Komisioni i Ligjeve/ PS e LSI miratojnë ndarjen e fondeve për partitë politike, Frroku kundër

0
120

Florenc Drizari

 

Mark Frroku: Unë i falënderoj këto partitë e mëdha për zemrën e madhe

 Fatmir Xhafaj: Nuk do të ketë shtesa, ndryshon vetëm kriteri për ndarjen e fondeve

 

Mark FrrokuKomisioni i Ligjeve miratoi me shumicën e votave të mazhorancës projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike” të ndryshuar”. Në votimin e kësaj nisme nuk morën pjesë deputetët e opozitës, ndërkohë që i pranishëm në mbledhjen e djeshme ishte deputeti Nard Ndoka, një nga iniciatorët e këtyre ndryshimeve. Kundër këtij projektligji votoi deputeti i Partisë Kristian-Demokrate Mark Frroku. Fillimisht ai i kërkoi kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafajt, nëse këto ndryshime preknin fondet e partive parlamentare apo janë shtesa të reja që bëhen për partitë e vogla. Por, sipas Xhafajt, nuk do të ketë shtesa të reja fondesh dhe se shuma do të ndahet nga paratë e përcaktuara për partitë parlamentare. Me ndryshimet e reja që i janë bërë këtij ligji, partitë joparlamentare, që kanë marrë në zgjedhjet e fundit për pushtetin qendror më shumë se 10 mijë vota, përfitojnë fonde nga shuma e përcaktuar për partitë parlamentare. Më herët kjo nismë ka hasur në debate mes krerëve të partive të vogla.

Iniciatorë të këtij projektligji kanë qenë Nard Ndoka, Taulant Balla, Petrit Vasili, Vangjel Dule, Fatmir Mediu dhe Dashamir Tahiri. Më herët, mes deputetëve Ndoka dhe Mediu ka pasur qëndrime të kundërta lidhur me firmosjen e draftit dhe thelbin e tij.

Mediu ka thënë se projektligji që ka firmosur bashkë me krerët e partive të tjera synon të ulë pragun e nevojshëm të votave për partitë politike, për të përfituar nga fondi publik, dhe jo që partitë joparlamentare të përfitojnë nga 20% i fondit që është caktuar për partitë parlamentare. Kreu i PR-s ka argumentuar se nga 1% i votave të marra në zgjedhjet e kaluara, që përllogaritet me afro 17 mijë vota, të zbresë në 10 mijë vota në mënyrë që të përfitojnë edhe partitë joparlamentare. Sipas tij, ky ka qenë diskutimi që është bërë dhe me kolegë të tjerë përfshi edhe zotin Ndoka.

Por nga ana tjetër, krerët e partive të vogla kanë argumentuar se miratimi i projektligjit të propozuar është një formë që krijon më shumë barazi mes partive politike në raport me votat e marra në zgjedhjet e shkuara. Sipas partive të vogla, ka subjekte që nuk janë në Parlament, por që në koalicion me partitë e mëdha u kanë mundësuar atyre mandat deputeti dhe mospërfitimi i fondeve u cilësua nga ai si e padrejtë. “Ka parti që kanë marrë 7 mijë vota dhe kanë një financim nga shtetit dhe ka parti që kanë marrë 20 mijë vota dhe nuk kanë financim. Pra, pjesa e 20-përqindëshit vendos një lloj barazie. Ndryshimi që ne kërkojmë vendos një standard dhe financon edhe ato parti që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet parlamentare duke prodhuar në koalicionet përkatëse një mandat deputeti”, – ka deklaruar më parë deputetit Nard Ndoka.

Një qëndrim pro këtij propozimi është mbajtur edhe nga deputetët e Partisë Socialiste.

Aktualisht, 70 për qind e buxhetit për partitë politike shkon për grupet parlamentare dhe numrin e deputetëve që ato kanë marrë në zgjedhje, 20 për qind financohet për partitë parlamentare dhe 10 për qind për partitë që kanë marrë 1 për qind të votave në rang kombëtarë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Seanca e djeshme për shqyrtimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 8580, dt. 17.2.2000 “Për partitë politike”, të ndryshuar”, – u shty për në seancën e radhës për mungesë të përfaqësuesve të tjerë që kanë firmosur draftin në fjalë.

 

 Amendamenti i Fatmir Mediut

 Ndryshimi i fondit për partitë parlamentare, duke u ndarë edhe me partitë e tjera joparlamentare që kanë marrë në zgjedhjet e fundit më shumë se 10 mijë vota, ka sjellë pakënaqësi në ato subjekte në koalicion me dy partitë e mëdha, por që janë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.

Më herët, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ka thënë se nga një përllogaritje e efekteve financiare që do të mund të sillte miratimi i ndryshimit, ashtu siç është propozuar, do të rezultonte që të gjitha partive parlamentare do t’u zbritet nga fondi i caktuar vjetor për secilën prej tyre shuma prej 2.261.905 lekësh, ndërkohë që një parti tjetër, e cila nuk është parlamentare, por që ka marrë 10 mijë vota, do të përfitonte në mënyrë të pajustifikuar 3.166.666 lekë. Financimi i një partie të tillë në masën 3.166.666 lekë ndër të tjera do të krijonte dhe një privilegj të paargumentuar përkundrejt financimit gjithsej, që realisht merr një pati politike e cila aktualisht në zgjedhjet e fundit ka marrë rreth 15 mijë vota dhe një deputet dhe ndërkohë që ajo si parti parlamentare fiton 4.130.536 lekë.

 

Vendimi/  “Akti normativ për buxhetin”, Kushtetuesja  pranon të shqyrtojë ankimimin e PD-së

 Eduard Halimi: Akti normativ për të rritur borxhin në kufi historik është antikushtetues

Gjykata Kushtetuese mori dje në shqyrtim ankimimin e Partisë Demokratike për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ nr. 6, datë 4.10.2013 të Këshillit të Ministrave, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2013 “Për buxhetin e vitit 2013”. Në seancë morën pjesë përfaqësuesit e PD-së dhe PS-së, ndërsa nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë. Pas vendimit, ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në një dalje për mediat u shpreh besimplotë se Gjykata Kushtetuese do ta analizojë me profesionalizëm këtë rast. Halimi theksoi edhe një herë se akti normativ i qeverisë për të rritur borxhin në kufi historik është antikushtetues dhe rrezikon ekonominë. “Akti normativ për të rritur borxhin në kufi historik është antikushtetues, vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, të drejtat kushtetuese të qytetarëve për mirëqenie, rrënon ekonominë, prek thelbësisht të drejtën e qytetarëve për një jetë më të mirë, prek thelbësisht pagat e çdo qytetari shqiptar, pensionet, në mënyrë të padiskutueshme të ardhmen ekonomike të vendit. Është ky akt normativ që u mor në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, jashtë çdo logjike kushtetuese për një emergjencë apo nevojë, por thjesht për të marrë para borxh, për ti bërë rrush e kumbulla për zyrtarët dhe zyrat e qeveritarëve. Jemi besimplotë se gjykata kushtetuese do të analizojë me profesionalizëm këtë rast, këtë akt të paprecedentë në historinë 20 vjeçare të gjithë buxhetit në Shqipëri, ku merret borxh në kufi historik jo për investime, por për para për ti bërë rrush e kumbulla”, – tha ai. Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat tha se është me rëndësi që qeveria të kthehet në binarët kushtetues, në mënyrë që vendi të mos rrëshqasë drejt recesionit. “Është me rëndësi të vendoset kushtetutshmëria dhe që qeveria të kthehet në binarët kushtetues, të mos tregohet arrogante me Kushtetutën dhe ligjin, të mos tregohet arrogante me ekonominë e vendit dhe vendi të mos shkojë në recesion dhe greminë siç po shkon çdo ditë, kjo është më e rëndësishme, Kushtetuta është më e rëndësishme”, – përfundoi Halimi. Në kërkesën e saj, 1/5-at e deputetëve të PD-së thekson se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se qeveria është e detyruar të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën konkrete që e kanë detyruar të nxjerrë aktin normativ me fuqinë e ligjit. “Ky detyrim ka karakter formal dhe substancial. Shpjegimin, qeveria është e detyruar ta pasqyrojë në përmbajtjen e çdo akti normativ me fuqinë e ligjit që nxjerr, minimalisht në preambulën e tij. Nga analiza e aktit normativ nr. 6/2013, rezulton që qeveria të mos ketë evidentuar përmbushjen e kushteve të “nevojës” dhe “urgjencës” për miratimin e këtij akti. Në preambulën e aktit normativ nuk evidentohet asnjë rrethanë që të përligjë ushtrimin e këtij funksioni ligjvënës nga ana e pushtetit ekzekutiv. Për këtë arsye, në kushtet e mungesës së “nevojës” dhe “urgjencës”, akti normativ nr. 6/2013 bie ndesh me nenin 101 të Kushtetutës”, – thuhet në ankimimin e PD-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency