Politika e re fiskale e qeverisë rriti 8% borxhin e brendshëm në 2013

0
187

Ervin Kaduku

 

 

 ­Ndërkohë që ishte në opozitë, mazhoranca aktuale ka protestuar vazhdimisht për heqjen nga qeveria “Berisha” të kufirit maksimal të parashikuar me ligj të këtij borxhi, që ishte në nivelin e 60 përqindëve të prodhimit të brendshëm bruto të vendit

Borxhi publik arrin në 70.43 për qind e PBB-së

 

mbledhje qeverieRitmi jashtëzakonisht i lartë i marrjes së huave, kryesisht në tregun e brendshëm, nga qeveria “Rama” në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, ka sjellë një rritje katastrofike të borxhit publik të Republikës së Shqipërisë. Në fund të dhjetorit të vitit 2013, borxhi publik i qeverisë qendrore vlerësohet të jetë 883.8 miliardë lekë ose 65.08% i PBB-së, duke u rritur kështu me 3.05 për qind krahasuar me fundin e vitit 2012, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave.

Realisht stoku i borxhit në raport me PBB-në e vitit të kaluar është rritur me 4.21%, ndërkohë që një korrigjim në ulje në masën 1.57% vjen si pasojë e rritjes ekonomike të vitit 2013. Borxhi i brendshëm gjatë vitit 2013 është rritur me 2.88 për qind si rezultat i nevojave të politikave për financimin e deficitit buxhetor, ndërkohë që borxhi i jashtëm ka qëndruar pothuajse në të njëjtin nivel si rezultat i pakësimit të disbursimeve gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2013, sipas Ministrisë së Financave.

Duke marrë në konsideratë detyrimet e prapambetura, që janë pranuar tashmë zyrtarisht nga Këshilli i Ministrave, në një nga mbledhjet e veta të fundit, ku është miratuar edhe strategjia për shlyerjen e tyre, të cilat llogariten në shumën 72.6 miliardë lekë, gjendja e stokut të borxhit publik vlerësohet në rreth 70.43% në raport me PBB-në.

Ndërkohë që ishte në opozitë, mazhoranca aktuale ka protestuar vazhdimisht për heqjen nga qeveria Berisha të kufirit maksimal të parashikuar me ligj të këtij borxhi, që ishte në nivelin e 60 përqindëve të prodhimit të brendshëm bruto të vendit. Por,gjatë vitit 2013 shërbimi i borxhit të brendshëm rezulton të ketë pësuar një rritje prej 8 pikë përqindje krahasuar me vitin 2012. Kjo, sipas Financave, për arsye të rritjes së deficitit buxhetor, ndonëse normat e interesit kanë ardhur drejt një minimumi historik.

Ndërkohë, për sa i përket shërbimit të borxhit të jashtëm, rritja e tij është e lidhur me kushtet e huazimit të fondeve me terma koncesionalë. Në dhjetor të vitit 2013, stoku i borxhit të jashtëm vlerësohet të jetë (paraprak) rreth 2,6 miliardë euro, nga të cilat 224 milionë euro i përkasin borxhit të garantuar. Ndërkohë që vlerësimet për borxhin e nënshkruar, por të padisbursuar, arrijnë në 725.5 milionë euro dhe pritet të disbursohet sipas marrëveshjeve me kreditorët në vitet në vazhdim.

Sipas statistikave, portofoli i borxhit të jashtëm vazhdon të ruajë trendin e kompozimit nga tri monedha kryesore (euro, dollarë dhe jen japonez), ku peshën kryesore e mban monedha euro. Përqindja e lartë e stokut të borxhit në euro bën që portofoli të jetë më i ekspozuar ndaj riskut të kursit të këmbimit në një periudhë afatshkurtër.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency