Korçë
Prokuroria: Një pronë e dalë në ankand nga banka e drejtuar prej tij, u ble nga 2 të afërm të tij, të cilët nuk kishin mundësi financiare
Shitja e një prone të patundshme, e cila ishte nxjerrë në ankand nga banka e nivelit të dytë ku ishte drejtues Blendi Topalli nxorri në dritë gjithë skemën e vjedhjes së llogarive të klientëve në këtë bankë. Sipas hetimeve, pamundësia për të shlyer një kredi nga shtetasi A.Hysi bëri që prona e tij të dilte në ankand dhe të blihej nga dy të afërm të drejtorit, të cilët nuk kishin asnjë mundësi financiare për ta blerë. Pronari i vërtetë i kësaj prone doli të ishte drejtori. Po si u arrit deri te drejtori Topalli dhe më pas në prekjen e llogarive të klientëve të bankës që ai drejtonte.
Hetimi
Nga hetimet e Prokurorisë së Korçës ka rezultuar se Blendi Topalli, drejtor në filialin e një banke të nivelit të dytë në Bilisht, Korçë, është blerësi de-fakto i një pasurie të paluajtshme, e cila ka dalë në ankand pasi shtetasi A.Hysi, i cili nëpërmjet dokumentave të falsifikuara kishte marrë një kredi në bankën e drejtuar nga Topalli dhe nuk kishte mundur ta shlyente. Gjatë veprimeve hetimore, rezultoi se shtetasi A. Hysi, ka falsifikuar nënshkrimet e familjarëve të tij për vendosjen si garanci për kredinë e marrë, një pasuri të paluajtshme, e cila ishte pronësi e të gjithë familjes së tij. Për të kryer veprimet bankare me dokumenta false, shtetasi A. Hysi është ndihmuar nga drejtori i filialit të bankës, Blendi Topalli. Shtetasi A. Hysi është gjykuar dhe është dënuar për veprën penale të “falsifikimit të dokumentave”. Ndërkohë, prona që ai kishte vendosur garanci për kredinë bankare, doli në ankand, për mungesë shlyerje të kësteve të kredisë. Kjo pronë është blerë nga dy të afërm të drejtorit të filialit të bankës, shtetasit E. Çibuku dhe V. Lala. Nga hetimet u provua se këta dy shtetas, blerës “de jure”, nuk kishin mundësi financiare të blinin këtë pasuri dhe shuma financiare është siguruar nga ana e Blendi Topallit, i cili për shkak të pozicionit të tij, nuk mund të përfshihej në ankandin e organizuar nga banka ku punonte ai. Për këtë arsye, nga ana e Prokurorisë së Korçës nisën hetimet, fillimisht për “shpërdorim detyre” ndaj drejtorit të filialit të bankës, Blendi Topalli. Nga hetimet e mëtejshme rezulton se pasuria e paluajtshme që ai ka blerë nëpërmjet kushëririt të tij E. Çibuku në shumën 1 440 192 lekë, është shitur menjëherë pas dy ditësh (pas regjistrimit) tek shtetasi M.T, për shumën 3 500 000 lekë. Këto fakte i ka pranuar edhe vetë shtetasi Blendi Topalli, i cili në atë kohë është justifikuar me faktin se për të mos marrë miratim nga Departamenti Ligjor i bankës, ku punonte, ka përdorur kushëririn e tij për të blerë këtë pronë. Bazuar në këto fakte, në lidhje me këtë procedim penal në datë 06.05.2013, i është regjistruar si person që i atribuohet vepra penale edhe emri i shtetasi Blendi Topalli, i hetuar fillimisht për veprat penale të të “Falsifikimit të dokumentave” (në formën e falsifikimit intelektual) dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale”. Gjithashtu, nga administrimi i aktit të ekspertimit grafik dt 31.07.2013, ka rezultuar se mandatet e arkëtimit për pjesëmarrjen në ankand dhe shumën e paguar në emër të shtetasve V. Lala, E. Çibuku, janë shkruar nga shtetasi Blendi Topalli. Gjithashtu nga ky akt ekspertimi, rezulton se shtetasi Blendi Topalli, ka firmosur në emër të shtetasit E. Çibuku, edhe në një rast tjetër blerje prone në ankand në datë 11.10.2012. Në lidhje me këtë rast, me vendimin e datës 12.10.2013, është vendosur sekuestro preventive, pasi dyshohej se rridhte nga shumat e përfituara nga vjedhja e bankës.
Ndërhyrjet në bankë
Nga hetimi i mëtejshëm në lidhje me këtë procedim penal dhe më konkretisht në lidhje me burimin e shumës me të cilën është blerë pasuria, ka rezultuar se kjo shumë është paguar nga llogaria e shtetasit N.Z. I pyetur me cilësinë e personit që deklaron rrethana të dobishme për hetimin e shtetasit N.Z, në datë 23.07.2013, ka sqaruar se, nuk ka transferuar asnjëherë për llogari të shtetasit E. Çibuku ndonjë shumë lekësh, pasi këtë shtetas nuk e njeh dhe për më tepër ai nuk ka transferuar asnjë shumë lekësh për llogari të ndonjë ankandi nga shuma që ai ka depozituar në ankand. Madje ky shtetas ka sqaruar se pikërisht në vitin 2013, është thirrur nga shtetasi Blendi Topalli rreth fundit të muajit Maj, ose në muajin Qershor, sipas Blendit “për të bërë siguracionin shëndetësor në bankë”. Atje Blendi i ka sqaruar se sigurimi shëndetësor për të nuk mund të bëhej, pasi ai ishte mbi 65 vjeç, por mund të bëhej për djalin dhe nusen e tij. Shtetasi N.Z, ka sqaruar gjithashtu se Blendi Topalli i kishte dhënë disa dokumenta për të firmosur dhe ndër të tjera i ka thënë se: “N…, është bërë një gabim në emrin tënd, janë hedhur 10 000 euro”. Shtetasi N.Z, ka sqaruar se ai nuk e kishte kuptuar nëse ishin marrë nga llogaria, apo ishin hedhur në llogarinë e tij, këto para, por i ka thënë Blendit se: “Djalë unë as kam tërhequr dhe as nuk kam derdhur para në euro absolutisht, ti bëj si të duash unë nuk kam punë me këto”. Gjithësesi, ai ka sqaruar se nuk kishte kryer asnjë transaksion me llogarinë e tij. Duke ju referuar fakteve të mësipërme dhe aktit të ekspertimit grafik dt 31.07.2013, rezultonte se në mirëbesim, shtetasi Blendi Topalli, i ka marrë firmën shtetasit N.Z, për transfertën në favor të shtetasit E. Çibuku, gjatë kohës që dokumenti në fjalë kërkohej për t’u sekuestruar nga ana e Prokurorisë në cilësinë e provës materiale (për këtë arsye ky dokument është dorëzuar me shumë vonesë nga i pandehuri Blendi Topalli).
Transaksionet e dyshimta
Në datë 28.07.2011 (datë në të cilën është bërë transferimi për llogari të E. Çibukut), nga llogaria e shtetasit N.Z, është kryer transaksioni me vlerë 2 140 000 lekë, me përshkrim (blerje apartamenti 54 m2 në Vlorë), me përfituese shtetasen A.TH. Në datë 27.10.2011 nga llogaria e shtetasit N.Z, është kryer transaksioni me vlerë 3 123 000 lekë, me përshkrim (blerje apartamenti), me përfitues shtetasin A.G. Në datë 13.02.2013 nga llogaria e shtetasit N.Z, është kryer transaksioni me vlerë 6 300 000 lekë, me përshkrim (blerje toke), me përfitues shtetasin J.K. Si rezultat i transaksioneve të mësipërme, llogari bankare në emër të shtetasit N.Z, nga shuma 13 969 000 lekë që duhet të ishte gjendje, shuma e saj ishte 9 599 lekë. Në lidhje me fakte e mësipërme dhe transaksionet e kryera nëpërmjet llogarisë së shtetasit N.Z janë pyetur me cilësinë e personave që deklarojnë rrethana të dobishme për hetimin edhe shtetasit N.Z dhe djali i tij A.Z, të cilët kanë sqaruar se nuk kanë asnjë dijeni për transaksionet e mësipërme, nuk kanë blerë asnjë tokë, asnjë apartament dhe nuk i njohin asnjë prej përfituesve të këtyre trasanksioneve. Bazuar në këto fakte, për Topallin nisën hetimet dhe ndaj tij u caktua masa “arrest me burg” për dy vepra penale, “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”.