Vrasja/ Sherri për mbjelljen e ullirit, ekzekutohet 33-vjeçari

0
145

Anxhela Tato

 

Viktima dhe autori, në konflikt se kujt i takonte mbjellja e ullirit në tokën e shtetit

 Policia: 33-vjeçari u kap mat nga autori dhe 3 kushërinjtë e tij duke punuar tokën me ekskavator

 

 

vrasja lushnjeeeKonflikti për të mbjellat e ullirit i merr jetën 33-vjeçarit, i cili ishte në konkurrencë me fisin Meta. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:00 të drekës, kur viktima është kapur mat nga katër kushërinjtë teksa po punonte tokën me ekskavator për të mbjellë ullinj. Ndonëse toka nuk ishte në pronësi të askujt, i njëjti pretendim ishte edhe nga autorët. Të nxehur me veprimin e 33-vjeçarit, kushërinjtë Meta i kanë kërkuar që të mbyllte gropë dhe të largohej nga toka e tyre. Por viktima ka insistuar se do të vazhdonte me punën e tij, pasi kjo tokë nuk i përkiste asnjërit dhe askush nuk mund t’i hiqte te drejtën që të mbillte ullinj. Por me sa duket kundërpërgjigja e viktimës nuk është pritur mirë nga bashkëfshatari i tij Xhevahir Meta, i cili ka hapur zjarr ndaj viktimës. Nga të dhënat e policisë mësohet se Besnik Dignozi prej kohësh ishte në konflikt me kushërinjtë Meta për një truall toke, që është pronë e shtetit. Vetëm brenda pak orësh policia ka mundur që të vërë në pranga autorin e krimit dhe katër kushërinjtë e tij, të cilët kanë tentuar që të arratisen. Autori i krimit është vënë në prangat e bluve në shoqërinë e kushëririt të tij K. Meta dhe shtetasit Haxhi Skënderi. Ndërkohë që më vonë në Gosë të Kavajës është kapur edhe vëllai i autorit të krimit Caush Meta, i cili ishte prezent në momentin e krimit. Në ngarkim të tij rëndon akuza e bashkëpunëtorit në krim, si një person që ka dijeni për ngjarjen dhe nuk e ka denoncuar atë në polici. E njëjta akuzë do të jetë edhe për personat e tjerë, me të cilët shoqërohej autori në momentin e ngjarjes.

 

Ngjarja

 Ka mjaftuar vetëm pak minuta që Xhevahir Meta t’i drejtonte armën 33-vjeçarit Besnik Dignozi, duke i marrë jetën. Shkaku i vetëm i kësaj ngjarjeje të rëndë, sherri banal se kush do të mbillte ullinj në një tokë pa pronar. Mësohet se viktima dhe autori prej më shumë së një javë ishin në konflikt më njëri-tjetrin. Besnik Dignzoi kishte mbjellë disa rrënjë ulliri, ndërsa pjesëtarët e fisit Meta pretendonin së këto ullinj ishin mbjellë në tokat e tyre. Për kontradiktat e dy fiseve ka pasur edhe denoncime, por që në asnjë rast nuk u gjet zgjidhja. Ndërkohë që dita e djeshme do të ishte hera e fundit e debatit për këtë çështje, për të cilën Xhevahir Meta ka gjetur si zgjidhje të vrasë konkurrentin e tij. Mësohet se viktima është goditur me një armë gjahu nga autori i krimit. Fillimisht Dignozi ka mbetur i plagosur, ndërsa në mungesë të një mjeti transportues atë e kanë nisur me fadromë drejt spitalit të Lushnjës, por 33-vjeçari nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizë mjeko-ligjore, që do të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë që mësohet se autori i krimit ka shfaqur pendesë për çka ka bërë, duke kërkuar falje dhe mëshirë. Sipas tij çdo veprime e ka bërë në nerva e sipër, duke humbur kontrollin.

 

 

Krimi në Greqi

Vrau shokun se refuzoi të pinte, gati kërkesa për gjykim e Prokurorisë

Prokuroria ka arritur të zbardhë një krim të ndodhur në vitin 1999 në Greqi, duke dërguar kërkesën për gjykim në ngarkim të Rakip Koldashit. I arrestuar më 13 dhjetor 2013 në Tiranë, Koldashi akuzohet për vrasjen e shtetasit Besim Tafhasi, vrasje kjo e kryer me paramendim, sipas hetimeve të kryera nga organi i akuzës në kryeqytet. Vrasja ka ndodhur në vitin 1999 në fshatin Sindos në Selanik të Greqisë, ndërsa në dëshminë e tij para hetuesve Koldashi ka pranuar vrasjen, por ka deklaruar se e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Vrasja ka ndodhur në 31 janar 1999 në fshatin Sindos, në Selanik të Greqisë. Një festë fejese e filluar me aheng dhe pije ka përfunduar në sherr për Besim Tafhasin dhe Rakip Koldashin. Viktima Besim Tafhasi ishte prej pak kohësh emigrant në fshatin Sindos, Selanik. Në fund të janarit të vitit 1999, Besimi, së bashku me disa bashkëfshatarë të tij dhe të njohur të tjerë kanë qenë në të ashtuquajturën banesë të shtetasit D. Q. (stalla e shtetasit grek I. Kosta), për të festuar së bashku fejesën e këtij të fundit. Gjatë pijes, viktima u provokua nga i pandehuri Rakip Koldashi, i cili i kërkoi Besimit të pinte sa të tjerët, gjë e cila është kundërshtuar qetësisht nga ky i fundit, duke thënë se “kaq janë mundësitë”. Por kundërshtimi, pavarësisht mënyrës, siç duket, ka fyer të pandehurin, i cili ka qëlluar me shishe birre Besimin, por pa arritur ta godasë. Tafhasi nuk ka reaguar ndaj kësaj sjelljeje, e madje edhe e ka falënderuar Koldashin. Pas kësaj, mes të rinjve ka pasur grindje, e cila është shuar për momentin me ndërhyrjen e shokëve të Koldashit dhe Tafhasit. Por me sa duket, Koldashi nuk ishte qetësuar akoma. Të nesërmen e ngjarjes, rreth mbrëmjes, po në vendin e një nate më parë, grupi i emigrantëve shqiptarë është mbledhur sërish. Mes tyre kanë qenë edhe Rakip Koldashi e Besim Tafhasi, të cilët nuk kanë komunikuar fare mes tyre. Vetëm gjysmë ore më pas, viktima Besim Tafhasi është ngritur për të blerë një paketë cigare dhe ka ecur në këmbë tek dyqani, i cili ishte rreth 200-300 metra larg. Menjëherë pas tij është ngritur edhe Rakip Koldashi, i cili është larguar me motor. “Pas pak çastesh, ata që kishin mbetur në stallë kanë dëgjuar zhurma dhe menjëherë kanë dalë jashtë dhe rreth 100 metra më tutje kanë parë të pandehurin e viktimën, duke u zënë me njëri-tjetrin”, – thuhet në kërkesën për gjykimin. Rakipi, me thikë në dorë, është larguar me të shpejtë me motor në drejtim të paditur. Shqiptarët që kanë mbërritur në vendngjarje kanë ndërhyrë dhe janë nisur së bashku me viktimën drejt stallës, por ky i fundit ka rënë në tokë.

 

 

Arrestimi

I dënuar në Itali për vrasje, pranga 32-vjeçarit

 Sektori për Operacionet Speciale dhe Kërkimin pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë bëri të mundur arrestimin e një 32-vjeçari, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje nga autoritetet italiane. Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi Arlind Allasufi (Ervis Aliu), banues në Tiranë, i dënuar nga autoritetet italiane të drejtësisë me 17 vjet burgim për vrasje. Operacioni për kapjen e tij ka përfunduar rreth orës 18:00 në zonën e njohur si “Komuna e Parisit”, në Tiranë. 32-vjeçari është arrestuar, me qëllim ekstradimi drejt shtetit Italian, ku do të vuajë dënimin për krimin për të cilin është deklaruar fajtor nga drejtësia italiane.

 

 

Aksidenti

Përplaset makina me motorin, 2 të plagosur

 Dy persona janë plagosur rëndë pasditen e djeshme, si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Rubik – Rrëshen. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Kryqëzimi i Munazit, ku një automjet me targa të Kosovës është përplasur me një ciklomotor, duke shkaktuar plagosjen e drejtuesit të këtij të fundit dhe pasagjerit që udhëtonte me të. Mësohet se dy të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit të Rrëshenit, në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa drejtuesi i automjetit, 27-vjeçari Milaim Sylka, nga Rahoveci, është shoqëruar në ambientet e komisariatit të Rrëshenit, deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Momentalisht nuk bëhet i ditur identiteti i të plagosurve, ndërsa ekspertë të policisë po punojnë për të zbardhur ngjarjen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency