Një këndvështrim jo totalitar për luftën

0
130

Çelo Hoxha

 

Historia e luftës vazhdon të jetë një patate e nxehtë, të cilën pakkush ka guxuar ta prekë me dorë në këtë 20 vitet e fundit. Mirëpo, duke e vëzhguar nga larg u mungojnë detajet, si këto që vijojnë.

Më 8 shtator 1943, Naxhije Dume i shkroi, midis të tjerash, Enver Hoxhës, për një vrasje: “Në Devoll ku ne mendonim se balli ish dobësuar – ka pak ditë që çeta e ballit aty, ekzekutoi dy elementa t’anët – një komandant njësiti e një tjetër element i pa lodhur për luftën t’onë – këta i ka ekzekutuar për të marrë gjakun e një spiuni të ekzekutuar prej nesh”.

Një muaj më vonë, në një letër nga qarkori i Vlorës (e nëshkruar: Aliu) për KQ të PKSH thuhet: “Javën e kaluar Ballistat e Vlorës bashkë me Gjermanët bënë një pastrim të gjerë në popullin e Vlorës. Këta e bënë këtë gjë për t’u hakmarrë për vrasjen e një ballisti Hazis Sharra, vrasje që ne e bëmë për arrësye gangsterizmi”.

Më 18 tetor 1943, Koçi Xoxe i shkruan Enver Hoxhës: “Ushtrija t’onë pas vet-vrasjes të Safetit [Butkës] dhe pas vrasjes të gjithë Shtabit të Ballit në Devoll, 6 veta në një ditë, prej çetavet t’ona, e shtinë tani një gjendje lufte e të shpallet sot e nesër me Ballin”.

Të tria këto citime, të shkëputura nga korrespodenca e komunistëve gjatë luftës, kanë të përbashkët një fakt: të parët që kanë kryer një krim kanë qenë komunistët, kurse Balli Kombëtar ka reaguar pas krimeve të kryera ndaj tij. Kjo tendencë – që komunistët vrisnin të parët – u ruajt gjatë gjithë kohës, deri në fund të luftës. Në këtë trajektore futet dhe masakra e 4 shkurtit, e cila sivjet u përkujtua si festë, më shumë për të mbrojtur Enver Hoxhën, sesa për nder të viktimave të pafajshme që u vranë atë ditë.

Historianët nuk merren vetëm me pasojat e ngjarjeve, por edhe me shkaqet, e më tej, sa më shumë kontekst të jetë e mundur. E vërteta është se 4 shkurti nuk ishte një sulm politik ndaj komunistëve, por një vepër e kryer nga zemërimi për vrasjen e nipit të Xhafer Devës. Masakra nuk është një vepër që duhet nderuar, por ka disa faktorë që ndikuan në kryerjen e saj: autorët e atentatit ndaj një fëmije, autorët e vrasjeve të një numri qytetarësh, si dhe vetë viktimat. Viktimat mund të konsiderohen të pafajshme, por autorët e atentatit ndaj një fëmije nuk mund të fshihen krejt nga skena dhe gjithë përgjegjësia të kalohet te Xhafer Deva. Nuk duhen lënë jashtë vëmendjes edhe masakrat e tjera të kryera nga komunistët përgjatë 5 muajve të fundit, të cilat kishin krijuar një gjendje të caktuar emocionale në shoqëri dhe autorët e masakrës.

Veç kësaj, më e rëndësishmja është që para se të përkujtohet ajo masakër duhet të verifikohet numri real i viktimave. Asnjëherë nuk është dokumentuar që më 4 shkurt janë vrarë 84 vetë sa është pretenduar nga historianët e diktaturës. Në procesverbalin e Prokurorit të Shtetit, i datës 5 shkurt 1944, figurojnë 10 viktima, trupat e të cilave ishin në morgun e spitalit. Dy prej tyre janë të paidentifikuara. Ky është dokumenti kryesor. Të mendosh se 74 viktima të tjera janë mbajtur të fshehta është marrëzi. Tirana e atëhershme nuk ishte në përmasat e sotme, megjithëse, edhe sot që ajo është rreth një milion, 74 funerale brenda një dite dhe të mos bien në sy janë ca si shumë.

Sidoqoftë, duke u munduar të kujtojnë vetëm këtë masakër, sikur ishte më e madhja gjatë luftës, të majtët e sotëm injorojnë të gjitha krimet e tjera: 185 viktimat e masakrës së Shipskës, e cila u zbulua në fillim të shkurtit 1944; 130 robërit italianë në Orenjë të vrarë në tetor 1943; 65 ballistët e vrarë në Matjan të Lushnjës; 22 banorë të Buzëmadh në Lumë vrarë në verë 1944, djegia e gjithë Starovës së Pogradecit; djegia e Sinës në Dibër, masakër që u përdor për të rënduar Kadri Hazbiun 40 vjet më vonë në gjyqin e tij; vrasjet e panumërta në zonën e Veriut në kohën që kishte mbaruar lufta; shkatërrimet e shumta të pronës private e krime të tjera (gjatë luftës), si për shembull bastisjet e shtëpive në një fshat të Elbasanit, ku partizanët – thuhet në një raport komunist – kontrolluan dhe sëndukët me veshjet e grave.

Politikanët që vazhdojnë ta formatojnë axhendën e tyre politike bazuar në narrativën komuniste të historisë së luftës, veprojnë në dëm të vlerësimit historik që do të ketë veprimtaria e tyre pas dekadash, se një ditë ajo i gjykon të gjithë. Le të marrim një shembull: Koçi Xoxja një kohë vriste e priste si i donte qejfi, pastaj doli armik i partisë dhe familja e tij e kaloi gjysmë shekulli në ferr. Mirëpo, pas rënies së komunizmit, dolën në dritë krimet e Koçit dhe tashmë ai do ta ketë emrin në listën e kriminelëve deri në fund të historisë. Dënimi me pushkatim ishte politik, dënimi me turp është i historisë.

Politikanët e sotëm duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje këtij shembulli. Historianët që mbrojnë ende luftën nacionalçlirimtare si një vepër të shquar janë ose ata që i shërbyen komunizmit ose disa të tjerë – si Paskal Milo – që s’ka shkruar asnjë rresht për historinë e luftës, por vetëm jep intervista. “Tani ka pasardhës dhe historianë të çmendur që duan të përmbysin historinë dhe ne duhet t’i ndalojmë”, – deklaroi Milo në intervistën e tij më të fundit në mbrojtje të Enver Hoxhës (Panorama, 5 shkurt 2014, f. 10). Ai nuk kundërshton argumentet historike, por kërkon ndalimin e historianëve, gjë që mund të realizohet me dy mënyra: ose duke u hequr të drejtën e fjalës dhe botimit, ose duke i ekzekutuar. Këtu duket që ai nuk mbron Enverin, por të ngjashmin: mendjen totalitare.

Lufta, pavarësisht se ç’thonë politikanët e majtë e historianët oralë, është një terren historik i hapur për studiuesit sot e në të ardhmen. Ashtu siç u gjykuan veprimet e “reaksionarëve”, një ditë do të gjykohet dhe veprimtaria e partizanëve, të cilët rezultojnë kriminelë lufte bazuar në ligjin e tyre të 23 janarit 1945, me të cilin ata dënuan kundërshtarët politikë. Enver Hoxha është përgjegjësi kryesor, ka dokumente që vërtetojnë urdhrat e tij ose pasjen dijeni për të gjitha krimet e mëdha të luftës, të cilat i kanë kryer të gjitha partizanët.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency