Sinapset e hiçove

0
151

Elis Buba

 

Nuk të këshilloj mbrëmjen e Tiranës. Është si një shkëmb melankolik, porse gjithnjë e ngurtësuar në shtirjen e avullt të saj. Mbrëmje xhindësh të vegjël që shkëmbehen fshehurazi me të mëdhenj, ndërsa gëlojnë miliona mendje gati murgjish. Ngujuar nëpër shtëpi, këqyrin renë e zezë të fjalëve që rrjedhin prej gojës së atyre, që nuk dinë ta kyçin, nëpërmjet televizorëve, në mendjet tona të shukura.

Nuk të këshilloj vatrën tënde të refleksionit, ndanë mbrëmjes së kësaj perëndeshe të stërndertë. Përmbi të gjitha erret. Ndërsa tingujt e “Sometimes i feel like screaming” nuk kishin rastisur kurrë prushin e shpurpurisur të mërzisë sime, më korrektësisht se sot, duke më sëmurur veshët për të dhjetën herë.

Lexoja më kot, derisa të më talleshin sytë me gjumin, se sipas një testi të organizuar nga EU, të publikuar në faqen web të Bashkimit Evropian, ne shqiptarët renditemi në vend të parë në botë për koefiçentin e inteligjencës.

Andej nga Evropa, ku përmbysen të njëjtat dallgë detare, si edhe në brigjet tona, me siguri nuk do ta kenë hasur shpesh fjalën kopillëk!

Jemi të mprehtë, praktikë dhe funksionalë. Kjo na bën të veçantë. Por këto veti dhe shumë të tjera i vëmë në shërbim të prapësirave dhe të shmangies së rregullave dhe të krijimit të privilegjeve për veten dhe të tjerët rreth nesh. Jemi si macet, na kundërpeshon në shpirt njëqindfish mosmirënjohja. Jemi si macet ne shqiptarët. Kudo të na hedhësh nëpër botë, “biem në këmbë”. E vetmja gjë që pengon e ngërçon progresin, është mungesa e dashamirësisë kundrejt njëri-tjetrit. Pra, ne nuk duam të mirën e askujt para sonës. Egoizmi është shtazë e zhdërvjellët brenda nesh. Në mrekullinë gati elektrizuese të komunikimit dhe komunikimeve, në atë lumë argumentesh dhe kilometra fjalë e retorike tunduese e tronditëse, gjen atmosferën iluzive të së vërtetës dhe të pavërtetës. Ky testim si i kredhur në dhjamë qeni bashkë me ato “pesë palë shpirtra” që e kanë kryer këtë punë, m’i shqyen sytë nga një gëzim gati prindëror…

Si njohës i mirë i vendit tim, si njohës i mirë i njerëzve në të, si njohës i mirë i kohës së shtrëngatës në të cilën po shtyhemi të jetojmë, po ju them se, nëse është inteligjencë kjo që shqiptarët kanë në kokë, atëherë injoranca është vërtet bekim e virtyt, ashtu siç thonë rëndom. Zakonisht nën peshën e kaptinave ku e pacenuar lodron pakujdesia, krijohen sinapset e asgjësë, që përkëdhelin bashkë me sedrën e vetëkënaqësisë dëshirën për të vegjetuar sa më gjatë. Kënaqësia e të bërit asgjë nuk ka të krahasuar. Krisma e rrufeshme e hatërmbetjes kundrejt kritikuesve të radhës është për t’u mos anashkaluar e nënçmuar. Është gjithnjë më e madhe kjo krismë, mes atyre që kënaqësinë e lartpërmendur e kanë nektar e jetë. Pra, është për t’u mos anashkaluar e nënçmuar, nëse duam të krijojmë një ide sadopak të saktë mbi inteligjencën e shqiptarëve. Në çdo cep të rruzullit, një shqiptar do të bënte mrekullira ndoshta. Ndoshta do të arrinte majat. Por diçka si ai nektari që na e ka ënda, e josh secilin të lodrojë jashtë rregullave dhe normave, drejt përfitimit të kollajtë, drejt dukjes, harxheve dhe mendjemadhësive. Jashtë Shqipërisë, është faktuar në mijëra shembuj jo eksperimentalë se shqiptarët kanë atë vetinë e veçantë të maceve, për të “rënë në këmbë”. Në lidhje me këtë që thashë, përjashtimet do të ishin vërtet të pakta. Instinkti që përpin gjërat e vogla aq sa për të mbijetuar, na duhet njohur botërisht, por zbatimi dhe aplikimi i aq njohurive është tejet i bastarduar. Një papagallëk i kapardisur në dëshirë për vëmendje e dukje. Një si plitkë ndizet diku përbrenda dhe nuk na lejon të rrimë gjatë këmbë përmbi këmbë, kur jetojmë jashtë shtetit. U hidhemi në grykë punëve, të çfarëdo lloji qofshin dhe ua dalim në krye. Vetëm kaq mund të bëjmë pra, nëse u përmbahemi rregullave. Mbijetojmë suksesshëm si emigrantë. Jo vetëm duke u përshtatur, por gati duke u asimiluar e njësuar me dhe nga kulturat e huaja.

Në kërkim të gjithçkasë ndodh, jo rrallë, të hasësh asgjënë. Statistikat sot tregojnë se shqiptarët më të suksesshëm, brenda dhe jashtë vendit (nëse suksesin e matim në të ardhura) janë të gjithë të përfshirë në ato që më së shumti etiketohen si punë të pista.

Ky është shembulli ynë. Një popull i tallur, i cilësuar shumëkund si përtac, dorëshpuar, i paedukatë, i pangopur, i palarë, gjithnjë në nevojë, i paskrupullt, për hir të kësaj nevoje, i pashpirt, i pabesë, i pështirë, i pafe, i zhurmshëm, sëmurës. Sokakë të verbuar të unit zbusin dallgët që buçasin tërbimit, kur rrugët i shkallmojnë idiotët, makinat e tyre dhe predhat e anarkisë që i hedhin e i presin gojëçorapët joveprues, jomendues, hamendës antipatikë e hendikapatë të qytetarisë. Hamej burrërie, që nuk e kanë haberin e mallit që ka për objekt hamallëku i tyre. Hiço! Hiço mes turmës së pafundme, bashkë me miqtë e tyre, lumenj zhburrërimi, brenda një guaske rrahjesh e regëtimash mentaliteti filo-fashist, edhe pse i trashëguar nga deje me emërtim komunist. Kolosë kryeneçësie, ujqër kuitës. Dërgues frike e pasigurie të ndjerë shpirtrash e mishrash. Mëkojnë nënat e reja trimëresha (Vetëm kështu mund të quhen ato që bëhen nëna sot). Mëkojnë gjithë fillin e një jete të tillë, si testament i trishtë etërish, buzëve të një fëmije që lodhet së piri.

Vafshin në djall të gjitha paratë që po i kushtojnë këtij mileti kaq shumë andralla. Veç për para bëka gjëmën kjo botë e gjatëvuajtur. Në djall vafshin dorëzanët e tyre, në djall vafshin gëzuesit e tyre, blerësit, shitësit, ngrënësit dhe mbllaçitësit e tyre. Po shtohen si flokët pakënaqësitë, streset shpirtngushtuese, ankthet, rrëketë e të vjellave prej televizorit, në mendjet e shuara para ekranit të ndezur. Hije, zonjë e madhërishme në ngastrat e rralla të truve të shpërndarë mes pornove nëpër celularë, skedinave poshtë tek lagjja, gjobave për t’u paguar. Kemi të ftohtin e skëterrshëm nga pas, ndaj duhet të kapërcejmë të gjitha vaktet e zbrazëtisë, që të mos plasim nga padomethënia e dëshpërimi. Kompromiset e lirisë intelektuale janë hala të gjata, të mprehta dhe të rrezikshme. Flas për individët që kuptojnë mbi të gjitha veten, pastaj të tjerët, pastaj mua. Preferoj aludime të mençura, kundrejt bindjeve injorante. Hakun ia kemi vetes, ndaj më kot përrallisim e vijmë anekënd përqark me gishtat tregues, kanosës e ofendues drejtuar të tjerëve. Kjo zonja kohë po spikat si rreze e përkulur mbi llamarinat e shpirtit tonë, shitur interesave të momentit a momenteve, kur brekulur jemi gjendur gjithë qejf, për ta ngrënë nga mbrapa. Për të na farëzuar e për të firmosur me këtë farëzim shitblerjen tonë. Shuarjen tonë si individë të lirë, të denjë e kompetentë. Gjendemi në një pazar cungjesh vështrues, buzëqeshës, premtues manovrash. Jemi në çark, në një treg përpjekjesh, përqeshjesh, përflakjesh, përqafimesh, përkrahjesh etj., të cilat luhen bukur, fare pranë nesh dhe për të kuptuar hiçin, pozicionohemi më larg. Larg vetes, aty ku edhe vlerat tona s’janë më. Më të cenuar, më të pambrojtur, në kthetra legenësh e bixhozxhinjsh.

Ç’është kjo memecëri kaq e madhe! Edhe emrat më të shquar të fondit të personaliteteve me peshë, kanë harruar atë që i dallon mes personalitetesh të tjera: Artikulimin. Ç’është kjo memecëri, kur gjithnjë e më shumë ndërgjegjësohemi për të vërtetat e këtyre të pafytyrëve që zgjasin tentakulat kudo nëpër sistem? Inteligjencë e cilit lloj është ajo që pjell paskrupulltia e disa biçim qytetarësh, që përmirësojnë jetën e tyre, ndërsa me vetëdije dhe pavetëdije shkallmojnë jetën e të tjerëve? Si është e mundur që gjithsekush kërkon përditë e më shumë metoda e mënyra të mynxyrshme, për të të treguar se të ka në dorë?! Është me të vërtetë kulmi ose pranë kulmit! Është me të vërtetë momenti kur me shpirt të vjen të piskatësh: “Poshtë antihumanizmi!”

Ngurron të guxojë një fill i bardhë mendjendriturie, mes pleshtave të floknajës së lokaleve festues të ç’do gjëje të festueshme në botë. Mikpritës të turli mileti pa dallim ne fetusin e tyre gojerë. Eja pini dasmorë pa nuse. Kështu ju do partia! Karroqe! Mjaft bëmë pyetje mes dërdëllitjesh! Për të ardhmen eja sërish të flasim nesër! Nëse këtu më gjen, eja!

Në çaste fatlumë a fatzezë, hapet e riputhitet prehri vallëzues i një gjakndezësje të bukur. Për linjën femër, brenga bëhet mirënjohje e lodhur, por gjithsesi e jashtëzakonshme. Rilind si një filiz shpresues, aty ku gjen shpërfillshëm gjoja, leverdinë jetëdhënëse. Në këtë skakierë arsyeja pse lëvrijnë figurat, arsyeja pse ekziston vetë loja, është e hollë, si të hollat që hapin kanatet e mundësive.

Një sëmundje e heshtur po robëron mimikën dhe po zgërlaq portretin e bërë shoshë nga shpërthime inati. Nuk e di ndershmërisht se si do t’i vejë filli. Një stërlodhje po kullot shpirtrat tanë, ndërsa rutina na merr në pasinqeritet dhe gangrenë pallavrash.

Kujtoj Tiranën dikur. Si një hije e mefshtë, bëhem nostalgjik, për njerëz që sot vërtet hije janë. Parku “Rinia” lypte vëmendje dikur. Turfullonin brezat që donin Evropë, në atë kohë kur kjo dëshirë qe thjesht një gjest vulgar. U pandeh shpejt shugurimi i monizmit dhe paqja ra mbi kafet 30-lekëshe dhe konjakët 40-lekësh. Dihet, djalli prej gurrës së pashenjtë, shkon për darkë më parë tek i padituri. Ah ky vesi i mermertë i përditshmërisë pa produktivitet. Shporrja një herë e mirë e bonsensit kryeqytetarë dhe thënia bujrum e parazitizmit si mundësi e vetme për tu quajtur me plotë gojën shqiptarë. Kopjacllëku u bë profesion rrafshues, u bë e keqja e mirëpritur e çdo individi. Skandaleve private u ngarkohet potenciali i të qenit të privilegjuar e të rëndësishëm, në suazën e atyre që çmojnë plehrat tabloide. Molusqet që mundën të hanin molusqe të tjera, qenë pikërisht ata që gjendeshin prapaskenave të historisë. Të siguruar për paaftësinë e molusqeve viktima, për të bërë drejtësi bindëse për veten e tyre. Molusqet e dikurshme dolën haptazi si piranjat e sotme.

Më thuaj o qiell, i vetmi që nuk të ngulën themele, gardhe e tela të mprehtë, i vetmi që nuk u paralizove kurrë nga trafiku, i vetmi që nuk u parcelizove për të mbajtur aty varrosur themelet e shtëpive, si u çimentua e u staxhionua lemerishëm ky cinizëm, kjo hipokrizi cingune, mes radhëve tona. Aty ku nuk mban më dheu shtëpi, atu ku nuk ka më truall për varreza.

Shqipëria është Rumania e re për investitorët italianë. Bruno Vespa në Rai.

Mbetemi kokëvarur dhe fukarenj të kahershëm, me më pak se 200 € në muaj. Kaq lirë po shitemi ose, për më saktë, po na shesin. Një si tërbim i heshtur gjëmon në punët e mbaruara shpejtas, e krejt pas shpine, në shkretinë ku të parat mungojnë sindikatat.

Përpara zemëratën e pas befasinë, që përshëndet një vullkan që ia arritën ta shuanin në kraharor të shqipeve. Si është e mundur që studentët shqiptarë janë kaq të urtë? Pse nuk gjejnë askund shembuj për të marrë? A thua kaq vaj t’i kenë punët? Të njëjtën pyetje do të mund ta shtroja për plotë kategori të tjera. Pyetja ç’të bëjmë, nuk është përgjigje. Në rrëmujën me re e pluhur të shoqërisë shqiptare pushtoi angështia, miqësia nuk njihet më, buzëqeshja, kënaqësitë, hareja, gëzimi, në qoftë se nuk gjendet përqark një tryeze. Pra le t’i shqyejmë mishrat e gostisë, të hamë të pimë, të bëhemi tapë dhe nata të marrë të gjitha fajet e dehjes tonë, sepse askush nga ne nuk ka ndërmend të kthehet pas. Sa për ty, gjysmë e sakatuar e marrëdhënies sonë shkrues-lexues, mëso të bindësh bindjen se ka edhe kështu. Siç ka andralla të zeza mbi të bardhën faqe, ka edhe heshtje mes shumë fjalëve. Aty ku ti nuk po përthith domethënie, ka më shumë të shkruar seç përmban boja. Çuditshëm preken më shumë se kushdo tjetër, ata që gjithnjë presin hipotetikisht të sulmohen. I njohin aq shumë mëkate vetes, sa çdo fjale i gjejnë më shumë se dy kuptime. Hiçot që vijnë rrotull. Sakaq unë ndihem pak Jozef K., që nuk kupton pse nuk sprapset nga frika teksa sheh gjakësorët e tij, që siç thoshte Kafka, “në gojë kishin gjithnjë diçka për ta pështyrë, nuk ka rëndësi se ku”.

U ngritëm e hodhëm disa hapa drejt teje Evropë, por disa gishta mesi përhapën panikun si furtunë dhe u penguam. Të shohim kur do të ngrihemi nëse ngrihemi, ç’drejtim do të marrim.

E dua shumë vendin tim. Dua vetëm të mira për këtë vend dhe për njerëzit në të. Dua që liria e individit të mos përkthehet në liri për abuzim. Dua lirinë e individit, të secilit individ, por padiskutueshmërisht brenda normave dhe ligjeve të pranuara nga të gjithë. Më vjen keq që ky vend është bërë për të të ardhur keq. Gjendja aktuale është… Hidh një sy rrotull. Nëse do të isha indiferent dhe do të hiqesha sikur nuk ka ndodhur asgjë, hipokritikisht, atëherë nuk do të isha ky person që jam.

Kaleidoskopi i ngjyrave konformiste shtrëngon në verbim këtë luzmë gjinkallash. Nga inkurajimi i imagjinatës, në kopillëkun e krijimit mizor, gjerdanë bibliotekat, si perde të ngurta prapaskenash, ku mund të gjendet neveritëse, historia e hajthme e së shkuarës dhe e së ardhmes. Kalimthi frenon shikimin ndriçimi i zinxhirit të kotësive, të cilit mesa duket i gjendemi, shpresojmë, në mes. Pas i lamë 100 vjetët e preferuar. Ndrojtja kaloi. Ngordhi nervi i qytetarisë. Tani na dihat pas zverkut solidariteti dhe ortakëria e të paturpëve, të cilëve, me një sarkazëm të guximshme e me dorën e përzemërsisë mbi kraharor, u thënkan të mençurit e sotëm.

A keni menduar ndonjëherë, vallë ku do ta çojnë shpirtin këta njerëz?!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency