Atentati/ Shënjestra, viktima Klodian Ndreca, me precedentë penalë

0
187

Anxhela Tato

 

Policia ka dyshime se Ndreca dhunoi barbarisht një djalë në një karburant në Milot

 Xhaxhai i kushërinjve Prendi: Jemi të tronditur, nuk kemi konflikte me askënd

 

viktima tauland prendiNgatërresa e shënjestrës ose konflikti i viktimës Klodian Ndreca janë dy pistat e hetimit të policisë së Lezhës. Vetëm një ditë pas krimit të rëndë janë marrë në pyetje 10 persona, të cilët mund të kenë dijeni rreth detajeve të ngjarjes, por asnjëri prej tyre nuk ka ngritur dyshime për blutë, duke u lënë të lirë. Gjatë ditë paradites në komisariat janë shoqëruar familjarë dhe të afërm të viktimave, të cilët kanë mohuar në mënyrë kategorike që të kenë konflikte ose kërcënime. Familja Prendi në Pllanë të Lezhës është tronditur, pasi dy djemtë e tyre, Taulanti dhe Aureli, merreshin me dekorimin e oxhaqeve dhe nuk kanë pasur probleme të mëparshme, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kushëririn e tyre, 28-vjeçarin Klodian Ndreca nga Miloti, i sapokthyer nga Italia. Policia e paraqet si person me precedent penal dhe të dyshuar si autor i një ngjarjeje të dhunshme ditë më parë në një karburant në Milot. Aty, një i ri nga Rubiku u rrah barbarisht dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë. Të rinjtë që po udhëtonin me një “Golf”, u qëlluan te ura e vjetër e Milotit, pranë vendit ku banonte Ndreca. Ky dyshohet të ketë qenë dhe objektivi i sulmit shfarosës, në të cilin dyshohet se kanë marrë pjesë dy autorë, por nuk përjashtohet pista e hetimit se objektivi mund të jetë ngatërruar dhe objektiv i atentatit mund të ketë qenë ish-pronari i automjetit, shtetasi me iniciale M. P., i cili dyshohet se ka precedentë penalë në Itali.

 

Rrëfimi i xhaxhait

 Dyert e mortit janë hapur në dy familjet Prendi dhe Ndreca, të cilët janë ende të tronditur nga ngjarja e rëndë, duke mos arritur dot të shpjegojnë pse u ndodhi kjo fatkeqësi. Miq, të afërm rrethojnë të dyja familjet, duke iu gjendur pranë dhe duke i dhënë ngushëllimet për humbjen e dy të rinjve 25 dhe 28 vjeç. Xhaxhai i vëllezërve Prendi i përlotur arrin të thotë që nuk kanë asnjë konflikt dhe nuk e dinë pse ndodhi ky krim. Ai kërkon të arrestohen autorët dhe të vihet drejtësi për këtë fatkeqësi që i mori jetën nipit të tij 25-vjeçar, i cili punonte me djersën e ballit për të mbajtur ekonominë e familjes. “Ngjarja na ka tronditur. Ne nuk kemi pasur konflikt me asnjë njeri. I kërkoj qeverisë “Rama” që të vihet drejtësia në vend”, – thotë Gjovalin Prendi. Ndërkohë është stabilizuar gjendja shëndetësore e Aurel Prendit, i cili ndodhet në spitalin e Lezhës dhe mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën.

 

Ngjarja

 Ndreca dhe vëllezërit Prendi ishin kushërinj dhe kishin shtëpinë 100 m larg njëri-tjetrit. Mbrëmjen e pardjeshme ata kanë qenë duke lozur bilardo në Milot dhe kur po ktheheshin në shtëpi i kanë zënë pritë, pak metra larg fshatit Pllanë të Lezhës ku banonin. Autorët, mendohet të kenë qenë dy, kanë qëlluar me automatik dhe pistoletë dhe janë larguar në këmbë përmes lumit Mat. Nga ana tjetër, policia tha se po heton edhe për një konflikt pronësie në këtë fshat, sidomos për shkak të një guroreje që ndodhet në Pllanë, por nga grupi hetimor nuk janë bërë me dije detaje të mëtejshme. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi të paktën 20 gëzhoja automatiku “Kallashnikov”, të cilat u dërguan në laboratorin e kriminalistikës. Pritet të merret në pyetje edhe Aurel Prendi, i cili ndodhet në spitalin e Lezhës. Pas kësaj ngjarjeje, në Pllanë kanë mbërritur forca të shumta policie, si nga komisariatet e Qarkut të Lezhës, ashtu edhe nga FNSH-ja e Shkodrës. Gjithashtu u ngritën postblloqe të shumta policie në të gjitha rrugët nacionale, pasi dyshohet se autorët e krimit u larguan me automjet. Deri në orët e mesnatës, policia kishte shoqëruar 15 persona, por nuk ka pasur informacion zyrtar për ndonjë të arrestuar konkret.

 

 

“Stafeta”

Zbulohen 307 kg kanabis Lazarati, përpunohej në Korçë dhe trafikohej në Greqi

Operacioni “Stafeta” çon në pranga tre persona për trafik lëndësh narkotike si dhe shpall në kërkim dy të tjerë. Blutë e Korçës kanë arritur që të sekuestrojnë një sasi prej rreth 307 kilogramë e 750 gram kanabis sativa. Operacioni është finalizuar mëngjesin e djeshëm nga Strukturat kundër narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme në fshatin Pojan të Korçës, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 3 persona dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë. Sipas policisë droga u gjet në një banesë në fshatin Pojan dhe të arrestuarit janë Deni Shahini, 34 vjeç, banues në Maliq të Korçës; Aleks Kreshpanji, 44 vjeç, banues në Korçë dhe Gramoz Vila, 43 vjeç, banues në fshatin Libonik. Mësohet se 3 personat e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin transportin e lëndës narkotike nga fshati Lazarat në drejtim të Korçës, ku dhe e përpunonin me qëllim shpërndarjen dhe transportimin e lëndës narkotike për në shtetin grek. Aktualisht policia identifikoi edhe dy persona të tjerë dhe i ka shpallur ata në kërkim me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes kriminale, ndërsa në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 3 automjete, 9 aparate celularë, 800 euro si dhe një peshore elektronike. Nga ana e bluve bëhet me dije se prej pesë muajsh droga kalonte nga Lazarati në drejtim të Greqisë, ndërsa pritet që nga dëshmitë e arrestuarve të zbulohen edhe emra personash të tjerë të përfshirë në këtë rrjet. Lazarati vijon të jetë zona më problematike për të ndërhyrë, e cila është izoluar nga banorët që mbrojë të mbjellat e tyre duke kërcënuar me armë këdo që tenton të afrohet në këtë fshat.

 

 

Peshkopi

Makina përfshihet nga flakët, 2 të plagosur

 Dy persona janë plagosur rëndë pasditen e djeshme në Peshkopi, pasi makina me të cilën udhëtonin ka dalë nga rruga. Ngjarja ka ndodhur në Komunën Merlan, në fshatin Grevë të Peshkopisë, ku automjeti ka dalë jashtë rrugës e më pas ka shpërthyer në flakë. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se të plagosur kanë mbetur Gentian Mehmeti, 29 vjeç, dhe Hektor Dema. Ky i fundit është dërguar në spitalin e Peshkopisë, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërsa 29-vjeçari Mehmeti është transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, pasi gjendja e tij është më e rëndë. Ndërkohë policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Dyshohet se automjeti ka qenë me shpejtësi dhe drejtuesi ka humbur drejtimin e timonit duke dalë jashtë rrugës. Kjo mund të jetë edhe arsyeja e shpërthimit të flakës. Pritet që pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të merren në pyetje dy të plagosurit.

Kundërshtoi policin, nën hetim 3 persona

 Kundërshtoi punonjësit e policisë, procedim penal 28-vjeçarit dhe dy shokëve të tij. Nga ana e forcave të policisë ka nisur hetimi në gjendje të lirë për shtetasit Simon Mitraj, Endri M. dhe Mariglen S. Nga të dhënat e bluve mësohet se ditën e djeshme, në afërsi të Spitalit Ushtarak, kanë kundërshtuar fizikisht punonjësin e policisë gjatë shoqërimit për në komisariat. Në ngarkim të tre të rinjve rëndon akuza e kundërshtimit të punonjësit të rendit.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency