Nota mesatare, 26% të pikëve totale për në universitet/ Formulari A1 publikohet në 25 shkurt

0
145

matura-2014Një maturant, i cili ka mësuar më shumë gjatë tri viteve të shkollës së mesme, do të ketë më shumë mundësi për të qenë pjesë e universiteteve publike. ”Për t’i dhënë më shumë rëndësi dhe peshë punës 3-vjeçare, rezultateve të shkollës dhe viteve të gjimnazit është rritur përqindja e notës mesatare, nga 20% që ka qenë më parë tashmë është bërë 26%. Në udhëzimin e ministres së Arsimit ka dy nocione: nota mesatare dhe pikët mesatare. Nota mesatare është nga dy vite e më tutje, pikët mesatare janë të maturantëve të kësaj gjenerate dhe gjeneratat e tjera, ku te piket mesatare përveç notave futet edhe elementi kredit dhe koeficienti i lëndës me zgjedhje. Përparësitë e sivjetshme janë këto dhe futja e gjuhës së huaj si provim i detyruar D3, por me klauzolën që nuk do të ketë fare ndryshim”, – shprehet specialisti i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Arben Fagu.

 

Formulari A1

Po kështu, specialistët e AKP-së shprehen se është gati formulari A1 dhe do të bëhet publik javës tjetër. Maturantët do të kenë mundësi ta plotësojnë formularin duke filluar nga java e parë e muajit mars. Sipas specialistëve, formati pritet të jetë i njëjtë si formulari A1 i një viti më parë, vetëm do të ndryshojnë detajet teknike. Plotësimi i formularit A1 do të bëhet në shkollat ekzistuese, ku maturantët kryejnë mësimin ose kanë kryer shkollën e mesme. Kandidatët e Maturës Shtetërore 2006 – 2013 aplikojnë për në IALP bazuar në rezultatet e viteve të mëparshme të Maturës Shtetërore, nëse pas verifikimit nga AKP rezulton se: nuk janë shpallur fitues; janë shpallur fitues dhe nuk janë regjistruar; si dhe në rastet kur janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar gjatë vitit të parë akademik, vërtetuar nga dekanatet përkatëse me shkresë zyrtare në AKP. Fleta origjinale e çregjistrimit dorëzohet në AKP para aplikimit me formularin A1Z, në mënyrë që të bëhet i mundur çregjistrimi në sistemin e Maturës dhe ndryshimi i numrit të matrikullimit. Kur studenti vazhdon studimet në vitin e dytë e më tej, ai duhet të marrë paraprakisht miratimin nga MAS për të vijuar procedurat e aplikimit. Kandidatët nuk lejohen të rijapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme, rezultatet janë jo më të ulëta sesa 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë së një herë një lëndë në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i fundit. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këto lënde merren koeficientet e Maturës Shtetërore 2014.

 

 

Nikolla: S’ka më tolerime në maturë

 Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë një takimi me studentët e ekselencës, u shpreh se administrimi i provimeve të maturës do të ndryshojë. Sipas ministres së Arsimit, do të ketë një miradministrim, në mënyrë që çdo maturant të marrë notën që meriton dhe të mos ketë më kopjime masive. “Ne duam të vendosim në rrugë të re jo vetëm komunikimin. Kjo është arsyeja që ne me shumë vëmendje po përsosim edhe këtë maturë shtetërore, paçka se është një vit shkollor që u përgatit nga qeveria që iku. Ju kemi të shtrenjtë si sytë e ballit. Nuk mund të rrimë dhe të shohim kur ju shpreheni të shqetësuar për një proces të keqadministruar, me teste që hapen natën. Ishte një proces i turpshëm. Filluam me masat e para, duke ndryshuar situatën me procesin e realizimit të testit. Po komunikojmë me universitetet që të kemi miradministrim në salla të mëdha në jo më pak se 50 nxënës. Kemi një plan të qartë dhe të detajuar për përzgjedhjen e administratorëve. Do ketë trajnime, përzgjedhje dhe certifikime. Do ketë dënime deri në pezullim nga detyra, në rast se do konstatohen shkelje”, – u shpreh Nikolla. 

 

 

 

Rama: Reformë në maturë, më shumë vend meritës

 Duke folur me studentët e ekselencës, Kryeministri Edi Rama premtoi një reformë të thellë të Maturës Shtetërore. Sipas Kryeministrit, do t’i lihet më shumë vend meritës, në mënyrë që secili të fitojë degën që meriton. “Mund ta themi me plot gojë që kemi një dokument plotësisht të besueshëm për ta ndërmarrë këtë reformë dhe për të filluar të shikojmë vit pas viti efektet pozitive të saj. Ajo që dua të nënvizoj është se kemi nevojë t’i japim shumë më tepër vend meritës dhe të krijojmë shumë më tepër hapësirë për konkurrentët. Duke i dhënë shumë më tepër vend meritës, do kemi shumë më tepër sukses, jo thjesht individual, jo vetëm për ju, por ehe për të tjerë që në sistem motivues janë shumë më pranë suksesit sesa dështimit. Sistemi që kemi sot, është një sistem që nuk motivon suksesin dhe e fsheh dështimin”, – u shpreh Rama. Më tej, Kryeministri përmendi se arsimi duhet orientuar drejt profesionit dhe zanatit. “Nuk ka vend në botë që të konkurrojë Shqipërinë në doktorë shkencash dhe diploma masterash. Nuk mund t’u vëmë nxënësve që së shpejti do kenë maturën e tyre gjithë barrën e një trashëgimie shumë të vështirë. Do ecim në korsinë që të çon në rrugën e zanatit, që do të thotë në rrugën e arsimit profesional”, – theksoi Kryeministri në fjalën e tij.

 

 

 

 

 

 

 

Konferenca

Veliaj: Ulja e papunësisë mund të bëhet nëpërmjet arsimit profesional

 Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinise, Erion Veliaj, gjatë konferencës “Reforma e arsimit të mesëm ekonomik 2009-2013”, u sugjeroi prindërve që të mendojnë edhe arsimimin e fëmijëve të tyre në shkollat profesionale, pasi do të kishin më shumë mundësi për punësim. Duke folur gjatë një takimi për reformën në arsimin e mesëm ekonomik, Veliaj pranoi se shumica e vendeve të punës që ofrohen online përmes faqes përkatëse kërkojnë ata që kanë mbaruar arsimin profesional. Po kështu, ministri i Mirëqenies Sociale përmendi se qeveria shqiptare do të kopjojë modelin e Austrisë për sa i përket arsimit profesional. “Nuk kishte aty asnjë vend për jurist, kërkoheshin ata që kanë mbaruar arsimin profesional. Për këtë unë do t’u thosha prindërve ta mendojnë seriozisht këtë punë në shtator, kur të vendosin për arsimimin e fëmijëve të tyre. Përgjigjja që mora nga Austria, ka të bëjë me politikën. Qeveria shqiptare ka vendosur të kopjojë modelin austriak. Rritja e vendeve të punës si rezultat i shtimit të arsimit profesional”, – theksoi Veliaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency