Ahmed Izedini

0
154

Chalid al-Chamissi

 

edward_hicks_002_arca_di_noe_1834Ahmedi është një burrë ëndrrash, i pashëm, me tipare të buta në fytyrë, sy të zinj sterrë që të mbërthejnë, lëkurën të ndritshme, si hëna e plotë. Me pak fjalë, ai të kujton një yll kinemaje nga koha e Adel Imamit, Hunaidit dhe të ndjerit Ala Valiajdin. Shpirtin e ka të çmuar prej sinqeritetit dhe përzemërsisë. Prej vitit 2003 është jurist i diplomuar, studimet i ka kryer në Universitetin e Kajros. Në shkencat juridike ishte regjistruar fillimisht për të përmbushur amanetin e babait që ishte ndarë nga jeta, por pas ca kohësh fusha i kishte pëlqyer. Vetëm me lëndët e të drejtës ekonomike dhe financiare nuk po ia dilte dot. Të dyja i kishin mbetur në fyt si një halë që nuk ikën teposhtë sado ujë t’i hedhësh.

Gjatë gjithë kohës së studimeve nuk kishte pasur në mendje tjetër, përveçse: të bëhej prokuror. Në ëndrrat e tij e shihte veten saora si një përfaqësues të suksesshëm të akuzës që lufton për drejtësi. Me vendosmëri po e ndiqte këtë synim, kryet zhytur mbi libra dhe duke marrë notat më të mira, aq sa bashkëstudentët e tij pëlcisnin nga inati. Por veshi i tij mbetej i shurdhër ndaj smirakeqve. Një mbrëmje, ndërsa po vështronte qiellin, nga ku buzëqeshte hëna e plotë, i premtoi të atit që së shpejti do të bëhej prokuror, siç kishte dëshiruar ai.

As edhe një burrë i vetëm nuk e kishte shtyrë gjatë në atë familje të vogël. Babai vdiq, kur Ahmedi sapo kishte mbushur trembëdhjetë vjeç. Pastaj vdiq burri i tezes, i cili kishte marrë rolin e babait pas vdekjes së tij. Tezja, e mbetur vetëm tashmë, meqë nuk kish arritur të bëhej me fëmijë gjatë martesës, ishte dhënë pas tij dhe së motrës. Prandaj Ahmedi përkëdhelej e llastohej nga nëna dhe tezja si gjeli mes pulave. Xhaxhallarë nuk kishte, gjyshërit kishin vdekur para lindjes së tij. „Po të udhëhiqnin gratë”, mendonte Ahmedi, „atëherë bota do të ishte një vend më i bukur për të jetuar. Ama, vetëm” shtonte ai duke qeshur, „të mos jenë të tilla si Kondoleza Reis!”

Ahmedi u diplomua me rezultate të shkëlqyera dhe po vazhdonte me kurajë rrugën drejt ëndrrës së tij. Por nuk ishte i ndërgjegjshëm që diplomimi e katapultonte nga të qenit student, në botën e të rriturve; nga studenti që kryesisht kishte mësuar, ëndërruar dhe dashuruar, në qytetarin që kishte mbushur moshën dhe duhej të zgjidhte logaritmet e jetës. Që do t’i duhej të përballej me gërshetin e pleksur të shoqërisë prej flokësh të pabindur egjiptiano-afrikanë që mund të viheshin nën fre vetëm me marifete, ryshfet dhe mashtrim. Por me çdo goditje që i jepte Kajro, humbiste një copë naiviteti, të cilin ai – njësoj si sytë e tij të mrekullueshëm – e kishte trashëguar pa mëdyshje nga e ëma. Një ditë u zgjua nga thirrja për namazin e mëngjesit, u ngrit dhe shkoi në xhaminë ngjitur. Papritur kuptoi se naiviteti i tij ishte zhdukur. Sikur ishte shkëputur prej tij, ndërsa dilte i përgjumur nga dera e prishur e shtëpisë. I braktisur përfundimisht nga himeni i fëmijërisë, po hynte në një botë të panjohur. Një botë që donte të zbulohej dhe që gati i kërkonte të zgjeronte horizontin e shqisave të tij. Në orën 5:57, i përgjunjur mbi një qilim të vogël pranë kollonatës së djathtë, kuptoi se për të realizuar ëndrrën e tij i nevojiteshin 70 000 Paund për ryshfet. Sikur i ra perdja nga sytë. Befas kuptoi se tërë këto vite si student, me gjithë udhëzimet e miqve të ndryshëm, nuk kishte mundur të shikonte. E vërteta iu shfaq para syve si një zbulim. Me tru të shkundulluar faqe realitetit, dalloi me qartësi të vërtetën e deshifruar të jetës: “Porta e prokurorisë, për ty djalosh, është e mbyllur. Nuk ke këllqe për këtë punë. Prandaj mëso tani, para se të jetë vonë t’i shtrish këmbët sa ke jorganin”.

Pas lutjes së mëngjesit u kthye në shtëpi. Për herë të parë ra në një gjumë të thellë e të qetë, pa ëndrrat e bukura të suksesit që ia kishin vështirësuar jetën.

Pasi kemi bërë gjithçka ishte e mundur, vrarë mendjen dhe provuar sërish nga e para, ne, brezi i ri, shohim si të vetmen rrugëdalje: largimin jashtë vendit. Këtu ku jemi, jemi të marrë fund. Të marrë fund në rrëmujë. Të marrë fund në kaos dhe korrupsion. Nuk ecet asnjë hap përpara. Nuk shohim asnjë dritë në fund të tunelit. Të rrish këtu është njësoj si të nxjerrësh qumësht nga guri. Njëkohësisht kemi mundësi të shohim si jetojnë njerëzit aty jashtë. Ditën në punë. Në mbrëmje dhe fundjavave gëzojnë kohën e tyre të lirë. Me siguri e përditshmja është e vështirë. Por të paktën njerëzit kanë kënaqësi, të ardhura dhe hapësirë veprimi. Përkundrazi, jeta këtu në Egjipt duket kështu: asnjë punë, asnjë të ardhur, asnjë pushim, asnjë hapësirë veprimi. Asgjë nga gjithë këto. Përmes aparateve satelitore dhe internetit bombardohemi me pamjet e jetës së bukur “jashtë”. Edhe ne duam të jetojmë kështu. Duam të shpojmë tavanin që na rëndon mbi kokë, që mbyt çdo lëvizje, çdo frymëmarrje. Atje ka ajër, djem, vajza, dashuri, liri. Madje edhe jeta shpirtërore është më e vërtetë se te ne. Me ato që përjetojmë ditë pas dite, traditat dhe zakonet tona janë zvetënuar. Nuk dua të ankohem, por ku jemi katandisur? Nga jashtë mirë e bukur, nga brenda të shpifur. Unë si një egjiptian që do atdheun dhe vendin ku është rritur, shoh se më duhet të iki, për t’i shërbyer vendit tim. Egjipti tekefundit nuk se më do vërtet. Nuk është në gjendje të më ofrojë një vend. Më duket sikur i jam bërë barrë. Punë mjaftueshëm për ne nuk ka. “Ja që jeni shtuar ca si shumë. Nuk dimë ç’të bëjmë me ju”, deklaron qeveria në çdo rast. Shiko vetëm posterat kudo nëpër rrugë. “Po të veprojmë me mend në kokë, do ta kemi barkun plot”, shkruhet aty. Kuptohet që njerëzit do ta ndryshonin pak këtë shprehje në: “Po të veprojmë me mend në kokë, më mirë t’ia mbathim që sot”.

Nëse iki jashtë vendit dhe aty bëj një jetë të mirë, me siguri do të bëhem si ata. Se fundja, kjo do të jetë mandej jeta ime e re. Vendi në të cilin shkoj të jetoj, kthehet në atdheun tim. Por një gjë më bën të mendoj: Le ta zëmë për shembull që largohem për diku, dhe qëndroj aty për ca kohë, a do të kthehem më në Egjipt? Kjo pyetje nuk më lë të qetë. Le ta zëmë se aty bëhem me fëmijë, a do t’i sillja fëmijët këtu dhe t’i çoja në shkollë? Me siguri që jo! Me siguri që do të vija për vizitë në Egjipt, por më tepër se kaq, jo.

Ahmedit i doli gjumi në mbrëmje. Nëna dhe tezja kishin kontrolluar disa herë gjatë ditës në dhomën e tij dhe kishin parë që ai ia kishte futur një gjumi të thellë, ndërsa merrte frymë rregullisht, me muskuj tërësisht të qetësuar në fytyrë. Çdo herë, të dyja i kishin përkëdhelur ballin dhe nëna i kishte fshirë djersën me një shami të parfumuar ngjyrë trëndafili. Pa u zënë besë akrepave të orës së dorës, Ahmedi shkoi në dhomën e ndenjes. Të dyja gratë qenë ulur në divan, përballë njëra-tjetrës, të zhytura në letrat e bixhozit që kishin hapur përpara. “A do të na sjellë era të mira apo të këqija? A do të na pllakosë fatkeqësia e maskuar si lumturi? Apo kësaj radhe fati do të jetë i mëshirshëm?”

Kur Ahmedi hyri në dhomë, ato ishin duke lexuar letrat e tij. Tezja e vështroi. “Më në fund, o djalë! Po pyesnim veten, mos na je vallë hëna e plotë dhe prandaj na shfaqesh kaq rrallë. Sa shumë ke fjetur. Është ora nëntëmbëdhjetë”. Ai u ul pranë tyre dhe ia nguli sytë ekranit. Në një nga kanalet e shumtë satelitorë po transmetohej një serial amerikan. Nëna u ngrit për t’i përgatitur mëngjes, drekë e darkë bashkë. Nuk ishte nevoja, refuzoi ai, edhe pak e do të dilte. Do takohej në orën tetë me shokun e tij Jasir që banonte aty ngjitur.

Lokali i tyre i preferuar ishte kafeneja në ndërtesën ngjitur. Jasir po e priste me gurët e dominosë të hapur mbi tavolinë. Në këtë lojë, Jasirit nuk ia dilje dot. Ai ishte gjeni në matematikë dhe kishte studiuar për elektro-teknikë. Studimet ama i kishin shërbyer vetëm për një gjë: Jasir e dinte gjithmonë se cilët gurë kishte kundërshtari dhe sa pikë fshiheshin poshtë çdo guri. Dukej sikur të mbante një palë syze, për të cilat ëndërronin gjithë të rinjtë në Egjipt. Syze, me të cilat mund të vështroje tejpërtej fustaneve të grave, trupin e lakuriqtë. Por atë ditë ai e la Ahmedin të fitonte ndjeshëm, nga gëzimi që shokut më në fund i ishin çelur sytë. Sepse ai vetë ishte përpjekur prej kohësh t’ia çelte, gjersa në fund e kishte kuptuar që ai duhej të shkonte vetë drejt dritës, si një i verbër, dhe dikur do të mund ta shihte të vërtetën e shëmtuar aq qartë si hënën e plotë në shkretëtirë.

Një ditë pas ndriçimit të tij të papritur, Ahmedi i hodhi me kujdes ëndrrat e tij në koshin e plehrave dhe u përpoq të gjente punë në një zyrë avokatie. Pas dy muajsh kërkimi vuri re se në Egjipt kishte më shumë juristë të diplomuar se sa kriminelë në gjithë botën, dhe në fund gjeti punë në një kafene. Pronari i saj kishte nevojë për një njeri të besuar që ta zëvendësonte në arkë gjatë mungesës në turnin e mëngjesit. Ahmedi pranoi menjëherë. Por pas pak ditësh e kuptoi se gjatë udhëtimit me autobus, nga apartamenti i tij në rrugën Nâhia, për në punë, në lagjen Madinat Nasir, paga prej 300 Paundësh, fluturonte si pëllumbat e egër. Kur befas ia behu një dhuratë nga qielli.

Më në fund zoti Guma Abdelsalâm dhe unë, ramë dakord që të merrja një përvojë pune te ai. Zoti Guma është vërtet një burrë i shkëlqyer dhe një avokat nga i cili mund të mësosh shumë. Por të them të drejtën, më i shkëlqyer m’u duk fakti që zyra e avokatisë ndodhej jo shumë larg prej shtëpisë sime, se rroga ime mujore prej 150 Paundësh mjaftonte vetëm për të paguar udhëtimin për në gjykatë. Dhe nëse do të më ishte dashur të paguaja edhe rrugën për në zyrë, atëherë me të vërtetë do ta kisha tepruar. Edhe kjo i mungonte sime ëme, e cila ishte bërë tym nga gjendja. “Pikë e zezë, ku është parë një gjë e tillë!” mallkonte ajo gjithë kohës. Nëna kishte qenë gjatë gjithë jetës së saj optimiste. Pas diplomimit kisha shpresuar ta ndihmoja në shpenzimet e shtëpisë. Kurse sot shpresoj vetëm të mos e rëndoj shumë xhepin e nënës. Mezi ia mbusha mendjen vetes që të punoja si avokat. Pasi Zoti më kishte kuruar nga gjëja e prokurorisë, përpiqesha pa u lodhur ta lezetoja këtë profesion. Çdo mëngjes gjatë rrojës këndoja himnin e avokatit: “Të jesh avokat, zotëri, është diçka e mrekullueshme. Në rolin e avokatit ti mbron të shtypurit në një shoqëri të padrejtë. Kujdesesh që ata që kanë të drejtë, ta fitojnë këtë të drejtë. Kush në botë mund të më thotë se paska diçka tjetër, më të rëndësishme se kjo?”

Vetëm pak muaj më vonë, bota i shpjegoi atij në mënyrë të qartë se çfarë ishte më e rëndësishme se puna në një zyrë avokatie. Qiramarrësi flokëverdhë u largua nga apartamenti i tyre në Samâlik, ata nuk gjetën një tjetër ta zëvendësonte, dhe kursimet e vogla në sirtarin e tryezës së tualetit në dhomën e nënës së tij, si pasojë e “vapës së tmerrshme” nisën të avullojnë, vërtet pak nga pak, por me hapa të sigurt. Apartamenti në Samâlik ishte prona e vetme që Ahmedi kishte trashëguar nga babai i tij, dhe burimi i ekzistencës së familjes. Pas vdekjes së babait, nëna e Ahmedit kishte marrë letër e laps dhe kishte bërë llogari që pensioni i vejushës nuk i mjaftonte për një jetë të denjë, madje as për një të padenjë jo. Kunatave të saj, dhe për këtë ishte e bindur, nuk mund t’u kërkonte ndihmë, se ato kishin qenë tërësisht kundër që vëllai i tyre të martohej me një nuse nga fshati. Kështu që nëna e Ahmedit kishte marrë një vendim të vështirë. Ajo ia kishte dhënë me qira apartamentin e tyre për një shumë të konsiderueshme një gazetari spanjoll, ndërsa bashkë me të birin kishte lëvizur në një banesë tjetër, me qira, në lagjen Bulâk al-Dakrûr, ku ishte rritur dhe kishte jetuar ajo me të atin e saj që ndërkohë kishte vdekur. Ajo e hoqi Ahmed nga gjimnazi privat në Samâlik dhe e regjistroi atë në shkollën shtetërore pranë shtëpisë së tyre të re. Ndryshimi ishte i vështirë për djaloshin, por për familjen një zgjidhje gjeniale, sepse qiraja për apartamentin në Samâlik rritej vit pas viti me një përqindje të atillë që gati ishte më e lartë se niveli i inflacionit. Në këtë mënyrë, nëna e Ahmedit ia doli ta drejtonte anijen e jetës në mënyrë të sigurt drejt ujërave të qetë e të ngrohtë. Padyshim që kohë pas kohe kishte dallgë të forta, dhe anija lëkundej, por nuk përmbysej. Ndërsa tashmë apartamenti qëndroi bosh për një muaj. E kujdesshme dhe vizionare siç ishte, nëna kishte hequr për fat një grusht parash mënjanë, me të cilat po përballonte këtë kohë të keqe. Turbullirat kaluan kur një suedez i vjetër egjiptofil e mori me qira apartamentin për një kohë të pacaktuar. Sidoqoftë rritja e çmendur e çmimeve në vitet e fundit i kishte gllabëruar me gojën e saj djallëzore të gjitha të ardhurat nga banesa. T’i kërkonte zotërisë flokëverdhë ngritje të mëtejshme të qerasë, nuk guxonte. Dhe kur Ahmedi e pyeti, nëse mundej t’i siguronte 70 000 Paund, për të paguar me to një vend pune në prokurori, për një hop ajo gati mendoi ta therte pulën që pillte vezët e arta. Por e mençur si gjithmonë, në fund vendosi që shitja e apartamentit do të ishte një hap dritëshkurtër, në mos vetëvrasës. Ç’garanci kishte ajo që kjo shumë, siç hamendësonte Ahmedi, do t’i siguronte atij vërtet një vend pune në prokurori?

Pastaj erdhi çasti kur fati u ktheu përfundimisht shpinën.

Një fatkeqësi rrallë vjen vetëm. Dhe për këtë nuk të ndihmojnë më as fjalët ngushëlluese. Për më tepër himni “të jesh avokat është një gjë e mrekullueshme” që i këndoja vetes përditë para dhe mbas mëngjesit, nuk hynte më në punë. Nuk e bëja dot. Për të kryer punën duhet të veproja vazhdimisht kundër moralit tim dhe gjithçka që kisha mësuar te juristët, në fakultet, ta shkelja me këmbë. Ky profesion bie ndesh me gjithë parimet e edukimit dhe mënyrës sime të jetesës, si për sa i përket gjendjes në gjykatë, ashtu edhe në prokurori. Në thelb mund të lije vrasësit të kryenin punën e avokatëve. Kaq keq ka shkuar puna! Një ditë më doli një problem me zotin Guma. Ai fitoi një proces. Që do të thotë se ne duhet të kujdeseshim që vendimi të zbatohej. Më dërgoi të thërrisja përmbaruesin dhe policinë. Kur trokita te përmbaruesi, ky më tha të kthehem prapë të nesërmen. Dhe këtë përgjigje ma jepte përditë. Nuk po kuptoja asgjë. Së fundi, avokati i nervozuar më pyeti se ç’pazar kisha bërë me të. Pra, një avokat duhet të korruptojë nëpunësit, në mënyrë që këta të zbatojnë një vendim! Vlera e ryshfetit varet sipas rastit dhe zotësisë personale. Sidoqoftë, unë ia ktheva se nuk mund të bëja pazar dhe se burri ishte shumë i vështirë. Këtu shefi im nuk u përmbajt dot më. „Ju nuk jeni për asnjë punë”, ulëriti ai dhe dërgoi një avokat tjetër. Ky e zgjidhi çështjen sa hap e mbyll sytë. Një javë më vonë m’u desh të merresha me sekuestrimin e një banese. Një apartament i vogël në lagjen Malik Faissal, pronari i të cilit ishte një burrë i gjorë. Me shumë mundim ua mbusha mendjen nëpunësve të përmbarimit ta ulnim çmimin në 3000 Paund. Por zotit Guma kjo shumë iu duk më e lartë se duhej. Për një apartament si ky, sipas tij, 1500 Paund dilnin e tepronin. “Për të qenë i sinqertë, Ahmed”, shtoi ai, “nuk kam ç’bëj më për ju. Mendoj se duhet të kërkoni për një avokat tjetër. Me kënaqësi mund t’i hedh një fjalë të mirë për ju, Hussain Kûra-it”.

U largova. Ndihesha pikë e vrer.

Fragmenti është shkëputur nga romani “Arka e Noes”

 Përktheu: Jonila Godole

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency