Takimi me të rinjtë demokratë/ Basha: Sot në shesh si 23 vite më parë

0
117

Florenc Drizari

 

“Shqipërinë si gjithë Evropa do ta bëjmë me rininë dhe njerëzit e lirë”

“ Demokratët nuk do ta tradhtojnë aspiratën e papërmbushur “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”

 

duatrokotjeNjë ditë para protestës së 20 shkurtit në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua mbrëmë në selinë e PD-së me qindra të rinj të sapoanëtarësuar në parti. Nga ky takim Basha ftoi të rinjtë si dhe çdo qytetar që e ndjen veten të papërfaqësuar në vendimet e fundit të qeversjes së majtë, të dalë në sheshin Skënderbej, duke iu bashkuar protestës së opozitës. Kreu i PD-së bëri përgjegjës përfaqësuesit e mazhorancës për refuzimin e statusit të vendit kandidat që iu bë Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, dhjetorin e kaluar.

“Nga sjellja antieuropiane e qeverisë humbëm statusin në dhjetor, dhe prej saj rrezikojmë prapë statusin në qershor. Unë ju garantoj që ne demokratët, nuk do ta tradhtojmë kurrë aspiratën akoma të papërmbushur “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Takimi i djeshëm në PD mes të rinjve dhe kryetarit Lulzim Basha, mësohet se ishte organizuar nga Forumi Rinori i Partisë Demokratike. Në këtë aktivitet të rinjtë nënshkruar kartat e tyre të anëtarësimit, teksa një pjesë e tyre ishin të ulur në vendet ku zhvillohen mbledhjet e grupit parlamentar demokrat. Në fjalën e tij, Basha tha se lidhja mes të rinve që dolën në protestë për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës 23 vite më parë dhe të rinjve të sotëm, qëndron tek dëshira për ta parë Shqipërisë të integruar në BE.

“Dhe lidhja është pikërisht dëshira jonë për ta parë vendin një orë e më parë pjesë të plotë të Europës. Është një lidhje që fillon nga thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, thirrja që ushtoi që në ditët e para të nisjes së demokracisë, të rrugëtimit të saj, thirrja që ushtoi 23 vite më parë në sheshin Skënderbej. Krahas thirrjeve të tjera, thirrja kryesore ishte “E duam Shqipërisë si gjithë Europa”.

Unë besoj se kjo i përfshin të gjitha sepse si europianë të rinj, ju shqiptarët e shekullit të ri, me fjalën Europë nënkuptoni gjithçka që ne duam dhe dëshirojmë për të ardhmen tonë, për të ardhmen e Shqipërisë, për shpresat dhe ëndrrat e çdo shqiptari, pavarësisht prej moshës, dhe kjo për bashkëmoshatarët tuaj, për një brez sipër jush, për prindërit, për etërit, nënat tuaja, pra për gjithë shqiptarët”,-theksoi Basha.

Duke deklaruar se askush nuk e shpërfill dot rininë shqiptare dhe se shqiptarët nuk i harrojnë pretimet e bëra në fushatën e kaluar elektorale, kryetari i Partisë Demokratike ftoi qytetarët të marshojnë në protestën e së enjtes të thirrur nga PD-ja në orën 14:00 në sheshin Skënderbej.

“Shqiptarët nuk gënjehen, se shqiptarët nuk mashtrohen. Se në një kontratë midis të zgjedhurve dhe të zgjedhësve, nëse njëra palë nuk përmbush detyrimet, dhe janë gjithmonë të zgjedhurit ata që kanë detyrime ndaj zgjedhësve, ata duhet të japin përgjegjësi. Kjo është sjellje evropiane dhe këtë sjellje evropiane, këtë qëndrim evropian, këtë paralajmërim evropian do ti japim ne nesër së bashku nga Sheshi Skënderbej dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit, qeverisë, kryeministrit, që bëjnë sikur nuk shikojnë, që bëjnë sikur nuk dëgjojnë në parlament, bëjnë sikur nuk lexojnë vendimin e gjykatave, bëjnë sikur nuk kuptojnë për çfarë e kemi fjalën, kur ne i ballafaqojmë me premtimet dhe angazhimet e tyre, që i kanë shkelur. Kanë shkelur angazhimet përpara qytetarëve shqiptarë si hapja e vende të reja të punës, si heqjen e kontributeve shëndetësore për shërbim shëndetësor falas, për legalizimet që i premtuan falas, e mijëra premtime që i kanë dhënë çdo shqiptari, çdo të riu çdo të reje”,-deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Më herët kreu i opozitës ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesit e PD-së në qarqe të ndryshme të vendit si Shkodër, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Kavajë, Vlorë dhe sëfundmi në Korçë, ku fokusi kryesor i këtyre aktiviteteve ka qenë hapja e strukturave të PD-së për anëtarët e rinj dhe thirrja për t’iu bashkuar marshimit të Partisë Demokratike në protestën e 20 shkurtit.

 

Basha në Korçë

“Në protestë të gjithë ata që u mashtruan për legalizime falas dhe 300 mijë vende pune”

Ndal sulmin dhe revanshin ndaj lirisë, ndal sulmin dhe revanshin ndaj demokracisë

Nga qyteti i Korçës, kreu i PD-së, Lulzim Basha, e quajti një mësim për qeverinë dhe dyshes Rama- Meta “që nuk pranojnë mashtrimin dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit”, mbajtjen e protestës së opozitës këtë të enjte. Gjthashtu Basha në këtë aktivitet, garatnoi të rinjte se PD është dhe do të mbetet garanti i lirisë dhe të drejtave të qytetarëve të fituara 23 vjet më parë.

“Bashkimi i tyre, fuqia e tyre ka një dhe vetëm një domethënie. Gatishmërinë e rinisë shqiptare për tu përballur me antikushtetuetshmërinë, me antiligjin dhe çdo përpjekje arbitrare e arrogante të kësaj qeverie që duke penguar rrugën e Shqipërisë drejt Europës, mundohet të pengojë rrugën e së ardhmes së këtyre të rinjve dhe qindra e mijëra të tjera anembanë Shqipërisë. Partia Demokratike është dhe do të jetë në krahun tuaj për të siguruar që askush s’mund ta bllokojë perspektivën tonë, askush nuk mund t’i zhbëjë projektet tona, askush nuk mund të tallet me shpresën dhe ëndrrën e rinisë së shqiptarëve “, tha Basha.

Kryetari i PD Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve pa dallim bindjesh politike që ndihen të mashtruar dhe të tradhtuar nga kjo qeveri, të bashkohen në marshimin e protestës që nis në orën 14 nga sheshin Skënderbej. Basha theksoi se këtë të enjte, qytetarët shqiptarë do të protestojnë kundër varfërisë dhe pasigurisë, papunësisë, arrogancës dhe paligjshmërisë.

“Nesër do të vijnë të gjithë ata që u mashtruan për legalizimeve falas, që u mashtruan për shëndetësi falas, që u mashtruan për 300 mijë vende të reja pune, dhe që shohin se nuk ka asnjë vend të ri pune, por mijëra e mijëra vende pune janë shkatërruar e dhjetëra mijëra të tjera rrezikohen të shkatërrohen nga politikat pa kokë të kësaj qeverie. Ndaj nesër është dita, vendi, mundësia t’i japim paralajmërimin më të fortë me zërin qytetar të korçarëve dhe zërin e të gjithë shqiptarëve të lirë. Ndal sulmin dhe revanshin ndaj lirisë, ndal sulmin dhe revanshin ndaj demokracisë, ndal sulmin dhe revanshin ndaj votës së lirë, ndal sulmin dhe revanshin ndaj institucioneve të pavarura”,- tha Basha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency