Takimi/ Platini takon Ramën, diskutimi për të ardhmen e futbollit në Shqipëri

0
138

Presidenti i UEFA-s dhe delegacioni takoi dje Kryeministrin Rama dhe presidentin e Federatës, Armando Duka

 Në takim u fol për çështje të cilat prekin të ardhmen e futbollit shqiptar dhe për stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”

 

rama15-570x310-385x150 U njoftua gati një muaj më parë se në Shqipëri do të vinte Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini. Një ardhje që gjithmonë duket e rëndësishme dhe pas së cilës merren gjithmonë vendime të rëndësishme. Presidenti francez pati një takim dje me Kryeministrin Edi Rama me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Në takim u diskutua për disa çështje të ndryshme. U fol për kombëtaren shqiptare, për stadiumin, por edhe për perspektivën e futbollit në vend. Gjithashtu, u diskutua edhe për futjen e sportit nëpër shkolla për t’i dhënë më shumë masivizim. Legjenda e futbollit qe i shoqëruar edhe nga një delegacion që shërbeu në takim. Pas takimit midis palëve, si Kryeministri ashtu edhe Platini, u prononcuan për median. Ishte Rama që u shpreh me konsiderata për ish-futbollistin, duke e konsideruar një mik të futbollit shqiptar. “Është gjithmonë kënaqësi, kur një kampion i madh, një hero i madh i fëmijërisë së shumë prej nesh, rikthehet në Tiranë. Për mua është një kënaqësi e dyfishtë, sepse fati ka dashur, që për shkak të detyrës, ta njoh Mishel Platininë prej kohësh dhe ta konsideroj mik. Është një mik që është vazhdimisht i vëmendshëm për mbarëvajtjen e futbollit në Shqipëri. Sot ne u takuam dhe diskutuam për përgatitjet e sezonit të ardhshëm të skuadrës kombëtare. Jemi të bindur që në shtator do t’i dhurojmë kombëtares sonë një stadium që do të jetë në lartësinë e imazhit që duam për Shqipërinë, në Elbasan”, – deklaroi Kryeministri. Gjithashtu, ai u shpreh edhe për çështjen e financimit të stadiumit, duke thënë se financimi do të vijë si fryt i bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Futbollit. Një stadium që për momentin nuk është në parametrat e duhur për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare. Kryeministri nuk harroi të falënderonte edhe për rolin që Presidenti i UEFA-s ka pasur në zhvillimin e futbollit në vend. “Për këtë arsye, unë dua ta falënderoj Mishelin, sepse është realisht jo vetëm një promotor i mbarëbotshëm i kësaj ideje të madhe të sportit për të gjithë, por edhe një mbështetës i drejtpërdrejtë i iniciativave tona”, – u shpreh Kryeministri. Më pas, foli edhe Presidenti, i cili u shfaq i gëzuar që ishte në Shqipëri. Gjithashtu ai u shpreh se ishte i lumtur për progresin që është bërë. “Jam i kënaqur që ndodhem këtu së bashku me delegacionin e UEFA-s. Jemi të mendimit se sporti i futbollit ndodhet në duar të sigurta, nga Kryeministri dhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Ata janë dy persona që e duan futbollin, njihemi prej vitesh, e di se çfarë duan të bëjnë, e di se çfarë mund të bëhet, e di edhe se çfarë nuk mund të bëhet, sepse nuk është e lehtë për të bërë gjëra të mira. Folëm për stadiumin e ri, diçka që Kryeministri e ka konsultuar së bashku me presidentin Armando Duka e që do të realizohet sapo të jenë krijuar të gjitha kushtet. Stadiumi i ri do të ndërtohet në Elbasan, rreth 40 kilometra nga këtu dhe do të jetë shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ndeshjeve në rang ndërkombëtar. Po ashtu, për krijimin e një vizoni të ri për sportin e futbollit, në Shqipëri, pasi duke filluar nga shtatori, të gjitha ndeshjet në Shqipëri do të ndiqen nga e gjithë bota. Ne të UEFA-s jemi të kënaqur për ecurinë e futbollit këtu në Shqipëri, mbi të gjitha me dy personazhe të rëndësishëm që e duan shumë këtë sport. Edhe basketbollin, por kjo është çështje tjetër”, – e mbylli deklaratën francezi.

 

 

Januzaj nuk zgjedh Kosovën

Përpjekjet publike të Federatës së Futbollit të Kosovës për ta sjellë në Kosovë më 5 mars Adnan Januzajn kanë dështuar. Burime të afërta me lojtarin i kanë thënë të martën mbrëma ekskluzivisht emisionit “Interaktiv” në KTV se Januzaj nuk do të vijë në Kosovë për ndeshjen e parë me Haitin. Ky nuk mund të kuptohet si një refuzim përfundimtar për kombëtaren e Kosovës, por miqësorja e parë historike me Haitin nuk është në planet e 19-vjeçarit. Ai dhe familja e tij vazhdojnë të mbesin të përqendruar maksimalisht që lojtari të marrë më shumë minutazh në ekipin e parë të kampionit aktual anglez, Mançester Junajtid.

 

 

Ujkani iku, por Sadiku qëndron

Menaxheri i kombëtares shqiptare, Alban Bushi, ka theksuar se Samir Ujkani ka zgjedhur Kosovën dhe nuk është ftuar nga Shqipëria për ndeshjen kundër Maltës. Bushi u shpreh se lojtarët tjerë kosovarë do të vazhdojnë të luajnë për kuqezinjtë. Ndërkohë, Bushi ka folur edhe për mbrojtësin Loret Sadiku, për të cilit thuhet se është ftuar nga Kosova për ndeshjen miqësore kundër Haitit më 5 mars në Mitrovicë. “Përveç Ujkanit të gjithë lojtarët e tjerë nga Kosova do të vazhdojnë të luajnë për kombëtaren shqiptare. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë informacion se dikush tjetër mund të largohet nga kombëtarja. Kjo vlen edhe për Sadikun”, – është shprehur Bushi. Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare ka thënë se do të vazhdojnë të grumbullojnë lojtarë kosovarë për grup-moshat e reja. “Ne do të respektojmë çdo vendim të lojtarëve. Do të vazhdojmë të grumbullojmë lojtarë të rinj nga Kosova, siç kemi bërë deri më tani. Nuk frikësohemi se lojtarët mund të largohen. Është dëshira e tyre të qëndrojnë në Kombëtare shqiptare apo jo. Ne jemi gëzuar që Kosovës i janë lejuar ndeshjet miqësore”, – përfundoi Alban Bushi. Kosova më 5 mars do të luajë ndeshjen e parë miqësore zyrtare kundër Haitit, ndërsa Shqipëria do të përballet me Maltën.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency