Sedorf: Ndaj Atletikos luftojmë si të barabartë

0
134

 Tekniku milanist u shpreh se në përballjen ndaj spanjollëve nuk do të jetë e lehtë, por që ata nuk e shohin veten si inferiorë

 Gjithashtu, ai u dërgoi edhe një thirrje tifozëve, duke u kërkuar ndihmën e tyre për t’i mbështetur në sfidën e San Siros

 

 Clarence-Seedorf-22 (1)Ndeshja midis Milanit dhe Atletiko Madridit do të jetë një nga përballjet e raundit të 1/8 të Ligës së Kampioneve. Kuqebardhët madrilenë po zhvillojnë një sezon fantastik dhe ata shihen si favoritë nga kjo sfidë. Por gjithashtu ne e dimë mirë se Milani në Champions transformohet në ujk të vjetër dhe tregon gjithmonë forcën. Edhe për trajnerin e ri Klarens Sedorf ekipi i tij ka po aq shanse sa madrilenët për të kaluar në fazën tjetër. Në intervistën përpara përballjes ai u shpreh: “Jemi gati dhe të motivuar. Do të përballemi me një skuadër që është në formë të mirë, por kjo nuk na tremb aspak pasi Champions-i është habitati i këtij ekipi. Edhe në vitin 2007 ne ishim duke zhvilluar një kampionat të dobët, por në Ligën e Kampioneve u shpallëm kampionë, prandaj forma e kampionatit nuk vlen në këtë kompeticion. Atletiko ka një skuadër që duhet respektuar, është e fortë, por ka edhe pika të dobëta, që ne duhet të mundohemi t’i shfrytëzojmë në maksimum. Shpresoj që djemtë të zhvillojnë një ndeshje të madhe dhe të mund të tregojnë cilësitë e tyre në fushë”, – u shpreh Sedorf. Sedorf më pas konfirmoi se Kaka nuk është rikuperuar plotësisht dhe është në dyshim për këtë sfidë. “Kjo ndeshje ka një peshë tjetër. Do të përpiqemi të kalojmë turnin edhe pse e dimë që përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë, dhe më shumë mundësi na duhet të luajmë pa Kakanë. Riki nuk është akoma mirë, do të përpiqemi ta rikuperojmë por nëse nuk ja dalim unë e kam në mendje zëvendësuesin e tij”, – deklaroi tekniku i “Djallit”. Pyetjes së gazetarëve se çfarë mendon për Simeonen si trajner, holandezi iu përgjigj: “Diego është duke zhvilluar një sezon fantastik dhe sipas të gjitha gjasave do të bëhet një trajner i madh. I uroj të ketë shumë sukses por jo në sfidën kundra nesh”. Gjithashtu, ai foli edhe për rëndësinë që kanë tifozët në një ndeshje të një rëndësie të tillë. “Është shumë e rëndësishme prezenca e tyre. Shpresoj që të mërkurën në mbrëmje San Siro të jetë i mbushur plotë e për plotë. Do të jetë një mbrëmje e madhe pasi në këto lloj takimesh të sheh e gjithë bota. Dhe për çdo person të qenit në stadium si tifoz apo futbollist në një ndeshjeje Champions-i është një diçka që ëndërrohet që kur je fëmijë”, – vijoi holandezi. Në konferencën për shtyp në prag të këtij takimi përkrah Sedorf ishte dhe Mario Baloteli, i cili deklaroi se dëshiron ta ndihmojë skuadrën për të kaluar në fazën tjetër. Ndër të tjera sulmuesi italian nënvizoi se ai kurrë nuk i ka shënuar skuadrave spanjolle dhe arritja e këtij objektivi është ajo çka e motivon më shumë atë. Milani e ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve në vitin 2007, ndërsa Balo është i gatshëm t’ia marrë dorëzat Kristian Abiatit për ta fituar trofeun këtë sezon. “Unë jam qendërsulmues, por do të luaja edhe në portë për ta fituar Ligën e Kampioneve. Jam shumë i lumtur që mund të luaj. A jam një kampion? Mendoj se jam lojtar i mirë”, – u shpreh sulmuesi i djajve.

 

 

 

 

David Vija: Kujdes nga Baloteli

Sulmuesi i Atletiko Madridit, David Vija, ka paralajmëruar skuadrën e tij ta mbajnë nën kontroll Balotelin. Kjo, pasi ai beson se lojtari mund ta bëjë diferencën. Atletiko nesër udhëton në San Siro për t’u përballur me Milanin në ndeshjen e parë të 1/8-ës së finales së Ligës së Kampioneve. Baloteli shënoi një gol spektakolar gjatë të premtes ndaj Bolonjës dhe ish-ylli i Barcelonës mendon se ai mund ta mposhti edhe skuadrën e tij. “Mario Baloteli është një lojtar që e bën diferencën. Ata kanë shumë lojtarë të mirë të tjerë si Kaka. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Ne duhet të luajmë mirë, jemi kërkues dhe shpresoj të kemi një sfidë të mirë. Duhet ta shikojmë sfidën me modesti dhe të kërkojmë vazhdojmë më tej”, – ka thënë spanjolli për “AS”.

 

 

 

Ronaldo mund ta mbyllë karrierën në SHBA

Kristiano Ronaldo mund ta mbyllë karrierën jo te Madridi, por te Majami. Është Devid Bekam, ai që ka nisur tratativat për ta bindur portugezin që të bëhet pjesë e skuadrës që anglezi ka krijuar në Majami. Projekti i ish-mesfushorit të kombëtares së Anglisë është madhështor dhe ai synon që të nisë fuqishëm aventurën në Major League Soccer kur të fillojë. “Devidi dëshiron të realizojë një goditje shumë prestigjioze dhe më prestigjioz se Ronaldo nuk ka”, – është shprehur një mik i afërt i Bekamit. Mësohet se mes palëve ka pasur një takim kohët e fundit dhe akordi mund të arrihet që gjatë verës së këtij viti. Bëhet fjalë për një kontratë faraonike për lojtarin dhe një kosto e kënaqshme transferimi për Realin e Madridit, i cili do ta mbajë edhe për dy sezone të tjera portugezin. CR7 do të jetë 31 vjeç në vitin 2016 dhe i gatshëm për të provuar një aventurë të re jashtë Evropës, dëshirë që në fakt nuk e ka fshehur kurrë.

 

 

Ançeloti: Bajerni, favorit për triumfin në Ligën e Kampioneve

Karlo Ançeloti beson se Bajerni i Mynihut është favorit për të fituar Ligën e Kampioneve edhe këtë sezon. Bavarezët e fituan trofeun në fjalë sezonin e shkuar si pjesë e një suksesi të trefishtë historik. “Los Blancos” janë ende dëshpërimisht në kërkim të trofeut të tyre të dhjetë, por trajneri italian mendon se të besuarit e Pep Guardiolës janë më të favorizuar për titullin e Champions-it”. “Bajerni i Mynihut luan futbollin më të mirë në Evropë. Ata luajnë si një ekip i tërë. Për pasojë, janë të favorizuarit e Champions-it edhe këtë sezon, për tri arsye. Së pari, ata janë një ekip i fortë me një trajner që e di si fitohet një kompeticion i tillë. Së dyti ata janë kampionë dhe kjo është e rëndësishme. Së treti ata e kanë fituar titullin kampion në Gjermani në praktikë dhe do t’i kanalizojnë burimet e tyre në Ligën e Kampioneve. Mendoj se kjo e fundit është arsyeja më e rëndësishme. “La Decima” është ëndërr për çdo madrilen. Në “Santiago Bernabeu” ne do të mundohemi të luajmë ndeshje të mëdha”, – u shpreh tekniku italian.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency