Turkana, fortesë në Epirin e Ri” (Pukevil, “Udhëtime”, vëll. 1, f. 373).

Në testamentin që Gjon Muzaka u lë të bijve në vitin 1510 thotë: “Karl Topia ishte zot i dy Shkurive, i Fizines dhe Plevishtit në Taransen e Vogël, Kanabi, Forka” (pra Tirana e Vogël, Kërraba dhe Farka – shën.im). (Emanuelo Polito, “I Musachi di Berat” Muzakajt e Beratit, Paris – Leçe – Pergola Mansavium, 1996, f. 126).

Në vitin 1431-32 bëhen disa regjistrime prone nga venecianët dhe rezulton se Tirana kishte 60 qendra të banuara, 1000 shtëpi dhe 7300 banorë. Po ashtu në regjistrin e kadastrës turke të vitit 1583, treva e Tiranës rezulton me 110 qendra banimi, 2900 shtëpi dhe 20 000 banorë.

Të gjitha këto statistika dhe të tjera që ekzistojnë, por mungojnë në këtë shkrim, u takojnë viteve para 1614, që na serviret si vit i themelimit të qytetit të Tiranës.

Duke u kthyer te Sulejman Pashë Bargjini konstatojmë se ai në shek. XVI kishte shkuar jeniçer në ushtrinë turke, ku ai arriti gradë madhore deri te pasha dhe më vonë kthehet në vendlindjen e tij, Mullet. Në këtë vit, më 1614, u jep para një grupi tregtarësh tiranas për të ndërtuar në Tiranë një xhami, një furrë dhe një hamam. Sami Frashëri në “Enciklopedinë osmane (jo shqiptare) të shkencës së përgjithshme” thotë se objektet e ndërtuara prej tij (S. P. Bargjinit, shën. i aut.) “si një trashëgimi përkujtimore e historisë së Tiranës” (Saimir Lolja, artikull “Tirana e lashtë dhe përvjetorët e tij si kryeqytet”, 02/ 2014).

Këto statistika flasin për një popullim të mjaftueshëm edhe për një qytet para se të vinte Pasha Bargjini dhe ndërtimi i këtyre objekteve nga ana e tij u bë për shkak se kishte popullsi Tirana. Ky nuk dëshmon asgjë për themelimin e Tiranës si qytet. Përkundrazi. Fakti se ai paratë për ndërtime ua dha tregtarëve flet më së miri për ekzistencën e mirëfilltë të qytetit, të cilit tani iu shtuan tri objekte që ai deri atë herë nuk i kishte pasur, pra tani e tutje mund të flitet për një qytet me dizajn osman, me xhami e hamam. Në anën tjetër, nuk ka asnjë të dhënë dokumentare që do të tregonte se u bë ndonjë miting, se u përurua fillimi i punimeve, pra asnjë dokument për ndonjë fjalim apo për shpalljen e këtij vendbanimi qyteti i Tiranës.

Sulejman Pashë Bargjini, pra siç shihet, ky pasha turk mbante ende një mbiemër kristian, tregon që i përkiste dikur ashtu si gjithë rajoni besimit të krishterë, por që e kishte braktisur përballë reprezaljeve turke kundër shqiptarëve si vrasjeve, konvertimeve dhe kryesisht deportimeve me forcë. Populli ishte i pafuqishëm të kundërshtonte pushtuesin dhe në fund u detyrua t’i nënshtrohej fatit. Viti 1595, sipas dokumenteve, flet për një shifër shumë të lartë, e cila shkon deri në 200.000 fëmijë që u morën për t’u rekrutuar në trupat jeniçere në luftën e Persisë. Kësaj masakre, siç shihet, nuk ka mundur t’i shpëtojë as djali i ri me emër të panjohur, por që kthehet pas konvertimit me emrin e ri Sulejman.

Pashai Sulejman është një tjetër shembull i mijëra arbërorëve-shqiptarëve, që mbas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, bënë grada në oborrin e Sulltanit o nëpër gardat ushtarake turke, duke i shërbyer shtetit osman si trupa dhe si fe. Një pjesë e tyre, duke harruar prejardhjen shqiptare e duke mohuar fe e atdhe, u rreshtuan në krahun e pushtuesit të venditë tyre e bënë shumë ekspedita në krye të forcave osmane për të nënshtruar popullin e tyre shqiptar, masakruar e poshtuar atë.

Ndryshe nga figurat e tjera me prejardhje ilire të Perandorisë Romake si imperatorë të shtetit romak, të cilët bënë ndërtime, përkrahën dhe ndihmuan njëri-tjetrin në karrierat imperatoriale, duke i dhënë fytyrën evropiane viseve ilire, këtë gjë nuk mund ta themi edhe për karrieristët anadollakë me origjinë shqiptare, të cilët kombit të tyre i sollën vetëm të zeza.

Jeniçeri Sulejman me gradën e pashës nuk u kujtua të hapte ndonjë shkollë, të ndërtonte një rrugë, por solli xhaminë, kultin dhe edukatën fetare turke në zemër të Shqipërisë për ta tjetërsuar identitetin e saj. Dhe 400 vjet më vonë shteti ynë sot për këto shërbime i bën përmendore, i thur lëvdata, ia atribuon themelimin e Tiranës dhe për më tepër nëpërkëmbin faktet historike, lehtë të identifikueshme, kur ia këmbejnë etimologjikisht emrin Tiranës ilire me Teheranin aziatik.

Në vazhdim të shkrimit do të sjell në stil telegrafik disa të dhëna, të cilat tregojnë ritmet e ngadalta të ecjes së qytetit tashmë gjysmanadollak në kohën e mëpastajme.

Dy shekuj me vonë, Tiranën e sundojnë Toptanët, të ardhur nga Kruja. Më 1780 ndërtohet kisha e Shën Prokopit dhe 9 vjet me vonë nis punimet xhamia që edhe sot ndodhet në qendrën e qytetit, e cila qe financuar nga Ethem Beu. Ndërtimi i saj përfundoi më 1821.

Kulla e Sahatit, e lartë 35 metra, ndërtohet më 1830.

Ndër lagjet më të vjetra të Tiranës janë lagjja e Pazarit dhe ajo e Bamit. Kjo e fundit pas vdekjes së Ibrahim Kokonozit filloi të quhej “Vorri i Bamit”, sepse në këtë lagje ishte varri i Ibrahim Kokonozit, por në të folmen tiranase emri i tij Ibrahim fillimisht u ndryshua në Bim e pastaj në Bam.

Sipas statistikave, Tirana më 1703 kishte 4000, më 1909 15.000, 30 vjet më vonë, d.m.th. më 1938, kishte 38.000, kurse më 1945 kishte 60.000 frymë.

Theksojmë se popullimi i Tiranës është bërë sipas periudhave të sundimtarëve jotiranas të këtij qyteti e krejt vendit. Toptani solli në Tiranë krutanët e zonës përreth, Mbreti Zog solli dibranët, E. Hoxha e komunizmi sollën gjithë jugun dhe së fundi ndërrimi i sistemeve solli malësorët e të gjitha krahinave. Dihet që sistemi i mëparshëm nuk lejonte lëvizjen e lirë të popullsisë. Sot Tirana gëzon 830.000 banorë.

Tirana shpallet kryeqytet i Shqipërisë më 8 shkurt 1920, sipas vendimeve të Kongresit të Lushnjës dhe merr statusin përfundimtar më 31 dhjetor 1925.

Deri në kohën e pushtimit italian dhe koncesioneve të dhëna këtij shteti, Tirana kishte zhvillim shumë të ngadaltë. Ndërtimet moderne italiane që shihen sot e kësaj dite u takojnë marrëveshjeve me Italinë, e cila më tepër se për modernizimin e qytetit, interesohej për realizimin e idesë së një bashkimi, përkatësisht aneksimit të saj të mundshëm më vonë.

Me 17 nëntor të vitit 1944, forcat partizane hynë në Tiranë, duke zhvilluar dy ditë beteja me gjermanët në ikje e sipër, ku morën pjesë Brigada e Parë, e Katërta dhe e Gjashta.

Tirana është i vetmi kryeqytet i Evropës Lindore dhe Juglindore që nuk u ndihmua nga Ushtria e Kuqe për t’u çliruar, por që më pas, për fatin e zi të kombit tonë, u inkuadrua në kampin komunist.

Në fund, shtojmë edhe se historianëve tanë dhe shkencës sonë shqiptare i bie detyrë urgjente të iniciojnë përmes ndërhyrjeve në institucionet përkatëse që të bëhen korrigjimet e nevojshme për sa i përket shpjegimit të drejtë të prejardhjes së emrit të Tiranës, pra heqja përfundimtare nga “Enciklopedia Evropiane” e çfarëdo lidhjeje me Teheranin dhe rivënien e identitetit iliro-shqiptar të qytetit mijëravjeçar të Tiranës, sepse kështu ajo sillet në vendin që i takon sipas të vërtetës historike.

Loading...