EKSKLUZIVE Skema e re/ Reforma, pension social për çdo individ

0
142

Intervistoi: Driçim Çaka

 

Të punësuarit, përfitime më të larta kur të dalin në pension. Nuk rritet mosha

Skema aktuale, rritja e pensioneve do të bëhet në bazë të situatës ekonomike

 

pensiÇdo individ do të përfitojë pension social kur të arrijë në një moshë të caktuar, në mënyrë që të mos vuaj nga varfëria. Kështu është shprehur këshilltari i Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Enkelejd Musabelliu, në një intervistë për “Standard”. Duke folur për refomën e pensioneve, Musabelliu shpjegon se nga skema e re do të përfitojnë të gjithë të punësuarit, të cilët do të kenë përfitime më të larta kur të dalin në pension. Po kështu sipas këshilltarit të ministrit kjo skemë nuk do të prekë ata të moshuar që janë në prag të marrjes së pensionit.

Pas ngritjes së grupit të punës, tashmë ka filluar puna për skemën e re të pensioneve. A mund të na thoni cilat shtresa do të përfitojnë nga kjo skemë?

Sistemi i sigurimeve shoqërore ka një rëndësi shumë të madhe dhe ndikon në mënyrë vendimtare tregun e punës dhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar as misioni social që ka ky sistem. Rrjedhimisht, kur flasim për reformë të skemës së pensioneve i referohemi një reforme me efekt të gjërë, që përmes ndikimeve të mësipërme, prek jetën e thuajse çdo qytetari. Prandaj është disi e vështirë të përcaktohet se cilat shtresa përfitojnë më shumë nga reforma, por në parim mund të themi se zakonisht reformat e pensioneve nuk prekin pensionistët aktualë, por kontribuesit aktualë – pra ata të punësuar që janë të mbuluar nga sistemi i sigurimeve shoqërore. Në këtë mënyrë, reforma do synojë të zgjidhë disa probleme që has skema aktuale e prej kësaj do të përfitojnë të punësuarit, të cilët do të kenë përfitime më të larta kur të dalin në pension. Përsa u përket pensionistëve të sotëm, ata i kanë fituar të drejtat e tyre për pension e askush nuk mund t’ua mohojë.

Cilët do të jenë elementët kryesorë të kësaj skeme dhe si do të funskjonojë që nga derdhja e kontributeve deri te llogaritja e pensionit?

Jemi ende në fillimin e punës dhe sigurisht që është ende herët për të folur për elementët teknikë të skemës. Por skema e sotme vuan nga disa probleme të mprehëta të cilët duhen zgjidhur – çka përcakton disa parime që do të udhëheqin reformën. Së pari, skema vuan nga një deficit shumë i lartë, i cili duhet reduktuar. Kjo mund të bëhët duke rritur të ardhurat e skemës së pensioneve, pra duke i nxitur ata që janë pjesë e skemës aktualisht që të kontribuojnë më shumë por edhe duke nxitur ata që janë  nuk janë pjesë e skemës, pra punojnë në të zezë, që të bëhen pjesë e skemës. Për këtë arsye propozohet që të hiqet pensioin tavan në mënyrë që të krijohet një lidhje më e fortë mes kontributeve dhe benefiteve në mënyrë që të gjithë ata që dëshirojnë një pension më të lartë të kenë mundësinë për të derdhur më shumë kontribute. Së dytë, janë mbi 1 milion shqiptarë që janë në moshë pune e nuk janë pjesë e sistemit të pensioneve, e këta rrëzikojnë të mbeten pa një pension pleqërie. Prandaj është propozuar një pension bazë apo social që do t’i jepet çdo individi mbi një moshë të caktuar në mënyrë që askush të mos vuajë nga varfëria në pleqëri.

A parshikojnë ndryshimet në skemë edhe rritjen e moshës së pensionit për burrat ose gratë?

Të gjitha sistemet e pensioneve bazohen në një parim të vetëm: janë skema që i japin individit mundësinë që gjatë viteve kur është i aftë për të punuar të kursejë për vitet e pleqërisë kur aftësia për punë bie. Kësisoj, gjatë 35 apo 40 viteve që janë të punësuar individët derdhin një pjesë të pagës së tyre në fondin e sigurimeve shoqërore për t’i tërhequr sërish gjatë 15 apo 20 viteve të pleqërisë. Por, është fakt se jetëgjatësia është rritur ndjeshëm gjatë viteve të pas luftës së dytë botërore dhe projeksionet tregojnë se do vazhdojë të rritet. Kjo gjë e bën të domosdoshme rritjen e moshës së daljes në pension, por ama vetëm në një periudhë afatgjatë. Pra, në terma afatshkurtëra mosha e daljes në pension në Shqipëri nuk do të ndryshojë. Me fjalë të tjera, ata që janë pranë moshës së daljes në pension të rrinë të qetë sepse nuk do të ketë rritje të moshës së daljes në pension.

Po me pensionistët aktualë çfarë pritet të ndodhë, do të ketë rritje të pensioneve në të ardhmen apo do të vazhdojë të funskjonojë e njëjta skemë?

Siç e thashe edhe më sipër, reforma (pra, ndryshimi i skemës) prek kontribuesit aktuale dhe jo pensionistët aktuale. Përsa i përket masës së pensionit që ata përfitojnë, ajo është e përcaktuar me ligj sesa duhet të jetë dhe sigurisht që mund të rritet nëse situata ekonomike e vendit e lejon këtë. Me fjalë të tjera, nëse rritja ekonomike do të jetë e lartë dhe financat e shtetit të shëndosha edhe pensionet do të rriten.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency