Ulen sërish tarifat e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, por shtrenjtohet karburanti

0

Ervin Kaduku

– Rritja nga çmimi i mëparshëm do të jetë vetëm 2.000 lekë, kompanitë u tërhoqën pas rritjes prej 6.000 lekësh, të bërë në mënyrë të papritur

 

sigurimi-i-automjeteveNjë lajm i mirë dhe një i keq për shqiptarët: Qytetarët do të mund t’i sigurojnë makinat e tyre me një çmim të përafërt me atë, që ishte në fuqi deri tani, por çmimi i naftës dhe i benzinës janë shtrenjtuar. Në fakt, krahasuar me 14.600 lekë të sigurimit të detyrueshëm vjetor për autoveturat, rritje sërish ka, por kjo do të jetë 2.000 lekë dhe jo 6.000 lekë, sa ç’u bë disa ditë më parë nga të gjithë kompanitë e sigurimit njëherësh. Kompanitë e sigurimit ulën ditën e djeshme tarifat e sigurimit të detyrueshëm motorik në 16.500 lekë, nga 18.900-21.000 lekë që shkoi në fillim të javës në të gjitha pikat e shitjes së këtyre kompanive, në varësi të fuqisë motorike të automjetit. E para ishte kompania e vetme shtetërore e sigurimeve, INSIG, që uli tarifën e sigurimit të automjeteve (TPL). Nga e premtja, tarifa për sigurimin e veturave pranë INSIG-ut ka zbritur në 15-16 mijë lekë, në varësi të fuqisë motorike. Ulja erdhi një ditë pasi bordi drejtues i kompanisë së vetme shtetërore në treg në këtë sektor vendosi shkarkimin e zotit Tomor Kalaja nga posti i drejtorit të saj të përgjithshëm, me motivacion kryesor vendimin për rritjen e tarifave për sigurimin e TPL-ve pa analizë dhe pa konsultim me organet shtetërore.

Kompanitë e sigurimeve rritën në fillim të javës njëkohësisht tarifat e sigurimit të detyrueshëm motorik, TPL, me rreth 30%. Nga 14,600 lekë që ishte çmimi i TPL-së për autoveturat pak ditë më parë tashmë ai llogaritet në 18,900 lekë. Shoqata e Siguruesve, përmes një njoftimi për shtyp, argumentoi se arsyet e rritjes së TPL-së lidhen me shtimin e aksidenteve rrugore, rritjen e numrit të mjeteve në qarkullim. Një tjetër element, që nxiti ata, ishte dhe kontrolli abuziv teknik, që u bëhet automjeteve si dhe infrastruktura rrugore jo në parametrat e duhura. Pas rritjes së ndjeshme të tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik, TPL, me rreth 30-40%, në mënyrë të menjëhershme dhe të koordinuar nga të gjitha shoqëritë e sigurimit, reagoi edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili sqaroi se AMF nuk ka kompetencë të ndërhyjë në politikat e tarifimit të shoqërive të sigurimit. Sipas AMF-së, kjo është një praktikë e pranuar në të gjitha vendet e BE-së. Autoritetet rregullatore kanë për detyrë të përqendrohen tek kapitali ose aftësia për të përmbushur përgjegjësitë e kontraktuara. Pavarësisht nga këto, problematika e shfaqur në Shqipëri është shkaktuar edhe nga një faktor shtesë i lindur si rrjedhojë e liberalizimit të tregut me një proces jo të drejtë dhe të menduar apo të drejtuar mirë. Kështu, AMF e ka konsideruar të parakohshëm liberalizimin dhe është shprehur kundër mënyrës se si u zhvillua ky proces. Liberalizimi do të kryhej me bashkëpunimin dhe asistencën e Bankës Botërore dhe pasi të ishte ngritur infrastruktura e duhur për këtë qëllim. AMF shpjegon se ecuria e çmimeve pas momentit të liberalizimit është karakterizuar nga luhatje në rritje ose në rënie, gjë që është e natyrshme dhe e pritshme për një treg të liberalizuar. Po ashtu, përvojat e vendeve të tjera e konfirmojnë sjelljen e vërejtur në Shqipëri, sidomos në vitet e para pas liberalizimit.

Megjithatë, mbetet si domosdoshmëri fakti që tregut i duhet një periudhë kohe të përshtatet me kushtet e reja të vlerësimit të riskut dhe përcaktimit të çmimit të tij.

Karburanti

Çmimi i karburantit gjatë ka pasur një rritje të lehtë edhe pse muaji janar nisi me një rritje të menjëhershme të çmimit të naftës e benzinës në vend. Tregtarët me pakicë e kanë shfrytëzuar këtë situatë duke u justifikuar me rritjen e taksës së qarkullimit për çdo litër karburant. Megjithatë, rritja nuk ka qenë asnjëherë në përputhje me taksën e re, pasi javën e parë të muajit janar karburantet u rritën me 8 lekë për litër, javën e dytë u rritën me 5 lekë më shumë nga java e parë. Kështu, nëse rritja e taksës së qarkullimit ka qenë 10 lekë, çmimi i një litri karburant është rritur me 13 lekë. Pa marrë parasysh këtu se, efekti i taksës së re duhet të ndihej nga muaji prill.

Gjatë kësaj jave një litër naftë është tregtuar me 189 deri në 198 lekë për litër, nga 189 deri në 196 lekë për litër që u tregtua një javë më parë. Gjithashtu edhe çmimi i benzinës është rritur, ku nga 191- 196 lekë për litër që u tregtua javën e kaluar, këtë javë është shitur me 191-198 lekë për litër.

Rritja që pësuan çmimet e karburanteve në dy javët e para të muajit janar nuk është për shkak të paketës së re fiskale të miratuar në dhjetor, pasi, me ligj, karburantet duhet të kenë rezerva disamujore dhe rritja e çmimeve nuk mund të reflektohet direkt.

 

 

 

 

Privatizimet brenda dy viteve, Guxholli: Qeveria po kopjon modelin “Berisha”

Në programin ekonomik fiskal qeveria parashikon që brenda këtij viti të privatizojë gjitha asetet dhe aksionet shtetërore të shoqërive në sektorët jostrategjikë. Vlera e përgjithshme e tyre përllogaritet 5 milionë euro. Brenda këtij viti planifikohet të shitet dhe paketa e mbetur e “Albtelekom”. Në vitin 2015, paketa e ARMO-s, ndërsa në 2016-ën paketa e operatorit të sistemit të shpërndarjes. Të gjitha përllogariten në një vlerë prej 72milionë eurosh.

Sipas Zana Guxhollit, planifikimi i këtyre privatizimeve është një kopje tjetër ndaj projekteve të qeverisë Berisha. “E majta, nuk po sjell asgjë nga vetja e saj dhe po ecën në rrugën e së djathtës”, – tha ish-këshilltarja. I ngjashëm është edhe sulmi e më pas tërheqja ndaj konvencioneve apo nismës “1 euro”, risitë që solli në dy mandate qeveria e Berishës. Sipas Guxhollit, rikthimi tek e njëjta politikë privatizimesh është një tjetër tregues pse shqiptarët u mashtruan nga socialistët, të cilët nuk kanë një program për të shëndoshur ekonominë shqiptare.

 

 

Bujqësia

Ekspertët: Sektor prioritar i progresit ekonomik

Ekspertët e ekonomisë shqiptare vlerësojnë bujqësinë si një ndër sektorët bazë që do të mbështesë progresin ekonomik të vendit për periudhën në vazhdim. Sipas tyre, rritja e prodhimit të perimeve, ullishtaria, vreshtaria, rritja e prodhimit dhe eksporteve të bimëve mjekësore dhe peshkimi, janë sektorët që duhet të marrin përparësi zhvillimi, për vetë potencialet që bartin. Aktualisht, në të gjithë vendin, janë të mbjella me ullinj 21.202 hektarë tokë, nga të cilat 5.781 hektarë janë të mbjella me ullinj që përdoren për tavolinë, ndërsa 15.421 hektarë janë të mbjellë me ullinj që përdoren për prodhimin e vajit të ullirit. Prodhimi i përafërt i ullinjve që mund të përdoret për prodhim vaji është rreth 61.684 tonë në vit (llogaritur me 20 kg për rrënjë), ndërsa i llogaritur me 10 kg për rrënjë, prodhimi maksimal arrin në 31.000 tonë. Prodhimi i mundshëm i ullinjve për desert/tavolinë llogaritet rreth 23.000 tonë (llogaritur me 20 kg për rrënjë), ndërsa i llogaritur me 10 kg për rrënjë, prodhimi maksimal arrin në 11.500 tonë. Aktualisht, importohen 312 tonë ullinj dhe në vitin më të mirë rreth 480 tonë. Ndërsa eksportohen 125 tonë ullinj që përbën edhe kuotën më të lartë të eksportit të ullinjve në këto vitet e fundit.

 

 

 

Kursi i këmbimit

Leku fiton pikë ndaj dollarit, humb me euron

Në tregun e këmbimit valutor këtë fundjavë leku forcoi pozitat ndaj monedhës së gjelbër dollar, dhe qëndroi e dobët ndaj euros. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, të hënën një euro u këmbye me 140.3 lekë, për ta mbyllur javën të premten në kuotën e 140.39 lekëve, pas një rënieje të lehtë që shënoi të mërkurën dhe të enjten. Në raport të këmbimit me dollarin leku fitoi pikë dhe u këmbye këtë fundjavë me 102.58 lekë, nga 102.98 që ishte kursi të hënën. Analistët e bankës shprehen se tregu i brendshëm valutor vazhdon të reflektojë ndryshimet në bursat ndërkombëtare, ndërsa kërkesë-oferta e brendshme në muajt e parë të viti 2014 janë të ngadalta. Sipas tyre, “nga fundi i muajit marsit dhe fillimi i prillit, sezonalisht ka një rritje të kërkesës për valutë nga kompanitë e huaja që transferojnë fitimet e 2013-ës”. Ndërsa gjatë muajve të fundit, tendenca e këmbimit euro-lek ka qenë në favor të monedhës europiane dhe trendi i përgjithshëm i lekut ka qenë ai i zhvlerësimit, pavarësisht luhatjeve momentale të kursit të këmbimit