Prokuroria jep pretencën/ Arratia e Admir Tafilit, deklarohen fajtorë dhe kërkohen 25 vjet burg për gardianët

0
102

Sonja Caka

 

Konkluzionet përfundimtare, Prokuroria zbardh skemën e arratisjes dhe shkeljet e 21 policëve të burgut, 2 prej të cilëve ende nën hetim

 

burgu-i-drenovesGardianët e arrestuar nga policia menjëherë pas arratisjes spektakolare të 7 të dënuarve nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës rrezikojnë të dënohen nga 1 deri në 1 vit e gjysmë burg, ndërkohë që për tre prej tyre masa e dënimit me burg u kërkua të pezullohet dhe të monitorohen për 2-3 vjet nga Shërbimi i Provës. Masat e dënimit u kërkuan dje nga Prokuroria, e cila i ka deklaruar fajtorë 19 gardianët e këtij burg për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa më herët janë gjykuar në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Dy prej gardianëve vazhdojnë të jenë nën hetim nga Prokuroria e Korçës. Avokatët e të pandehurve kërkuan dje nga togat e zeza kohë për të përgatitur konkluzionet e fundit, ndërkohë që do jetë gjykata ajo që do japë verdiktin përfundimtar për 19 të pandehurit. Sipas konkluzioneve përfundimtare të akuzës, gardianët Valdet Brahollari, Ferdinand Belimoni, Margel Rushani dhe Bledi Hysolli janë dënuar me nga një vit burg. Riza spahiu, është dënuar me 1 vit burg e 6 muaj, Luan Liçkollari dënohet me 1 vit e 4 muaj, ndërsa Edmond Spahiu është dënuar me 2 vite burg. Ndërsa dy gardianë të tjerë vazhdojnë të jenë në hetim. Po kështu Prokuroria ka kërkuar të pezullohet dënimi me burg për Altin Sulën dhe dy operatoret gra, Suzana Sejdarasi dhe Luljeta Dvorani; të cilët do të jenë në Shërbim Prove.

 

Akuza

 Para se të kërkonte dënimin për secilin të pandehur, Prokuroria e Korçës ka shpjeguar rrethanat e ngjarjes, si dhe shkeljet e secilit prej punonjësve të burgut të sigurisë së lartë të Drenovës. Me një urdhër të vitit 2010, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka miratuar në zbatim të ligjit skemën e ruajtjes dhe sigurisë së IEVP Korçë, e organizuar me shërbime me turne, të realizuar nëpërmjet shërbimit të regjimit të jashtëm, shërbimit të regjimit të brendshëm dhe shërbimit të informacionit. Shërbimi i regjimit të jashtëm, i cili përbëhet nga përgjegjësi i shërbimit, gjashtë vendroje (pesë prej të cilëve mbi murrin rrethues dhe një tek porta kryesore e hyrjes së institucioni), si dhe dy operatorë të sistemit të monitorimit të kamerave, ndërrohej çdo tetë orë. Shërbimi i vendrojave kryhej i pajisur me armatim. Shërbimi informacionit, në të cilin përfshihej specialisti i informacionit dhe ndihmësi i tij, si dhe shërbimi i grupit të sigurisë, i përbërë nga pesë efektivë, ndërrohej çdo 12 orë, duke filluar në orën 06:30’ deri në orën 18:30’. Shërbimi i kontrollit fizik dhe portës detektore (tuneli) i përbërë nga kontrollori fizik, shërbimet e regjimit të brendshëm, i cili përfshin edhe Sektorin e Sigurisë së Lartë, ndërrohej çdo tetë orë. Shërbimi i observimit, i cili përbëhej nga një efektiv, ndërrohej gjithashtu çdo tetë orë.

 

Pozicionet e punonjësve para dhe gjatë ngjarjes

Më 23.11.2013, në turnin e dytë, që fillon nga ora 14:00’ deri 22:00’, kishin qenë të planizuar dhe marrë shërbimin sipas grafikut: – me cilësinë e kontrollorit fizik, punonjësi i rolit baze Edmond Qarri (tek detektori ose i njohur tuneli); – me cilësinë e operatorëve të sallës operative të kamerave, punonjëset Luljeta Dvorani dhe Suzan Sejdarasi; – me cilësinë e përgjegjësit të regjimit të jashtëm Ardian Lemellari; – me cilësinë e trupës së vendrojës në shërbimin e regjimit të jashtëm punonjësit Valter Gjalpi në vendrojën nr. 1, Spartak Marku në vendrojën nr. 2, Taulant Çibuku në vendrojën nr. 3., Arben Vila në vendrojën nr. 5, Mariglen Nallbati në vendrojën nr. 6 dhe Shpëtim Peronka në vendrojën e hyrjes kryesore për në institucion; – me cilësinë e punonjësve të regjimit të brendshëm në shërbimin e Sigurisë së Lartë, në Godinën A, kati I, përgjegjësi i shërbimit Luan Liçkollari, përgjegjësi i kolonës Gjergji Këllezi, specialist i trupës Altin Sula dhe punonjësit Bledar Kollçinaku për Sektorin nr. 3 dhe Arben Potka për sektorin nr. 4; – me cilësinë e punonjësit të ambientit të observimit shtetasi Artan Larti. Në orën 18:30’ të datës 23.11.2013 kishin marrë shërbimin si punonjës të Zyrës së Informacionit shtetasit Terpo Gjamo dhe Riza Spahiu, përkatësisht me cilësinë e specialistit dhe ndihmësit, ndërsa Shërbimin e Grupit të Sigurisë e kishin marrë shtetasit Valdet Braholli (përgjegjës shërbimi), Ferdinand Bilimani, Sotir Tanushi, Bedi Hysolli dhe Margel Rushani.

 

Hetimi

Pas arratisjes, prokurorët sekuestruan pamjet filmime, ku zbuluan të gjitha veprimet e të dënuarave dhe gardianëve natën e arratisjes. Sipas pamjeve filmike, të gjitha lëvizjet e të dënuarve me “Burgim të përjetshëm” dhe efektivëve të policisë janë filmuar dhe po studiohen nga hetuesit e çështjes. Në burgun e Korçës, sipas prokurorisë, janë 100 kamera sigurie, por vetëm 19 prej tyre kanë filmuar lëvizjet e të dënuarve të sektorit A, që është edhe sektori me siguri më të lartë, pasi ndodhen të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm, ku edhe ishin të arratisurit. Këto pamje tregojnë shkeljen e rregullores së sigurisë edhe nga punonjësit e policisë së burgjeve, që kanë lehtësuar arratisjen e 7 të dënuarve. Sipas rregullores, në orën 15:00 të pasdites të gjithë dyert e qelive duhet të ishin mbyllur, ndërsa nga pamjet filmike ata ishin hapur dhe të dënuarit lëviznin lirshëm në korridorin e sektorit. Në kundërshtim me rregulloren, gardiani i regjimit të brendshëm bën bashkë të dënuarit e sektorit 3 dhe 4, të shfaqen më pas duke u shoqëruar nga një gardian i vetëm, në kohën kur rregullorja thotë që ata shoqërohen minimumi nga 3 efektivë dhe përgjegjësi i informacionit, drejt dhomës së edukimit ku po luanin letra disa të dënuar. Në këtë çast, kur dyert e qelive janë të hapura, nga dhoma e tij del i armatosur me pistoletë në dorë Admir Tafili, ndërsa nga dhoma ku po luhej letra del me armë në dorë Fran Marashi, i ndjekur nga Gëzim Guri që godet kamerën e sigurisë. Gardiani shtrihet përtokë dhe i dorëzon çelësin e portës së regjimit të brendshëm. Duke pasur parasysh rregulloren e burgjeve, hetuesve u është dukur i çuditshëm fakti se si gardiani kishte çelësin, ku me rregullore nuk duhet të kishte ai çelësin e portës. I njëjti skenar vazhdon në disa dyer, deri në portën e madhe, ku gardiani e hap derën sapo sheh kolegun me pistoletë në kokë që kërcënohej nga Tafili. Sipas procedurës, gardiani duhet të shtypte alarmin, por një veprim i tillë mësohet se ka munguar jo vetëm nga ai, por edhe nga dy femrat tashmë të arrestuara, këto të fundit ndodheshin në sallën e vëzhgimit të kamerave të sigurisë. Reagimi i tyre ka ardhur pas 20 minutave, aq kohë sa u është dashur të dënuarve të kryejnë gjithë veprimet, në kohën kur katër gardianët ishin mbyllur në një qeli nga të dënuarit dhe këta të fundit kanë ikur edhe nga rrethimi. Sipas pamjeve të fiksuara, edhe dy policët që ndodheshin në kullën e vrojtimit nuk kanë reaguar në momentin që të dënuarit po prisnin telin rrethues të murit të jashtëm. Aty janë pritur nga dy makina, ku njëra prej tyre kishte targa zyrtare të falsifikuara për të mos rënë në sy dhe më pas janë larguar. Në pamjet filmike rezulton që tre nga shtatë të dënuarit të jenë parë të dalin nga qelitë me armë nëpër duar, konkretisht Admir Tafili, Fran Marashi dhe më pas Gëzim Guri.

 

Prokuroria, masat e dënimit për gardianët

Riza Spahiu, me 1 vit e 8 muaj

Ardian Lemellari, me 1 vit e 6 muaj

Altin Sulo, me 1 vit e 4 muaj, pezullohet dënimi me burg, 3 vjet me kusht

Edmond Qarri, me 2 vjet burg

Spartak Marko, me 1 vit burg

Valter Gjalpi, me 2 vjet burg

Shpëtim Peronka, me 1 vit burg

Arben Potka, me 1 vit burg

Gjergji Këllezi, me 1 vit e 4 muaj

Bledar Kollçinaku, me 1 vit burg

Luan Liçkollari, me 1 vit e 4 muaj

Artan Larti, me 1 vit burg

Valdet Braholli, me 1 vit burg

Sotir Tanushi, me 1 vit burg

Ferdinand Bilimani, me 1 vit burg

Bledi Hysolli, me 1 vit e 6 muaj burg

Margel Rushani, me 1 vit burg

Suzana Sejdarasi, me 1 vit burg, pezullohet dënimi, 2 vjet me kusht

Luljeta Dvorani, me 1 vit burg, pezullohet dënimi, 2 vjet me kusht

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency